Lajmet

​Mali i Zi heq dorë nga marrëveshja që e shpëtoi nga borxhi kinez

Ministria njoftoi përmes një deklarate se po largohej nga marrëveshja “për shkak të kushteve favorizuese të tregut”.

Published

on

Në një shfaqje të besimit në financat e tij, Mali i Zi ka vendosur t’i japë fund një marrëveshjeje me bankat perëndimore, që e mbronin shtetin nga rritja e borxhit për një kredi kundërthënëse kineze prej gati 1 miliard dollarësh për ndërtimin e një autostrade.

Ky është vendimi i fundit në sagën e autostradës kontroverse Bar-Bolare në Mal të Zi – që është ndërtuar nga Korporata Rruga dhe Ura e Kinës [CRBC] dhe është financuar nga Banka Eksport-Import e Kinës me një kredi të madhe – që ka krijuar një rrezik afatgjatë ekonomik, duke e ngarkuar shtetin me borxhe ndaj Pekinin, që dikur arritën vlerën e më shumë se një të tretës së buxhetit të këtij shteti.

Ministria e Financave e Malit të Zi tha përmes një deklarate se po largohej nga marrëveshja “për shkak të kushteve favorizuese të tregut”.

Me largimin nga kjo marrëveshje, që e konvertoi borxhin e saj në bankën kineze nga dollari në euro, ministria tha më 14 qershor se ajo fitoi “afërsisht 64 milionë dollarë”, për shkak të rritjes së vlerës së dollarit kohëve të fundit. Ky institucion tha se do të përdorë këto para për të ndihmuar në pagesën e ardhshme të borxhit ndaj Kinës, që duhet të bëhet në janar.

Ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, pas këtij njoftimi tha për Radio Mali i Zi se për shkak të pasigurisë në rritje në tregjet botërore, ishte shumë e rrezikshme që shteti të vazhdonte të qëndronte në këtë marrëveshje.

“Gjatë marrëveshjes mbrojtëse, ne morëm pasigurinë e jashtme të tregjeve të huaja dhe luftën në Ukrainë, që ishte pasojë për Evropën, si një raport i paqëndrueshëm i valutës me botën”, tha ai.

Ndërtimi i autostradës është përballur me vonesa, me kosto në rritje, shqetësime mjedisore, me kritika mbi praktikat e dyshimta të huadhënies kineze dhe me korrupsionin lokal.

Sipas planit origjinal të nënshkruar më 2014, 41 kilometra – që u hapën për qarkullim në korrik të vitit 2022 – do të ishin pjesë e autostradës prej 163 kilometrash që do të lidhë bregdetin në Adriatik të Malit të Zi me Serbinë fqinje. Projekti synonte të transformonte shtetin në një qendër transporti për rajonin më të gjerë dhe të forconte aktivitetin ekonomik. Por, ende ka pyetje nëse 122 kilometrat e mbetura të autostradës do të përfundojnë.

Çështja e autostradës u bë lajm botëror në prill të vitit 2021, kur zyrtarët në Mal të Zi i kërkuan Bashkimit Evropian ndihmë që të paguajnë një kredi të madhe pasi kësti i parë duhej të paguhej atë verë. Përderisa Brukseli po shqyrtonte vendimin për këtë çështje, avokuesit evropianë për ndihmë financiare brenda BE-së paralajmëruan se Mali i Zi – shtet me 620.000 banorë – ishte në rrezik që të merrej nën kontroll financiar nga Kina.

Në korrik të vitit 2021 u arrit marrëveshja – me ndihmën e BE-së – midis Malit të Zi dhe katër institucioneve financiare perëndimore: Goldman Sachs, Merrill Lynch, Societe Generale dhe Deutsche Bank.

Marrëveshja 14-vjeçare, e cila përfshinte edhe një klauzolë të ndërprerjes së akordit pas dy vjetësh, u dizajnua për të mbrojtur shtetin nga luhatja e kursit të këmbimit euro-dollar, që ndikoi drejtpërdrejt në shumën e borxhit.

Për shkak se Mali i Zi, që përdor euro, nuk u mbrojt nga luhatjet e monedhës dhe nuk arriti të përfshinte masa mbrojtëse në planet e saj fillestare, çmimi i projektit vazhdoi të rritej. Përderisa vlera e dollarit u rrit kundrejt euros, kostoja e autostradës u rrit dhe një herë arriti në më shumë se 100 milionë dollarë.

Pse Mali i Zi po heq dorë nga marrëveshja?

Marrëveshja me institucionet financiare perëndimore u arrit para se Mali i Zi të paguante këstin e parë, prandaj Podgorica i pagoi katër këstet e saj të para, në vlerë prej 158 milionë dollarësh, me euro, me një normë më të ulët interesi, tha Ministria e Financave.

Marrëveshja nënkuptonte që Mali i Zi do të paguante me euro me një normë interesi prej 0.88 për qind, në vend se me dollarë me një normë interesi prej 2 për qind, ashtu siç ishte paraparë më 2014, kur për herë të parë u bë publik projekti. Kjo nënkupton që Podgorica i ka paguar Bankës Eksport-Import të Kinës 25 milionë dollarë (23 milionë euro) më pak, nëse borxhi do të vazhdonte të ishte i lidhur me kursin e këmbimit të dollarit.

Derisa Qeveria e Malit të Zi e ka justifikuar vendimin e saj si të nevojshëm duke pasur parasysh parashikimet e zymta për tregun e eurozonës, që hyri në recesion në tremujorin e parë të këtij viti, jo të gjithë brenda këtij shteti e kanë pranuar këtë shpjegim zyrtar.

Millojko Spanjiq, që ishte ministër i Financave në kohën kur u arrit marrëveshja me institucionet perëndimore, tha se beson se Qeveria u largua nga marrëveshja sepse po i mbarojnë financat shtetërore dhe asaj i duheshin 64 milionë dollarë, që i fitoi nga largimi nga marrëveshja, që të mund të bëjë pagesën e këstit të ardhshëm të borxhit.

“Arsyeja e vërtetë për largimin e kësaj qeverie nga marrëveshja mbrojtëse është se nuk ka para në Thesarin e saj”, tha ai gjatë një paraqitjeje më 16 qershor në Radio Televizionin e Malit të Zi.

Ky pretendim i Spajiqit është vështirë të verifikohet. Por, një analizë e kryer nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e buxhetit të Ministrisë së Financave në katër muajt e fundit shfaqi të ardhura më të larta sesa ishin planifikuar, teksa shpenzimet ishin të vogla. Sezoni i verës, ku pritet të ketë numër të lartë të turistëve në Mal të Zi, mund të rrisë edhe më shumë të ardhurat e shtetit.

Mirza Mulleskoviq, analist i ekonomisë dhe themelues i firmës konsulente me seli në Podgoricë, Inteligencija MNE, tha se është e vështirë të thuhet se si do të ndikojë për shtetin heqja dorë nga marrëveshja. Ai shtoi se është e vështirë të parashikohen ndryshimet në treg për shkak të ngjarjeve botërore.

“Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në nivel botëror, veçmas sa i përket rreziqeve që paraqesin valutat”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Çdo ngjarje mund të çrregullojë gjithçka”.

Çfarë do të ndodhë me autostradën?

E ardhmja e dy seksioneve të mbetura të autostradës është e paqartë, por pasojat nga projekti ende nuk janë ndierë në mbarë vendin.

Ministria e Investimeve Kapitale e Malit të Zi në prill i tha REL-it se ka nisur procedurat, siç parashikohen në kontratën e saj me CRBC-në për ndëshkimet, pasi ka pasur vonesa për vite të tëra, për ndërtimin e 41 kilometrave të parë të autostradës. Ministria megjithatë nuk tregoi se sa para dëmshpërblim dëshiron të marrë nga kompania kineze. Po ashtu, ky institucion nuk dha më shumë detaje për këtë çështje.

Projekti është përballur edhe me kritika të vazhdueshme nga Rrjeti për Afirmimin Sektorit Joqeveritar (MANS), organizatë ballkanike. Ky rrjet ka ngritur shqetësime lidhur me korrupsionin dhe transparencën mbi mënyrën se si janë shpërndarë kontratat e ndërtimit te kompanitë kineze dhe ato vendase. Organizata ka ngritur kallëzim penal ndaj CRBC-së për dëmtim mjedisor në shtratin e lumit Tara. Megjithatë, ky kallëzim është hedhur poshtë.

Pavarësisht trazirave politike që ka sjellë kjo autostradë, kompanitë kineze dhe huadhënësit kinezë ende kanë hapësirë për bashkëpunim në Mal të Zi.

Në mars, Podgorica sërish ktheu sytë kah një konsorcium kinez dhe i dha kontrata për ndërtimin e një autostrade në vlerë prej 59 milionë dollarësh. Kjo autostradë synon të përmirësojë lidhjet mes qyteteve bregdetare të Budvës dhe Tivatit./REL/

Lajmet

Oda e Avokatëve kundërshton tarifën e Prishtinës prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë

Published

on

Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar propozimin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e një tarife vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me Draft-Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.

“Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të qindra avokatëve që ushtrojnë profesionin në kryeqytet, Kryetari Berisha kundërshtoi propozimin për vendosjen e tarifës vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi”, thuhet në njoftim.

Sipas OAK-së, avokatia nuk mund të trajtohet si veprimtari tregtare, pasi ajo ka rol kushtetues në garantimin e të drejtës për mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor.

“Avokatia nuk është veprimtari tregtare dhe nuk mund të trajtohet njësoj me bizneset komerciale. Avokati është bartës i një funksioni të domosdoshëm për realizimin e të drejtës kushtetuese në mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor”, theksohet në qëndrimin e OAK-së.

Po ashtu, gjatë diskutimit është vënë në pah se vendosja e një tarife të tillë do të krijonte precedent të gabuar për profesionet e drejtësisë.

“Vendosja e një tarife të tillë ndaj avokatëve është në kundërshtim me natyrën dhe rolin kushtetues të profesionit, ndërsa trajtimi i tyre si kategori biznesi për qëllime fiskale krijon precedent të gabuar”, ka deklaruar kryetari Berisha.

OAK vlerëson se çdo barrë financiare ndaj avokatisë reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët, duke rritur kostot dhe duke vështirësuar qasjen në drejtësi.

Në fund, OAK ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që avokatia të përjashtohet nga kjo rregullore dhe ka paralajmëruar se argumentet e saj do të dorëzohen edhe me shkrim në kuadër të procesit konsultativ.

Continue Reading

Lajmet

Sheshi i Prishtinës mbushet me mbi një mijë nxënës për Ditën Olimpike

Published

on

Në një atmosferë festive dhe të mbushur me entuziazëm fëmijësh, sheshi i Prishtinës u shndërrua në arenën kryesore të festimeve për Ditën Olimpike. Mbi njëmijë nxënës nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit u mblodhën për të shënuar këtë datë të rëndësishme globale të sportit, e cila u festua më herët se data zyrtare e 23 qershorit, me qëllim që nxënësit të mund të merrnin pjesë para përfundimit të vitit shkollor.

Të pranishëm në këtë ngjarje masive ishin figura të larta të sportit, duke përfshirë Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi dhe Drejtorin e Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci.

Gjatë fjalimit para të pranishmëve, Presidenti i Komitetit Olimpik kujtoi rëndësinë e lidhjes mes sportit dhe arsimit, duke garantuar se aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e përqendrimit në mësime dhe në zhvillimin e një jete të shëndetshme.

