Lajmet

​Kurti: Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë

Kurti tha se kjo na kujton luftën tonë të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti në takim me përfaqësuesit e Rrjetit global të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës SEMA, ka shprehur keqardhje për të dhënat rreth krimeve të dhunës seksuale të raportuara në Ukrainë.

Raportet tregojnë se Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë, tha kryeministri Kurti, duke shprehur keqardhje të thellë për situatën e rëndë atje.

Kurti tha se kjo na kujton luftën tonë të viteve 1998-1999 në Kosovë, dhe siç ndodhi këtu, dhe në të gjitha luftërat e tjera, numri i të mbijetuarve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, sepse krimet seksuale shpesh nuk raportohen, për shkak të stigmës që i rrethon.

Përfaqësuesit e rrjetit SEMA, Iryna Dovgan dhe Volodymyr Shcherbachenko nga Ukraina, si dhe Pilar Rueda dhe Angela Maria Escobar nga Kolumbia, shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe mundësinë për të shkëmbyer përvojat lidhur me dokumentimin dhe drejtësinë për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile, në procese të drejtësisë tranzicionale gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ai përmendi punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për njohjen e statusit, e që garanton trajtim të sigurt të informacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, theksoi se për lehtësim të qasjes në drejtësi, Qeveria ka rritur buxhetin për katër prokurorë, gjashtë profesionistë dhe dy përkthyes shtesë për krimet e luftës.

Gjatë takimit të përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë Nita Shala dhe përfaqësueset e organizatave joqeveritare, u theksua puna e përbashkët për të mbështetur të mbijetuarit, të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Duke veçuar kontributin e Vasfije Krasniqit, u theksua domosdoshmëria e angazhimit të mëtejmë të përbashkët për të luftuar stigmën që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës.

Lajmet

​Kosova ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera me origjinë nga Gjermania, pas përhapjes së gripit të shpezëve të në këtë vend.

Ndalesa hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

Gjermania ka therur më shumë se 400 mijë shpezë ndërsa rastet e gripit të shpendëve vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin.

Instituti Friedrich Loeffler (FLI) tha se shpërthimet aktuale i ngjajnë valës së rëndë të regjistruar në vitin 2021, një nga vitet më të këqija për gripin e shpendëve në Gjermani.

Sipas institutit, gripi i shpezëve është zbuluar në 30 ferma deri më tani, duke çuar në therjen dhe shkatërrimin e pulave, rosave, patave dhe gjelave të detit për të përmbajtur përhapjen.

Është e pamundur të parashikohet se si do të zhvillohet situata,” paralajmëroi instituti.

Humbjet më të rënda janë raportuar në shtetet verilindore të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Brandenburg.

Autoritetet në distriktin Markisch-Oderland të Brandenburgut njoftuan plane për të therur 130 mijë shpezë të tjera, pasi kishin shkatërruar rreth 150 mijë shpezë në fillim të këtij viti.

Gjatë sezonit të dimrit 2020-2021, Gjermania u detyrua të therte më shumë se dy milionë shpezë për shkak të shpërthimeve të gripit të shpezëve./KP

Continue Reading

Lajmet

​Rikthehet në punë njësia B2

Published

on

By

Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”, e cila është ndalur më 26 tetor për shkak të rrjedhjeve në kaldajë, është rikthyer në operim më 29 tetor.

Në njoftim KEK-ut ka bërët të ditur se ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal.

Njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00 dhe aktualisht njësia është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh, thuhet në njoftim.

KEK sqaron se ndaljet e njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike që ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja.

“Dëshirojmë të theksojmë se ndaljet e zakonshme teknike nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B”, një projekt që përfaqëson një nga investimet më të mëdha dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në KEK.”/KP

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme refuzon ankesën e Arbër Eminit, kandidat i pavarur për kryetar të Kllokotit

Published

on

By

Gjykata Supreme e ka refuzuar si pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Pasi PZAP ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Arbër Eminit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Supreme, duke propozuar që “të urdhërohet rivotim për Kllokot, për shkak të shkeljeve të shumta ligjore dhe procedurale gjatë ditës së votimit, moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme Nr.A.A.nr.93/2025 dhe ndërhyrjes së strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kosovë”.

Gjykata Supreme vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe gjeti se konstatimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

Në anën tjetër, kolegji i Gjykatës Supreme, ka vlerësuar edhe pretendimet ankimore të ankuesit që kanë të bëjnë me elemente të kryerjes se veprave penale që janë kryer ditën e zgjedhjeve në Komunën e Kllokotit, të përshkruara në ankesën e ankuesit dhe që sipas tij cenojnë procesin zgjedhor në Kosovë.

Si rrjedhojë, sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore të ankuesit nuk kanë pasur bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat për të urdhëruar eventualisht përsëritjen e votimit në vendvotimin e pretenduar./KP

Continue Reading

Lajmet

​Murati pas takimit për pagën minimale: Rritja duhet të marrë parasysh kushtet e tregut

Published

on

By

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka zhvilluar sot një takim konsultues me dhomat ekonomike, me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të sektorit privat në kuadër të dialogut social për çështjen e rritjes së pagës minimale.

Murati ka shkruar në Facebook tha se nga ky takim ka dëgjuar propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e po ashtu edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar.

Paga minimale është instrument i rëndësishëm që synon të mbrojë punëtorët nga praktikat jo të mira, por njëkohësisht rritja e saj duhet të marrë parasysh kushtet e tregut dhe kapacitetin absorbues të ndërmarrjeve,” ka theksuar Murati.

Ai rikujtoi se Qeveria aktuale e ka rritur pagën minimale për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi dhe se rishikimi i saj do të bëhet çdo vit, sipas zotimeve të dhëna më herët.

Nga takimi dola më i informuar dhe do t’i kem parasysh të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri,” tha Murati, duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre në proces.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro./KP

Continue Reading

Të kërkuara