Lajmet

​Në Austri, nga shkurti vaksinimi bëhet i detyrueshëm për të gjithë mbi 18-vjeç

Pothuajse dy muaj më parë, qeveria njoftoi se në fillim të këtij viti do të vendoste vaksinimin e përgjithshëm të detyrueshëm.

Published

on

Austria po bën të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për të rriturit në fillim të shkurtit, nën kërcënimet për dënime të larta, tha kancelari austriak Karl Nechamer, duke deklaruar se është i vetëdijshëm për natyrën “sensitive” të një vendimi të tillë, vendimi i parë i tillë në Evropë.

“Siç ishte planifikuar, ne po vendosim vaksinimin e detyrueshëm për njerëzit mbi 18-vjeç në fillim të shkurtit”, u tha gazetarëve kreu i qeverisë konservatore, të cilën ai e drejton së bashku me ambientalistët.

Qeveria propozoi sot një plan të rishikuar për vaksinimin e detyrueshëm, i cili tani do të zbatohet për këdo mbi moshën 18-vjeç, në vend të 14, siç ishte planifikuar fillimisht. Zyrtarët thanë se prezantimi gradual i planit do t’u jepte njerëzve mundësi të mjaftueshme për t’u vaksinuar.

Pothuajse dy muaj më parë, qeveria njoftoi se në fillim të këtij viti do të vendoste vaksinimin e përgjithshëm të detyrueshëm. Aspektet kryesore të planit mbeten në versionin përfundimtar, që do të debatohet në parlament të enjten, por zyrtarët thanë se konsultimet me dy parti opozitare dhe të tjera kanë treguar se nevojiten ndryshime në disa detaje.

Nechamer tha se ka pasur shqetësime për faktin se adoleshentët po ndëshkohen, ndaj është bërë një ndryshim dhe është futur vaksinimi i detyrueshëm që në moshën 18-vjeçare.

Për javë të tëra, ka pasur debate të ashpra në Parlament mbi planin në një vend ku 78.5 për qind e popullsisë që mund të vaksinohet është vaksinuar plotësisht deri më tani.

Qeveria austriake ka një shumicë të madhe në parlament, përveç konservatorëve dhe të gjelbërve, këtë propozim e mbështesin edhe krerët e Partive Socialdemokrate dhe Liberale. Kundër tij është vetëm partia e ekstremit të djathtë, në emër të “mbrojtjes së lirive individuale”.

Kancelari tha se ishte një “plan i ndjeshëm”, por se ishte “në përputhje me Kushtetutën” dhe se kishte një fazë rregullimi që lejonte ata që hezitonin të vaksinoheshin deri në mes të marsit.

Të shtunën, 27.000 njerëz demonstruan në Vjenë kundër masës së diskutueshme, e cila besohet se shkel liritë individuale.

Në fillim të shkurtit do të vendosen kontrollet dhe personat e pa vaksinuar do të gjobiten nga 600 deri në 3600 euro në rast të përsëritjes së krimit.

Pjesë të ligjit mund të pezullohen me miratimin e komisionit parlamentar, nëse, për shembull, variantet e ardhshme të virusit janë më të buta ose ekspertët vlerësojnë se vaksinimi nuk është më rruga përpara.

Vaksinimi po bëhet i detyrueshëm në një numër në rritje vendesh për profesione të caktuara, kategori popullsie apo aktivitete të caktuara. Por vaksinimi antiCOVID-19 i detyrueshëm për të gjithë është ende një përjashtim.

Një masë e tillë hyri në fuqi në Ekuador, Taxhikistan, Turkmenistan, Indonezi dhe Mikronezi.

Në Gjermani, një propozim i ngjashëm, i mbrojtur nga kancelari socialdemokrat Olaf Scholz, mund të shqyrtohet në Bundestag në fund të janarit.

Qeveria austriake e justifikon këtë masë me mbingarkesën e spitaleve dhe dëshirën për të arritur një shkallë vaksinimi prej 90 për qind, që do të mundësonte, sipas këshillave të ekspertëve, arritjen e imunitetit kolektiv.

Sipas qeverisë, deri sot, 5.8 milionë njerëz kanë certifikatë vaksinimi në Austria, e cila ka 7.4 milionë njerëz që mund të vaksinohen.

Lajmet

Ulen sërish çmimet e derivateve në Kosovë, nafta prek nivelin më të ulët që nga marsi

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar çmimet tavan të derivateve për ditën e martë, të cilat kanë shënuar një rënie të mëtejshme.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.38 euro (një cent më lirë se ditët e kaluara), i benzinës 1.33 euro, ndërsa i gazit 0.67 euro për litër.

Kjo rënie e çon çmimin e naftës në nivelin më të ulët të regjistruar që nga fillimi i muajit mars.

Çmimet e karburanteve në Kosovë patën pësuar një rritje të ndjeshme pas përshkallëzimit të tensioneve dhe konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Megjithatë, armëpushimi i nënshkruar së fundmi mes Iranit dhe SHBA-së ka sjellë qetësimin e tregjeve ndërkombëtare, efekt i cili po reflektohet pozitivisht edhe në xhepat e qytetarëve në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Shqipëria, viti i mbrapshtë 1997

23 qershor 1993

Represioni i policisë serbe kundër shkollës shqipe po vazhdon kudo në Kosovë

Vala e represionit të policisë serbe kundër shkollës shqipe po vazhdon me intensitet të shtuar në të gjitha komunat e Kosovës. Dje, policia serbe ishte në Shkollën fillore “Çajupi” në Vushtrri dhe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Izet Morinën. Me atë rast policia konfiskoi 35 dëftesa të klasës së tetë, ndërsa drejtori i kësaj shkolle u mbajt në të ashtuquajturën bisedë informative rreth tri orë në stacionin e policisë në Vushtrri. Po ashtu dje në Vushtrri, policia serbe arrestoi edhe Ismail Berishën, drejtor i Shkollës fillore “Ali Kelmendi”, i cili nga inspektorët serb u mor në pyetje rreth tri orë. Në lokalet e kësaj shkolle, policia serbe bastisi edhe lokalet e Këshillit për financim komunal. Edhe në Shkollën fillore “Zija Prishtina” të Vushtrrisë, policia serbe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Ibrahim Kuçin.

Gjatë ditës së djeshme, aksione të këtilla policore për pengimin e shkollës shqipe kishte edhe në Suharekë. Dje, rreth orës 11, policia serbe arrestoi drejtorin e Shkollës fillore “7 Marsi” në Suharekë. Gjatë arrestimit, policia serbe konfiskoi 16 dëftesa, ndërsa në “bisedë informative” u mor edhe pedagogu i kësaj shkolle, Hamdi Spahiu.

Edhe në Gjakovë e rrethinë, po vazhdon i njëjti trend policor. Në Shkollën fillore “Rilindja” të fshatit Dobrigjë, policia serbe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Tomë Gjergjin, konfiskoi vulën, ndërsa drejtori e mori në bisedë informative rreth dy orë në lokalet e stacionit të policisë në Gjakovë. Policia serbe kështu veproi edhe në fshatin Rogovë. Edhe këtu konfiskoi vulën e kësaj shkolle, arrestoi drejtorin, Islam Gashin, të cilin e maltretoi fizikisht. Po kështu u veprua edhe në Shkollën fillore “Selman Riza” të Piskotës, me ç’rast u arrestua drejtori, Qemajl Dulatahu.

Organet e policisë serbe në Gjakovë, për sot ftuan që të lajmërohen në polici këta persona: Ilaz Dainë, drejtor i Shkollës fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë dhe Sali Vulën, sekretar i kësaj shkolle, Islam Gashin, drejtor i Shkollës fillore “Gani Hoxha” të fshatit Rogovë, si dhe arsimtarin e kësaj shkolle, Musa Shalën, Jonuz Ismailin, drejtor i Shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” të fshatit Ponoshec, Nezir Mustën, drejtor i Shkollës fillore “Bajram Sadrija” të fshatit Berjan, si dhe Rasim Hamzën, drejtor i Shkollës fillore “Jahë Salihu” të fshatit Molliq.

Edhe në Deçan, dje rreth orës 15, policia serbe arrestoi Isuf Ismajlajn, drejtor i Shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”, i cili nga inspektorët serbë u mor në pyetje rreth katër orë. Gjatë ditës së djeshme u arrestua edhe Sali Haxhosaj, drejtor i Shkollës fillore të fshatit Irzniq, i cili edhe pas tetëmbëdhjetë orëve ende po mbahet në stacionin e policisë në Deçan dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë. Si kusht për lirimin e tij, policia serbe ka kërkuar nga kujdestarët e klasëve të teta që në stacionin e policisë në Deçan, t’i dërgojnë të gjitha dëftesat e klasëve të teta! Për sot, është ftuar për në organet e policisë edhe Haki Islamaj, drejtor i

Shkollës fillore të Isniqit, ndërsa merret vesh se dje, u arrestua edhe Demë Sallaj, drejtor i Shkollës fillore në Junik si dhe u konfiskuan të gjitha dëftesat e klasëve të teta.

 

23 qershor 1994

Gjykimi në Prishtinë

Dje, ditën e tretë të procesit të montuar politik kundër 14 shqiptarëve në Prishtinë, deklaratat e tyre i dhanë Agim Krasniqi dhe Ibush Kelmendi.

Agim Krasniqi (1956), nga Drenoci i Malishevës, me vendbanim në Prishtinë, kapiten në ish-APJ, tash kryetar i Degës III të LDK-së në Prishtinë, tha se është torturuar pandërprerë prej 16 deri më 30 shtator të vitit 1993. Inspektorët, tha ai, e kanë përdorur gjatë torturimit edhe elektroshokun. Në trupin tim kanë mbetur njollat e përdorimit të dhunës, tha Agim Krasniqi dhe shpjegoi se nuk u është bërë e mundur mbrojtësve të tij që të sigurojnë certifikatën përkatëse nga eksperti i mjekësisë ligjore.

Duke folur për aktivitetin e tij në LDK, ai tha se kjo parti ka vepruar legalisht dhe se LDK-ja është një forcë reale politike. Gjatë fjalës së tij spjegoi se para arrestimit është marrë dy herë nga policia, e cila ia ka bastisur shtëpinë. Inspektorët serbë, tha ai, ia kanë sharë vazhdimisht nënën dhe i janë kërcënuar në forma të ndryshme. Agim Krasniqi spjegoi edhe se si policia ka bastisur zyrat e Degës III të LDK-së në Prishtinë, se si janë arrestuar dy anëtarë të Kryesisë së asaj dege, se ata janë rrahur nga policia dhe se si policia e ka marrë dokumentacionin e kësaj dege.

Ibush Kelmendi (1952), nga Sllatina e Vogël afër Prishtinës, ish-kryeshef i Shtabit Komunal të Mbrojtjes Territoriale, hodhi poshtë në tërësi akuzën e serbëve të instaluar në Prokurorinë e Prishtinës.

Ibush Kelmendi tha se është torturuar në mënyrën më çnjerëzore. Në shtëpinë time, gjatë bastisjes, tha ai, milicët kanë marrë një revole me leje dhe dy libra, njëri prej tyre doracak për eprorët ushtarakë rezervë dhe tjetri libër me titullin “Velike pretenzije prema SFRJ”. Ibush Kelmendi tha se kundër tij është përdorur edhe elektroshoku. Ai spjegoi edhe për rolin e dyfishtë të të ashtuquajturit gjyqtar hetues. Zvonimir Maksimoviq gjatë procedurës së hetuesisë i ka thënë disa herë Ibushit se duhet të flasë, sepse ka përgatitur gjoja kryengritjen e armatosur.

Ibush Kelmendi spjegoi se si janë krijuar dy letra të shkruara nga ai dhe të cilat gjenden në dosjen e procesit kundër 14 shqiptarëve. Inspektorët më qitën përpara një letër dhe një laps dhe më thanë shkruaj çka të diktojmë ne. Sipas diktatit të tyre, spjegoi Ibushi, shkruajti “…pranoj të japë deklaratë para gjykatësit hetues”. Ndërsa në letër tjetër Ibush Kelmendi u detyrua të shkruante: “nuk kam nevojë për mbrojtës”. Në të njëjtën mënyrë tha ai i ka nënshkruar edhe procesverbalet për kinse marrjen në pyetje para gjykatësit serb.

Procesi i montuar kundër 14 shqiptarëve vazhdoi sot me marrjen në pyetje të Halil S.Ramës, Xhelil M.Ramës dhe Salih Çitakut.

 

23 qershor 1995

Kryetari Rugova bisedoi me Senatorin amerikan Robert Dol

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova u takua dje në Uashington me liderin e shumicës në Senatin amerikan, Robert Dol.

Kryetari Rugova e njoftoi senatorin Dol me zhvillimet më të reja në Kosovë dhe për represionin e shtuar serb që ka përfshirë të gjitha shtresat e popullsisë.

Dr. Rugova tha se në Kosovë vazhdojnë të ndiqen aktivistët politikë, arsimor dhe humanitarë, gjë që krijon një gjendje tendosjeje të vazhduar. Shiptarët, përkundër represionit dhe dhunës së regjimit serb, vazhdojnë me politikën e rezistencës paqësore, duke i dhënë kontribut të çmueshëm ruajtjes së paqës në rajon. Në saje të kësaj maturie dhe vetëdijes së lartë politike është arritur evitimi i një konflikti në Kosovë që do të përfshinte tërë rajonin.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se është e nevojshme marrja e Kosovës nën mbrojtje ndërkombëtare. Administrimi civil ndërkombëtar do të evitionte rrezikun e shpërthimit të konfliktit të hapur dhe do të krijonte parakushtet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me bisedime, tha dr. Rugova.

Senatori Robert Dol, i cili është njohës i mirë i gjendjes në Kosovë dhe i çështjes shqiptare e rrethanave në rajon, tha se çështja e Kosovës është preokupim i vazhdueshëm i Senatit Amerikan dhe se SHBA-të përkrahin të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.

Senatori Dol përkrahu kushtëzimin e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi me zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

Kryetari Rugova pati dje edhe dy takime të vëçanta me Senatorin amerikan Riçard Llugar dhe me ish-ambasadorin amerikan në Beograd, Uoren Zimerman.

Senatori Llugar, kryetar i komitetit të Senatit për politikë të jashtme, shprehu përkrahjen e fuqishme për shqiptarët e Kosovës, të cilët, siç tha ai, i janë nënshtruar një represioni sistematik e brutal të regjimit të Millosheviqit.

  1. Llugar vlerësoi lart politikën e kryetarit Rugova dhe maturinë e popullit shqiptar të Kosovës.

Ndërsa në takimin e përzemërt të kryetarit Rugova me Uoren Zimermanin u bisedua për aspekte të ndryshme të realitetit politik, social e ekonomik në Kosovë dhe për mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

  1. Zimerman tha se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet në pajtim me vullnetin e shprehur politik të popullit.

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova bisedoi dje në Uashington me ndihmëssekretarin e shtetit amerikan për të drejtat e njeriut, Xhon Shatak (John Shattuck).

Shatak i tha kryetarit Rugova se “kërcënimi i kërshëndellave” që presidenti Bush e Klinton i kanë drejtuar Serbisë është i qëndrueshëm në politikën amerikane.

Administrata amerikane ka respekt të madh për mençurinë që keni treguar në ruajtjen e paqës në këto kohë të tensioneve të mëdha, tha Xhon Shatak.

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, pasi bëri një paraqitje të gjendjes së përgjithshme në Kosovë, foli për projektin politik të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, populli i Kosovës është përcktuar me referendum për pavarësinë dhe neutralitetin e Ksovoës. Këtë përcaktim populli e ka verifikuar edhe me akte tjera të shrpehjes demokratike të vullnetit politik dhe për këtë kemi koncezusin e plotë të të gjitha subjekteve politike në Kosovë, theksoi dr. Rugova.

Kryetari Rugova i tha ndihmëssekretarit Shatak se vënja e përkohshme e Kosovës nën një administrim civil ndërkombëtar do të krijonte parakushtet e domosdoshme për zgjidhjen e problemit me mjete politike dhe do të evitonte rrezikun e përhapjes së konfliktit në Kosovë.

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova falënderoi SHBA-të për ndihmat humanitare për popullin e Kosovës dhe për përkahjen e zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës.

SHBA-të janë shteti i parë që ka sjellë ndihma humanitare në Kosovë, theksoi dr. Rugova.

Ndihmëssekretari amerikan për të drejtat e njeriut tha se ndihmat dhe përkrahja amerikane për popullin e Kosovës nuk do të mungojnë as në të ardhmen. SHBA-të janë të vetëdijshme për vështirësitë me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës. Administrata amerikane mbështetë zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, tha ai.

 

23 qershor 1997

Shqipëri: Mesatarisht mbi 10 të vrarë në ditë

Sa po afrohet data e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, tensionet po shtohen gjithnjë e më shumë. Njoftime të ditëve të fundit kanë bërë të ditur për numër të madh të eksceseve dhe për paspjë edhe të numrit të madh të qytetarëve të vrarë. Mesatarja e njerëzve të vrarë brenda 24 orëve, gjatë javëve të fundit, vazhdimisht ka kaluar numrin dhjetë.

Për ilustrim po sjellim njoftimin për 20 qershorin, ditë kur, sipas burimeve zyrtare, u vranë me armë zjarri 11 veta dhe u plagosën pesë të tjerë.

Po sipas burimeve zyrtare të Shqipërisë, deri tash, që nga fillimi i trazirave, janë vrarë mbi 1600 veta. Burimet jozyrtare, ndërkaq, flasin për një numër më të madh të viktimave, që e kalon edhe shifrën 2000.

 

23 qershor 1998

Banorët e Bellaqevcit të Madh u larguan natën nga fshati

Gjendje shumë e tensionuar mbretëron sot në komunën e Obiliqit dhe të Prishtinës. Në orën 03:00 pas mesnate një pjesë e madhe e popullsisë së fshatit Bellaqevc i Madh është larguar nga fshati i vet prej frikës së ndonjë sulmi të mundshëm të forcave serbe.

Qindra fëmijë, gra e pleq kanë shkuar në drejtim të fshatit Lismir dhe në drejtim të Fushë Kosovës e Prishtinës, njofton KI i Aktivit të LDK-së në Lismir të Fushë-Kosovës.

Në fshatin Bellaqevc ndodhet Mihja Sipërfaqësore e thëngjillit që përdoret në termocentralet e Kosovës.

Mbi Prishtinë dhe rrethinë sot prej mëngjesit kanë fluturuar aeroplanë ushtarakë dhe helikopterë.

Ndërkohë njoftohet se një pjese të madhe të Prishtinës sot i është ndërprerë rryma elektrike.

 

Klinë: Dhjetë të plagosur tri ditët e fundit

Gjatë tri ditëve të fundit në fshatrat Dush, Gjurgjevik i Madh, Jashanicë, Jellovc, Cerovik, Siçevë e Gjurgjevik të Madh të komunës së Klinës forcat serbe kanë gjuajtur rreth 500 granata.

Burimet e Degës së LDK-së në Klinë njoftojnë në këtë komunë janë plagosur 10 qytetarë shqiptarë, katër prej të cilëve janë banorë të fshatit Jashanicë e Epërme. Ndër të plagosur janë edhe Mark Mirdita nga Koshi, Imer Musaj dhe një fëmijë 13 vjeç, të dy nga Stapanica, dhe një i ri nga Siçeva.

Po këto burime bëjnë të ditur se gjatë luftimeve të sotme në Stapanicë janë plagosur dy të rinj.

Nga granatat e forcave serbe në këto fshatra janë rrënuar e janë djegur shumë shtëpi. Në Jellovc janë dëmtuar e djegur shtëpitë e Ibish Racit, Tafil Zekës dhe Daut Racit; në Gjurgjevik të Madh janë granatuar shtëpitë e Xhemë Berishës, të Gjergj, Llesh dhe Pashk Prenajt; në Dush janë janë dëmtuar shtëpitë e Avdyl, Sokol e Rexhep Marmullaku ndërsa në Jashanicë të Ulët u është vënë zjarri lagjeve Shlivova dhe Bekaj.

Ndërsa KMDLNJ njofton se fshatrat: Grabanicë, Dollovë, Bokshiq e Qeskovë, të cilat ishin në shënjestër të sulmeve serbe për javë me radhë, tani po mbahen të bllokuara tërësisht dhe në to nuk mund të hyjë askush. Në qytetin e Klinës, ndërkaq, mbretëron një gjendje shumë e rëndë. Në këtë qytet, përveç forcave policore, tanimë janë vendosur edhe shumë qytetarë serbë e malazias të larguar nga disa fshatra. Nëpër rrugët e qytetit vërehen vetëm ushtarakë, policë, paramilitarë e civilë serbë, me lloj-lloj uniformash dhe të maskuar, si dhe mjete luftarake të llojeve të ndryshme. Qendra e qytetit ësdhtë shndërruar në një poligon të makinerisë luftarake serbe.

 

Në Mirenë u gjet një kufomë e një mashkulli

NKMDLNJ në Lipjan njofton se dje, më 22 qershor, barinjtë e fshatit Mirenë kanë gjetur kufoma e një mashkulli, të moshës rreth 50 vjeçare.

Sipas dëshmitarëve, viktima është vrarë më parë, sepse kufoma është karbonizuar dhe është dëmtuar nga shpezët. Dyshohet se kufoma është sjellë në Mirenë nga ndonjë vend tjetër.

Kufoma ka të veshur një triko të kaltërt me vija dhe pantollona ngjyrë të kaltërt të mbyllët.

Continue Reading

Lajmet

Policia nis hetimet për vdekjen e një gruaje në Fushë Kosovë

Published

on

By

Një grua është gjetur pa shenja jete në Fushë Kosovë gjatë ditës së djeshme. Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24-orësh.

Sipas njoftimit zyrtar, ka qenë një dëshmitar ai i cili ka raportuar në polici se viktima nuk jepte shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante policore së bashku me ekipin mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e saj.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Policia ka nisur hetimet dhe po e trajton rastin si “Hetim mbi vdekjen” deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Irina Shayk mban ligjëratë në Universitetin e Oxfordit

Published

on

Modelja e njohur ruse, Irina Shayk, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga vizita në Universitetin e Oxfordit, ku ishte e ftuar si folëse në një aktivitet të organizuar nga Oxford Union.

Shayk e cilësoi ftesën si një nder të veçantë, duke theksuar rëndësinë e Oxford Union si një institucion që ka pritur ndër vite mendimtarë, udhëheqës dhe figura me ndikim në shoqëri.

“Falënderoj Oxford Union dhe Universitetin e Oxfordit për mundësinë që të ndaj rrugëtimin tim. Jam shumë mirënjohëse për pritjen e ngrohtë, bisedat e thelluara dhe momentet e paharrueshme”, ka shkruar ajo.

Modelja publikoi disa fotografi nga vizita e saj në Oxford, ku u shfaq me një kostum elegant të zi. Në njërën prej fotografive ajo pozonte me librin “Mysafirët e shquar të Oxford Union”.

Ligjërata e saj tërhoqi interesimin e studentëve të shumtë, të cilët morën pjesë në aktivitet dhe ndoqën me vëmendje rrëfimin e saj për karrierën dhe përvojat personale.

Postimi i Shayk mori mijëra reagime nga fansat, të cilët e uruan për këtë arritje dhe i shprehën mbështetjen e tyre./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara