Lajmet

​LDK dorëzon kallëzim penal për punësimet në KEK

Pas raportimeve për punësimet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të martën.

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Kallëzimi penal është dorëzuar ndaj kryesuesve dhe anëtarëve të komisionit të këtij konkursi publik dhe ndaj menaxhmentit të KEK-ut.

Anëtari i kryesisë, njëherit edhe kryesues i departamentit për çështje ligjore të LDK-së, Shkëmbë Manaj tha se ky kallëzim penal është thirrje për ndaljen e keqpërdorimeve, nepotizmit dhe emërimeve partiake.

“LDK ka deponuar një kallëzim penal në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë në konkursin e KEK dhe ky kallëzim penal është një thirrje për drejtësi për të gjithë ata kandidatë mbi 4600 kandidatë që iu janë shkelur të drejtat e tyre nga marrëdhëniet e punës. LDK gjatë gjithë vitit ka shprehur që shqetësimin që partia në pushtet është duke i kapur institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike dhe tashmë kjo po shihet që ka qenë realitet[…]Dhe ky kallëzim penal kundër kryesuesve dhe anëtarëve të komisioneve të këtij konkursi publik por edhe të menaxhmentit të KEK është thirrje për drejtësi, thirrje për ndalje të keqpërdorimeve dhe thirrje për ndaljen nepotizmit dhe emërimeve partiake të militantëve të LVV në ndërmarrjet publike dhe në institucionet e pavarura”, tha Manaj.

I pyetur se në këtë kallëzim penal a ka dëshmi që ka pasur ndikime partiake, Manaj tha se vetë fakti që konkursi është hapur mes dy raundeve zgjedhore të zgjedhjeve lokale tregon se konkursi ka pasur motvie politike.

“Ky konkurs publik është shpallur ndërmjet dy proceseve zgjedhore që kemi pas në zgjedhjet lokale ra nëpërmjet dy raundeve. Vetë hapja e këtij konkursi prej 125 pozitave në një proces zgjedhor të zgjedhjeve lokale ka qenë konkurs i hapur me motive politike. Ju e dini që VV në raundin e parë të zgjedhjeve në nivel të komune ka pësuar humbje të thellë dhe këtë konkurs dhe konkurse tjera ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve e ka bërë me qëllim që të favorizojë militantët e tyre partiake dhe kjo të ndikojë në procesin zgjedhor të raundit të dytë të zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Pas raportimeve për punësimet ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) të martën.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar 4668 kandidat, janë publikuar rezultatet përzgjedhjes për 128 pozita. Ndërsa për 17 pozita ende të pa plotësuara vazhdon procedura e rekrutimit si dhe për 5 pozita për të cilat nuk kemi pasur kandidat të suksesshëm, do të rishpallen në një të ardhme të afërt. Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces. Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, u tha në sqarimin e KEK-ut.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar punësimet e fundit në disa institucione të vendit e në veçanti në KEK, ku pati reagime të ndryshme, duke i cilësuar ato si punësime të parregullta nga partitë opozitare.

“Me sa shoh Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai në një intervistë për RTK.

Ndërsa, ish-kryeministri njëherit edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punësimet në KEK. 

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Të kërkuara