Lajmet

​Nagavci për mësimin e së shtunës: Nuk besoj se do të ketë ndalesa në paga

Por që, sipas saj, sot gjatë ditës priten të mblidhen të dhënat për mbajtjen e mësimit ditën e shtunë.

Published

on

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se pjesa më e madhe e mësimdhënësve kanë qenë në vendet e tyre të punës të shtunën, për të kompensuar orët e humbura si pasojë e grevës, ani pse mësimi nuk është mbajtur në të gjitha shkollat e Kosovës.

Ajo ka thënë se nuk beson që do të ketë ndalesa në pagat e mësimdhënësve, por që sot gjatë ditës priten të mblidhen të dhënat për mbajtjen e mësimit ditën e shtunë.

Ajo para mediave ka shtuar se realizimi i mësimit në disa shkolla nuk ka shkuar sipas planifikimit, për shkak të mungesës së informacionit.

Pas certifikimit të drejtorëve të shkollave dhe koordinatorëve për sigurimin e cilësisë, Nagavci është deklaruar ka përsëritur domosdoshmërinë për zëvendësimin e orëve.

“Mendoj se kjo ditë e shtune, për arsyeje të ndryshme nuk është arritur të realizohet 100 për qind sipas planifikimit. Besoj se kjo ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së informimit të mjaftueshëm nga ana e jonë dhe shkollave. Por edhe për shkak të hutimit nga deklaratat e ndryshme apo tensioneve që kanë pasur prindërit. Vend për rishikim nuk ka më, sepse jemi munduar ta përcjellim porosinë dhe e shfrytëzoj edhe këtë mundësi që të bëjë apel edhe te prindërit edhe te mësimdhënësit që të organizohemi për të kompensuar të gjitha humbjet e shkaktuara te nxënësit. Sikur të lihet deri në fund të vitit të shkollor, do të fillojë gjysmë vjetori i dytë deri në gjysmën apo në fund të korrikut, që është e vërtetuar se as për së afërmi efikasiteti sikurse nëse organizohet tani”, ka thënë Nagavci.

Nagavci ka shtuar se realizimi i zëvendësimit të orëve ka ndryshuar nga shkolla në shkollë edhe brenda komunës.

“Situata ka dalluar nga komuna në komunë, prej shkollës në shkollë. Aty ku informatat kanë qenë të mjaftueshme nga ana e shkollës është realizuar mësimi. Madje edhe brenda të njëjtës komunë, për shembull në Prishtinë ka dalluar situata prej shkollës në shkollë. Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve me deklaratat e tyre shpesh të pamatura dhe të paqëndrueshme konsideroj që kanë krijuar huti. Dhe shfrytëzoj këtë mundësi që t’i lus edhe përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, ata që po thirren në emër të Këshillit të Prindërve, që të kenë në vëmendje interesin më të mirë të fëmijëve. Janë tre muaj të humbur dhe nuk qëndron fakti se fëmijët janë të lodhur e të ngarkuar, përkundrazi atyre iu nevojitet që tashmë gjithë ne, edhe ministria edhe prindërit dhe mësimdhënësit të jemi bashkë me fëmijët që të japim maksimumin për t’iu kompensuar humbjet e shkaktuara”, ka shtuar Nagavci.

Më tej, ajo ka përsëritur se takimet me SBASHK-un për zgjidhjen e kërkesave të tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe se qëllim duhet të jetë koordinimi dhe jo takimet pa rezultat.

“Hartimi i kalendarit të vitit shkollor është përgjegjësi dhe kompetencë e Ministrisë së Arsimit. Vendimet e tilla ekzekutive sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me fëmijët, duhet të sigurohemi që të përmbushim të gjithë bashkërisht. Unë nuk kam asnjë brengë dhe shqetësim për t’u takuar me këdo qoftë”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka pohuar se në pagat avancë që janë ekzekutuar për mësimdhënësit ka pasur raste të cilat kanë qenë në minus.

Ministrja e Arsimit ka treguar edhe nëse do të ketë ndalesa për mësimdhënësit që nuk kanë mbajtur mësim të shtunën.

“Kanë qenë ndalesa për muajin gusht, por janë adresuar edhe të gjitha të dhënat. Besoj që kjo çështje tashmë është përmirësuar… Në bazë të informatave që kemi pasur nga inspektorët e arsimit gjatë ditës së shtunë, pjesa më e madhe e mësimdhënësve dhe shkollave kanë qenë në vendet e tyre të punës. Sot gjatë ditës do të mbledhim të gjitha të dhënat dhe unë besoj që nuk do të ketë nevojë që të ketë ndalesa, sepse pjesa më e madhe kanë qenë në vendet e tyre të punës”, ka përfunduar ministrja Nagavci.

Ndryshe, për shkak të grevës në arsim, Ministria e Arsimit ka vendosur për kompensimin e orëve të humbura për vitin shkollor 2022/23. Këshilli i Prindërve është deklaruar kundër kompensimit të orëve të humbura mësimore, pasi kjo do ta dëmtojë procesin mësimor.

Pas një muaj grevë, më 3 tetor ka nisur viti i ri shkollor në Kosovë. SBASHK-u mori vendim që ta pezullojë grevën deri në janar2023.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Këshilli grevist kërkon 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave, por kjo është refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

Lajmet

Rama akuzon LVV-në për sabotim të pastrimit: “Me votën tuaj e latë Prishtinën në bërllog”

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka sabotuar pastrimin e kryeqytetit, pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”.

Rama ka kritikuar asamblistët që votuan kundër themelimit të kompanisë, duke thënë se me votën e tyre “e latë qytetin në bërllog”.

Ai ka reaguar edhe ndaj sjelljes së asamblistëve gjatë seancës, duke e cilësuar vendimin si të pakuptimtë dhe duke thënë se një veprim i tillë është “të punosh kundër vetëvetes”.

Në fund, Rama ka ironizuar vendimin e asamblistëve duke shkruar: “Seriozisht, jeni për studim!”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ka dështuar sërish përmbyllja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Published

on

Procesi sërish ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Votimi për nënkryetar u vendos të bëhet veç e veç. Në votim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ndërkohë, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas këtij procesi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ndërpreu punimet, ndërsa për seancën e radhës tha se do të votojë më vonë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për mbrojtjen

Published

on

Bashkimi Evropian pritet t’i ofrojë Ukrainës 6.1 miliardë euro ndihmë shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Financimi është pjesë e paketës së huasë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila përfshin 28.3 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 16.7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve “Patriot”, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, BE-ja do të heqë kërkesën që pajisjet të jenë të prodhuara brenda Evropës. Përjashtimi do të vlejë edhe për disa dronë që përdorin komponentë kinezë.

Shuma prej 6.1 miliardë eurosh përbën këstin e fundit të fondit prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen. Deri më tani, Ukrainës i janë transferuar 8.35 miliardë euro për këtë qëllim.

Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se avantazhi ushtarak i Ukrainës varet nga sigurimi i shpejtë i pajisjeve kritike në sasitë dhe afatet e nevojshme.

Sipas tij, përshpejtimi i dërgesave përmes përdorimit të rezervave ekzistuese, rishikimit të prioriteteve të porosive dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese është thelbësor.

Ndihma e re vjen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa aleatët po përpiqen të rrisin furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore përpara dimrit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara