Lajmet

​Kurti thotë se opozita po e përdorë grevën si luftë kundër tij

Kryeministri Kurti tregoi hapat që sipas tij i ka bërë në raport me grevat.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se opozita po e përdorë grevën në arsim si armë kundër tij.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë në debatin e sotëm parlamentar për grevën, Kurti tha se s’ka pasur gatishmëri nga BSPK-ja dhe Këshilli Grevist për zgjidhje kompromisi.

“Problem është kryeministri, jo se fëmijët nuk po shkojnë në shkolla. Greva është armë kundër kryeministrit”, tha ai.

Duke folur për termin “vëlla”, për të cilin kritikoi kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn, se e përdori në takim me të, Kurti tha se duhet ndarë sfera publike dhe ajo private. Ai tha se ka dy vëllezër dhe asnjëri prej tyre s’ka shkuar dhe s’do të shkojë në qeveri gjatë qeverisjes së tij. Sipas tij, ka kaluar koha kur kryeministrat janë bërë me vëllezër.

“Unë i kam dy vëllezër, mirëpo asnjëri prej tyre, në Kurtin I dhe Kurti II nuk ka ardhur në ndërtesë të Qeverisë edhe nuk vjen. Unë besoj se vëllezërit janë për te shtëpia, ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër për vëllezër. Prandaj unë natyrisht irritohem kur dikush vjen në zyrën e kryeministrit dhe të thotë ‘vëlla’. Është shumë me rëndësi të kuptohet vizioni im që të ndahet publikja prej privates”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti tregoi hapat që sipas tij i ka bërë në raport me grevat.

“Nuk kanë mundur të konsultojnë anëtarësinë vetëm me një anëtar të vetëm me të cilin kanë mundur të flasin në telefon. S’është e mundshme, mediat kanë qenë jashtë. Në vend që t’iu thonë atyre ‘diskutimet vazhdojnë’, ata thanë se ‘greva vazhdon’. Ky nuk është dialog social, sepse nuk mundesh të thuash në takim se ‘kam nevojë të konsultoj anëtarësinë për ofertën e re’, e të dalësh jashtë dhe të thuash se ‘greva vazhdon’. Prandaj jemi në këtë krizë, rrjedhimisht s’ka munguar as komunikimi dhe as dialogu, por po mungon sinqeriteti. Për mua është e qartë se këtu nuk janë viktimë krerët sindikalë, as ne si qeveri, por nxënësit, mësimdhënësit, arsimi dhe ardhmja e shtetit tonë. Kjo është e vërteta. Mirëpo tash në këtë polarizim të skajshëm ka përpjekje të vazhdueshme për viktimizim të individëve”, tha ai.

Continue Reading

Lajmet

Merz: Evropa po e nënvlerëson kërcënimin që vjen nga Rusia

Published

on

Friedrich Merz thotë se Evropa mund të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën pa para nga SHBA-ja. Ai paralajmëron se Rusia jo vetëm që dëshiron territore në Ukrainë, por po përpiqet të destabilizojë edhe shoqëritë evropiane.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Bloomberg-ut, Francine Laqua, Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) foli, ndër të tjera, për luftën në Ukrainë, ndryshimet në politikën amerikane nën Donald Trumpin dhe kërcënimin e nënvlerësuar që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane.

I pyetur nëse ishte i përgatitur për një botë në të cilën Shtetet e Bashkuara do të ishin aleate të Rusisë kundër Ukrainës, Merz theksoi se SHBA-ja ka ndërprerë plotësisht financimin për Ukrainën që nga fillimi i vitit 2025. Sipas tij, për gati dy vjet, mbështetja financiare është siguruar nga Koalicioni i të Gatshmëve, i përbërë nga vende evropiane dhe disa vende joevropiane.

“Kjo tregon se ne mund t’ia dalim vetë”, tha Merz, duke shtuar: “Është një barrë e madhe për buxhetet shtetërore dhe një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, por ne po e përballojmë dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën derisa kjo luftë e tmerrshme të përfundojë.”

Merz tha se në çdo takim përpiqet ta bindë Presidentin amerikan Donald Trump se një Evropë e qëndrueshme dhe një Bashkim Evropian i fortë janë gjithashtu në interes të Shteteve të Bashkuara. “Është në interes edhe të amerikanëve”, theksoi Kancelari.

Ndryshimi i qasjes amerikane

I pyetur pse administrata amerikane po ndjek këtë qasje, Merz tha se nën drejtimin e Trumpit, SHBA-ja ka ndryshuar mënyrën e saj të të vepruarit në politikën globale.

“Motoja ‘Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe’ nuk do të thotë asgjë më shumë sesa: ne veprojmë në mënyrë të pavarur dhe të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Përgjigjja e Evropës është: ne e kuptojmë këtë. Edhe ne do të veprojmë në mënyrë të pavarur dhe në interesin tonë.”

Gazetarja e pyeti se si do të funksiononte mbështetja për Ukrainën nëse SHBA-ja nuk jep ndihmë financiare.

“Ne i kemi rritur shpenzimet për mbrojtjen në kuadër të NATO-s në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po e bëjmë këtë brenda Bashkimit Evropian dhe së bashku me aleatët tanë evropianë. Po ashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me Kanadanë, e cila sot është më e orientuar drejt Evropës se kurrë më parë. Ne kemi aleatë të vërtetë në botë”, tha Merz.

Ai theksoi se Gjermania është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në mbështetjen e Ukrainës për mbrojtjen e saj, gjë që e ka bërë vendin objektiv kritikash dhe sulmesh politike. Kur u pyet nëse qytetarët gjermanë vazhdojnë ta mbështesin këtë politikë, Merz u përgjigj: “Po, ende e mbështesin. Rreth 60 për qind e qytetarëve janë në favor të kësaj politike, ndonëse ka edhe kritikë.”

Merz nuk pret që mbështetja për Ukrainën të zbehet në të ardhmen e afërt, megjithëse një gjë e tillë mund të ndodhë në një moment. “Shpresoj shumë që të kontribuojmë në përfundimin e kësaj lufte. Ky është qëllimi ynë kryesor, jo zgjatja e saj”, tha ai.

 

Shqetësimi nga nënvlerësimi i kërcënimit rus

Kur Francine Laqua e pyeti nëse kjo nënkuptonte përfundimin e luftës sipas kushteve të Ukrainës dhe jo sipas atyre amerikane apo ruse, Merz u përgjigj: “Ukraina është një shtet sovran dhe kushti themelor është ruajtja e integritetit të saj territorial. Kjo nuk vihet në diskutim.”

Në fund të intervistës, i pyetur se çfarë e shqetëson më shumë, Merz tha se është “nënvlerësimi i kërcënimit që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane”.

Ai theksoi se lufta në Ukrainë është vetëm një pjesë e një problemi shumë më të gjerë. “Panorama e përgjithshme tregon se Rusia po përpiqet të destabilizojë të gjithë rendin politik në kontinentin evropian. Është e qartë se shumë njerëz, përfshirë edhe në vendin tim, e nënvlerësojnë këtë rrezik.”

“Njerëzit nuk e kuptojnë se cili është qëllimi i vërtetë i Rusisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e territoreve në Ukrainë. Ambiciet e saj janë shumë më të gjera”, theksoi kancelari. “Njerëzit në Kremlin kanë frikë nga demokracia, nga shoqëritë e hapura dhe nga suksesi i integrimit evropian. Ata duan ta minojnë këtë sukses dhe tashmë po punojnë për ta arritur këtë.”

Sipas Merzit, shumë njerëz, edhe në Gjermani, vazhdojnë ta nënvlerësojnë këtë kërcënim, i cili shihet çdo ditë. I pyetur nëse sjellja e Shteteve të Bashkuara kontribuon në këtë situatë, Merz u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara janë gjeografikisht shumë larg Rusisë. Ky është kontinenti ynë. Rusia është një fuqi evropiane dhe kontinenti evropian po kërcënohet. Kjo është ajo që më shqetëson më së shumti.”

Burimi: Deutsche Welle

Continue Reading

Lajmet

Një person vdes në fabrikën e tij afër Drenasit

Published

on

Një person ka vdekur dje, pas lëndimeve që ka pësuar në vendin e tij të punës në një kompani private, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas saj, viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkohë, mediat, duke u thirrur në burime familjare, kanë njoftuar se viktima është Raif Aliu (47) nga Likoci i Skenderajt, që humbi jetën të martën në ambientet e kompanisë “Prima-Fix”, në Korroticë të Epërme të Drenasit.

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familja brenda një dite

Published

on

Vazhdojnë edhe më tej statistikat e larta të rasteve të dhunës në familje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë njoftuar katër raste të tilla.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj.

Aty, është arrestuar një i dyshuar, pasi që, pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.  Palët janë intervistuar  dhe  me   vendim të prokurorit i dyshuari  është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Viktima, një i mitur, ka pësuar dhunë nga babai i tij dhe për këtë ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Fushë Kosovë, është raportuar se, pas një mosmarrëveshje në familje, viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit  me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje.

Rasti i katërt ka ndodhur në Lipjan. Aty, një i dyshuar ka sulmuar babanë e tij.

I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin, është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 2500 tiketa në trafik – shifra të larta të dënimeve nga policia

Published

on

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka shqiptuar 2501 tiketa në trafik. Një shifër kjo e lartë për një 24-orësh.

Në raportin e saj ditor, policia ka dhënë edhe statistikat e tjera, për zhvillimet në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, kanë ndodhur 26 aksidente trafiku  me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale.

Janë arrestuar 20 persona, në mbajtje janë dërguar shtatë, dy persona janë në ndalim policor, derisa në vuajtje të dënimit janë dërguar tre persona.

Continue Reading

Të kërkuara