Sport

​Luiza Gega pritet me ceremoni në Rinas: Më krenare se kurrë për ngjyrat e flamurit

Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Published

on

Kampionia e Evropës në atletikë Luiza Gega u prit sot me një ceremoni në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.

Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli etj.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se “Luiza përfaqëson shumë më tepër sesa një kampione Evrope në atletikë. Ajo është modeli i shkëlqyer jo vetëm në sport por në çdo fushe te jetës. Luiza është modeli që duhet të frymëzojë çdo të ri shqiptar, sepse vetëm me këmbëngulje mund t’ia dalësh. Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin”.

“Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”,- theksoi Kushi.

Ministrja Kushi tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.

“Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport”, shtoi Kushi.

Kushi theksoi se, zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme.

“Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin”, tha Kushi.

“E dashur Luiza, Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjatë punës sime si ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitet flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit”, – u shpreh ministrja Kushi.

Kampionia Luiza Gega tha se “ju falënderoj shumë për këtë pritje, ndihem shumë e vlerësuar. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu sot, kam shumë vite që sakrifikoj për të qenë këtu jo me detyrim por me dëshirë, zgjodha të përfaqësoj qoftë veten time, por edhe ngjyrat e flamurit tim, dhe do mundohesha çdo ditë ti përfaqësoja denjësisht”.

“Sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra, kjo ishte edhe arsyeja pse ndoshta derdha lot në vijën e finishit, pasi mu kthye e gjithë koha mbrapsht për mundin e sakrificën e bërë. I tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim edhe pse jemi një vend i vogël dhe me shumë gjëra për të përmirësuar, por përsëri nëse punojmë fort dhe e duam këtë vend dhe atë që bëjmë, ne mund t’ia dalim”, tha ajo.

Sipas saj, vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar për sportin.

“Këtë e kam ndjerë dhe e tregojnë rezultatet e mia, qoftë edhe ligji për sportin, shpërblimet më kanë dhënë një shtysë për të qenë edhe këtu sepse mbrapa ka edhe një shpërblim që merret, por qoftë edhe për gjithë mbështetjen nga Komitetit Olimpik apo Ministria e Arsimit dhe Sportit, qoftë edhe e Mbrojtjes ku unë bej pjesë, apo edhe bashkia e Tiranës. Kanë bërë të gjithë këtë që të vijë edhe kjo medalje që i kishte munguar atletikës. Uroj që të rinjtë shqiptarë të motivohen se mund t’ia dalin”, tha Gega.

Ajo falënderoi gjithashtu trajnerin e saj për rezultatin e arritur.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u shpreh se “Luiza Gega bëri krenarë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Luiza është modeli më i mirë që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë. Sportistët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe kështu duhet ti presim të gjithë si sot”.

Ndërsa ministrja Buzhaqi përgëzoi Luiza Gegën për rezultatin e arritur si dhe për të gjithë mundin dhe përpjekjet e saj.

Luiza Gega u shpall kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa. Ajo arriti të thyejë edhe rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë./atsh/

Sport

Mbappe kërkon falje publike pas polemikave në Kinë

Published

on

By

Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka kërkuar falje publike pas reagimeve të shumta që shkaktuan komentet e tij lidhur me një imazh humoristik, në të cilin ai krahasohej me ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun.

Polemikat nisën pas shpërndarjes së një videoje në rrjetet sociale, ku sulmuesi francez komentonte një imazh të montuar me fytyrën e tij mbi figurën e një personi që e përshkroi si diktator kinez.

Pas reagimeve të ashpra dhe ndërprerjes së bashkëpunimit nga disa kompani kineze, Mbappe reagoi përmes platformës X, duke pranuar se komentet e tij kishin qenë të pamenduara.

“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një imazhi tim. Komenti im ishte i pamenduar dhe tani e kuptoj se lëndoi shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën”, shkroi Mbappe.

“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, shtoi ai.

Sipas raportimeve të Reuters, autenticiteti i videos që nxiti polemikat nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, disa kompani të njohura kineze, përfshirë Mengniu, Shanghai Milkground Food Tech dhe Eastroc Beverage, kanë njoftuar ndërprerjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me futbollistin francez.

Kompanitë kanë deklaruar se kundërshtojnë çdo veprim apo deklaratë që mund të cenojë ndjenjat e popullit kinez.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku disa përdorues kanë kërkuar masa më të ashpra ndaj Mbappes.

Sipas mediave kineze, televizioni shtetëror ka pezulluar transmetimin e përmbajtjeve që lidhen me La Ligën dhe sulmuesin francez, ndërsa disa reklama me imazhin e tij janë larguar.

Për situatën ka reaguar edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili ka shprehur keqardhje për polemikat dhe ka theksuar se organizata po bashkëpunon me partnerët kinezë për tejkalimin e tyre.

Ai ka nënvizuar se marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite nuk duhet të cenohen nga një incident i vetëm.

Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që polemikat publike mund të kenë në marrëveshjet komerciale të futbollistëve, veçanërisht në tregun kinez, ku Mbappe gëzon popullaritet të madh.

D.L

Continue Reading

Sport

Ish-bashkëlojtari i Shaqirit: Ai mbetet lojtari më i mirë në Superligën e Zvicrës

Published

on

By

Ish-bashkëlojtari i Xherdan Shaqirit, Pascal Schürpf, ka vlerësuar lart paraqitjet e futbollistit shqiptar, duke e cilësuar atë si lojtarin më të mirë në Superligën e Zvicrës.

Schürpf, i cili aktualisht është i angazhuar si ekspert futbolli në mediumin zviceran “Blick”, ka theksuar se Shaqiri vazhdon të jetë një figurë kyçe për Baselin dhe se klubi duhet të shqyrtojë vazhdimin e kontratës së tij.

Sipas tij, kapiteni i Baselit ka ende shumë për t’i ofruar skuadrës, por për të shfrytëzuar maksimalisht cilësitë e tij, nevojitet mbështetja e bashkëlojtarëve që i kuptojnë idetë dhe stilin e lojës.

“Për mua, ai është ende lojtari më i mirë i ligës. Por edhe ai ka nevojë për lojtarë përreth vetes që i kuptojnë idetë e tij dhe dinë t’i shfrytëzojnë pasimet”, ka deklaruar Schürpf.

Shaqiri, tashmë 35-vjeçar, ka kontratë me Baselin deri në verën e vitit 2027, ndërsa e ardhmja e tij te klubi zviceran mbetet temë diskutimi.

Pavarësisht moshës, ish-reprezentuesi i Zvicrës vazhdon të vlerësohet për kreativitetin, përvojën dhe ndikimin e tij në repartin ofensiv të Baselit.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madrid TV ndërpret transmetimin pas triumfit të Harry Kane në “Topin e Artë”

Published

on

By

Televizioni zyrtar i Real Madridit ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle pas ndërprerjes së transmetimit special kushtuar ceremonisë së “Topit të Artë 2026”, menjëherë pasi Harry Kane u shpall fitues i çmimit prestigjioz.

Real Madrid TV kishte ndryshuar programin e zakonshëm, duke shtyrë transmetimin e dy filmave për të ndjekur drejtpërdrejt momentet përfundimtare të ceremonisë në Londër.

Përmes emisionit special “Real Madrid Connect”, televizioni madrilen ndoqi shpalljen e fituesve, me shpresën se sulmuesi francez Kylian Mbappe do të triumfonte në garën për çmimin individual më të rëndësishëm në futboll.

Gjatë transmetimit, komentatorët theksuan se pritshmëritë e tifozëve madrilenë ishin të përqendruara te Mbappe. Megjithatë, në momentin kur Ronaldo Nazario shpalli Harry Kane fitues, reagimi i tyre ishte ndryshe nga ai që kishin shpresuar.

Komentatorët uruan sulmuesin anglez të Bayern Munichut për suksesin, por njëkohësisht shprehën bindjen se edhe Mbappe e kishte merituar çmimin.

“Urime lojtarit të Bayernit dhe futbollistit anglez. Presim mundësinë e radhës për Kylian Mbappen. Mendoj se edhe ai e meritonte të shpallej fitues, por kjo nuk do të thotë se triumfi i Kane ishte i pamerituar. Ai është një futbollist i shkëlqyer”, u shprehën komentatorët.

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte përfundimi i menjëhershëm i programit special pas shpalljes së fituesit.

“Faleminderit të gjithëve që na u bashkuat sonte. Reali fitoi në Barcelonë dhe Harry Kane është fituesi i Topit të Artë. Shihemi nesër”, ishte mesazhi përmbyllës i transmetimit.

Menjëherë pas kësaj, Real Madrid TV kaloi në transmetimin e filmit aksion “Sniper: Special Ops”, të vitit 2016, me aktorin Steven Seagal në rolin kryesor.

Ky veprim është komentuar nga mediat spanjolle, të cilat e kanë lidhur ndërprerjen e programit me faktin se Mbappe nuk arriti ta fitonte trofeun.

Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga televizioni i klubit madrilen se përfundimi i transmetimit ishte pasojë e rezultatit të ceremonisë.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova me tre sportistë në Lojërat Olimpike për të Rinj në Dakar

Published

on

By

Kosova do të përfaqësohet nga tre sportistë në edicionin e katërt të Lojërave Olimpike për të Rinj, të cilat do të zhvillohen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Dakar të Senegalit.

Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive pritet të marrin pjesë 2 mijë e 654 sportistë të moshave 15 deri në 18 vjeç, nga vende të ndryshme të botës.

Ekipin e Kosovës do ta përbëjnë xhudistja Arba Hasanaj, taekwondistja Shega Sejdiu dhe atleti Eris Abdullahu, i cili jeton dhe stërvitet në Gjermani dhe do të udhëtojë drejtpërdrejt drejt Senegalit.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur të martën një konferencë për media, gjatë së cilës ka prezantuar sportistët që do ta përfaqësojnë vendin në këtë garë ndërkombëtare.

Kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë e Kosovës në Lojërat Olimpike për të Rinj, pas debutimit në vitin 2018 në Buenos Aires të Argjentinës.

Në atë edicion, Kosova ishte përfaqësuar nga pesë sportistë, ndërsa suksesin më të madh e kishte arritur xhudistja Erza Muminoviq, e cila kishte fituar medaljen e bronztë.

Pjesëmarrja në Dakar përfaqëson një tjetër mundësi për sportistët e rinj kosovarë që të dëshmojnë potencialin e tyre në arenën ndërkombëtare dhe të vazhdojnë traditën e sukseseve të sportit të Kosovës.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara