Lajmet

​“Mos e fuqizoni Serbinë”, organizatorët tregojnë për fushatën për bojkotimin e produkteve serbe

Kauza e këtij grupi me mbi 100 mijë anëtarë ka qenë dhe mbetet fushata për bojkotimin e prodhimeve serbe.

Published

on

Grupi “Besa-Besë” bën thirrje që të mos blihen produktet serbe në dyqane. Grupi me moton “Mos bli produkte serbe” ka mision vetëdijësimin paqësor të popullatës për të mos konsumuar prodhime serbe ashtu që të mos fuqizohet ekonomikisht Serbia.

Anëtarja e grupit “Besa-Besë”, Almira Qupeva, tha se kauza e këtij grupi me mbi 100 mijë anëtarë ka qenë dhe mbetet fushata për bojkotimin e prodhimeve serbe.

“Kauza kryesore e këtij grupi ka qenë dhe vazhdon të jetë bojkotimi i prodhimeve serbe. Në fillim të themelimit të grupit, ka pasur një interesim më të vogël nga qytetarët, mirëpo jemi rritur si grup dhe tani më grupi numëron 105 mijë anëtarë. Ne kemi pasur aktiviteteve me prezencë fizike, mirëpo kryesisht fokusin e kemi pasur me platformat elektronike, kryesisht në rrjetet sociale”, thekson Qupeva.

Qupeva ka thënë se bojkotimi i produkteve serbe është shtuar pas situatës në veri. Teksa shton se pas kësaj fushate, shumë produkte serbe kanë mbetur nëpër markete pa u shitur.

“Interesimi për bojkotimin e produkteve serbe është rritur sidomos pas situatës së krijuar në veri të Kosovës. Kjo situatë ka ndikuar që të rritet edhe numri i anëtarësisë dhe në zhvillimin e aktiviteteve. Dhe siç po vërehet, tashmë është bërë temë diskutimi në Kosovë bojkotimi i produkteve serbe. Secili konsumator pothuajse ka për qëllim bojkotimin e produkteve serbe. Kemi marrë lajme të mira nga institucionet e shtetit se ka rënie të importit të mallrave. Po ashtu ka produkte serbe në aksion nga disa markete, gjë e cila tregon që produktet serbe nuk janë shitur kohët e fundit”, thotë Qupeva.

Qupeva ka thënë se Kosova nuk duhet ta fuqizojë Serbinë me importimin e prodhimeve serbe.

“Përderisa shteti fqinj ende krijon pengesa në aspektin e integrimit të Kosovës në struktura ndërkombëtare evropiane dhe bën propagandë për situatën në Kosovë, si dhe ka tendenca për të nxitur konflikte të reja. Ne si grup mendojmë që paratë tona dhe ekonomia jonë nuk duhet ta fuqizojë shtetin serb i cili ka ende ka tendenca për t’u rikthyer këtu dhe për të filluar luftë”, theksoi ajo.

Një brengë tjetër e këtij grupi mbetet edhe keqpërdorimi i simboleve të shtetit të Kosovës në produktet me origjinë serbe nga disa tregtarë. Këtë problematikë, ajo tha se e kanë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Grupi “Besa Besë” është themeluar në shtator të vitit 2021, për bojkotimin e produkteve serbe. Ndryshe, një numër jo i madh i marketeve në vend nuk posedojnë produkte serbe.

Continue Reading

Lajmet

Kriza e etikës publike dhe kredibiliteti i fjalës pa përgjegjësi

Published

on

By

Opinion: Musa Sabedini 

Kjo tokë po mban gjithçka, edhe zhurmën e njerëzve që flasin shumë, por mbajnë pak përgjegjësi për fjalën që hedhin në opinion. Po jetojmë në një kohë kur komunikimi publik po humb gjithnjë e më shumë etikën, seriozitetin dhe kredibilitetin moral. Në hapësirat politike, mediatike e shoqërore po shtohen zërat që akuzojnë pa prova, ofendojnë pa ndjenjë përgjegjësie dhe gjykojnë pa asnjë standard profesional apo njerëzor. Fjala është liruar nga pesha e ndërgjegjes, ndërsa shpifja dhe linçimi publik po shndërrohen në mjete të zakonshme të komunikimit.

Në vend të argumentit po triumfon agresiviteti verbal, në vend të mendimit kritik po instalohet urrejtja, ndërsa në vend të kulturës së debatit po kultivohet një klimë e rrezikshme përçarjeje dhe degradimi moral.

Më shqetësuese është fakti se shumë prej atyre që flasin më së shumti publikisht, rrallëherë marrin përgjegjësi për pasojat e fjalës së tyre. Dhe kur fjala humb etikën, humb edhe besueshmëria e atij që e përdor, ndërsa shoqëria nis ngadalë të humbë shpirtin, dinjitetin dhe kulturën e saj qytetare.

Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për urtësi, mirëkuptim dhe komunikim të qytetëruar, po përballemi çdo ditë me një valë të ashpër urrejtjeje, shpifjesh dhe fjalori degradues që po e helmon jetën publike dhe marrëdhëniet njerëzore.

Është e dhimbshme të shohësh se si komunikimi ynë po humb njerëzoren. Në vend të argumentit po triumfon britma, në vend të mendimit po sundon paragjykimi, ndërsa në vend të debatit po kultivohet urrejtja patologjike. E kjo nuk ka qenë kurrë virtyt i shqiptarit. Populli ynë është njohur për burrërinë e fjalës, për mençurinë në kuvend dhe për respektin ndaj tjetrit, edhe kur mendimet kanë qenë të ndryshme.

Sot, fatkeqësisht, po krijohet një klimë ku shpesh ofendimi konsiderohet forcë, shpifja quhet guxim, ndërsa poshtërimi i tjetrit trajtohet si fitore publike. Por asnjë shoqëri nuk ndërtohet mbi urrejtje. Asnjë shtet nuk forcohet duke shkatërruar dinjitetin e njerëzve të vet. Dhe asnjë komb nuk ecën përpara duke ushqyer përçarje të pafundme.

Prandaj, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë kulturën e komunikimit. Të flasim me qetësi. Të shkruajmë me përgjegjësi. Të debatojmë me argumente e jo me mllef. Të kundërshtojmë pa fyer dhe të kritikojmë pa e humbur njerëzoren. Fjala ka peshë. Fjala ndërton, por edhe rrënon. Dhe kur fjala humb etikën, shoqëria fillon të humbë karakterin e saj.

Ky vend ka kaluar sfida të mëdha historike për të mbijetuar. Nuk duhet ta dëmtojmë vetveten me gjuhë urrejtjeje dhe me klimë toksike që po i largon njerëzit nga besimi, respekti dhe solidariteti. Na duhet më shumë sinqeritet, më shumë kulturë dhe më shumë vetëdije qytetare. Sepse gjithçka ka një kufi edhe heshtja ndaj degradimit moral të shoqërisë.

Sot më shumë se kurrë, bëhet e domosdoshme rikthimi i etikës së komunikimit publik dhe kulturës së debatit në jetën tonë shoqërore, politike, intelektuale dhe mediatike. Fjala e thënë apo e shkruar nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe akt përgjegjësie qytetare, morale dhe profesionale. Në veçanti, elitat politike, intelektuale dhe gazetareske kanë detyrim publik që komunikimin ta ndërtojnë mbi argumentin, maturinë dhe respektin ndaj tjetrit, e jo mbi gjuhën e urrejtjes, linçimit apo degradimit personal.

Debati demokratik nuk matet me ashpërsinë e fjalorit, por me fuqinë e argumentit dhe integritetin etik të atij që flet. Kur komunikimi humb etikën, humbet edhe besimi publik, zbehet kultura demokratike dhe dëmtohet vetë struktura morale e shoqërisë. Prandaj, nevojitet një kthim i vetëdijshëm drejt gjuhës së arsyes, dialogut dhe dinjitetit njerëzor, sepse vetëm përmes komunikimit të përgjegjshëm mund të ndërtohet një shoqëri më e shëndetshme, më e qytetëruar dhe më humane.

Zoti e ruajtë këtë popull nga humbja e vlerave njerëzore, familjare dhe morale. Dhe Zoti na dhëntë mençuri që ta ndërtojmë komunikimin mbi respektin, dijen dhe të vërtetën, jo mbi urrejtjen dhe shkatërrimin.

 

Autori është ligjërues në Fakultetin e Media dhe Komunikimit në UBT

 

Continue Reading

Lajmet

Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Sezonit” te Sunderland AFC

Published

on

Sunderland AFC ka vlerësuar paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit shqiptar Granit Xhaka, duke e shpallur atë “Lojtari i Sezonit” për edicionin aktual.

Në një postim të publikuar nga klubi anglez, Xhaka u cilësua si “kapiteni” dhe “lideri” i skuadrës, duke marrë vlerësime të mëdha për kontributin dhe ndikimin e tij gjatë sezonit.

“Kapiteni ynë. Lideri ynë. Lojtari ynë i Sezonit. Urime, Granit Xhaka”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Sunderland AFC.

Mesfushori shqiptar ka qenë një nga figurat kryesore të ekipit, duke treguar paraqitje të qëndrueshme dhe lidership si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.

Continue Reading

Lajmet

Promovohet libri “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, sjell 20 dëshmi të dëbimeve të vitit 1999

Published

on

Më 26 maj 2026, në Qendra Barabar, do të mbahet ceremonia e promovimit të librit me kujtime “TRENI – në kufirin mes tmerrit dhe lirisë”, i cili sjell 20 dëshmi autentike të qytetarëve të dëbuar me forcë gjatë pranverës së vitit 1999.

Libri trajton përvojat e dëbimeve masive nga Kosova gjatë luftës, ku qytetarët u detyruan të largohen me trena drejt kufirit në Bllacë të Hanit të Elezit dhe më pas si refugjatë drejt Maqedonisë së Veriut. Përmes rrëfimeve personale, botimi dokumenton eksodin e asaj periudhe dhe traumat e përjetuara, duke e paraqitur trenin si simbol të zhvendosjes së dhunshme.

Sipas organizatorëve, libri synon të shërbejë si dokument historik dhe edukativ, duke nxitur kujtesën kolektive, dialogun dhe reflektimin mbi pasojat e konfliktit.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen me sukses në Marché du Film në Kanë

Published

on

Ka përfunduar edicioni i sivjetmë i Marché du Film në Kanë, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së filmit, ku Shqipëria dhe Kosova janë prezantuar me një stendë të përbashkët përmes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Gjatë ditëve të panairit, përfaqësuesit e të dy institucioneve kanë zhvilluar një sërë takimesh me institucione të filmit, producentë dhe përfaqësues të rëndësishëm të industrisë globale audiovizuale. Në këto takime është diskutuar edhe ligji i ri shqiptar për kinematografinë dhe audiovizualin, i cili ka ngjallur interes të konsiderueshëm tek partnerët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrja e përbashkët në këtë aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e prezencës së Shqipërisë në hartën globale të filmit, përmes nxitjes së bashkëprodhimeve dhe projekteve të reja.

Në përmbyllje të aktivitetit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka falënderuar të gjithë partnerët dhe kineastët që kanë vizituar stendën shqiptaro-kosovare gjatë zhvillimit të Marché du Film në Kanë.

Continue Reading

Të kërkuara