Lajmet

​Kuvendi miraton marrëveshjen me MCC-në

Përkrahje ratifikimit të kësaj marrëveshje i dhanë gjitha grupet parlamentare.

Published

on

Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për programin Kompakt të energjisë.

Përkrahje ratifikimit të kësaj marrëveshje i dhanë gjitha grupet parlamentare, megjithatë, partitë opozitare, theksuan se Qeveria Kurti ka më së paku merita për të njëjtën, derisa edhe potencuan se më mirë do të ishte të nënshkruhej marrëveshja për gazsjellësin.

Duke prezantuar marrëveshjen, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta.

Ai tha se vlera e këtij grandi amerikan është 202 milionë dollarë, ndërsa, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështetë me 34.7 milionë dollarë, duke quar në total 236.7 milionë dollarë.

“Programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta dhe është shtyllë e vazhdimit të marrëdhënieve strategjike dhe përherë më të fuqishme me ShBA-të. ShBA-të përmes MCC-së janë pajtuar t’i japin Kosovës grand në vlerë prej 202 milionë dollarëve, që është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së pasluftës. Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështesë programin me 34.7 milionë dollarë, si bashkëfinancim, duke e çuar vlerën totale të tij në 236.7 milionë dollarë. Programi Kompakt synon të stabilizojë situatën me energji elektrike, të zhvillojë fuqi punëtore profesionale dhe gjithëpërfshirëse në energji, si të mbështesë sektorin privat në investimet në energji. Zhvillimi, negocimi dhe së fundmi nënshkrimi i kësaj marrëveshje paraqet një bashkëpunim serioz me shembullor mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-së si aleatin tonë kryesor”, tha ai.

Megjithëse shprehu përkrahjen për këtë marrëveshje, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se më mirë do të ishte projekti i gazsjellësit.

“Ky projekt në Kosovë është tash e shtatë vite. Negociatat për këtë projekt i kanë filluar nga ish-presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Thaçi dhe është finalizuar në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti nga Thaçi në Kongresin amerikan. Ky grant që është nënshkruar me Kosovën është ndarë në vitin 2019. Është fatkeqësi për Kosovën që s’kemi filluar më herët implementimin për shkak të krizave politike, por megjithatë është lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe marrëdhëniet me ShBA-të. Më vjen keq që nuk e kemi kryeministrin këtu, me pa se si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjeçari, si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014. Megjithatë, prapë po e them se ne e mbështesim dhe shpresojmë se ashtu siç është paraparë, deri në vitin 2027, ky projekt të implementohet. Më duhet të them se si GP i PDK do të ishte shumë më mirë të qëndronim në versionin e parë për sjelljen e gazsjellësit në Kosovë. Ju keni vendos që ky investim të bëhet në bateri dhe ruajtje të energjisë, ose siç thoshte Kurti ‘nuk kemi frigorifer për të ruajtur energjinë elektrike’. Tash frigoriferët po i sjellë, po prapë mendojmë se më mirë ka qenë të qëndrojmë në projektin e gazsjellësit”, tha ai.

Kjo marrëveshje sipas deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka mundur të ndodh dy vite më parë.

“Ne e kemi përshëndetur vizitën e presidentes dhe kryeministrit në ShBA dhe kemi kërkuar që kjo vizitë të ndodh sa më herët. Vazhdimisht kemi kërkuar që mos të dëmtohen këto relacione me ShBA-të, siç ka ndodhur me deklaratat e pamatura të kryeministrit Kurti, kur fliste për ‘shtëpinë e kuqe’, Amerikën dhe duke u përplasur me figurat kryesore të ShBA-së. Ne si LDK, kur nënshkruam marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë nuk ka pasur fjalë fyese, ndërsa ju kur zotëri Hoti ka nënshkruar marrëveshje keni fyer dhe e keni bërë tradhtar. Tash kjo marrëveshja ka ndodhur dhe ne e mbështesim, por e njëjta ka mundur të ndodh edhe para shumë kohe, para dy vite e gjysmë”, tha ajo.

Ndërkohë, deputet i AAK-së, Pal Lekaj tha se Qeveria Kurti e ka reduktuar marrëveshjen me MCC-në.

