Lajmet

​Kush humbi e kush fitoi në pandemi, parashihet vit i vështirë ekonomik edhe në vitin 2021

Published

on

Përveç shëndetit publik, pandemia Covid-19 në vitin që lamë pas goditi edhe ekonominë e vendit, në masë të madhe disa veprimtari të bizneseve dhe punëtorët e sektorit privat.

Masat kufizuese ndaj bizneseve, ndikuan që të bie qarkullimi vjetor mbi 1.2 miliard euro, dhe u shuan mijëra veprimtari të bizneseve. Kësisoj si pasojë e pandemisë humbën punën mbi 60 mijë punëtorë sipas Agjencisë së Statistikave.

E në anën tjetër mbështetja e shtetit ishte e vonuar, e paktë dhe e ndarë në mënyrë të barabartë. Kjo formë e mbështetjes është kritikuar nga njohës të ekonomisë, të cilët parashikojnë një rënie të rritjes ekonomike deri 8 për qind, si dhe vit të vështirë për ekonominë edhe më 2021.

Hulumtuesi në Institutin GAP, Blend Hyseni thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme duhet të hartojë një strategji ekonomike për të dalë nga kjo krizë ekonomiko-sociale. Hyseni ka treguar për veprimtaritë e bizneseve të cilat pësuan humbje të mëdha financiare në pandemi dhe ato që nuk kanë ndier krizën dhe shënuan rritje të të hyrave.

“Kemi disa biznese që janë përballur me kufizime të orarit ose hapësirës së operimit që kanë pasur rënie në të hyra, por prapë kanë mundur me operua me një pjesë të kësaj kohe gjatë pandemisë, si dhe kemi një pjesë tjetër të bizneseve që kanë vazhduar punën pothuajse në rrjedhja normale. Prandaj, këto masa ose këto kufizime të ndryshme ndaj bizneseve kanë bërë që edhe kjo krizë mos me qenë e njëjtë me të gjitha bizneset. Kjo shihet edhe në deklarimin e qarkullimit në Administratën Tatimore të Kosovës. Industria e artit, arkëtimit dhe rekreacionit që është prekur më së shumti nga masat kufizuese ka rënie të qarkullimit deri në 80 për qind. Pastaj vijnë këto aktivitetet e patundshmërisë, transporti, magazinimi, akomodimi, restorantet të cilat kanë pasur rënie 43-44 për qind. Pastaj janë kategoritë tjera që kanë pasur më pak masa kufizuese ndaj tyre e deri te ato që nuk kanë pasur kufizime fare siç janë barnatoret ose furnizimi me energji elektrike me ujë e këto të cilat kanë pasur rritje të të hyrave gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër ndihmesa e qeverisë po ashtu nuk ka marrë për bazë këto humbje të bizneseve dhe ka qenë e barabartë për të gjithë. Një ndër ndihmesat e fundit që është dhënë nga Qeveria është kjo pjesa e 60 milionë euro që është dhënë në bazë të numrit të punëtorëve dhe jo në bazë të dëmit ekonomik”, thekson ai.

Një gjë pozitive e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, sipas Hysenit që edhe ka marrë mbështetjen nga të gjitha partitë politike, është ajo e rritjes së garancionit për fondin për garanci kreditore, i cili i mundëson për vitin e ardhshëm me shpresë të rriten investimet. Megjithatë, ai po parash një vit të vështirë të përballueshëm më 2021.

“Viti 2021 do të jetë i vështirë i përballueshëm për bizneset, për shkak që është një borxh i akumuluar gjatë gjithë vitit që padyshim se do të reflektohet në vitin e ardhshëm. Sa do të jetë e vështirë do të varet kur fillohet vaksinimi i qytetarëve”, thotë Hyseni.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku ka thënë për KosovaPress se pandemia ka bërë goditje të madhe edhe në sferën ekonomike për të gjitha shtetet në botë dhe në veçanti ndikim negativ ka pasur në shtetet e vogla siç është Kosova dhe vendet në zhvillim.

Prandaj ka kërkuar nga qeveria strategji dhe ofertë ekonomike për ta ringjallë ekonominë dhe punësimin, pasi siç thotë vendin e punës e kanë humbur rreth 80 mijë punëtorë. Krahas saj profesori Sadiku ka thënë se nevojitet edhe inkorporimi i fondeve ndërkombëtare.

“Nevojat më të mëdha janë për të gjeneruar ofertën në treg, për të bërë ringjalljen e bizneseve, për të ringjallur punësimin, për të ringjallur këmbimin tregtar, për të përmirësuar jetën sociale të popullatës. Unë kam parasysh se qeveria ka bërë përpjekje me mjetet që i ka, të bëjë një infuzion social në Kosovë. Të bëjë një infuzion për bizneset e veta, por jashtë loje për fat të keq në këtë strategji po e quaj të rimëkëmbjes ka mbetur inkorporimi i fondeve të jashtme të cilat do të jenë të konsiderueshme në ringjalljen ekonomike të shteteve në përgjithësi, por sidomos të shteteve të Ballkanit perëndimor. Prandaj, është e nevojshme që krahas kësaj përpjekje nacionale për të reaguar, për të zbutur pasojat në nivelin e bruto produktit dhe në nivelin e punësimit. Kosova duhet medeomos që edhe pjesën e fondeve ndërkombëtare t’i inkorporojë dhe vërtet të kemi një strategji të qartë, të qëndrueshme, e cila nuk do të vlejë për tre-katër muaj, por një strategji e cila do të aplikohet në dy tre vjetët e fundit në mënyrë që Kosova të kthehet në një pozitë normale që ishte para se të fillonte kjo sëmundje…03’43 Kosova do të duhej ta bënte sa më shpejtë një analizë gjithëpërfshirëse mbi pozitën e ekonomisë pas veprimit të pandemisë, pozitën në sektor të punësimit, në sektor të mbrojtjes sociale. Vlerësimet janë se gjatë kësaj periudhe rreth 80 mijë njerëz e kanë humbur punën, dhe kërkohet që me analiza të mëtutjeshme të targetohet kjo goditje e madhe sociale e cila ka ndodhur në Kosovë”, thotë ai.

Profesori Sadiku shton se nëse vazhdon ky trend i ndikimit të pandemisë me këtë goditje mund të ketë rënie të rritjes ekonomike rreth 8 për qind, që është mjaft serioze në rastin e Kosovës.

Këtë rënie ekonomike dikush po e ndërlidhë edhe me krizën politike.Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se Kosova nuk ka luks t’i ketë tri qeveri brenda një viti.

“Dështimi politik në vitin 2020 në Kosovë, duhet një mësim i cili nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Kosova nuk e ka komoditetin dhe luksin që brenda një viti kalendarik t’i ketë tri qeveri, një shtet i varfër, një shtet i ri dhe besoj që kjo e dëmton ardhmërinë dhe ngufat perspektivën për qytetarët e Kosovës. Dua të besoj që çdo qeveri që do të vjen në të ardhmen do ta kthejë faqen e historisë drejt ardhmërisë dhe jo nga e kaluara. Ekonomia e dijes, shëndetësia, sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jenë shtyllat kryesore, por mbi të gjitha këto do të mund të jenë objektiva. Megjithatë, në qoftë se nuk do të arrihet uniteti politik, atëherë do të jemi një vend që mund të jemi i shpallur i dështuar. Këtë nuk e meriton sakrifica e luftës, këtë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Rinia e Kosovës meriton një perspektivë dhe një ardhmëri më të ndritshme”, deklaron Gërxhaliu.

Më 13 mars 2020 që kur u paraqiten dy rastet e para me Covid-19 në Kosovë vendi sikur shtetet tjera mori masa për mbyllje totale deri më 1 qershor. Nevojat për një mbështetje nga shteti për qytetarët, punëtorët dhe bizneset ishte e madhe, por që nga ajo kohë u miratuan vetëm dy pako, Pakoja emergjente fiskale dhe së voni Ligji për rimëkëmbje ekonomike që mundëson edhe tërheqjen e 10 për qind të Trustit.

Në këtë kohë nuk qëndruan mirë financiarisht edhe disa ndërmarrje publike, Telekomi i Kosovës, “Trepça” dhe disa të tjera. Në atë kohë pati shkarkime të anëtarëve të bordeve dhe emërime nëpër ndërmarrje publike nga Qeveria Kurti, që kësisoj vazhdoi edhe me Qeverinë Hoti.

Viti 2020 e karakterizoi Kosovën edhe me tkurrje të të hyrave buxhetore, që janë paraparë të jenë mbi 300 milionë euro. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve deficiti tregtar në llogarinë e mallrave gjatë kësaj periudhë regjistroi vlerën prej 2.26 miliardë euro që paraqet një rënie vjetore prej 11.4 për qind. 

Vendi

Në një ceremoni madhështore, UBT gradon gjeneratën e 23-të

Published

on

By

UBT ka organizuar ceremoninë solemne të gradimit për gjeneratën e 23-të të studentëve, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të vitit akademik. Në ceremoni morën pjesë mbi një mijë absolventë, familjarë, profesorë dhe drejtues institucionesh.

Ceremonia u hap me intonimin e himnit kombëtar, himnit shtetëror dhe himnit të studentit.

Kjo ceremoni ka një rëndësi të veçantë, pasi përkon me 25-vjetorin e themelimit të UBT-së, duke shënuar një çerek shekulli të përkushtimit ndaj edukimit, shkencës, inovacionit dhe zhvillimit në Kosovë.

Gjatë fjalës së tij, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ndal te rrugëtimi i studentëve, përkushtimi dhe sakrificat e tyre për të arritur deri te kjo ditë.

“Pas secilës diplomë ka një histori — netë të tëra studimi, provime, sfida e sakrifica. Mirëpo, ekziston diçka sot që është vetëm e juaja dhe që askush nuk mund t’ju marrë: kjo është dija. Diplomimi nuk është fundi, por një kalim nga kërkimi i përgjigjeve te përgjegjësia për të krijuar vlerë për shoqërinë”, tha Hajrizi.

Rektori i UBT-së vlerësoi edhe rolin e familjeve në rrugëtimin arsimor të studentëve, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë thelbësore për arritjen e kësaj dite.

“Sot është një ditë e veçantë edhe për ju, të dashur prindër. Kur një familje ia beson universitetit edukimin e fëmijës së saj, nuk na beson vetëm disa vite studimi — na beson një pjesë të së ardhmes së tij. Kjo është një përgjegjësi që ne e marrim shumë seriozisht”, u shpreh ai.

Në ceremoninë e gradimit, Hajrizi foli edhe për historikun e UBT-së dhe zhvillimin e tij gjatë 25 viteve. Ai kujtoi se universiteti nisi me vetëm 26 studentë, ndërsa sot diplomon mijëra të rinj.

“Kur filluam para 25 vitesh, kishim vetëm një ide dhe një bindje të fortë se Kosova meriton arsim cilësor e bashkëkohor. Në ceremoninë tonë të parë kishim vetëm 26 studentë, ndërsa sot diplomojmë me mijëra. Mirëpo universiteti nuk matet vetëm me numra apo ndërtesa, por me dijen që krijon dhe ndryshimin që sjell në shoqëri”, tha rektori Hajrizi.

Sot, alumni të UBT-së përfaqësojnë institucionin si profesionistë, sipërmarrës, inxhinierë, mjekë, arkitektë dhe udhëheqës në Kosovë dhe në vende të ndryshme të botës, duke dëshmuar kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe përmbushjen e misionit të universitetit në formimin e gjeneratave të ardhshme.

Në përfundim të ceremonisë, të diplomuarit ndanë emocionet e kësaj dite të veçantë me familjarët, profesorët dhe stafin e UBT-së. Për ta, kjo ditë shënoi përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm studimi dhe fillimin e një rrugëtimi të ri profesional. Me diploma në duar, ata shprehën mirënjohjen për mbështetjen e familjeve dhe përkushtimin e stafit akademik, ndërsa emocionet, përqafimet dhe urimet shoqëruan momentet e festës.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 5 shtator 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

5 shtator 1994

Shqiptarët në Zvicër dhe Gjermani përkrahin aksionin për shkollën shqipe në Kosovë

Pardje në Cyrih, në lokalet e klubit shqiptar “Përparimi”, si rrallë ose asnjë herë më parë, ishin tubuar bashkërisht pothuaj të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare nga Kosova dhe nga viset tjera etnike shqiptare nga ish-Jugosllavia anëtarë dhe simpatizantë të cilët jetojnë e veprojnë në Zvicër. Shkak i këtij tubimi, që kaloi në një atmosferë të përzemërt dhe pune, ishte aksioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe i Këshillit për Financim për ta ndihmuar shkollën dhe arsimin shqip në Republikën e Kosovës.

Në tubim merrnin pjesë përfaqësues të subjekteve politike (LDK, PPD, PSHDK, LPK, PVD, PDP etj) dhe jopolitike si LASH-i, KPSH si dhe përfaqësues të shumë klubeve e të asociacioneve të tjera shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në tubim merrte pjesë edhe ministri i Informatave i Republikës së Kosovës, Xhafer Shatri, ndërsa atë e përfshëndeti ish-deputetja e Parlamentit të Kosovës, Silvie Gjinaj, shkruan “Bujku” i sotëm.

Ndërsa bashkëpunëtori ynë në Bon Islam Spahiu njofton se në një mbledhje të mbajtur në Frankfurt, ku merrnin pjesë edhe ministri i Arsimit, dr.Muhamet Bicaj, dhe ministri për Ekonomi dhe Financa mr.Isa Mustafa, u bisedua me përfaqësuesit e LDK-së dhe të partive dhe asociacioneve të tjera shqiptare lidhur me aksionin për shkollën shqipe në Kosovë.

 

 

5 shtator 1997

Doli nga shtypi Harta e Kosovës

Në botim të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) këto ditë doli nga shtypi Harta e Kosovës, në format A3 (420 X300 mm). Harta përbëhet prej dy pjesësh, hartës fizike dhe administrative. Kjo hartë është në shkallë 1:600 000. Për dallim nga hartat e mëparshme, në këtë hartë figurojnë vendbanime dhe shënime të reja që pasqyrojnë realitetin e ri në Kosovë. Shumë shënime për vendbanime janë vjelë nga terreni. Janë shtuar edhe hijëzimet e punuara me kompjuter. Ndërsa ngjyrat janë më të lehta për shikim. Legjendat në hartë janë në gjuhën shqipe dhe angleze.

Autor i hartës është Mendim Rugova.

Përpos në opinionin e gjerë, harta do të përdoret edhe për shkollat fillore e të mesme. Për një hartë të tillë ka pasur nevojë të madhe, pasi, siç dihet, harta e fundit është botuar më 1984 nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës, në punim të një institucioni të Beogradit. Harta e tashme e Kosovës është në tërësi e punuar në Kosovë. Në të janë eliminuar shumë të meta e pasaktësi nga hartat e mëparshme.

Këtë botim shumë të rëndësishëm e ndihmuan 30 ndërmarrje dhe qytetarë nga Kosova.

Harta mund të gjendet në librari, në punktet e shpëndarjes së librit shkollor dhe te botuesi.

 

5 shtator 1998

Në Panorc të Malishevës 15 mijë refugjatë po mbahen të rrethuar nga forcat serbe

Drama e refugjatëve shqiptarë të strehuar në malet e Panorcit të Malishevës vazhdon edhe më tej.

Një banor i këtij fshati, që kishte arritur të largohej, ndërsa familja i kishte mbetur në rrethim të forcave serbe, tha se mbi 15.000 banorë po mbahen të rrethuar dhe nuk dihet ç’mund të ndodhë me ta.

Ata të gjithë janë në një fushë dhe policia po i ndan, veç meshkujt e veç femrat.

Fshati Panorc, ku ishin të strehuar një numër i madh i banorëve të fshatrave të tjera të sulmuara të komunës së Malishevës dhe të Rahovecit e Klinës, u sulmua dhe u dogj dje nga forcat serbe, sikur edhe fshati fqi, Rud, e disa fshatra të komunës së Klinës.

 

 

Vazhdon shkatërrimi e djegia e shtëpive në fshatrat e Dushkajës

Forcat e ushtrisë e policisë serbe vazhduan edhe mbrëmë granatimin e fshatrave të anës së Dushkajës së Gjakovës dhe disa fshatrave të komunës së Rahovecit. Ndërsa sot forcat serbe po djegin më bënzinë shtëpitë që janë dëmtuar më pak gjatë ofensivës së trei ditëve të fundit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Njoftimet nga fshatrat: Cërmjan, Kralan, Gërgoc e Kodrali të Dushkajës bëjnë të diturs e mbi 90 për qind të shtëpive të këtyre fshatrave janë rrafshuar me tokë. Në Kralan janë shkatërruar 42 shtëpi, ndërsa fshati Kodrali më 13 shtëpi është rrafshuar dhe më nuk ekziston. Banorët e këtyre fshatrave kanë ikur në male. Shumica prej tyre gjenden në Shushicë.

Gjatë ofensivës serbe të tri ditëve të kaluara pati edhe të vrarë e të plagosur, por edhe shumë të arrestuar e të keqtrajtuar në mënyrë barbare. Njoftohet se të enjten në Cërmjan është vrarë Benita (Gashi) Ismaili (22) nga Cërmjani, ndërsa është plagosur rëndë bashkëshorti i saj, Haki Ismaili (24). Po ashtu, njoftohet se mbrëmë në Kodrali vdiq nga pasojat e torturave të rënda fizike Haxhi Alia (67), ndërsa në gjendje kritike janë edhe disa banorë të tjera të këtyre fshatrave, të cilët kanë mbetur në malet e kësaj ane, pa kurrfarë ndihme mjekësore.

Continue Reading

Aktualitet

UBT organizon Ceremoninë e Gradimit të studentëve të gjeneratës së 23-të

Published

on

By

UBT do të organizojë nesër, më 5 shtator, Ceremoninë e Gradimit, një ngjarje solemne që shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm akademik për studentët dhe fillimin e një etape të re drejt së ardhmes së tyre profesionale.

Ceremonia do të mbledhë të diplomuarit, familjarët e tyre, profesorët, stafin akademik dhe drejtuesit e institucionit, për të festuar së bashku rezultatet e një rrugëtimi të karakterizuar nga përkushtimi, puna dhe sfidat e tejkaluara ndër vite.

Ceremonia do të zhvillohet në dy termine, në orën 10:00 dhe 15:00, duke krijuar një moment të veçantë për secilin të diplomuar që kurorëzon rrugëtimin e tij akademik në UBT.

Continue Reading

Vendi

Seanca konstituive e Kuvendit mbahet më 9 shtator

Published

on

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari në Facebook.

Ai ka thënë se deri atëherë pret që kjo marrëveshje të shoqërohet “me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara