Lajmet

​Kurti: Po bëjmë përpjekje maksimale për marrëveshje, korrigjimi i gabimit të Borrell i domosdoshëm

Sipas tij, ai braktisi diskutimin për normalizim të marrëdhënieve dhe u fokusua tek çështja e targave.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të arrihet marrëveshja për targat ilegale dhe për zotimin e Serbisë që të përkushtohet drejt marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Megjithatë, Kurti theksoi se është i domosdoshëm korrigjimi i gabimit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, sipas tij braktisi diskutimin për normalizim të marrëdhënieve dhe u fokusua vetëm tek çështja e targave.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeffrey Hovenier është shumë i përkushtuar dhe angazhuar, unë e falënderoj për këtë, roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv dhe kreativ. Ai po bënë përpjekjet maksimale, pra SHBA-ja, sidomos ambasadori. Ata janë në kontakt me Brukselin, që prej se përfundoi takimi i fundit, unë nuk kam komunikuar me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Jose Borrell, i cili me keqardhje, ritheksoi e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian, duke thënë le të kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat, ndonëse aty unë kam qenë dakord që faza e dytë e zbatimit të vendimit, jo vendimi i si i tillë, por faza e dytë të pezullohet në kërkim të një zgjidhje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve, deri në marsin e vitit 2023. T’i japim shanse pa gjoba marrëveshjes, por jo vetëm për targa dhe ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare… Korrigjimi i gabimit të zotëri Borrell është i domosdoshëm, ai është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët të flasin dhe dakordohen për targa, që dorën në zemër as ai në Serbi dhe unë në Kosovë nuk jemi më kompetent”, theksoi Kurti.

Sipas tij, institucionet kosovare bashkë me gjithë aleatët ndërkombëtarë janë të angazhuar që të arrihet një marrëveshje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Ne po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj se jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal që brenda 48 orëve të kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar vetëm te çështjet e targave… Përpjekjet i kemi maksimale dhe na nevojitet gjithë mbështetja vendore dhe ndërkombëtare që brenda 48 orëve të vijë me një dakordim. Nuk e kam asnjë sekondë të mendoj se si kjo mos të ketë sukses. Nuk i kemi tashmë as 48 orë, pra i kemi ndoshta 36 orë, prandaj as një sekondë nuk e kam të mendoj se si mund të dështojë kjo gjë. Vendorët, ndërkombëtarët, shteti i Kosovës me gjithë institucionet, ambasadorët, Brukseli, Uashingtoni, Parisi, Berlini që të gjithë janë angazhuar që të ketë sukses”, tha kreu qeveritar.

Duke arsyetuar shtyrjen 48-orëshe të fazës së dytë të vendimit për targa, Kurti, tha se deri vonë ka komunikuar me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier për të gjetur një zgjidhje. Ai vlerësoi rolin e tij dhe tha se pala amerikane është duke diskutuar me Brukselin dhe do të shohin zhvillimet në orët e ardhshme.

“Mbrëmë deri vonë kam komunikuar me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier që të gjejmë një mundësi pa e cenuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, por të njëjtën kohë mos të lejojmë çfarëdo cenimi të paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Andaj po japim shanse edhe 48 orë që ai përafrimi që ka qenë evident në Bruksel të rezultojë me një dakordim të përbashkët. Për të sqaruar edhe një herë me datën 18 gusht, në takimin e katërt në Bruksel, kemi pasur strukturë të qartë të agjendës, pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë, çështjet aktuale. Ndërsa në takimin e dytë, të djeshëm që është zhvilluar në Bruksel ka pasur tendencë që ne të kemi marrëveshje vetëm për çështje aktuale, këtë rast për targat. Por qëndrimi jonë ka qenë i qartë që nga gushti, se liderët e shteteve nuk mund të vijnë të diskutojnë për gjëra të cilat janë teknike, administrative, duke lënë anash marrëveshjen finale, ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë që ka në qendër njohjen reciproke. Pra, nuk mundemi vetëm për problemet aktuale të diskutojmë, pa e theksuar se kemi nevojë për një marrëveshje që na normalizon marrëdhëniet. Dje ka ekzistuar tendenca që të ketë asi dakordimi”, tha Kurti

Këto komente, kryeministri Kurti i bëri pas një aktiviteti në Prizren të martën.

Lajmet

Kërkohet angazhim i diplomacisë parlamentare për ish-krerët e UÇK-së dhe mbikëqyrje e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme u kërkua rritja e angazhimit përmes diplomacisë parlamentare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë në Hagë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të planit të punës, duke shfrytëzuar grupet e miqësisë për mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi përcaktimin e mbikëqyrjes ligjore si obligim parlamentar për këtë sesion. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, nënvizoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të përbashkët që tejkalon bindjet partiake në interes të vendit. Në këtë mbledhje, e cila ishte e para pas konstituimit të komisionit më 13 shtator, u miratua edhe Projektligji për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. /Kosova Press/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026

Published

on

By

Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini ka miratuar me të gjitha votat për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, për fushat që janë në kompetencë të këtij komisioni, raporton Ekonomia Online.

Gjatë diskutimit, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka ngritur dilema rreth përfshirjes së projektligjit në fushëveprimin e komisionit, duke thënë se nuk sheh ndërlidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësitë e tij.

“Këtu po shoh që ne duhet me miratu diçka që është fushëveprim i komisionit tjetër. Nuk po shoh diçka që lidhet me komisionin tonë. Por mua më është me rëndësi me sqaruar, nëse është veç procedurë nuk kemi nevojë me diskutu”, tha ajo.

Kryetari i komisionit, Nezir Kraki, ka sqaruar se përfshirja e kësaj pike në agjendë ishte procedurale.

“Ky ndryshim nuk e prek fushën tonë, fakti që e kemi në agjendë është procedurale”, tha ai.

Në mbledhje është diskutuar edhe miratuar Plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026.

Në këtë kuadër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardiana Matoshi, ka propozuar që anëtarët e komisionit të vizitojnë punimet në stadiumin e Gjilanit, për të parë nga afër nëse ka probleme me realizimin e tyre, në prag të Lojërave Mesdhetare 2030. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

As kërcënimet, as pushteti nuk mund ta ndalin misionin e gazetarisë

Published

on

By

Opinion- Musa Sabedini – Profesor në Media dhe Komunikim në UBT

Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Po i përcjell me shqetësim të thellë rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim ndaj gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Fidan Jupolli. Po aq i papranueshëm ishte edhe rasti i Jeton Sopit, i cili duhet të trajtohet me seriozitetin që kërkojnë parimet e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

Këto raste nuk duhen parë si incidente të izoluara apo si përplasje të zakonshme mes individëve. Ato ngrenë çështje thelbësore për gjendjen e lirisë së medias, kulturën demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës. Çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të punës, raportimit apo qëndrimeve të tij përbën një cenim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri demokratike.

Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

E them këtë edhe nga përvoja ime personale. Kam kaluar vetë nëpër situata të vështira dhe kam përjetuar përpjekje që synonin të më vinin nën presion. Megjithatë, ato përvoja nuk më kanë zmbrapsur. Përkundrazi, më kanë bërë më të vendosur për ta mbrojtur të vërtetën, integritetin profesional dhe misionin publik të gazetarisë. Sepse gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj publikut; nuk është instrument për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara, por mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie, për të ekspozuar keqpërdorimet dhe për të mbrojtur interesin publik.

Prandaj, mesazhi im për gazetarët është i qartë: vazhdoni punën tuaj me guxim, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Mos lejoni që kërcënimet, presionet apo tentativat për shantazh t’ju largojnë nga misioni juaj. E keqja, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit duhen trajtuar kudo që shfaqen, pavarësisht se kush qëndron pas tyre. Por kjo duhet bërë gjithmonë përmes fakteve, verifikimit dhe standardeve më të larta etike e profesionale.

Njëkohësisht, bartësit e pushtetit duhet ta kuptojnë se marrëdhënia me median nuk mund të ndërtohet mbi armiqësi, delegjitimim apo presion. Kritika mediale është pjesë e funksionimit të demokracisë, ndërsa llogaridhënia nuk është sulm ndaj institucioneve, por detyrim i tyre ndaj qytetarëve. Çdo përpjekje për ta frikësuar median e dobëson besimin publik dhe dëmton vetë cilësinë e qeverisjes. Në këtë kuptim, përplasja me median e pavarur është një rrugë pa zgjidhje për këdo që synon ta shmangë përgjegjësinë publike.

Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha për liri. Lufta dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahja e NATO-s janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Liria e fituar duhet të mbrohet edhe përmes institucioneve funksionale, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore. Nuk mund të pretendojmë se kemi ndërtuar një shoqëri demokratike nëse gazetarët duhet të mendojnë për sigurinë e tyre përpara se të publikojnë një të vërtetë të pakëndshme.

Në këtë drejtim, shqetësim shtesë paraqet edhe raportimi i organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, i publikuar më 20 korrik, sipas të cilit liria e medias në Kosovë po përballet me përkeqësim, të lidhur me ndërhyrjet politike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimin e pavarësisë së institucioneve mediale. Këto vlerësime duhet të shërbejnë si thirrje për reflektim dhe veprim institucional, jo si arsye për t’i relativizuar problemet.

Kërkoj që çdo kërcënim dhe sulm ndaj gazetarëve të trajtohet seriozisht nga institucionet kompetente, të hetohet në mënyrë të paanshme dhe autorët, nëse u vërtetohet përgjegjësia, të përballen me pasojat ligjore. Mbrojtja e gazetarëve nuk është privilegj i një profesioni, por kusht për funksionimin e demokracisë dhe garantimin e së drejtës së publikut për t’u informuar.

Një shoqëri që i frikëson gazetarët rrezikon ta frikësojë edhe të vërtetën. Një pushtet që nuk e duron kritikën, e vë në pikëpyetje marrëdhënien e tij me llogaridhënien. Ndërsa një gazetari që refuzon të nënshtrohet i shërben jo një individi apo grupi, por interesit publik.

Liria e medias nuk mbrohet vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me guxim profesional, solidaritet mes gazetarëve, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të barabartë të ligjit.

Gazetaria duhet të mbetet e lirë, e pavarur dhe e patrembur. Sepse e vërteta nuk mund të vihet nën shantazh, ndërsa liria nuk mund të jetë peng i askujt.

 

Continue Reading

Të kërkuara