“Kjo marrëveshje është lajm i mirë për Kosovën. Implementimi i projektit me MCC-në është shumë i mirë dhe vjen në një momentum shumë të mirë për vendin, pasi ka të bëjë drejtpërdrejtë me fuqizimin e sektorit të energjisë, kur kemi parasysh krizën që po e kalojmë në këtë vend. Qeveria mirë do të ishte të kishte pranuar menjëherë këtë marrëveshje dhe jo pas presioneve të vazhdueshme që i kemi bërë. Por më mirë vonë se kurrë. Ajo çka mund të ndërlidhi, ju e keni reduktuar mjaft këtë marrëveshje, e keni shndërruar në bateri, por nëse e krahasojmë me gazin amerikan, kjo është e mirë për vendin, por është reduktuar në maksimum. Ju keni menduar të shndërroni partneritetin me ShBA në një subjekt politik, apo më mirë të them atëherë vetëm kur t’iu konvenon juve dhe jo interesit të qytetarëve të Kosovës… Është për të ardhur keq se sa herë kemi pasur marrëveshjet, VV-ja ka bërë shaka e sidomos kryeministri duke e quajtur ‘Amelika’, ‘Amelika’. Është për të ardhur keq”, potencoi ai.

Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo marrëveshje shënon dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes Kosovës dhe ShBA-së.

“Kjo shënon dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtetit tonë. Ky projekt do ti sjell Kosovës 236.7 milionë dollarë grant. Është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët, institucioneve dhe komunitetin e biznesit”, tha ajo.

Para votimit të së njëjtës, në debat u përfshi edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se Qeveria Kuri ka më së paku merita për këtë marrëveshje.

“Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Në fakt është Qeveria Kurti që së paku e ka vonuar dy vjet realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo ka filluar qysh në qeverinë Mustafa dhe presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në qeverinë Mustafa kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar në këtë lloj marrëdhënie kontraktuale me ShBA-të”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi kryeministrin Kurti për paraqitjen e tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe, siç tha, thumbimet për opozitën.

“Po e them këtë se ai çuditërisht në rastin nënshkrimit dhe ceremonisë të marrëveshjes gjeti thumba për opozitën, duke thënë se po ndihet i mërzitur që bashkë me ministren Rizvanolli nuk do të jetë në njërën prej seancave të rralla kur opozita e mbështet qeverinë. Sot dua t’i them kryeministrit, që kjo opozitë jo vetëm që ka mbështetur projekte që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, por vetëm sot, kjo opozitë i ka dhënë mbështetje dy marrëveshjeve të rëndësishme. Ai duhet të dijë se në Amerikë përfaqëson kryeministrin e Kosovës dhe nuk përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ajo.

Lajmet

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, takoi zëvendëspërfaqësuesin e OKB-së, Milbert Domgjon Shin

Published

on

By

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ka pritut sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, bashkë me përfaqësues të tjerë të Zyrës së UNMIK-ut.

Përgjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë.

Përveç kësaj, Gashi theksoi përkushtimin e KPK-së për garantimin e një sistemi gjithëpërfshirës përmes përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve, me ç’rast bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj.

Kryesuesi i KPK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të UNMIK-ut ndër vite dhe ritheksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë punën për fuqizimin e sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies.

Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën e Këshillit Prokurorial dhe rolin e tij në garantimin e një sistemi të pavarur e efikas. Ai shprehu besimin se përmes përgjegjësisë institucionale do të vazhdohet me hapat që forcojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së në avancimin e reformave dhe fuqizimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Published

on

By

Ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën më 21 korrik rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

Rrënohen shtëpi buzë Liqenit të Ujmanit

Rrënimi i shtëpive të para, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, nisi në fund të qershorit.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, organizoi një diskutim publik për të nxitur dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga çështja e pronësisë, por jo edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas organizatës Aktiv, pjesëmarrësit vlerësuan se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit kërkojnë “një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve përkatës”.

Çfarë thotë “Ibër-Lepenci”?

Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha për Radion Evropa e Lirë se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin objektet, dhe pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura, shumica e këtyre shtëpive janë ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Në mes të korrikut, gjatë diskutimit publik, Mujka deklaroi se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron dhe që është me interes publik.

Ai theksoi se ndërmarrja nuk merr vendime për rrënimin e objekteve, por vetëm njofton institucionet kompetente për shkeljet që konstaton, ndërsa ato veprojnë sipas kompetencave të tyre ligjore.

Më herët, “Ibër-Lepenci” mori nën kontroll kampin Rezalla, një nga pronarët e të cilit është aktivisti serb i shoqërisë civile, Dragisha Mijaçiq.

Sipas Mujkës, edhe ky kamp ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme dhe u mor në administrim për t’u sistemuar.

Ai rikujtoi, gjithashtu, rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe nevoja të tjera publike në Kosovë.

Në vitin 2025, Qeveria e Kosovës shpalli zonën e Liqenit të Ujmanit dhe Malin Mokna, pranë Zubin Potokut, si “zona të pasurisë natyrore me rëndësi të veçantë”.

Çfarë thonë pronarët?

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, thotë për Radion Evropa e Lirë se tokën e kishte marrë në shfrytëzim për 99 vjet në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishte paguar qira.

Objekti i tij ishte planifikuar të rrënohej më 21 korrik.

Ai thotë se, zakonisht, qëndron në atë shtëpi nga marsi deri në nëntor dhe se mëngjesin e 21 korrikut u zgjua nga policia, e cila i kërkoi të largohej nga objekti.

Më pas, sipas tij, nuk iu lejua më t’i afrohej.

Ai thotë se, vitin e kaluar, kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosova, përndryshe, që nga viti 2024 ka nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, thotë Mihajlloviq.

Ai tregon se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, thotë Mihajlloviq.

A ka vendim gjykate?

Avokati i pronarëve, Predrag Millkoviq, thotë se nuk ekziston bazë ligjore për rrënimin e shtëpive, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta pyetur nëse ka lëshuar urdhër për rrënimin e objekteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi gjatë diskutimit të organizuar nga Aktiv se autoritetet lokale nuk kanë dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit dhe bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi.

Drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, këmbënguli se urdhri për rrënim është dhënë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Reagimi i Serbisë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi rrënimin e objekteve, në një reagim më 21 korrik, si “akt të paligjshëm dhe terrori nga [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti”, duke pretenduar se ai është duke u zhvilluar “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e objekteve vetëm përmes njoftimeve të vendosura në to.

Pse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ndërsa një pjesë më e vogël shtrihet në territorin e komunës së Tutinit në Serbi.

Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Nga Ujmani furnizohet edhe kanali Ibër-Lepenc, i cili u hodh në erë në vitin 2024.

Për këtë rast, para organeve të drejtësisë në Kosovë janë ngritur akuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, nën dyshimin se “kanë rrezikuar rendin kushtetues, duke shkatërruar ose dëmtuar instalime dhe pajisje publike”.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara hartuan një studim fizibiliteti, në të cilin propozohej menaxhimi i përbashkët i liqenit sipas të ashtuquajturit “model kolumbian”, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me furnizimin me ujë, energjinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Një në tre punë të reja në botë krijohen në Turizëm: Pse ky është momenti ideal për të studiuar këtë drejtim në UBT?

Published

on

By

Sot, realiteti global tregon se turizmi është kthyer në një nga industritë më dinamike dhe më fitimprurëse në botë, ku ndërthuren teknologjia, menaxhimi strategjik dhe inovacioni.

Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), kontributi i këtij sektori ka arritur në 11.6 trilionë dollarë, duke përbërë pothuajse 10% të GDP-së globale. Me mbi 366 milionë vende pune në mbarë botën, shifra më mbresëlënëse për studentët e ardhshëm është se një në çdo tre punë të reja që krijohen sot në glob vjen pikërisht nga turizmi. Për më tepër, me mbi 50% të fuqisë punëtore nën moshën 35 vjeç, kjo është industria më e re dhe më premtuese për rinjtë me vizion.

Ky trend po rritet edhe në rajonin tonë. Shqipëria po shënon rritje rekord prej +39% në netë-qëndrimet e vizitorëve të huaj, ndërsa Kosova po konsolidon profilin e saj të turizmit kulturor me mbi 900 mijë netë-qëndrime ndërkombëtare. Megjithatë, përderisa investimet private në resorte me 5 yje dhe agjenci të mëdha po shtohen, tregut i mungojnë drejtuesit e kualifikuar. Sot, nevoja kritike e rajonit nuk është vetëm për krah pune sezonale, por për menaxherë hotelesh, dizajnerë të eksperiencave turistike (Experience Designers) e strategë të marketingut digjital.

