Lajmet

​Mehaj takon Escobarin: Rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka destinacion final anëtarësimin në BE dhe në NATO

Sipas Mehaj, ata mes tjerash diskutuan për situatën e sigurisë në vend dhe rajon.

Published

on

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë qëndrimit në Amerikë është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai në Facebook ka shkruar se, ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, e po ashtu edhe për politikat destabilizuese të cilat, sipas tij po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Postimi i plotë:

Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kisha takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, z.Gabriel Eskobar, me të cilin diskutuam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin që kemi me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, e po ashtu e vura në dijeni për politikat destabilizuese të cilat po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Po ashtu theksova edhe njëherë se qëndrimet e Republikës së Kosovës janë të qarta, ashtu si gjithmonë ne jemi pro politikave evropiane, krijimit të një ambienti të sigurtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim etnie, për këtë dhe angazhohemi çdo ditë.

E njoftova me avancimet e FSK-së, si zbatimin e fazës së Parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të hartuar bashkarisht me ISG ( Institutin për Qeverisje të Sigurisë ) dhe faktin që aktualisht jemi në fazën e dytë të implementimit të këtij plani, bashkëpunimin që e kemi me KFOR-in në monitorimin e gjithë territorit të Republikës së Kosovës, përkrahjen e ofruar për aleatët tanë, shtetet anëtare të NATO-s, në misionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe transportimin e ndihmave për popullin ukrainas.

Fatkeqësisht, të njejtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrur mësim, për të kuptuar se rendi i ri në ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës nuk do e ndryshoj këtë fakt, përveçse shpërfaq hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian, dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s.

Megjithatë, rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final, anëtarësimin në BE dhe në NATO, aty ku gjeografisht gjendemi, dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë.

Lajmet

SHBA dhe Ukraina i quajnë bisedimet në Miami produktive

Published

on

Të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës thonë se në Miami janë zhvilluar bisedime produktive dhe konstruktive, por ende duket se nuk ka ndonjë përparim të madh në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës me Rusinë.

I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, lëshoi një deklaratë të përbashkët me negociatorin kryesor ukrainas, Rustem Umerov, pas tre ditësh takimesh me aleatët evropianë.

Dyshja tha se takimi u përqendrua në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh si një kornizë garancie sigurie amerikane për Ukrainën dhe një plan ekonomik dhe prosperiteti.

Bisedime të ndara janë zhvilluar në Miami midis të dërguarit të SHBA-së dhe atij rus, Kirill Dmitriev./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Drita dominoi në mbrëmjen “Laureatët 2025” nga FFK

Published

on

Federata e Futbollit e Kosovës organizoi mbrëmjen tradicionale “Laureatët 2025”, ku u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin e futbollit kosovar gjatë vitit. Ceremonia mblodhi figura të rëndësishme të futbollit vendor e ndërkombëtar, përfshirë Armand Dukën dhe ministrin në detyrë Hajrulla Çeku, si dhe përshëndetje nga presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s.

Çmimi kryesor i mbrëmjes, “Futbollisti i Vitit 2025”, iu nda sulmuesit të FC Drita, Arb Manaj, i vlerësuar nga gazetarët sportivë për rolin vendimtar në titullin kampion dhe suksesin historik të klubit në UEFA Conference League.

Ndërkohë, çmimi “Fadil Vokrri” shkoi për Amir Rrahmanin, kapitenin e Kosovës dhe kampion me Napolin, i cili për shkak të angazhimeve nuk ishte i pranishëm në ceremoni.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, foli për arritjet historike të vitit 2025, investimet në infrastrukturë dhe synimin e madh të Kombëtares për kualifikim në Kupën e Botës.

Vlerësime për progresin e futbollit kosovar dhanë edhe Hajrulla Çeku dhe Armand Duka, duke theksuar konkurrueshmërinë e Kosovës në arenën evropiane.

Zekirija Ramadani u shpall “Trajneri i Vitit”, ndërsa FC Drita u vlerësua si Klubi më i Mirë i Vitit dhe “Fair Play”, duke dominuar edhe në 11-shen ideale të sezonit.

Në futbollin e vajzave u dalluan Aurora Muliqi dhe KFF Mitrovica, ndërsa në futsall u vlerësuan FC Prishtina 01 dhe Fitim Krasniqi.

U ndanë gjithashtu çmime për referimin, arritje ndërkombëtare, kontribute ndër vite dhe mirënjohje për partnerët institucionalë, me një moment emocional të mbrëmjes të shënuar nga kori i fëmijëve “Okarina”./S.K/KP/FFK/

Continue Reading

Lajmet

Përditësohen të dhënat në pikat kufitare të Kosovës

Published

on

Janë përditësuar të dhënat nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar lidhur me kolonat në pikat kufitare në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit, pritjet për hyrje dhe dalje nga Kosova janë të shkurta.

Raportohen pritje deri në 5 minuta në hyrje në Muçibabë, Bërnjak, Dheu i Bardhë, Glloboqicë, Stançiq, Mutivodë dhe Vërmicë.

/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

122 vjet nga lindja e Odhise Paskalit

Published

on

Odhise Paskali, njëri ndër themeluesit e skulpturës shqiptare dhe personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar, u lind në Përmet më 22 dhjetor 1903.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës, si dhe u shqua në estetikë dhe kritikë arti.

Më 1919 ai shkoi në Itali, ku kreu Liceun më 1923 dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë.

Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.

Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Odhise Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.

Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.

Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.

Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985, i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë e adhurues të veprës së tij të pavdekshme./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara