Lajmet

​Në grevë të përgjithshme hyjnë edhe punëtorët e administratës së Prishtinës

Mbarëvajtjen e grevës e kanë vëzhguar nga afër edhe anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së.

Published

on

Grevës së përgjithshme të iniciuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i janë përgjigjur edhe punëtorët e Administratës Komunale të Komunës së Prishtinës.

E mbarëvajtjen e grevës e kanë vëzhguar nga afër edhe anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillave Greviste të Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së.

Ahmet Gashi, kryetari i Shoqatës Sindikale në komunën e Prishtinës u shpreh se grevës së përgjithshme i janë përgjigjur edhe shërbyesit civil të kësaj komune, dhe se gjithçka po shkon mirë.

“Greva është duke shkuar mirë dhe mbarë. Shumica e shërbyesve civil të komunës të Prishtinë na janë përgjigjur, kështu që jemi në grevë. Greva është duke vazhduar dhe është shumë mirë duke shkuar”, tha ai.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, u shpreh se kjo grevë ka ardhur si rezultat i pakënaqësisë së shërbyesve civil për mënyrën se si po trajtohen nga Qeveria e Kosovës. Ai renditi disa nga kërkesat e tyre që po synojnë t’i realizojnë përmes kësaj greve.

“Qeveria nuk ka gjetur kohë apo nuk ka pas disponim që t’i dëgjoj kërkesat tona të cilat konsideroj se janë kërkesa të ligjshme. Kërkesa jonë ka qenë në mënyrë konsistente hartimi sa më parë dhe fillimi sa më parë i zbatimit të ligjit të pagave i cili që 1 vit zvarritet nëpër sirtarë. Si kërkesë tjetër jo e parëndësishme, por konsideroj se përpos rëndësisë është në raportin human që ne kemi kërkuar vazhdimisht të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit mbi skemat pensionale, konkretisht eliminohet kriteri diskriminues prej 15 viteve dhe tu pranohet të gjithëve stazhi i punës të larguar dhunshëm nga ish regjimi i Serbisë. Si kërkesë tjetër që ka qenë edhe kërkesa për fillimin e zbatimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore. Duke parë situatën me të cilën jemi dhe duke parë situatën ekonomike së fundmi dhe çmimet që pothuajse janë marramendëse ka dal si imperativ i kohës edhe të shihet mundësia deri në fillim të zbatimit të ligjit të pagave t’i ndahet 100 euro një shumë për të gjithë të punësuarit zyrtarëve publik të Kosovës”, tha Gashi.

Kryesuesi i Këshillit Grevisët të BSPK-së, Rrahman Jashari tha se do të jenë zëri edhe i zjarrfikësve dhe policëve të cilët nuk mund tu bashkohen në grevë.

Kreu i SBASHKU-ut njëherit i bëri thirrje edhe qeverisë së Kosovës të nisë dialogun me ta për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.

“BSPK-ja do t’i prezantoj dhe do të luftoj edhe për kërkesat e tyre sepse janë kërkesa të njëjta si në arsim, administratë dhe polici, si në doganë dhe të tjera…Unë po uroj dhe bashkë të gjithë sindikalistët dhe të gjithë grevistët që qeveria të filloj me dialogun dhe me apelin që nuk po e përsërisë sa për të bërë reklamë edhe këtu në këtë ndërtesë të institucionit e lus kryeministrin, Albin Kurti që së paku për hir të djemve dhe vajzave që po shërbejnë me dinjitetit në Policinë e Kosovës, shkaku i atyre dhe gjithë neve të filloj me realizim të kërkesave duke filluar me këtë 100 euro deri të bëhet ligji”, u shpreh Jashari.

Këshilli Grevist i BSPK-së sot ka vizituar edhe grevën në çerdhen publike “Yllkat” si dhe shkollën fillore “Gjergj Fishta”.

Lidhur me këtë grevë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë dje se nuk është koha e kërcënimeve dhe bojkoteve nga ana e sindikatave dhe punëtorëve. 

Lajmet

Shtyhet seanca për Masakrën e Mejës për shkak të mungesës së tre avokatëve

Published

on

By

Seanca fillestare në rastin e Masakrës së Mejës, ku 53 persona akuzohen për krime lufte ndaj popullsisë civile, është shtyrë meqë në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm tre avokatë mbrojtës.

Trupi gjykues konstatoi se në mungesë të avokatëve Valon Hasani, Uresa Restelica dhe Laur Prenaj nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës.

“Nuk jemi në kushte me proceduar tutje. Planifikoj që seanca e ardhshme të jetë më 25 shtator, ora 08:30”, deklaroi gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Gjykimi për këtë rast po zhvillohet në mungesë, ku të akuzuarit përfaqësohen përmes mbrojtësve të tyre ligjorë. Aktakuza e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024 ngarkon 53 persona, me në krye Momir Stojanoviqin, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës. Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, Sreten Çamoviq, Verolub Zhivkoviq, Illija Todorov dhe Dragan Zhivanoviq.

Sipas aktakuzës, gjatë datave 27-29 prill 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndërmorën një operacion ku kryen vrasje masive të civilëve, dëbim të popullsisë, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë në disa fshatra të Gjakovës. Vetëm në fshatin Mejë u vranë 270 civilë shqiptarë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur.

Seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës është caktuar të mbahet më 25 shtator, në ora 08:30.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste te dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, me raste të regjistruara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Rahovec.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, ndaj shumicës së viktimave është ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kanosje.

Në Prishtinë janë raportuar tre raste të ndryshme. Në dy prej tyre, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe sulm ndaj viktimave femra, ndërsa në rastin tjetër është ushtruar dhunë psikike dhe kanosje. Në të tre raste, pas intervistimit me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Një person në Fushë Kosovë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një femre.

Në Lipjan është iniciuar një rast për “Dhunë në familje & Sulm” ndaj një viktime femër. Lënda do të trajtohet në procedurë të rregullt në konsultim me prokurorin.

Ndërsa në Rahovec pas një mosmarrëveshjeje, një person ka sulmuar verbalisht dhe ka kanosur një mashkull. I dyshuari ndodhet aktualisht në kërkim policor, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Në Singapor është e ndaluar të përtypësh çamçakëz në vende publike, për të mbajtur qytetin më të pastër.
  2. Netflix dikur u ofroi themeluesve të Blockbuster ta blinin kompaninë për vetëm 50 milionë dollarë, por ata refuzuan.
  3. Në Australi ekziston një gardh mbi 5 mijë kilometra i gjatë, i ndërtuar për të mbajtur larg qentë e egër.
  4. Trupi i njeriut krijon aq shumë nxehtësi në 30 minuta sa mund të vlojë rreth 2 litra ujë.
  5. Në Japoni ekziston një tren që ndalon vetëm për një nxënëse, vetëm që ajo të mund të shkojë në shkollë.

Continue Reading

Lajmet

PDK dërgon sërish në Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë: Albin Kurti dhe partia e tij shkelën afatet me qëllim

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish sot Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Kërkesa zyrtare është dorëzuar nga deputetët e këtij subjekti politik, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë në tërësi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë votimit në Kuvend.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe hapat e ndërmarrë menjëherë pas tij përmbajnë shkelje seriosaze kushtetuese. Nga partia më e madhe opozitare janë shprehur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shkelur afatet kushtetuese me qëllim gjatë këtij procesi.

Kjo lëvizje e PDK-së vjen vetëm një ditë pasi ky subjekt politik dërgoi një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhej me procedurën e konstituimit të legjislaturës së 11-të ku u zgjodh kryetarja dhe katër nënkryetarët e Kuvendit procedurë kjo që i hap rrugë edhe votimit të kabinetit të ri qeveritar. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara