Lajmet

​Mbrojtja e Thaçit i kërkon trupit gjykues të tregojë se kjo çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh

Lidhur me shqetësimet e mbrojtjes së Thaçit ka reaguar prokuroi Matt Halling.

Published

on

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të seancës, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka kërkuar nga trupi gjykues që të jap një njoftim lidhur me çështjen e trafikimit të organeve, duke deklaruar se hetimet për këtë kanë përfunduar.

Avokati amerikan ka përmendur disa artikuj të botuar gjatë ditëve të fundit në media evropiane, ku zyrtarë të Qeverisë në Rusi kanë pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim organesh.

Duke ritheksuar që kjo është krejtësisht e pavërtetë, marrë parasysh edhe akuzat që janë ngritur në kuadër të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve, Kehoe ka thënë se gjykata duhet të lëshojë një njoftim, ku theksohet se kjo çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

“Nëse hetimi që ka të bëjë me trafikimin e organeve ka përfunduar, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë gjë, pra që nuk ka asgjë nga akuzat e ngritura kundër të akuzuarve të cilat i lidhin të akuzuarit me trafikimin e organeve. Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë këtë trup gjykues por pavarësisht qëllimeve të tyre, ata në mënyrë të vazhdueshme vazhdojnë të përpiqen që të thonë që zotërinjtë të cilët janë të akuzuar në këtë çështje gjyqësore janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve, gjë e cila pa diskutim që nuk është e vërtetë. Ju parashtroj zotëri gjykatës që do ishte mirë që ju të jepni një njoftim, dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikimin e organeve”, ka thënë Kehoe.

Mbrojtja e Thaçit ka ngritur edhe një çështje tjetër, që sipas tij është shumë shqetësuese. Ai ka përmendur deklaratat që një shqiptar nga Gjermania ka dhënë për median në Kosovë, duke thënë se të njëjtit i ishte kërkuar që të gjejë katër dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër Thaçit. Kehoe ka thënë se kjo ka të bëjë me ndikim mbi dëshmitarët.

“E kuptoj që ZPS ka përdorur ndërmjetës në Kosovë për të gjetur dëshmitarë megjithatë kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë nëse ka pjesëmarrje që inkurajon dikë që të gjejë katër dëshmitarë katolik dhe të vinë të dëshmojnë kundër klientit tim, presidentit Hashim Thaçi. Dua ta ngre këtë dhe të ua bëjë këtë me dije të nderuar gjykatës dhe besoj që është e drejtë të them që kjo ndërhyrje me çështje të drejtësisë, dhe për të qenë i sinqertë nuk kam asnjë vend tjetër kur të drejtoj këtë shqetësim, përveç trupi gjykues”, ka thënë ai.

Lidhur me shqetësimet e mbrojtjes së Thaçit ka reaguar prokuroi Matt Halling.

“Kjo është një çështje e cila nuk është diskutuar me neve interpartes, asnjë prej të çështjeve që u ngrit nga zotëri Kehoe, nuk ka të bëjë me dëshmitarin i cili do të vijë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, kështu që ju kërkojmë që mbrojtja e zotit Thaçi t’i parashtrojë me shkrim këto shqetësim”, ka thënë ai.

Pas kësaj, avokati i Thaçit ka thënë se parashtrimet do t’i dorëzojë edhe me shkrim derisa ka theksuar se duhet të jepet shpjegim nëse dikush i ka kërkuar katër dëshmitarë kundër ish-presidentit.

“Nëse dikush është jashtë duke kërkuar dëshmitarë katolik për të dëshmuar kundër zoti Thaçi, kjo me të vërtetë është shqetësues”, ka theksuar ai.

Seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai është i mbrojtur dhe po dëshmon me fshehje të identitetit.

Thaçi, Veseli e Selimi janë të pranishëm në gjykatore, ndërsa Krasniqi po merr pjesë në seancë përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lajmet

Street Party Prishtina rikthehet me edicionin e shtatë në zemër të kryeqytetit

Published

on

Prishtina do të jetë sërish nikoqire e një prej ngjarjeve më të njohura verore urbane. Më 8 gusht rikthehet Street Party Prishtina, i cili këtë vit vjen me edicionin e shtatë dhe premton një ditë të mbushur me muzikë, argëtim dhe atmosferë festive.

Për plot 10 orë, nga ora 13:00 deri në 23:00, rruga “Fehmi Agani” – Kafet e Vogla do të shndërrohet në një hapësirë të hapur për performanca muzikore dhe aktivitete artistike, ku publiku do të ketë mundësi të shijojë interpretime nga artistë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Në skenën e këtij edicioni do të performojnë Jetoni, Luk, Neritani, Adriani, Labaresha dhe Luna Skye, duke sjellë një program të larmishëm muzikor gjatë gjithë ditës.

Përveç muzikës, organizatorët kanë paralajmëruar edhe aktivitete kreative e artistike, me synimin që Street Party të mbetet një pikëtakim për të gjithë adhuruesit e kulturës urbane dhe jetës së natës në kryeqytet.

Hyrja në aktivitet është falas për të gjithë qytetarët.

Edicioni i sivjetmë organizohet nga NXT LVL Events & Entertainment, me mbështetjen e WinMusic Freedom dhe nën patronatin e Komunës së Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ariana Grande: Pushimi nga jeta publike ishte një vendim i menduar prej kohësh

Published

on

Këngëtarja Ariana Grande ka sqaruar se vendimi i saj për t’u tërhequr përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit të turneut “Eternal Sunshine” nuk ka qenë i nxituar.

Gjatë një koncerti në Çikago, Grande u tha fansave se vendimi ishte marrë shumë kohë më parë dhe nuk lidhej me zhvillimet e fundit apo spekulimet që kanë qarkulluar në media.

“Dua që ta dini se shumë gjëra mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë”, u shpreh artistja, duke shtuar se njerëzit ndonjëherë kanë nevojë të vendosin kufij dhe të marrin një pushim.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi producentët e muzikalit “Sunday in the Park With George”, që pritet të vihet në skenë në Teatrin Barbican në Londër gjatë vitit 2027, njoftuan se Grande ishte tërhequr nga projekti.

Muajt e fundit, këngëtarja ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të ndarjes nga aktori Ethan Slater, turneut botëror dhe publikimit të albumit të ri “Petal”, duke nxitur edhe spekulime për shëndetin dhe pamjen e saj.

Edhe menaxheri i saj ka bërë të ditur se Ariana synon ta përfundojë turneun “Eternal Sunshine” e shëndetshme dhe e lumtur, përpara se të marrë një pushim të merituar nga angazhimet dhe ekspozimi i vazhdueshëm publik.

Nga skena, Grande falënderoi fansat për mbështetjen dhe theksoi se, pavarësisht komenteve dhe kritikave, kjo mbetet përvoja më e rëndësishme në karrierën e saj.

Turneu “Eternal Sunshine” do të përfundojë më 1 shtator në Londër, pas dhjetë koncerteve në O2 Arena./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest nis edicionin e ri në Kukaj, tradita dhe arti bashkohen në një hapësirë unike

Published

on

Në fshatin Kukaj ka nisur një tjetër edicion i Etno Fest, festivalit që prej vitesh bashkon traditën, artin dhe krijimtarinë bashkëkohore në një ambient të veçantë mes natyrës.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, vlerësoi rëndësinë e festivalit, duke theksuar se Etno Fest vazhdon të krijojë një përvojë unike, ku trashëgimia kulturore prezantohet përmes performancave artistike, muzikës, shfaqjeve teatrore dhe ekspozitave.

Sipas saj, festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, duke promovuar vlerat tradicionale përmes formave bashkëkohore të shprehjes artistike dhe duke afruar publikun me kulturën dhe identitetin e vendit.

Bogujevci përgëzoi organizatorët, artistët dhe gjithë ekipin e festivalit për përkushtimin e tyre në ndërtimin e një ngjarjeje që ruan dhe promovon trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ajo theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin artin dhe iniciativat kulturore që kontribuojnë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave kulturore të vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

DokuFest feston 25-vjetorin, mbi 220 filma në edicionin jubilar në Prizren

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, rikthehet në Prizren për edicionin e tij të 25-të, i cili do të mbahet nga 7 deri më 15 gusht. Në kuadër të festivalit do të shfaqen gjithsej 223 filma, duke e kthyer edhe një herë qytetin historik në qendër të kinemasë dokumentare dhe asaj të filmit të shkurtër.

Sipas organizatorëve, këtë vit janë pranuar 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ndërsa 104 filma janë përzgjedhur për të garuar në tetë kategori zyrtare. Përzgjedhja përfshin dokumentarë dhe filma të shkurtër që trajtojnë tema bashkëkohore, si dhe një numër premierash botërore.

Tema e këtij edicioni është “Persistent Defiance” (Mosbindje e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku sepse duhet!) vë theksin te konfliktet globale, kriza klimatike dhe ndryshimet shoqërore. Organizatorët theksojnë se festivali vazhdon të mbetet një hapësirë për shprehje të lirë, reflektim dhe debat edhe në kohë sfiduese.

Programi do të përfshijë filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në kategori si Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox dhe Green Dox, krahas programeve të veçanta të kuruara.

Shfaqjet do të mbahen në disa prej hapësirave më të njohura të Prizrenit, përfshirë DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, Teatrin “Bekim Fehmiu” dhe Abi Qarshinë. Ndërkohë, aktivitetet DokuTalks do të zhvillohen në Shkollën e Muzikës, ndërsa programi DokuKids në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe programe të veçanta si Spotlight, kushtuar regjisores britanike Sophie Fiennes, Doku Immersive me përvoja të realitetit virtual, DokuKids për fëmijë dhe Short Film Forum, platformë që bashkon kineastë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme.

Një nga mysafirët më të rëndësishëm të këtij edicioni do të jetë dokumentaristi i njohur britanik Mark Cousins, i cili në Prizren do të prezantojë dy kapituj nga projekti i tij 16-orësh “The Story of Documentary Film”, kushtuar dekadave të viteve 1960 dhe 1980.

Atmosfera e festivalit do të pasurohet edhe me programin muzikor DokuNights, që nis më 12 gusht dhe do të zgjasë katër net me koncerte në skenën Andrra Stage.

Me një program të pasur artistik dhe kulturor, DokuFest shënon 25 vjet aktivitet, duke vazhduar të jetë një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon dhe një pikëtakim i kineastëve, profesionistëve dhe adhuruesve të filmit nga e gjithë bota./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara