Lajmet

​Kuvendi Komunal i Mitrovicës mbajti seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së

Published

on

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës ka mbajtur sot seancë solemne për nder të shënimit të manifestimit Epopeja e UÇK-së.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, hapi seancën me një minutë heshtje për të përkujtuar të gjithë të rënët për lirinë e vendit.

Duke folur për ushtrinë çlirimtare, sakrificën e vendit për liri dhe shtetndërtim, ai tha se sundimi i një robërie të egër ndaj popullit shqiptar të Kosovës, u këputë përfundimisht më 12 qershor 1999.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila lindi nga gjiri i popullit, fitoi sepse bëri luftë të drejtë.

“Vragonjtë të një shekulli të gjatë të një sundimi e robërie të egër që e përjetoi populli ynë, u këputën përfundimisht më 12 qershor 1999, ditën kur forcat e NATO-s zbarkuan në Kosovë, e luftëtarët e lirisë hynë triumfalisht në qytetet tona. Ushtria Çlirimtare e cila lindi nga gjiri I popullit fitoi sepse bëri luftë të drejtë. Kjo është edhe një dëshmi se armiku sado ushtri të madhe pastë, sado që ka dhe përdorë armët më moderne, më në fund do të humbasë sepse bënë luftë të padrejtë”, ka thënë Kamberi.

Ndërsa, kryetari Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë fjalës së tij të rastit, tha se sot po përkujtohen njerëzit më të devotshëm të këtij vendi. Ai potencoi se njerëzit që kapën armët në duar për mbrojtjen e atdheut meritojnë përulje, duke thënë se ata të cilët dhanë jetën për liri, janë të pavdekshëm.

‘Sot kemi ardhur këtu për ti përkujtuar njerëzit më të devotshëm të këtij vendi. Njerëzit të cilët ditën t’i bëjnë ballë forcës agresore të shtetit okupues serb. Unë çdoherë kam thënë dhe them përsëri, secili që ka kap pushkën për me i dalë zot atdheut, unë ia heq kapelën, dhe u kemi borxh gjenerata të tëra që do të vinë pas, sepse falë këtyre burrave e grave, sot jemi të lirë, kemi institucionet tona dhe kemi shtetin tonë. Njeriu që vdes për liri, ai s’ka vdekur asnjëherë. Është rasti i familjes së madhe Jashari, që bëri luftë heroike tetë ditë radhazi”, tha Bahtiri.

Ai ka përmendur veç tjerash edhe siç u shpreh, njerëzit më të shtrenjtë të lirisë dhe themeltarët e saj, të cilët ndodhen në Hagë, e për të cilët tha se po mbahen padrejtësisht, duke kërkuar nga institucionet e vendit të bëjnë çmos për lirimin e tyre, sepse lufta e tyre ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Ndryshe, pas seancës, të gjithë pjesëmarrësit vizituan varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, ndërsa për nder të kësaj epopeje, orët e para mësimore në të gjitha shkollat e kësaj komune u janë kushtuar ngjarjeve që ndërlidhen me epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe familjen Jashari.

Continue Reading

Lajmet

Tre persona në pranga për së paku tetë vjedhje në Fushë-Kosovë, dëmi mbi 60 mijë euro

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Fushë-Kosovë, të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026.

Sipas Policisë, A.B., F.H. dhe M.K. janë arrestuar pas një hetimi dymujor. Operacioni policor është zhvilluar më 18 nëntor, ndërsa dëmi fillestar material nga vjedhjet vlerësohet të jetë mbi 60 mijë euro.

Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar të marihuanës.

Hetimet e mëtejshme kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor. Ndërkaq, një sasi tjetër ari është lokalizuar dhe sekuestruar në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për “Vjedhje të rëndë”, “Posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tre zyrtarë nga Kosova diplomojnë në Akademinë e FBI-së, vlerësohet partneriteti me SHBA-në

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se tre zyrtarë të zbatimit të ligjit nga Kosova kanë diplomuar së fundmi në Akademinë Kombëtare të FBI-së.

Në njoftimin e ambasadës theksohet se Kosova është një partnere e fortë e SHBA-së në fushën e zbatimit të ligjit dhe ka një nga rrjetet më të mëdha të të diplomuarve të Akademisë Kombëtare të FBI-së në nivel global.

“Krenarë të festojmë diplomimin e tre zyrtarëve kosovarë nga Akademia Kombëtare e FBI-së! Kosova është një partnere e fortë e SHBA-së në zbatimin e ligjit, me një nga rrjetet më të mëdha të alumni-t të Akademisë Kombëtare të FBI-së në botë. Jemi të entuziazmuar të punojmë së bashku për të luftuar krimin e organizuar transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.

Me dy të tretat e votave, deputetët miratuan Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja Gjyqësore në Çështjet Civile ose Tregtare.

Kjo marrëveshje mori miratimin në tentimin e tretë, pasi u sigurua se Serbia nuk është pjesë e kësaj konvente.

Po ashtu, Kuvendi miratoi Protokollin për ndryshimin e Marrëveshjes mbi Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Në mesin e marrëveshjeve të miratuara ishte edhe Konventa për Zgjedhjen e Gjykatës. /KosovaPress/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Javën e ardhshme pritet drafti i parë i strategjisë për Apelin dhe Ligjit për Specialen

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të pranohen drafti i parë i strategjisë shtetërore për procesin e Apelit në Hagë dhe drafti i ri i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Duke folur në Kuvend për Ligjin për Specialen, Kurti ka thënë se ai është hartuar pas pakënaqësisë me aktgjykimin e 16 shtatorit, por ka theksuar se që nga fillimi kishte shprehur rezerva për këtë nismë.

“Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se në grupin punues për strategjinë janë të përfshirë përfaqësues të ndryshëm, ndërsa drafti i ri i ligjit pritet të përgatitet nga një ekip ekspertësh.

Kurti ka përsëritur se nuk e ka ndryshuar qëndrimin për Dhomat e Specializuara që nga viti 2015, duke e cilësuar këtë gjykatë si të pazakontë.

Ai ka përmendur edhe raportin e vitit 2008 për pretendimet lidhur me “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, duke thënë se hulumtimet e zhvilluara nuk kishin gjetur dëshmi për këto pretendime.

Sipas Kurtit, çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mbetet ndër pikat që duhet të trajtohen në procesin e Apelit. Ai ka shprehur bindjen se vendimi i 16 shtatorit duhet të korrigjohet në Apel, proces për të cilin ka thënë se pritet të zhvillohet gjatë vitit 2027./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara