Lajmet

​LDK dorëzon kallëzim penal për punësimet në KEK

Pas raportimeve për punësimet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të martën.

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Kallëzimi penal është dorëzuar ndaj kryesuesve dhe anëtarëve të komisionit të këtij konkursi publik dhe ndaj menaxhmentit të KEK-ut.

Anëtari i kryesisë, njëherit edhe kryesues i departamentit për çështje ligjore të LDK-së, Shkëmbë Manaj tha se ky kallëzim penal është thirrje për ndaljen e keqpërdorimeve, nepotizmit dhe emërimeve partiake.

“LDK ka deponuar një kallëzim penal në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë në konkursin e KEK dhe ky kallëzim penal është një thirrje për drejtësi për të gjithë ata kandidatë mbi 4600 kandidatë që iu janë shkelur të drejtat e tyre nga marrëdhëniet e punës. LDK gjatë gjithë vitit ka shprehur që shqetësimin që partia në pushtet është duke i kapur institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike dhe tashmë kjo po shihet që ka qenë realitet[…]Dhe ky kallëzim penal kundër kryesuesve dhe anëtarëve të komisioneve të këtij konkursi publik por edhe të menaxhmentit të KEK është thirrje për drejtësi, thirrje për ndalje të keqpërdorimeve dhe thirrje për ndaljen nepotizmit dhe emërimeve partiake të militantëve të LVV në ndërmarrjet publike dhe në institucionet e pavarura”, tha Manaj.

I pyetur se në këtë kallëzim penal a ka dëshmi që ka pasur ndikime partiake, Manaj tha se vetë fakti që konkursi është hapur mes dy raundeve zgjedhore të zgjedhjeve lokale tregon se konkursi ka pasur motvie politike.

“Ky konkurs publik është shpallur ndërmjet dy proceseve zgjedhore që kemi pas në zgjedhjet lokale ra nëpërmjet dy raundeve. Vetë hapja e këtij konkursi prej 125 pozitave në një proces zgjedhor të zgjedhjeve lokale ka qenë konkurs i hapur me motive politike. Ju e dini që VV në raundin e parë të zgjedhjeve në nivel të komune ka pësuar humbje të thellë dhe këtë konkurs dhe konkurse tjera ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve e ka bërë me qëllim që të favorizojë militantët e tyre partiake dhe kjo të ndikojë në procesin zgjedhor të raundit të dytë të zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Pas raportimeve për punësimet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të martën.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar 4668 kandidat, janë publikuar rezultatet përzgjedhjes për 128 pozita. Ndërsa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt. Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces. Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, u tha në sqarimin e KEK-ut.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar punësimet e fundit në disa institucione të vendit e në veçanti në KEK, ku pati reagime të ndryshme, duke i cilësuar ato si punësime të parregullta nga partitë opozitare.

“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai në një intervistë për RTK.

Ndërsa, ish-kryeministri njëherit edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punësimet në KEK. 

Vendi

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, sipas raportit më të fundit të Policisë. Tri nga këto raste janë shënuar në rajonin e Prishtinës, përkatësisht në Podujevë e Fushë-Kosovë, ndërsa dy rastet e tjera janë regjistruar në Deçan dhe Gjakovë.

Në rastin e parë në Podujevë, një burrë është arrestuar pasi në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu në Podujevë është raportuar edhe një rast tjetër dhune, ku një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti po vazhdon të hetohet.

Në Fushë-Kosovë, policia ka arrestuar një burrë pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Gruaja ka marrë tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkohë në Deçan, janë arrestuar dy gra pasi ishin fjalosur mes vete. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti po procedohet në mënyrë të rregullt.

Rasti i pestë është regjistruar në Gjakovë, ku një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Vendi

United Hospital ngre standardin e kujdesit pulmonologjik, Dr. Musa Hoxha ofron diagnostikim dhe trajtim të avancuar për sëmundjet e mushkërive

Published

on

By

Sëmundjet e sistemit respirator vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të mëdha shëndetësore, ndërsa diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi profesional mbeten faktorët kyç për ruajtjen e shëndetit të mushkërive dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve. Duke ndjekur standardet më të avancuara të mjekësisë moderne, United Hospital ka konsoliduar Departamentin e Pulmologjisë si një qendër të specializuar ku pacientët marrin shërbime gjithëpërfshirëse diagnostikuese dhe terapeutike, të mbështetura nga teknologjia bashkëkohore dhe ekspertiza profesionale.

Shëndeti i mushkërive kërkon diagnostikim të hershëm, trajtim profesional dhe përcjellje të vazhdueshme – standarde që ofrohen në Departamentin e Pulmologjisë në United Hospital, ku pacientët përfitojnë shërbime moderne dhe kujdes të specializuar sipas praktikave bashkëkohore mjekësore.

Në krye të këtij departamenti është Dr. Musa Hoxha, specialist i Pulmologjisë, i cili ofron një qasje të integruar për diagnostikimin, trajtimin dhe monitorimin afatgjatë të sëmundjeve të mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes. Sipas tij, kujdesi ndaj shëndetit respirator nuk duhet të fillojë vetëm kur shfaqen komplikimet, por që në shenjat e para të sëmundjes, pasi ndërhyrja në kohë rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm.

Departamenti i Pulmologjisë në United Hospital ofron një gamë të gjerë shërbimesh specialistike, duke filluar nga konsultat dhe vizitat ambulatorike, ekzaminimet funksionale të mushkërive përmes spirometrisë, ultrazërin e toraksit dhe radiografinë torakale, të cilat mundësojnë diagnostikim të shpejtë dhe të saktë të patologjive respiratore.

Një ndër segmentet më të avancuara të këtij departamenti është Kabineti i Bronkoskopisë, ku realizohen procedura diagnostike dhe terapeutike me teknologji moderne për ekzaminimin e rrugëve të frymëmarrjes, duke mundësuar identifikimin e hershëm dhe trajtimin efektiv të sëmundjeve komplekse pulmonare.

Për pacientët që kërkojnë trajtim më intensiv, United Hospital ofron hospitalizim të specializuar me monitorim të vazhdueshëm, terapi me oksigjen, menaxhim të insuficiencës respiratore dhe kujdes multidisiplinar për rastet më të rënda klinike. Këto shërbime mbështeten edhe nga një laborator modern, i cili siguron analiza të plota diagnostikuese për të garantuar diagnozë sa më precize dhe vendimmarrje të shpejtë terapeutike.

Në këtë departament trajtohen me sukses një gamë e gjerë patologjish respiratore, përfshirë sëmundjen kronike obstruktive të mushkërive (COPD), astmën bronkiale, fibrozat mushkërore, pneumoninë, bronkopneumoninë, tuberkulozën, si dhe sëmundje më komplekse si tumorët e mushkërive, tromboembolia pulmonare, efuzionet pleurale (uji në mushkëri), insuficienca respiratore dhe zemra mushkërore kronike.

Specialistët e United Hospital apelojnë që qytetarët të mos neglizhojnë simptomat si kolla e vazhdueshme, vështirësia në frymëmarrje, dhimbjet në kraharor apo lodhja e shpejtë, pasi këto mund të jenë shenja të sëmundjeve serioze që kërkojnë vlerësim specialistik. Diagnostikimi në kohë mbetet arma më e fortë për parandalimin e komplikimeve dhe për një trajtim sa më efikas.

Me staf të specializuar, teknologji moderne diagnostikuese dhe trajtime sipas protokolleve bashkëkohore ndërkombëtare, United Hospital vazhdon të jetë një nga institucionet lider në Kosovë në ofrimin e kujdesit pulmonologjik, duke u garantuar pacientëve siguri, profesionalizëm dhe trajtim të standardeve më të larta.

Për caktimin e një konsultë specialistike me Dr. Musa Hoxha, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose të vizitojnë United Hospital, në aksin M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, ku kujdesi për shëndetin e mushkërive fillon me diagnostikim të saktë dhe trajtim profesional. /rajonipress/

Continue Reading

Aktualitet

Kurti merr pjesë në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të martë në mbledhjen e parë me Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare.

Takimi do të zhvillohet në Ndërtesën e Qeverisë, përkatësisht në sallën P-38, duke filluar nga ora 11:00.

Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të këtij takimi të rëndësishëm që shënon fillimin e përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore sportive.

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 shënojnë ngjarjen më të madhe multisportive që është organizuar ndonjëherë në Kosovë. Vendimi u mor zyrtarisht në shtator të vitit 2023 nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, i cili ia besoi Prishtinës rolin e qytetit mikpritës për edicionin e 21-të të këtij kompeticioni.

Kjo ngjarje do të mbledhë mijëra sportistë nga 26 shtete të tre kontinenteve (Evropë, Azi dhe Afrikë), të cilët do të garojnë në dhjetëra disciplina të ndryshme sportive. Për shkak se Kosova nuk ka dalje në det, garat e sporteve ujore detare do të zhvillohen në bashkëpunim me Shqipërinë, përkatësisht në bregdetin e Durrësit.

Organizimi i këtyre lojërave konsiderohet një arritje madhore shtetërore dhe diplomatike, si dhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës moderne sportive në gjithë vendin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ligji i ri i BE-së: Çdo përmbajtje e krijuar nga IA duhet të etiketohet qartë

Published

on

By

Pjesë të reja të Aktit gjithëpërfshirës të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale kanë hyrë zyrtarisht në fuqi. Ky ligj i ri u kërkon kompanive dhe përdoruesve profesionistë të identifikojnë qartë çdo material të gjeneruar apo të manipuluar nga inteligjenca artificiale, me qëllim parandalimin e mashtrimit dhe dezinformimit në hapësirën digjitale.

Sipas Nenit 50 të këtij ligji, ofruesit e chatbot-eve duhet të njoftojnë përdoruesit kur ata po komunikojnë me një sistem IA. Gjithashtu, të gjitha tekstet, imazhet, audiot dhe videot e krijuara duhet të pajisen me shënues teknikë të lexueshëm nga makinat, të cilët provojnë prejardhjen e tyre.

Kërkesat janë veçanërisht strikte për falsifikimet e thella, të njohura si “deepfakes”, si dhe për tekstet që lidhen me tema të interesit publik si politika, shëndetësia, mjedisi apo shkenca, sa herë që ato publikohen pa një kontroll thelbësor njerëzor. Komisioni Evropian ka sqaruar se rregullimet e thjeshta gramatikore apo drejtshkrimore nuk konsiderohen si kontroll editorial.

Nga ana tjetër, për veprat artistike, satirike apo fiktive, zbulimi i pranisë së IA-së mbetet i detyrueshëm, por mund të bëhet në mënyrë të tillë që të mos prishë përvojën krijuese. Ndërkohë, personat që e përdorin inteligjencën artificiale thjesht për qëllime personale dhe joprofesionale janë tërësisht të përjashtuar nga kjo rregullore.

 

Continue Reading

Të kërkuara