Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e “Dardanëve” në ndeshjen ndaj Irlandës, duke vlerësuar në veçanti organizimin defensiv dhe disiplinën taktike të skuadrës.
Foda theksoi se Kosova nuk i lejoi irlandezët të krijonin raste të rrezikshme, ndërsa lavdëroi qetësinë e lojtarëve dhe paraqitjen e tyre në të gjitha repartet.
“Sot më pëlqeu reparti defensiv. Irlandezët nuk krijuan asnjë mundësi. Më pëlqeu qetësia e skuadrës. Sidomos pas pjesës së parë, u thashë lojtarëve të qëndronin të qetë, pasi goli do të vinte. Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me krahët. Edhe me Zhegrovën, i cili luajti 70 minuta pasi kishte një kohë të gjatë pa luajtur. Edhe me Batonin jam i kënaqur”, ka thënë Foda.
Ai veçoi edhe paraqitjen e mesfushorëve Leoni dhe Veldin, të cilët, sipas tij, kishin detyra të ndryshme në aspektin taktik.
“Leoni dhe Veldini bënë punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndara. Leoni kishte rol defensiv, ndërsa Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani ynë”, u shpreh trajneri gjerman.
Foda: Me Austrinë do të jetë ndryshe
Pas ndeshjes ndaj Irlandës, Kosova tani e ka vëmendjen te sfida e radhës, ku të dielën do të përballet me Austrinë në Vjenë.
Foda pret një ndeshje dukshëm më të vështirë, duke theksuar se Austria karakterizohet nga një lojë më e shpejtë.
“Kundër Austrisë do të jetë një ndeshje tjetër. Sot e kishim pak më të lehtë, ndërsa Austria luan më shpejt. Këtu kishim detyrë t’i ndalnim topat e gjatë”, ka deklaruar Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi më parë ka qenë trajner i përfaqësueses së Austrisë. Nën drejtimin e tij, Austria u paraqit në Kampionatin Evropian të vitit 2020.
Megjithatë, Foda theksoi se skuadra austriake ka ndryshuar dhe se përballja e së dielës do të kërkojë përgatitje maksimale.
“Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë. Besoj se do ta kemi edhe në Vjenë mbështetjen e shqiptarëve, të cilët janë në numër të madh”, ka përfunduar Foda.
D.L