“Unë ju thërras të gjithë juve fëmijëve të dashur, shfrytëzojeni sa më shumë jetën tuaj të mirë me sport dhe me mësim. Këto të dyja lidhen shumë ngushtë njëra me tjetrën. Sporti ju ndihmon të keni trurin më të përqendruar në mësimet e juaja. Merruni me sport! Sepse kur merreni me sport, jeni më të aftë edhe për të mësuar, ju premtoj këtë… Pra merruni me sport që të jeni më të shëndetshëm, jeni më të fokusuar, dhe jeni më të mirë për popullin tonë, për vendin tonë, për shtetin tonë”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, dha një mesazh të qartë dhe të fortë për gjeneratat e reja. Thirrja e tij për nxënësit ishte që të largohen nga ekranet e telefonave dhe t’i përkushtohen aktiviteteve sportive.

“Sot për juve kam vetëm një këshillë: merruni me aktivitete sportive, largohuni nga telefonat dhe rrituni të shëndetshëm ashtu siç tha edhe presidenti më parë. Andaj ju lus të jeni të mirë, të shëndetshëm, merruni me aktivitete sportive dhe e ardhmja juaj është e ndritshme. Faleminderit shumë të gjithëve”, theksoi Geci.

Continue Reading

Lajmet

Posta e Kosovës nderon kujtimin e fëmijëve viktima të luftës me emisionin filatelik “Engjëjt e Lirisë”

Published

on

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e ri filatelik me titull “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”.

Kjo ditë shërben si kujtesë globale për vuajtjet e fëmijëve të prekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura. Në këtë kuadër, emisioni i dedikohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe promovimit të paqes.

Pulla postare paraqet shtatoren “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, e cila është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët e prekur nga lufta. Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës sjell në vëmendje domosdoshmërinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet.

Emisioni thekson gjithashtu rolin e filatelisë si mjet dokumentimi të ngjarjeve historike dhe shoqërore, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe transmetimin e vlerave universale te brezat e ardhshëm.

Për realizimin e këtij motivi është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt.

Emisioni do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 4 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: “Uashington Post”

 

4 qershor 1993

Policia serbe plaçkiti qytetarët ditën e tregut në Malishevë

 

Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe së bashku me policinë financiare, bllokoi të gjitha rrugët në Malishevë, me ç’rast konfiskuan një sasi të konsiderueshme të mallit nga qytetarët e kësaj komune.

Vetëm Besim Karaçicës dhe Afrim Gashit u konfiskuan mall me vlerë prej 1.150 markash gjermane, anipse dispononin me të gjitha dokumentet e duhura. Policia me këtë rast plaçkiti edhe qutetarët Shani Hotin nga Caralluka, Xhemë Gashin nga Vërmica, Azem Mazrekun nga Malisheva dhe shumë qytetarë të tjerë.

 

4 qershor 1994

“Bujku”: Burgosja e institucioneve të Kosovës

Politika aktuale serbe është duke shkuar rrugës së ashpërsimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve serboshqiptare. Burgosjet e fundit të udhëheqjeve të institucioneve legale të Kosovës dëshmojnë se kjo politikë me asgjë nuk ka hequr dorë nga programi i saj nacional mbi krijimin e Serbisë së madhe dhe të shtetit nacional gjithserb deri në Knin dhe deri në pjesët veriore të Maqedonisë, thuhet në një koment të gazetës “Bujku”.

Duke analizuar represionin e ditëve të fundit të koncentruar ndaj institucioneve legale të Kosovës, autori Rrustem Rugova thotë:

“Shqiptarët u vetorganizuan dhe vetfinancuan institucionet e veta, prej arsimit e deri te shëndetësia dhe informimi, madje edhe partitë politike. Pushteti serb, i cili mban me dorë të hekurt gjendjen këtu nën kontroll, i ka halë në sy këto institucione që u krijuan, po krijohen dhe do të krijohen në mbështetje të Referndumit për Kosovën e pavarur. Sado që edhe shqiptarët kanë ecur nëpër teh të shpatës, duke bërë politikë të mençur – tërheq e mos këput, pa u konfrontuar drejtpërdrejt me ushtrinë dhe policinë serbe”, thuhet në koment.

 

4 qershor 1997

KMDLNJ reagon kundër dënimeve për shitblerje të pasurisë

 

Me rastin e dënimeve me burg të qytetarëve shqiptarë dhe dërgimit të tyre në vuajtje të dënimit për blerje të pasurisë së patundshme nga serbët, KMDLNJ proteston dhe thekson përshkak se shqiptarët blejnë ose edhe e riblejnë pasurinë që dikur ka qenë pronë e tyre, e të cilën shteti serb ua ka konfiskuar dhe uu ka ndarë kolonistëve serbë dhe malazias.

KMDLNJ proteston që edhe qytetarëve serbë dhe malazias iu ndalohet shitblerja e pasurisë së tyre, me kërcënim se do të dënohen dhe në këtë mënyrë iu bëhet trysni për instrumentalizim për qëllime politike. Duhet të theksohet se e drejta për posedim të lirë të pasurisë është një prej të drejtave elementare të njeriut.

KMDLNJ thekson në kumtesë edhe një dukuri e shëmtuar kundër hapësirës jetësore. Po ushtrohet një ekocid i vërtetë, të cilin fatkeqësisht e ndihmojnë edhe disa shqiptarë që blejnë lokale nga serbët. Në këtë mënyrë ata kontribuojnë për shkatërrimin e atyre pak sipërfaqeve të vogla me gjelbërime si edhe shëmtimin e planeve urbanistike të qyteteve. Kështu, eksponentët e regjimit serb shfrytëzojnë çdo metër të hapësirës për ndërtimin e lokaleve afariste dhe pastaj ua shesin shqiptarëve me çmime astronomike, thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së.

 

4 qershor 1998

Në morgun e spitalit të Gjakovës ndodhet trupi i pajetë i Çaush Çeskut nga Juniku dhe i një të vrari të paidentifikuar

Në morgun e spitalit të Gjakovës ndodhen trupat e pajetë të dy shqiptarëve, që janë sjellë gjatë ditës së djeshme.

KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se fjala është për Çaush Çeskun (33) nga Juniku, i cili ishte i plagosur para disa ditësh.

Identiteti i të vdekurit tjetër, trupin e të cilit e solli mbrëmë në morg ushtria, nuk dihet.

 

Policë të vrarë e të plagosur po sillen në spitalin e Gjakovës

Në spitalin e Gjakovës njoftohet se me automjete policore po sillen policë të plagosur, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

I njëjti burim thekson se në këtë spital janë sjellë edhe policë të vrarë.

Supozohet se ata po sillen nga rajoni i komunës së Deçanit.

 

Në Hajvali polici serb vozitë veturën me targa të Fierit të Shqipërisë

 

Ditëve të fundit njëfarë Misho Gjudoviq, pjesëtar i njësisë speciale të policisë serbe në Hajvali të Prishtinës, po e vozitë një veturë të markës “Mitsubishi” me targën FI-82-N, njofton KI i Degës V të LDK-së në Prishtinë.

Njoftohet se polici serb Gjudoviq, që e vozitë veturën e tij me targa të Fierit komunikon mirë në gjuhën shqipe dhe dyshohet se ai ka për qëllim që t’i provokojë shqiptarët, pasi ai prezentohet se është nga Shqipëria.

 

“Uashington Post”: Vetëm përdorimi i forcës mund ta gjunjëzojë Milosheviqin

Gazeta konservatore amerikane “Uashington post” në kryeartikullin e saj kritikon pasivitetin e administratës amerikane për krizën në Kosovë.

Radio BBC, duke cituar këtë gazetë, theksonte se “politika amerikane në tre muajt e fundit ka qenë një përzierje konfuze e vendosjes dhe e heqjes së sanksioneve”.

“Uashington post” thekson se vetëm përdorimi i forcës mund të gjunjëzojë Milosheviqin. Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë tani, ashtu siç kanë deklaruar, në të kundërtën, këtë do të detyrohen ta bëjnë me vonesë, siç ndodhi rasti në Bosnjë, pasi dëmet do të jenë shumë të mëdha dhe zgjidhjet shumë të vështira”, thekson kjo gazetë.

 

Gjendje e rëndë në Deçan, vazhdojnë granatimet e fshatrave

KMDLNJ njofton se në zonat e luftimeve në Kosovë gjendje është e pandryshueshme. Në njoftim thuhet se sot është granatuar me armë të rënda artilerike fshati Prejlep, një pjesë e të cilit është shndërruar në gërmadhë, ndërsa dje parreshtur është granatuar fshati Shaptej dhe sipas informacioneve ka shumë të plagosur.

Popullata e kësaj ane e gjendur përballë makinerisë luftarake serbe është detyruar që t’i lëshojë shtëpitë e veta dhe të gjejë strehim në anë të ndryshme të Kosovës, por edhe jashtë saj. Kolona të shumta të banorëve lokalë, kryesisht gra, fëmij e pleq janë detyruar që të largohen në drejtim të kufirit me Shqipërinë, ndërsa pjesa më e madhe është drejtuar për në brendinë e Kosovës. Një pjesë e banorëve, të cilët iknin në drejtim të kufirit me Shqipërinë është qëlluar nga forcat ushtarake serbe, dhe nga klithmat që janë dëgjuar dyshohet se ka të vrarë e të plagosur. Janë vërejtur ushtarakë serbë me një lloj arme-zjarrë hedhëse duke u vënë flakën edhe atyre pak shtëpive që kanë shpëtuar nga granatimet.

Numri i personave të zhdukur gjatë këtyre 4-5 ditëve vlerësohet në mbi 200 vetë, ndërsa numri i të vrarëve, shkaku i pamundësisë për të depërtuar në zonat që i kontrollon ushtria serbe, është e pamundur të dihet. Prandaj, NKMDLNJ në Deçan dhe organizatat e tjera humanitare apelojnë te organizmat ndërkombëtarë që të bëhet e mundur gjetja e kufomave dhe varrosja e tyre.

Sipas informacioneve me të cilat disponon NKMDLNJ në Deçan, forcat serbe pushkatuan në Carrabreg tre pleq, të cilët po mundoheshin të iknin.

KMDLNJ thekson se banorët e kësaj ane të ndihmuar nga UÇK po u bëjnë rezistencë të fortë sulmeve serbe.

Edhe më tutje nuk dihet asgjë për fatin e më shumë se 150 banorëve shqiptarë të Deçanit, të cilët që nga e premtja po mbahen peng. Poashtu, asgjë nuk dihet edhe për fatin e disa pleqëve të sëmurë, të cilët kanë mbetur nëpër shtëpitë e tyre në Lubeniq, në të cilin janë vendosur forcat serbe.

Në fshatrat e sulmuara po ndihet mungesë e madhe e gjërave ushqimore dhe e medikamenteve mjekësore, prandaj, popullata e kësaj ane edhe një here apelon te organizatat humanitare vendase e ndërkombëtare që t’i dalin në ndihmë popullatës së kësaj ane, e cila po përjeton çaste të rënda.

KMDLNJ njofton se nga Gjakova ka njoftime se me intensitet të njëjtë po vazhdojnë sulmet e forcave serbe ndaj fhatrave të Rekës së Keqe dhe ndaj disa fshatrave të brezit kufitar. Sot, forcat serbe nuk lejuan banorët shqiptarë, të zonave të luftës që të depërtojnë për në brendi të Kosovës. Prandaj në një gjendje të tillë ata u detyruan që t’ia mësyjnë kufirit me Shqipërinë.

Continue Reading

Të kërkuara