Për t’ju përgjigjur kësaj kërkese aktuale të tregut, Programi Bachelor në TurizëmUBT është konceptuar për të formuar liderët e rinj që do të drejtojnë këtë industri globale. Me një qasje bashkëkohore ku studenti është në qendër, UBT thyen konceptet tradicionale duke i përputhur studimet me praktikat më të reja teknologjike – nga Inteligjenca Artificiale në menaxhimin e hotelerisë e deri te Data Analytics për destinacionet turistike.

Përmes këtij programi, studentët nuk marrin vetëm diplomë akademike, por pëfitojnë:

  • Gërshetim të teorisë me praktikën: Mësimdhënie e orientuar drejt zgjidhjes së sfidave reale të biznesit dhe ekoturizmit të qëndrueshëm.
  • Aftësim profesional dhe certifikime: Trajnime të vazhdueshme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë dhe komunitetin e biznesit.
  • Standarde ndërkombëtare: Përgatitje për të qenë konkurrues si në tregun vendor, ashtu edhe në atë global.

Më e rëndësishmja është që UBT përmes bashkëpunimit me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, sjell diplomë të dyfishtë në këtë program inovativ, me një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Turizmi nuk është thjesht një diplomë; është një biletë e sigurt drejt një karriere globale, vetëpunësimit dhe ndërmarrësisë. Zgjidhni të jeni ata që menaxhojnë dhe udhëheqin industrinë me rritjen më të shpejtë në botë.

Bëhu pjesë e gjeneratës së re të liderëve në turizëm.

Linkun për aplikim e gjeni këtu.

 

Continue Reading

Lajmet

Profilizimi i hershëm në UBT Smart School: Bëhu Teknik Optik me diplomë edhe nga Cambridge

Published

on

By

Zgjedhja e shkollës së mesme është një nga hapat më përcaktues për të ardhmen e çdo të riu. Sot, kur tregu i punës kërkon ekspertë me aftësi konkrete, profilizimi i hershëm mbetet rruga më e sigurt drejt suksesit. Për të gjithë nxënësit që kërkojnë më shumë se një arsimim klasik, UBT International Smart Schools ofron pikërisht këtë mundësi: përgatitje praktike, teknologji të avancuar dhe një drejtim të qartë profesional.

Në kuadër të këtij vizioni, regjistrimet po vazhdojnë për programin Teknik i Optikës. Ky drejtim është i konceptuar posaçërisht për ata që duan të ndërthurin shëndetësinë, teknologjinë dhe përkujdesjen ndaj shikimit.

Kujdesi për shëndetin e syve është një nevojë gjithmonë e në rritje, çka e bën optikën një nga profesionet më të kërkuara dhe më të qëndrueshme. Në vend që të presin studimet universitare për të prekur profesionin, nxënësit e UBT International Smart Schools e nisin këtë rrugëtim praktik që në bankat e shkollës së mesme.

Gjatë këtij programi, nxënësit fitojnë njohuri të thella dhe zhvillojnë aftësi praktike për:

  • Matjen e saktë dhe përshtatjen e syzeve sipas nevojave të secilit pacient;
  • Përdorimin e pajisjeve më të reja optike dhe teknologjisë diagnostikuese;
  • Përgatitjen, montimin dhe mirëmbajtjen e lenteve e kornizave;
  • Këshillimin profesional mbi standardet më të larta të kujdesit për shikimin.

Mësimdhënie moderne me standarde ndërkombëtare

UBT International Smart Schools, procesi mësimor zhvillohet në klasa inovative dhe laboratorë modernë, ku pjesë e përditshmërisë është edhe integrimi i Inteligjencës Artificiale. Ky ambient ndihmon nxënësit të punojnë me pajisje reale dhe të jenë plotësisht të gatshëm për tregun e punës që në ditën e diplomimit.

Për më tepër, UBT Inernational Smart Schools mban vulën e cilësisë globale, duke qenë plotësisht e akredituar nga Cambridge International Education. Kjo do të thotë se diploma dhe përgatitja e marrë këtu vlerësohen me standardet më të larta ndërkombëtare.

Nëse keni ndarë mendjen për të zotëruar një profesion të sigurt e me perspektivë, profilizimi i hershëm në UBT International Smart Schools është hapi i duhur. Zgjidhni një rrugë që ju garanton sukses profesional që nga shkolla e mesme.

Linkun për aplikim e gjeni këtu.

 

Continue Reading

Të kërkuara