Lajmet

​Kurti: Reforma në administratë publike, thelbësore në programin e qeverisë sonë

Ai tha se reformimi i Administratës Publike është parakusht për hapat avancues të Kosovës drejt BE-së.

Published

on

“Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e Qeverisë sonë. Është besim e qëndrim i yni se një administratë publike besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore”, kështu u shpreh sot kryeministri Albin Kurti, në konferencën vjetore të organizuar nga Ambasada Britanike, në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.

Kryeministri theksoi se reformimi i Administratës Publike është dhe parakusht për hapat avancues të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai, siç informoi zyra e Kryeministrit, theksoi se Qeveria është e përkushtuar që reforma dhe rrjedhimisht administrata që po ndërtojmë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara.

“Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje edhe në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë”, u shpreh Kurti.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar sfidat dhe problemet me të cilat përballet administrata, por edhe qytetarët kur kanë nevojë të kenë ndërveprim me të.

Kryeministri Kurti veçoi dokumentet strategjike që trajtojnë këto çështje.

“Plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje e hartimi i strategjisë për siguri kibernetike janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë”.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri falënderoi të gjithë partnerët që janë duke përkrahur Qeverinë për këto reforma përmes projekteve e ekspertizës, duke shtuar se bashkëpunimi është padyshim komponentë shumë e rëndësishme në gjithë këtë proces.

Siç deklaroi ai, Qeveria është e përkushtuar për të siguruar sa më shumë punë dhe drejtësi, administratë bashkëkohore, besnike ndaj shtetit, e shkolluar në nivele sipërore, e shkathtë, me përgjegjshmëri e me ndershmëri.

“Kjo është bazë e domosdoshme për t’i mbërritur synimet tona të gjithë së bashku”, shtoi tutje Kurti.

Vendi

Foda pas eliminimit nga Turqia: Krenar me ‘Dardanët’, nuk e kam ndërmend të largohem

Published

on

By

Pavarësisht një paraqitjeje dinjitoze dhe luftës deri në minutën e fundit, ëndrra e Kosovës për një kualifikim historik në Botëror u ndal në finalen e “play-off”-it përballë Turqisë. Pas ndeshjes, përzgjedhësi i “Dardanëve”, Franco Foda, u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, por jashtëzakonisht krenar me rritjen e skuadrës së tij.

“Sot jemi të gjithë të mërzitur. U munduam dhe deshëm që të kualifikoheshim në Botëror. Ishte e mundur ndaj Turqisë për 90 minuta dhe jam krenar me ekipin,” deklaroi tekniku gjerman, duke shtuar se lojtarët e kanë përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. Foda nuk la pa përmendur edhe përkrahjen e madhe nga tribuna, duke falënderuar tifozët që i qëndruan pranë ekipit si brenda, ashtu edhe në udhëtimet jashtë vendit.

Sa i përket të ardhmes së tij në krye të pankinës, Foda ishte i prerë: “Nuk e kam plan që ta lë Kosovën sepse më pëlqen vendi dhe populli. Ishim vetëm një lojë larg Botërorit dhe skuadra po zhvillohet mirë.”

Në anën tjetër, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, nuk i kursye lëvdatat për kundërshtarin, duke pranuar vështirësitë e mëdha që i shkaktuan “Dardanët”. “Kosova na vuri në shumë telashe. Është për të ardhur keq që vetëm një ekip mund të kualifikohet,” u shpreh italiani, duke theksuar se niveli i treguar nga Kosova konfirmon se ajo tashmë mund të rivalizojë me çdo ekip në skenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Live

Çmimet e naftës bien teksa Trump thotë se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”

Published

on

By

Çmimet e naftës kanë rënë këtë të mërkurë me më shumë se 3%, duke zbritur pak mbi 100 dollarë për fuçi, raporton BBC.

Kjo vjen pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbrëmë në Zyrën Ovale, se vendi do të largohet nga Irani “shumë shpejt” dhe se aksioni ushtarak mund të përfundojë brenda dy ose tre javësh.

Megjithatë, çmimet e naftës bruto Brent mbeten 39% më të larta krahasuar me 28 shkurtin, kur filloi lufta dhe Irani mbylli efektivisht Ngushticën e Hormuzit, një rrugë vendimtare për furnizimet globale të naftës dhe gazit. /BBC/

Continue Reading

Vendi

Tre të arrestuar dhe një person në kërkim për dhunë në familje

Published

on

By

Në Policin e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të dhunës në familje.

Rastete e raportuara vijn nga Drenasi, Graçnica, Kamenica dhe Peja.

Në Drenas, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit të të dyja palëve, prokurori ka vendosur që rasti të vijojë në procedurë të rregullt.

Në Graçanicë, policia ka intervistuar dy gra të cilat dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj një burri. Edhe ky rast, me vendim të prokurorisë, po trajtohet në procedurë të rregullt.

Një burrë është arrestuar në Kamenicë nën dyshimin për dhunë në familje. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Në Pejë është raportuar për një sulm fizik dhe kanosje ndaj një gruaje, e cila ka refuzuar ndihmën mjekësore. I dyshuari aktualisht ndodhet në kërkim policor derisa prokuroria është njoftuar për detajet e rastit.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Në raportin e fundit njëditor të Policisë së Kosovës janë raportuar disa raste të armëmbajtjes pa leje që kanë çuar në arrestimin e tre personave në qytete të ndryshme.

Rasti i parë është regjistruar në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku pas mesnatës është arrestuar një burrë pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë-thikë, ndërsa po ashtu në Lipjan, gjatë mesditës, policia ka ndaluar një person tjetër në veturën e të cilit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë me një fishek.

Për të dyja këto raste, prokurori ka vendosur që të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Ndërkohë, në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, policia ka arrestuar një të dyshuar pasi i janë gjetur 15 fishekë të armës me gas, me ç’rast është ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e tij, ndonëse aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Continue Reading

Të kërkuara