Published
5 years agoon
By
Betim GashiMasat e reja anti COVID-19 nga sot hynë në fuqi në gjithë territorin e Kosovës, ku ndër të tjera ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës.
Masat do të jenë në fuqi deri më 1 shtator.
V E N D I M
Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve të huaj nga Republika e Kosovës]
2. Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi
të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë
sipas listës zyrtare të Institutit kombëtar të shëndetësisë publike të Kosovës (IKShPK), duhet
të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.
3. Nga pika 2. përjashtohen:
3.1. Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare tokësore dhe
largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore,
me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3)
orësh;
3.2. Qytetarët të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë
protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
3.3. Qytetarët të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose
me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta
lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
3.4. Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre;
3.5. Personat që kanë çertifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19;
3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar
më së shumti tridhjetë (30) ditë para arritjes.
3.7. Fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë (11) vjeç.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
4. Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë
apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia, për aq sa është e
aplikueshme.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
5. Obligohen institucionet publike dhe private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për
duar dhe maska në vende të qasshme, në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
6. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, që në hyrje të çdo objekti, të
vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë
shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, si dhe respektimin e distancës.
7. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera, që të kryejnë
dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
8. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
9. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
9.1. Gjatë ecjes në ambient të jashtëm, vetëm;
9.2. Gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona;
9.3. Gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
9.4. Gjatë ngrënies apo pijes.
10. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të
monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 8.
D. [Institucionet e arsimit]
11. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas
udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.
12. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet
organizimi i ekskursioneve dhe shëtitjeve grupore.
Dh. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
13. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e
skemave sociale dhe pensionale, që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në
zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse..
E. [Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
14. Lejohen grumbullimet në hapësira të mbyllura (mbledhje, seminare, trajnime), me kusht
që të shfrytëzohet 30% e kapacitetit të hapësirës. Organizatori obligohet të mbaj distancën
fizike prej së paku 1 metër në mes të personave, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17
të këtij Vendimi.
15. Lejohen grumbullimet në ambiente të jashtme, tubimet shoqërore (festivale, koncerte,
etj.) me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, sipas dëshmive të përcaktuar
në pikën 17 të këtij Vendimi.
F. [Klubet e natës dhe ahengjet]
16. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të
natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, në të gjithë
territorin e Republikës së Kosovës.
G. [Hyrja, shfrytëzimi dhe organizimi i aktiviteteve të caktuara]
17. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, hyrja në ambientet ku mbahen
grumbullime, tubime (festivale, koncerte) aktivitete sportive dhe kulturore të cilat kanë
kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse
klientët/pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:
17.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të
vaksinës kundër COVID-19;
17.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
17.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më
pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të
antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
17.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
18. Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 01 shtator 2021, një nga dëshmitë e cekura në pikën
17 duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/ aktiviteteve të
cekura në pikën 17, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.
19. Personat përgjegjës të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 17, janë të detyruar të
caktojnë një person i cili do të kontrollojë posedimin e të paktën një prej dëshmive sipas
pikës 17.
20. Personat nën moshën 16 vjeçare nuk janë të detyruar të posedojnë asnjë nga dëshmitë e
cekura sipas pikës 17.
Gj. [Gastronomia]
21. Shërbimet e gastronomisë përfshirë restoranet dhe hapësirat e ngjashme në hoteleri
lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me
udhëzuesin përkatës. Në hapësirat e mbyllura lejohet veprimtar deri në 50% e kapacitetit
të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të
hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
22. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të
ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
23. Pjesa e prapme e një karrige, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së
paku një (1) metër.
24. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë me të
mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është që të shfrytëzohet hapësira duke respektuar
kufizimin prej pesë (5) persona në 10 m2.
25. Në hapësirat e mbyllura lejohet shërbimi i ushqimit dhe pijeve vetëm për mysafiret që
janë të ulur ose duke qëndruar në këmbë në një tavolinë ose në banak.
26. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë, banak apo në tavolina
në këmbë.
27. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60-70% alkool.
28. Duhet të vendosen udhëzuesit në hapësirat e jashtme të lokaleve lidhur me informimin
e klientëve për protokollin e masave kundër COVID-19.
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]
29. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare në përputhje me pikën 8 të këtij Vendimi dhe sipas
udhëzuesit përkatës.
30. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë
dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas
rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal
të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të
qëndrojnë klientët.
I. [Puna me palë]
31. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që
të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse
mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
J. [Transporti publik]
32. Ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
33. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar
kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën
gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus se
sa që posedojnë ulëse.
34. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
35. Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë,
qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të
Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve
përkatëse për të gjitha aktivitetet (si gjatë shfaqjeve ashtu edhe gjatë ushtrimeve), në
përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
L. [Sporti dhe rekreacioni]
36. Lejohet organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe
rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat
mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
37. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura lejohet prania e shikuesve deri në 15% të
kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (salla sportive, pishina, hapësira të tjera të
mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në
përputhje me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi.
38. Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30% të
kapacitetit të objektit, apo hapësirës sportive (stadium, pishina, hapësira të tjera të jashtme),
duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse, në përputhje
me pikën 8 dhe sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit
respektiv.
39. Organizatorët e garës janë të obliguar të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me
protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në
hapësirën sportive.
40. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale
rekreative, sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit
respektiv .
41. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2,
sipas dëshmive të përcaktuar në pikën 17 të këtij Vendimi dhe udhëzuesit respektiv .
42. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për
pastrim), në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijësimit dhe dezinfektimit të tyre nga
secili klient pas përdorimit.
Ll. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
43. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm
dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
43.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për
parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
43.2 Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve,
industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
43.3 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
43.4 Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra
tregtare;
43.5 Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete
kulturore,
43.6 Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe
sportive;
43.7 Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;
43.8 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
43.9 Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
43.10 Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të
mbajtjes për të huaj;
44. Udhëzuesit nga pika 43 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve
zbatohen.
45. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij
vendimi.
M. [Zbatimi]
46. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës në bashkëpunim me shtabet
emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojë në Zyrën e
Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
47. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e
Kryeministrit raportin javor, (çdo të premte deri në orën 16:00), për zbatimin e masave,
gjendjen në institucionet shëndetësore, situatën epidemiologjike si dhe parashikimet për
dy javët në vijim.
48. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin
dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë
vendime operacionale, varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të
IKShPK-së.
49. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, të mbikëqyrin zbatimin e
masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për
Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
50. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore
sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në
territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
51. I vetmi autoritet që mund të ofroj opinion për këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë,
ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat
aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
N. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/25]
52. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/25 i datës 12.08.2021.
Nj. [Hyrja në fuqi]
53. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe
vlenë deri më dt.01.09.2021.
Lajmet
Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët
Published
20 hours agoon
September 13, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar zyrtarisht të konstituuar Legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Gjatë seancës plenare, Haxhiu bëri të ditur se, përkundër thirrjeve të përsëritura drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetët e këtij subjekti nuk ishin të pranishëm në sallë për të tretën herë me radhë, duke mos e ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar.
Ajo nënvizoi se, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, asnjë subjekt politik nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.
Përmes një reagimi pasues në rrjetet sociale, Haxhiu sqaroi se pozita e nënkryetarit mbetet e rezervuar për PDK-në dhe se Kuvendi do të kalojë menjëherë në votim sapo kjo parti ta paraqesë propozimin e saj.
Me përmbylljen e këtij procesi u hapet rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re. Kryetarja e Kuvendit uroi nënkryetarët e zgjedhur dhe falënderoi deputetët pjesëmarrës për ushtrimin e përgjegjësisë institucionale, duke bërë thirrje që funksionalizimi i plotë i shtetit të vazhdojë pa vonesa të panevojshme./E.A/
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 shtator 1993-1998
Published
21 hours agoon
September 13, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
13 shtator 1993
U dogjën disa lokale në Qendrën zejtare në Skënderaj
Dje herët në mëngjes, rreth orës 01 pas mesnate, në Qendrën zejtare të Skënderajt shpërtheu një zjarr i fuqishëm. Zjarri përfshiu në tërësi Qendrën zejtare dhe me këtë rast u dogjën në tërësi ose pjesërisht lokalet e Aziz Lushtakut nga Prekazi dhe Halil Zenunit nga Llausha, çajtorja e Sejdi Sejdiut nga Klina e Ulët, lokali i “Zhitoprometit” dhe çajtorja e Xhemë Kodrës nga Prekazi i Ulët. Po ashtu u dogj edhe ëmbëltorja e një pronari nga Tetova, kurse u dëmtua çajtorja e Ukshin Lushtakut nga Prekazi i Ulët.
Burimet e LDK-së në Skënderaj njoftojnë se zjarrfikësit mbërrinë me kohë, por megjithatë intervenimi i tyre nuk ishte efikas.
Shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri nuk dihen, por dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar me qëllim.
Merret vesh se Qendra zejtare në Skënderaj ka qenë e ndërtuar me material të fortë nga një punëmarrës serb.
13 shtator 1994
Pas krimit të policisë serbe në Deçan gjendje e tensionuar edhe në Junik
Pas vrasjes së Violetë Dervishajt para pak ditësh në Deçan dhe keqtrajtimit të shumë qytetarëve shqiptarë, bëhet me dije se nga dita në ditë gjendja po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese edhe në Junik, Njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Junik.
Kështu më 9 shtator, policia thirri që të paraqitet për herë të pestë në polici, Gani H.Shehun, ish-polic dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të SPB-së.
Gjatë tërë kohës sa u mbajt Gani H.Shehu në stacionin e policisë në Deçan, ai u keqtrajtua fizikisht, si dhe u kërcënua që të heqë dorë nga aktiviteti i mëtejmë sindikal.
Ndërsa më 10 shtator, policia mori Muhamet Zukajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Beleg. Të njëjtën ditë, dy orë më vonë (14:30 minuta), policia ishte në shtëpinë e tij dhe keqtrajtoi rëndë babain e tij, Rrustem Zukaj 80-të vjeçar dhe axhën e tij, Adem Zukaj (65).
Bëhet me dije se Muhamet Zukaj është dërguar në spitalin e Pejës, ngase gjendja e tij shëndetësore nga torturat e njëpasnjëshme të policisë serbe është e rëndë.
13 shtator 1995
Reagim i Institutit të Historisë për vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit
Punëtorët e Institutit të Historisë në Prishtinë, përmes një komunikate për opinion, reagojnë ashpër lidhur me vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në reagim thuhet:
“Ky akt ka prapavijë dhe qëllime të caktura politike kundër trashëgimisë kulturore e historike të popullit shqiptar. Me këtë akt anticivilizues, kulturocid e antishqiptar, regjimi aktual serb mundohet të shlyej nga kujtesa gjurmët e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj.
Qëllimet e politikës antishqiptare të pushtetit serb, në vazhdimësi vërtetojnë përpjekjet për shlyerjen e kujtesës historike, si dhe për kolonizimin e trojeve etnike shqiptare. Këto veprime anticivilizuese dhe provokative të pushtetit serb, çojnë kah thellimi i tendosjes së gjendjes jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare e posaçërisht nga UNESCO-ja që të ndërmarrë hapa konkret, mbëshetur në aktet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike”, thuhet midis tjerash në reagimin e punëtorëve të Institutit të Historisë në Prishtinë.
13 shtator 1997
U varros Nëna Tereze
Sot, në Kalkutë të Indisë, me nderimet shtetërore dhe me praninë e qindra mijëra njerëzve e përfaqësuesve shtetërorë të shumë vendeve, u varros Nëna Tereze.
Në varrimin e Nënë Tereze morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe delegacioni i Shqipërisë, me në krye presidentin Rexhep Mejdani.
Për të marrë pjesë në varrimin e Nënës Tereze në Kalkutë shkuan edhe përfaqësuesi i Papa Gjon Palit II, presidenti i Rumanisë, Konstantinesku, presidenti italian Skalfaro, kryeministri i Kandasë, presidenti i Afrikës Jugore, Nelson Mendela, bashkëshortja e presidentit Klinton, Hilari, bashkëshortja e Zhak Shirakut, mbretëresha Nur e Jordanit, ministri Narajan, mandej Indar Kumar Gujaram, kryeminstër i Bangladeshit, presidenti i Rumanisë, Sonja Gandi me të bijën.
Për të marrë pjesë në varrim janë ftuar gjithsejt 3 mijë personalitete shtetërore, fetare, përfaqësues të organizatave bamirëse, ndërkaq, në vetë cermonialin e varrimit në stadiumin e qytetit morën pjesë 15. 000 veta.
Ceremonia e varrimit u transmetua nga të gjitha stacionet e rëndësishme televizive botërore, duke filluar nga kanali amerikan CNN që transmetoi drejtpërdrejtë tërë ceremoninë e varrimit, pastaj kanalet italiane, spanjolle e tjerë.
13 shtator 1998
U vra deputeti dhe lideri i lëvizjes demokratike në Shqipëri Azem Hajdari
Mbrëmë në orën 21.10 para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë u vra në një atentat kriminal deputeti i kësaj partie Azem Hajdari, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes të parlamentit shqiptar.
Ky është atentati i katërt kriminal i armatosur i ndërmarrë kundër liderit të dhjetorit dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike të Shqiperisë, në një hark kohor prej një viti qysh nga ardhja e qeverisë socialiste në pushtet.
Sipas dëshmitarëve atentati është kryer nga oficerë policie, të cilët si gjithmonë, nuk janë kapur.
Gazeta “Albania”, në një njoftim me titull “Fatos Nano vret Azem Hajdarin” shkruan sot se deputeti Hajdari u vra duke dalë nga selia qendrore e PD-së në Tiranë. persona që dolën nga makina policie, rreth 30 metra larg selisë, kanë qëlluar me kalashnikov në drejtim të Azem Hajdarit, i cili ishte qëlluar me katër plumba. Me plagë vdekjeprurëse, Azem Hajdarit i rrahu pulsi deri në spitalin ushtarak.
Në vend është vrarë edhe truproja e tij Besim Çerja dhe është plagosur rëndë Zenel Neza (29).
Pasi u dha lajmi për atentatin, qindra qytetarë të Tiranës shkuan te selia e Partisë Demokratike. Gratë qanin me kuje, ndërsa burrat bërtisnin të zemëruar ndaj kriminelëve që vranë heroin e demokracisë shqiptare, shkruan sot “Albania”.
Partia Demokratike vlerëson se ky akt kriminal është vazhdimësi e qërimit të hesapeve ndërmjet administratës së Nanos dhe Partisë Demokratike, e cila shënon krahun më të fortë opozitar në Shqipëri. Partia Demokratike njofton se vrasës i deputetit Hajdari është Jaho Salihi, shef i rendit në policinë e Tropojës.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë, shpalli mbrëmë një deklaratë lidhur me vrasjen e deputetit Hajdari.
Qeveria shqiptare i shpreh ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve për atentatin e bashkëshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik, i cili i mori jetën deputetit Hajdari dhe shoqëruesit të tij në mbrëmjen e ditës së shtunë 12 shtator.
Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.
Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.
Ajo i lutet të afërmve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. Qeveria i kërkon të gjithë personave apo dëshmimtarëve të ngjarjes që të bashkëpunojnë dhe t’i ofrojnë informacionin që kanë organeve shtetërore.
Gjendja gjatë natës dhe sot në Tiranë dhe në Shqipëri është e tensonuar.
Lajmet
Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës
Published
2 days agoon
September 12, 2026By
UBTNews
Sot në kryeqytetin e Kosovës po mbahet një nga tubimet më të mëdha qytetare të periudhës së fundit, “Marshi për Liri”, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”. Ky mobilizim masiv po zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — vetëm katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës me sedër në Hagë të shpallin aktgjykimin e tyre përfundimtar.
Skena kryesore e ngjarjes, ku po zhvillohen fjalime politike, mesazhe sensibilizuese dhe performanca artistike, është ngritur në sheshin “Skënderbeu”.
Ky shesh, së bashku me arteriet kryesore që çojnë drejt tij, si sheshi “Nëna Terezë” dhe ai “Zahir Pajaziti”, po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish. Në turmën e mbledhur bien në sy përfaqësues të lartë të partive politike, veteranë e invalidë të luftës, si dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit.
Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara mijëra pjesëmarrësve, përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta dhe udhëheqësit politikë përçuan mesazhe të qarta për drejtësi dhe paanësi. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, potencoi se kërkesa e vetme e veteranëve dhe e familjeve të tyre është për një proces të drejtë.
Ai paralajmëroi se një “proces i padrejtë” nuk do t’i shërbente asgjëje tjetër përveçse interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar me vendosmëri: “Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”.
Në të njëjtën frymë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se opinioni publik nuk do ta pranojë vendimin e caktuar për datën 16 shtator nëse ai do të analizohet si i padrejtë. Ai iu drejtua drejtpërdrejt trupit gjykues: “Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”. Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përkujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kishin vënë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës dhe se sot ishte momenti që populli t’u shprehte mirënjohjen e thellë, duke deklaruar: “Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”.
Kjo protestë masive nuk është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë kundër mënyrës se si po zhvillohen proceset në Gjykatën Speciale. Në prill të vitit 2023, sërish në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan një ditë para nisjes zyrtare të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, duke e cilësuar procesin që po niste si një goditje të padrejtë ndaj luftës çlirimtare. Blloqe të ngjashme mbështetjeje u përsëritën edhe më 17 shkurt 2026, gjatë shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku marshi me moton “Drejtësi, jo politikë” mblodhi mijëra njerëz në kohën kur procesi gjyqësor në Hagë po hynte në fazën e tij përfundimtare.
Procesi maratonë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka zgjatur më shumë se tre vjet prej hapjes së tij më 3 prill 2023. Prokuroria e Përshtatur kishte përfunduar paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në prill të vitit 2025, derisa mbrojtja e mbylli rastin e saj në dhjetor të po atij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shkurt të vitit 2026, shpallja e aktgjykimit përfundimtar ishte paraparë të bëhej më herët gjatë vitit, mirëpo në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan zyrtarisht shtyrjen e verdiktit për më 16 shtator, me arsyetimin e kompleksitetit ekstrem të çështjes dhe vëllimit masiv të provave të dorëzuara.
Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan nga Policia e EULEX-it në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan menjëharë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, të cilat prokuroria pretendon se janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërkohë që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi që do të merret më 16 shtator pritet të jetë verdikti më përcaktues dhe më domethënës i Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Foto: Koha
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998
Published
2 days agoon
September 12, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
12 shtator 1994
Në Nekoc e Kishnarekë vazhdon represioni i policisë serbe
Tash disa ditë, policia serbe vazhdon t’i keqtrajtoi banorët e fshatrave Nekoc e Kishnarekë të Gllogovcit, nën pretekst të vrasjes së paradoditshme të rojes së pyllit, Milaim Gashi në rrethana ende të panjohura, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.
Më 9 shtator, prej orës 11:00 deri në mbrëmje rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe defiloi tërë ditën nëpër fshatrat e lartëshënuara. Policia ishte e pajisur me një llandrover dhe dy vetura.
Njoftohet se gjatë tërë ditës mbi fshatrat Nekoc e Kishnarekë fluturoi edhe një helikopter i policisë serbe.
Në fshatin Nekoc, policia kërkoi Bajram A.Rukiqin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Bajram A.Rukiqi gjendet i shtrirë në spital, pasi ai ditë më parë është keqtrajtur brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast mori plagë të rënda trupore.
Ndërkaq, në fshatin Kishnarekë, policia serbe i provokoi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “7 Marsi” duke i “përshëndetur” me dy gishtat lart.
E njëjta ekspeditë e policisë serbe, vazhdoi rrugën për në fshatin Llapushnik, me ç’rast morën Ferat Sopin dhe djalin e tij (emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë, si dhe veturën e tyre të markës “Reno 4”).
Pardje, në fshatin Kishnarekë, policia kërkoi Rexhep A.Hykollin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas, policia legjitimoi çdo kalimtar të rastit, i cili kalonte nëpër fshatin Kishnarekë.
12 shtator 1995
Tragjedi e rëndë e pasagjerëve në një barkë shqiptare
Në një barkë që transportonte refugjatë nga Shqipëria për në Itali, ndodhi një tragjedi e rëndë në të cilën humbën jetën së paku 3 udhëtarë, ndërsa 12 konsiderohen të humbur.
Barka u përmbys për shkak të valëve të larta të shkaktuara nga një trajekt që kaloi fare pranë barkës.
Korrespondenti i BBC-së nga Roma, Ilir Gurakuqi, tha se edhe 10 pasagjerë të tjerë janë të lënduar.
Kjo ngjarje do të ishte edhe më tragjike sikur mos të ndërhynte një anije amerikane që patrullon në ujërat e Adriatikut, në kuadër të embargos ndaj ish-Jugosllavisë.
12 shtator 1997
Vatikani: Nënë Tereza mund të shpallet e shenjtë në kohë rekorde
Sekretari i Shtetit i Vatikanit Angjelo Sodano deklaroi sot se Papa Gjon Pali e donte shumë Nënën Tereze dhe se të gjithë në Kishën Katolike shpresojnë se ajo mund të kanonizohet shumë shpejt. “Procesi i shndërrimit të nënës Tereze në shenjtore mund të realizohet brenda një kohe rekorde – deklaroi ai.
Me rastin e mëparshme të shenjtërimit, zakonisht afati ka qenë i gjatë deri në 30 vjet. Sipas praktikës së deritashme së pari të caktohet një komision nga Vatikani i cili e vlerëson deri në hollësi veprën dhe shëmbëlltyrën e kandidatit për të shenjtë, e pastaj ai vlerësim i dorëzohet Papës. Pikërisht pse shëmbëlltyra dhe vepra e Nënës Tereze është tejet humane, dhe e pastër, mund të pritet që ajo të shpallet e shenjtë në kohë rekorde, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.
12 shtator 1998
Gjatë sulmeve të djeshme në fshatrat e Skënderajt janë vrarë 3 dhe janë plagosur 16 shqiptarë
Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj i madh i forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe i përbërë nga 58 tanksa, 38 kamionë dhe automjete të tjera të motorizuara nga Mitrovica arritën në Llaushë, ndërsa menjëherë nga këto forca filluan të granatohen fshatrat Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Likoc e Makërmal, i tha sot QIK-ut Fadil Ymeri, përgjegjës i Këshillit për Informim në fshatin Qirez të Skënderajt.
Bëhet e ditur se gjatë kësaj ofensive, janë zhvendosur shumë banorë, të cilët e kaluan natën nën qiellin e hapur dhe gjendja e tyre është shumë e rëndë.
Edhe sot, që në orët e hershme të mëngjesit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, filluan t’i granatojnë fshatrat e lartpërmendura dhe fshatrat tjerë si Vërbovcin, Abrinë, Açarevën, Polluzhën e Kryshecin. Këto fshatra po sulmohen me artileri të rëndë, duke filluar nga minahedhësit deri te raketat e tipit tokë-tokë.
Gjatë këtrye dy ditëve, forcat e UÇK-së kanë bërë një rezistencë të fuqishme dhe me heroizëm po u kundërvihen forcave armike.
Si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri tash janë vrarë tre shqiptarë, në mesin e të cilëve dy fëmijë dhe kanë plagosur 16 civilë të tjerë.
Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë, Leutrim Ahmetin (9), Xufë Ahmetin (8) dhe Ramë Ahmetin (42), ndërsa kanë plagosur Fatmire Malush Ahmetin (18), Gjyle Racin (30), Brahim Ahmetin (29), Makfirete Ahmetin (14), Bajram Ahmetin (11), Shpresa Ahmetin (9), Naser Gashin (15), Feti Musliun (22), Nuredin Bacajn (39), Xheladin Behramin (53), Rifat Smakiqin (34), Fatmire Ahmetin (35), Arben Makollin (24), Tahir Lladrovcin (22), Jahir Dërgutin (44) dhe Skënder Ahmetin (39).
Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri në Bëhet e ditur se nga pasojat e bombardimeve serbe deri tash janë shkatërruar e djegur qindra shtëpi shqiptare dhe objekte të tjera ndihmëse.
Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 shtator 1993-1998
Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998
Gjithçka gati për “Marshin për Liri”
Fundjava e shqiptarëve në Evropë, këto janë ndeshjet
Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit
Avokati: Kërkojmë shpalljen të pafajshëm të Fazliut, të akuzuarit s’u intervistuan nga ZPS-ja
Avokati i Kuçit: ZPS-ja ndërtoi teorinë e saj mbi gabime në përkthim
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport1 month agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet1 month agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet1 month ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
