Lajmet

​Kurti: Pas 10 vjet bllokimi, Kuvendi i Kosovës bëhet me rregullore të re shumë të avancuar

Ai ka adresuar edhe faktorët kryesorë që sipas tij, kanë penguar përfundimin e këtij procesi më parë.

Published

on

Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës ka hyrë në fuqi sot pasi është publikuar në Gazetën Zyrtare, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se me miratimin e Rregullores së re të Punës Kuvendi i Kosovës ka kaluar testin e demokracisë.

Ai ka thënë se Kuvendi po bëhet me rregullore të re shumë të avancuar.

Jam i lumtur që në mandatin tonë, pas 10 vjet bllokimi, Kuvendi po bëhet me Rregullore të re shumë më të avancuar. Më 28 korrik u votua me 81 vota PËR, andaj sot ajo hyn në fuqi meqë publikohet në Gazetën Zyrtare. Miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë. Procesi i rishikimit të Rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.

Ai ka thënë se miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Derisa ka shtuar se kjo ishte një përpjekje pothuajse 10 vjeçare, për të cilin punuan shumë deputetë, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për disa legjislatura me radhë.

Rregullorja e re adreson sfidat kryesore, të cilat e kanë përcjellë punën e Kuvendit që nga viti 2010, dhe ngërthen në vete praktika të reja dhe standarde të larta të demokracisë parlamentare. Nga adresimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me konstituimin dhe punën e Kuvendit, rritjen e efikasitetit të Kuvendit e trupave të tij, avancimin e mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare, forcimin e rolit të komisioneve parlamentare në mbikëqyrje, shqyrtimin e projektligjeve e miratimin e tyre, organizimin dhe funksionimin e grupeve vullnetare, përmirësimin e dukshëm të transparencës dhe llogaridhënies parlamentare, konsultime cilësore përmes dëgjimeve publike duke u kujdesur për një përfshirje sa më të gjerë të kategorive shoqërore në procesin e ligjbërjes, funksionimin e Kuvendit në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes emergjente, si edhe shumë çështje tjera që ndërlidhen me punën e Kuvendit”, ka thënë Kurti.

Ai ka adresuar edhe faktorët kryesorë që sipas tij, kanë penguar përfundimin e këtij procesi më parë.

Dy kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë penguar përfundimin e këtij procesi më parë: jostabiliteti institucional dhe mungesa e vullnetit politik të subjekteve politike në Kuvend. Kjo situatë për disa vite me radhë është vlerësuar një nga pikat e dobëta të Kuvendit nga raportet e BE-së për vendin dhe në vazhdimësi kërkohej që Kuvendi duhet të lëvizë në këtë drejtim. Në këtë mandat kishim edhe stabilitetin e nevojshëm institucional edhe vullnetin politik për të mundësuar miratimin e Rregullores. Miratimi i aktit më të rëndësishëm të vet Kuvendit, mundëson përmirësimin e punës së Kuvendit dhe avancimin më tutje të parimeve dhe standardeve demokratike të parlamentarizmit”, ka shtuar ai.

Është përkushtim i yni politik që në Kuvendin e Republikës, publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, ka përfunduar Kurti.

Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës u votua më 28 korrik, me 81 vota për.

Lajmet

Kapiteni i FSK-së përfundon kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane

Published

on

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.

Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.

Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.

Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapet mbi 41 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, vlera rreth 2 milionë euro

Published

on

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, ku janë sekuestruar mbi 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar të një kontejneri që kishte ardhur nga Brazili dhe që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule, policia zbuloi në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike.

Sasia totale e sekuestruar ishte 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 2 milionë euro.

Sipas Policisë së Shtetit, ky është rasti i tretë i goditur brenda një muaji në Portin e Durrësit lidhur me tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara