Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka diskutuar me anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës për zbatimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 dhe reformat që ndërlidhen me Planin e Rritjes.
Gjatë këtij takimi, kryetarja e Komisionit, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar sqarime nga Schuebel lidhur me incidentin e ndodhur në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, ku ishte interpretuar një këngë nacionaliste serbe.
Lushaku-Sadriu e ka cilësuar këtë ngjarje si zhgënjyese, duke theksuar se Kosova tash e një javë është në pritje të një kërkimfaljeje institucionale dhe formale nga Bashkimi Evropian.
Ajo ka rikujtuar se Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon dhe se BE-ja përfaqëson perspektivën e saj të integrimit.
Sipas saj, Forumi i Zgjerimit duhet të shërbejë për të përcjellë mesazhe pajtimi ndërmjet shteteve që kanë qenë në konflikt dhe për të ndihmuar në tejkalimin e ndasive.
“Ka një javë që po presim një kërkimfalje institucionale dhe formale ndaj Republikës së Kosovës për të sqaruar këtë incident dhe për t’u siguruar që janë marrë masat që në të ardhmen të mos kemi situata të tilla”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Ndërkaq, Schuebel ka bërë të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit me anëtarët e Komisionit ishte prioritizimi i reformave të parapara në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 dhe në kuadër të Planit të Rritjes.
Përmes një postimi në platformën X, ai ka theksuar se këto reforma duhet të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, në mënyrë që Kosova të përfitojë si politikisht, ashtu edhe financiarisht.
Schuebel ka ofruar gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Evropian për punën e Komisionit dhe ekspertizën e nevojshme për avancimin e reformave që synojnë afrimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. /Ekonmia online/