Lajmet

​Murati tregon pse nuk janë shpërndarë 90 milionë eurot e zotuara për energjinë

Murati tha se 20 milionëshi i ndarë për KEK-un ka qenë i ligjshëm dhe i nevojshëm, pas rënies së një bllokut B në KEK.

Published

on

Intervistimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i ka mbetur në gjysmë, komisionit hetimor për krizën energjetike të premten.

Mbledhja në mungesë kuorumi u ndërpre pasi deputetët e LVV-së lëshuan sallën, si pasojë e një përplasjeje mes deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

Gjatë intervistimit për sa zgjati, ministri Murati e konsideroi të domosdoshme ndarjen e mjeteve për subvencionim të importit të energjisë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ai tha se 20 milionëshi i ndarë për KEK-un ka qenë i ligjshëm dhe i nevojshëm, pas rënies së një bllokut B në KEK.

Në kuadër të funksioneve që kemi duhet të marrim veprimet e nevojshme që të sigurohemi që në atë kohë, sidomos në muajin dhjetor, kur kishte një situatë të rënduar në nivel global, sidomos në kontinentin evropian krizë energjetike. Çmimet ishin tepër të larta dhe anën tjetër kishim edhe një rënie të një blloku të termocentralit Kosova B. Pra ishte e nevojshme të mbështetej importi që të sigurohej furnizimi i rregullt me energji elektrike…Pra ishte një vendim i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohej edhe mbarëvajtja e ekonomisë së vendit dhe jetës së përditshëm të qytetarëve që të kenë furnizim me energji elektrike”, tha ai.

I pyetur nga deputetët, Murati tregoi pse nuk janë shpërndarë edhe 90 milionë eurot të zotuara për energjinë.

Mjetet nuk janë ndarë është një zotim i qeverisë, pra nuk ka ndarje. Zotimi ka qenë në kuadër të diskutimeve dhe konsultimeve që janë bërë të task-forcës dhe synimit që Qeveria e Kosovës të mbështesë qytetarët që mos të ketë tarifa të papërballueshme…18:03Shuma që kemi marrë përsipër si Qeveri e Kosovës është 90 milionë euro për vitin tarifor. Ky zotim i qeverisë qëndron dhe qeveria nuk i mbetet borxh askujt, pasi shteti vazhdon të qëndrojë. Zotimi ka qenë 90 milionë dhe zotimi qëndron për vitin tarifor. Ndarjet e këto janë çështje teknike dhe metodologjisë së përcaktuar ndërmjet akterëve që pajtohen për të zbatuar një metodologji, a bëhet me këste, muaj për muaj apo si. Kjo është çështje teknike pastaj”, shtoi Murati.

Pas këtyre përgjigjeve në debat e sipër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e quajti spekulante, deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën.

Unë e kam shumë të vështirë të drejtën me u barazu me spekulime dhe me gjithçka tjetër të zonjës Kusari, prandaj pajtohem se për spekulim kjo është kampion. Kampion je, ju jeni spekulante më e madhe e këtij legjislativi në Parlament”, tha ai.

Deputetja Kusari-Lila e quajti të papranueshëm këtë etiketim dhe më pas në shenjë revolte, bashkë me deputetë të tjerë të LVV-së, lëshuan mbledhjen.

Nëse fillojmë me etiketime dhe kategorizime ne e lëshojmë komisionin hetimor dhe nuk marrim pjesë. Zotëri Shala jeni koleg deputet dhe të quajturit me emra dhe etiketime është e tepruar. Unë thash pyetje spekulative, s’ju thash juve spekulant. Unë s’bëj pyetje spekulative, ju bëni. Rri uluni aty. Zotëri Shala ndaleni këtë mënyrë patronizuese, s’jeni as profesor i imi dhe as nuk jeni në një pozitë kur mundesh me i thënë një deputeti ‘uluni aty’ apo ‘ngrituni’”, tha ajo.

Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti Shala para mediave tha se këto janë vetëm pretekste të mazhorancës për t’i ikur përgjegjësisë.

Kjo është orvatje për t’i ikur përgjegjësisë. Të gjitha të tjerat nuk mundet të arsyetohen nga ndërhyrjet e kolegëve derisa na po bashkëbisedonim në mënyrë normale me ministrin. Nuk ka përgjigje për paranë, metodologjinë e shpërndarjes, s’ka përgjigje për raportin konsultativ, s’ka përgjigje për ndërhyrjet politike që kanë bërë në ZRrE”, tha ai.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ministri Murati nuk ishte në gjendje të përgjigjet konkretisht për asnjë pyetje të deputetëve.

Ministri i Financave nuk ishte në gjendje me u përgjigj në pyetjet e tilla. Ne kërkonim për shpenzimet e mjeteve dhe borxheve që ka Kosova karshi importuesve të energjisë. Ai na fliste për metodologjinë dhe mënyrën si do të bëhen. Ne po shohim se nuk ka një gatishmëri që ministri të jep llogari për punën e tij”, theksoi Tahiri.

Kjo mbledhje mbeti që të vazhdojë një herë të tjetër, kur të vendoset bashkërisht mes kryetarit të komisionit dhe ministrit Murati.

Lajmet

Promovohet libri “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, sjell 20 dëshmi të dëbimeve të vitit 1999

Published

on

Më 26 maj 2026, në Qendra Barabar, do të mbahet ceremonia e promovimit të librit me kujtime “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, i cili sjell 20 dëshmi autentike të qytetarëve të dëbuar me forcë gjatë pranverës së vitit 1999.

Libri trajton përvojat e dëbimeve masive nga Kosova gjatë luftës, ku qytetarët u detyruan të largohen me trena drejt kufirit në Bllacë të Hanit të Elezit dhe më pas si refugjatë drejt Maqedonisë së Veriut. Përmes rrëfimeve personale, botimi dokumenton eksodin e asaj periudhe dhe traumat e përjetuara, duke e paraqitur trenin si simbol të zhvendosjes së dhunshme.

Sipas organizatorëve, libri synon të shërbejë si dokument historik dhe edukativ, duke nxitur kujtesën kolektive, dialogun dhe reflektimin mbi pasojat e konfliktit.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen me sukses në Marché du Film në Kanë

Published

on

Ka përfunduar edicioni i sivjetmë i Marché du Film në Kanë, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së filmit, ku Shqipëria dhe Kosova janë prezantuar me një stendë të përbashkët përmes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Gjatë ditëve të panairit, përfaqësuesit e të dy institucioneve kanë zhvilluar një sërë takimesh me institucione të filmit, producentë dhe përfaqësues të rëndësishëm të industrisë globale audiovizuale. Në këto takime është diskutuar edhe ligji i ri shqiptar për kinematografinë dhe audiovizualin, i cili ka ngjallur interes të konsiderueshëm tek partnerët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrja e përbashkët në këtë aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e prezencës së Shqipërisë në hartën globale të filmit, përmes nxitjes së bashkëprodhimeve dhe projekteve të reja.

Në përmbyllje të aktivitetit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka falënderuar të gjithë partnerët dhe kineastët që kanë vizituar stendën shqiptaro-kosovare gjatë zhvillimit të Marché du Film në Kanë.

Continue Reading

Lajmet

Kosova deri në fund të vitit rrezikon të humbë mbi 250 milionë euro nga Plani i Rritjes

Published

on

By

Përderisa tri vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pagesat nga kësti i tretë me radhë nga Plani i Rritjes, Kosova rrezikon të humbë pjesë të mëdha të mjeteve të dedikuara për të nga kjo paketë, si pasojë e mos përmbushjes së hapave të përcaktuar në afatet e caktuara kohore.

Të mërkurën, Komisioni Evropian konfirmoi se ka miratuar pagesat për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në shumë të përbashkët prej afër 160 milionë euro. Ndërkohë që kërkesa e Serbisë për pagesën e radhës është duke u shqyrtuar, Kosova nuk ka dorëzuar akoma kërkesën për pagesa nga kjo paketë. Mjetet që tashmë i janë paguar Kosovës janë nga parafinancimi dhe për to ka mjaftuar ratifikimi i marrëveshjes për kredi dhe mjete mes BE-së dhe Kosovës. Bosnja e Hercegovina mbetet i vetmi vend i cili akoma nga Plani i Rritjes nuk ka marrë asnjë cent, sepse nuk i ka përmbushur kushtet. Shqipëria tashmë i ka marrë mbi 200 milionë euro pagesa nga ky plan, raporton Koha.

Sipas burimeve të BE-së, Kosova rrezikon të humbë mbi 90 milionë euro nëse deri në fund të qershorit nuk raporton se i ka përmbushur hapat e caktuar. Fjala është për kushtet që Kosova është dashur t’i ketë përmbushur në vitin e kaluar, por afati shtesë (grace period) skadon në fund të qershorit të këtij viti. Vetëm gjashtë muaj më vonë Kosovës do t’i skadojë një afat tjetër dhe mundësitë që Kosova të humbë pastaj edhe mbi 160 milionë euro janë të mëdha.

Pra, Kosova, nëse nuk do të përshpejtojë përmbushjen e kushteve, deri në fund të këtij viti do të humbë mbi 250 milionë euro nga Plani i Rritjes.

Po t’i përmbushë kushtet deri në fund të qershorit, që duket shumë e vështirë, nëse jo e pamundur në rrethanat politike në Kosovë dhe procesin zgjedhor, atëherë afati për dorëzimin e kërkesës për pagesë është 15 korriku.

“Afati i ardhshëm i raportimit për Kosovën do të jetë më 30 qershori. Shpërndarja e fondeve nga BE-ja i nënshtrohet vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave, si dhe përmbushjes së kushteve specifike dhe parakushteve të përgjithshme. Pas skadimit të afateve për 13 hapat në reforma më 30 qershor të këtij viti, Kosova rrezikon të humbë mjete nëse nuk bën progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Vlera e mjeteve për të cilat Kosova kushtet do të duhet t’i zbatojë deri më 30 qershor arrin mbi 90,8 milionë euro. Sipas burimeve nga Komisioni Evropian, fundi i këtij viti është afati për 27 hapa të tjerë reformash për pagesat në vlerë prej afro 165,9 milionë eurosh. Pra, nëse nuk i përmbush kushtet e kërkuara deri në fund të vitit nga Plani i Rritjes, Kosova mund të humbë 256,7 milionë euro.

Humbja e një pjese të madhe të parave, nëse jo të gjitha, duket e pashmangshme, pasi për disa nga kushtet që kërkohen duhet përfshirje edhe e Parlamentit të Kosovës në vendimmarrje. Vështirë se Kosova mund ta konstituojë Kuvendin para fundit të qershorit për t’i përmbushur kushtet e kërkuara, kështu që ato mjete mund të konsiderohen që tash të humbura. Komisioni Evropian disa herë që nga fundi i vitit 2024 ka tërhequr vërejtjen se problemet e brendshme politike në vendet e rajonit mund të kenë pasoja edhe në përdorimin e mjeteve nga Plani i Rritjes. /Koha/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Skenderaj – Sekuestrohet armë, municion dhe thikë te dy nxënës brenda ambientit të shkollës

Published

on

Në Skenderaj, më 20.05.2026 rreth orës 11:30, gjatë një kontrolli të realizuar në ambientin e një shkolle në rrugën “Osman Geci”, janë zbuluar dy nxënës të dyshuar meshkuj kosovarë në posedim të armës dhe mjeteve të tjera të rrezikshme.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator, 19 fishekë, një gëzhojë, një predhë arme dhe një thikë.

Menjëherë pas gjetjes së këtyre mjeteve, të dyshuarit janë shoqëruar në procedurë policore dhe janë intervistuar në prani të prindërve, në përputhje me procedurat ligjore që aplikohen për të miturit.

Me vendim të prokurorit kompetent, pas intervistimit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është dërguar në hetime të mëtejshme nga organet kompetente.

Continue Reading

Të kërkuara