Lajmet

​Kurti përgjigjet për dy serbët që tha se e organizuan bllokadën në Veri

Kurti tha se Policia ka bërë vlerësimet e veta të sigurisë dhe se po bëhet krejt çka mundet për këtë rast.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth veprimeve që janë ndërmarrë për dy personat që kishte publikuar se po marrin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak gjatë zbatimit të reciprocitetit në targa.

Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, tha se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Megjithatë, tha se sipas informacioneve që posedon, Prokuroria Speciale është duke hetuar rastin dhe pas kompletimit të procedurave do të veprojë sipas dispozitave ligjore.

“Në këtë fazë janë ende duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre, Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi për të sjellë drejtësi”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se pse nuk ka ndodhur arrestimi përderisa të dy kanë qenë përballë Policisë gjatë kohës kur ka ndodhur bllokimi i rrugëve.

“Po flasim për kriminel në vendin e ngjarjes, përballë Policisë dhe të njëjtit as nuk janë proceduar, as nuk janë shpallur në ndjekje, as janë arrestuar aty për aty. Meqenëse veç u dërgua a janë analizuar paraprakisht indikacionet se para zbatimit të vendimit për reciprocitet duhet të dërgohet njësia speciale dhe e dyta, a është përmbushur kjo detyrë në veri veçse janë dërguar forcat atje”, tha ai.

Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Policia ka bërë vlerësimet e veta të sigurisë dhe se po bëhet krejt çka mundet për këtë rast.

“Policia e Kosovës në përgjithësi nga marsi i vitit 2021 deri më 15 nëntor 2021 ka shkatërruar 40 grupe kriminale me 257 persona të dyshuar, prej tyre pesë grupe kanë vepruar në nivel ndërkombëtar, dy në nivel rajonal dhe 33 grupe kanë vepruar në nivel vendi. Në kuadër të departamentit për hetime për periudhën 1 mars deri 15 nëntor sivjet është punuar gjithsej në 1 mijë e 191 raste, prej të cilave 975 raste të reja dhe 216 raste të bartura të hetimit të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Po ua ndaj se si janë sipas kategorive, krim i organizuar krime kibernetike 43 raste, krime me narkotikët 507, krime të trafikimit me qenie njerëzore 101 raste, krime ekonomike dhe të korrupsionit 214 raste, raste të krimeve të rënda 108 dhe raste që kanë të bëjnë me terrorizëm 8”, tha ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se sot janë arrestuar dy të dyshuar për plaçkitjen e një argjendarie në qytetin e Prizrenit, ku kishin mbetur të plagosur dy persona. 

Opinione

3 Maji nuk është ceremoni, por provë: Gazetaria mes përgjegjësisë ndaj publikut dhe tundimit të pushtetit

Published

on

By

Shkruan: Musa Sabedini

3 Maji – Dita Botërore e Lirisë së Medias, nuk duhet të reduktohet në një shënim simbolik kalendarik, por të shërbejë si moment reflektimi profesional dhe etik për rolin thelbësor të gazetarisë në shoqëritë demokratike. 

Kjo ditë rikujton se liria e medias është e pandashme nga përgjegjësia për saktësi, paanësi dhe integritet, duke kërkuar nga gazetarët një angazhim të vazhdueshëm për profesionalizim dhe respektim të standardeve më të larta të raportimit. 

Gazetaria, si shërbim ndaj interesit publik, mbetet një mekanizëm i domosdoshëm për llogaridhënie dhe transparencë, sidomos përballë tendencave që cenojnë vlerat demokratike. Në këtë kontekst, një urim i veçantë u takon të gjithë gazetarëve që qëndrojnë në vijën e parë të mbrojtjes së vërtetës, shpesh përballë presioneve dhe rreziqeve. 

Sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes; përkundrazi, ata duhet të mbrohen dhe të mbështeten në misionin e tyre për të nxjerrë në dritë të vërtetat dhe për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë e më të informuar.

Nuk zgjidhet problemi duke etiketuar apo përjashtuar, por duke ngritur standardin profesional që i detyron të gjithë të reflektojnë. 

Këshilla ime për çdo gazetar është e thjeshtë dhe e panegociueshme, besnikëria juaj duhet të jetë ndaj publikut dhe së vërtetës, jo ndaj pushtetit. Gazetaria humb kuptimin në momentin që zëvendëson rolin mbikëqyrës me rolin mbrojtës të institucioneve. Solidariteti profesional nuk është luks, por detyrim, mbrojtja e kolegëve kur cenohen është mbrojtje e vetë lirisë së medias. 

Prandaj, çdo gazetar duhet të rikthehet te parimet themelore: pavarësi editoriale, integritet, verifikim faktesh dhe guxim për të kërkuar llogari.

Vetëm kështu mund të ndërtohet një kulturë mediatike që nuk i shërben pushtetit, por qytetarit.

Continue Reading

Lajmet

Gjermania: Tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme, NATO kërkon sqarime

Published

on

By

Gjermania e ka cilësuar si të “parashikueshëm” vendimin e Donald Trump për të tërhequr rreth 5.000 trupa amerikane nga territori i saj, ndërsa NATO ka kërkuar sqarime shtesë nga Washingtoni lidhur me këtë veprim.

Në një deklaratë për agjencinë DPA, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se prania e forcave amerikane në Evropë – veçanërisht në Gjermani – mbetet në interes të ndërsjellë si për Berlinin ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, bëri të ditur se aleanca është duke punuar me SHBA-në për të kuptuar më mirë detajet e vendimit.

I pyetur për këtë çështje, Trump deklaroi se reduktimi i trupave do të jetë edhe më i thellë se sa 5.000, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendimi i Washingtonit vjen pas kritikave të Trump ndaj kancelarit gjerman, Friedrich Merz, lidhur me deklaratat e tij për rolin e SHBA-së në raport me Iranin.

Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 36.000 trupa të stacionuara në Gjermani – prania më e madhe në Evropë – krahasuar me rreth 12.000 në Itali dhe 10.000 në Mbretërinë e Bashkuar. Trump ka sugjeruar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së trupave edhe nga këto vende.

Ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvendosur fokusin ushtarak amerikan nga Evropa drejt rajonit Indo-Paqësor. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet brenda aleancës 32-anëtare të NATO-s se një reduktim i tillë mund të ndikojë në forcën dhe kohezionin e saj.

Continue Reading

Vendi

Dekani i Shkencave të Sportit në UBT, Agron Thaqi, pjesë e konferencës shkencore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Published

on

By

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit në UBT, Assoc. Prof. Dr. Agron Thaqi, po merr pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim me rektoren e universitetit, ku u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në të ardhmen, me fokus në projekte të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe organizimin e aktiviteteve shkencore.

Me këtë rast, u bë edhe një ftesë zyrtare për pjesëmarrje në konferencën vjetore të UBT-së, ndërsa u theksua bashkëpunimi ekzistues në kuadër të projektit ndërkombëtar SHAPE, ku të dy institucionet janë partnere.

Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike dhe avancimit të arsimit të lartë në nivel rajonal.

Continue Reading

Lajmet

Koalicionet parazgjedhore: afati deri më 7 maj

Published

on

By

Partitë politike në Kosovë duhet të deklarohen deri më 7 maj nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe nëse do të hyjnë në koalicione parazgjedhore.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 2 maj ka nisur edhe periudha për aplikimin për certifikimin e partive të reja, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për regjistrimin e partive të reja përfundon më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve mund të bëhet deri më 12 maj.

Deri tani, nuk ka indikacione se partitë e mëdha politike do të formojnë koalicione para zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 28 dhjetor, nga subjektet kryesore shqiptare vetëm Lëvizja Vetëvendosje kishte garuar në koalicion me parti më të vogla, përfshirë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.

Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi si planin e aktiviteteve ashtu edhe buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, i cili arrin në 10 milionë e 887 mijë euro.

Sipas këtij plani, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 07:00, kur edhe hapen vendvotimet.

Vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës pritet të merret më 5 maj, ndërsa më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

Procesi i votimit përmes postës do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Një ditë para zgjedhjeve do të organizohet edhe votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ndërkohë, periudha për regjistrimin e votuesve nga diaspora është caktuar nga 6 deri më 17 maj.

Më 21 maj, KQZ-ja do të bëjë certifikimin e listës së votuesve, si për ata brenda vendit ashtu edhe për votuesit jashtë Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara