Lajmet

​Kurti: Nuk lejojmë destabilizimin e vendit, ndërkombëtarët të dënojnë dhunën në veri

Kreu qeveritar tha se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të lejojnë destabilizimin e rendit kushtetues dhe demokratik të Kosovës, pas siç e quajti agresionit të bandave kriminale në veri të vendit.

Ai tha se të njëjtat janë bërë kriminale dhe agresive si asnjëherë më parë, andaj i bëri thirrje gjitha kryeqendrave properëndimore dhe NATO-s të ta dënojnë dhunën e djeshme në veri.

Në konferencë për media të hënën, kryeministri Kurti, tha se pret që gjatë ditës të largohen nëntë barrikadat në veri, derisa, nënvizoi se shtyrja e dy vendimeve, për reciprocitet në dokumente dhe targa ilegale deri më 1 shtator do të bëhet kur të largohet edhe barrikada e fundit dhe të lejohet liria e lëvizjes.

Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallëherë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, pasi ato i mbështet i tërë aparati i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që të shpien atje. Në gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohen dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitet 90 ditorë. Deri në orën 12:00 sot, gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument në vendkalimet kufitare duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë. Qeveria e përsërit zotimin se në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë të datës 29 qershor 2022 për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej nëntë barrikada në veri të Ibrit, presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjë prej tyre. Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por bazë veprimeve individuale dhe grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin, pasi dhuna nuk do të tolerohet, dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës”, tha ai.

Për të dy vendimet, kreu qeveritar tha se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë, por tha se pjesa më e madhe zhvillimeve ka qenë e kushtëzuar nga veprimet kriminale dhe agresive të strukturave paralele në veri, andaj jo gjithçka kanë mundur të parashikojnë.

Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt me aleatët dhe partnerët tanë evropian dhe amerikan. Kam biseduar me shkëlqesitë e tyre zotëri, Josep Borrell dhe Jeffrey Hvenier, i falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën, porsi ne të tjerët kontribuoj shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë. Qeveria do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale RKS, pa taksë doganore, akcizë dhe TVSh. Si dhe sa i përket dokumentit për hyrje dalje në pikat kufitare me Serbinë për qytetarët që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoriteteve atje. E kuptojmë brengën e faktorëve amerikanë dhe evropianë për fushatën deziformuese mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej në veri. I falënderojë qytetarët për durimin qetësinë dhe përkrahjen, Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues dhe demokratik të Republikës sonë. Do të përkujdesemi që të mbizotërojë ligji dhe paqja. I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore dhe demokratike, BE-së dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri që qartazi janë të nxitura, përgatitura dhe financuara nga Beogradi”, shtoi Kurti.

Lidhur me takimin e mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, kryeministri Kurti tha se aktualisht s’kanë marrë asnjë ftesë zyrtare.

Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar që të shtyhet takimi për fund të muajt gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ka ndodhur dje. Ne është dashur të takohemi, e shtyu këtë takim për fundin e gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time se kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të shkojë në Bruksel, një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Kur ta kemi do të bëjmë publike edhe qëndrimin tonë. Në jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor të balancuar drejtë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bënë normalizimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, theksoi ai.

Në këtë konferencë për medie ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se nga zhvillimet e djeshme janë lënduar 11 qytetarë.

Ai bëri të ditur se disa nga barrikadat në veri janë larguar dhe një pjesë e tyre kanë filluar të largohen.

Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar dhe kanë marrë trajtimet e nevojshme. Ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve si dhe të policisë së Kosovës nga strukturat kriminale, ilegale të armatosura, për këtë Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet. Sipas informacioneve të fundit, disa barrikada tashmë janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera tashmë kanë filluar të largohen”, tha ai.

Vendi

Pas bastisjeve në ARBK, reagon Ministria: Hetimet lidhen me një rast të ndryshimit të pronësisë së një biznesi

Published

on

By

Pas aksionit të hershëm të Prokurorisë dhe Policisë në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke dhënë sqarime mbi natyrën e hetimeve.

Sipas Ministrisë, njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në ARBK në kuadër të një rasti që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi, pas vdekjes së pronarit të tij.

Ministria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një lëshim që ishte identifikuar më parë nga vetë stafi i tyre. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në sqarimin e MINT-it, duke shtuar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit.

Ky reagim vjen si pasojë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka bastisur objektet e ARBK-së nën dyshimet për vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, ku dyshohet se zyrtarët kanë manipuluar dokumentacionin zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve.

Në mbyllje të reagimit, Ministria ka siguruar qytetarët dhe bizneset se po punon me vëmendje të shtuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike. Ndërkohë, aksioni i Prokurorisë, i cili u realizua me urdhër të Gjykatës, është ende në zhvillim e sipër për grumbullimin e provave materiale që do të zbardhin plotësisht këtë rast.

 

Continue Reading

Botë

Izraeli vret ministrin e Inteligjencës së Iranit: Urdhër ushtrisë për eliminimin e çdo zyrtari të lartë

Published

on

By

Izraeli deklaroi të mërkurën se ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, në sulmin e dytë brenda dy ditëve ndaj një figure të lartë udhëheqëse, dhe ka autorizuar ushtrinë që të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që arrin të lokalizojë. Izraeli goditi gjithashtu Bejrutin qendror, duke shkatërruar ndërtesa banimi në disa prej sulmeve ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekadat e fundit – ky një front tjetër i Izraelit në luftën e nisur bashkë me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit.

Një ditë pas vrasjes së shefit të fuqishëm të sigurisë së Iranit, Ali Larijani – vrasja e nivelit më të lartë që nga ajo e liderit suprem në ditën e parë të luftës – Izraeli njoftoi se ka vrarë ministrin e Inteligjencës, Esmail Khatib.

“Askush në Iran nuk ka imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. “Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe unë kemi autorizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që të shënjestrojnë çdo zyrtar të lartë iranian për të cilin paraqitet një mundësi inteligjente dhe operacionale, pa pasur nevojë për miratim shtesë.”

Kjo duket të jetë hera e parë që Izraeli deklaron publikisht se do të lejojë ushtrinë të godasë zyrtarët armiq pa kërkuar leje të veçantë nga udhëheqësit politikë për misionet. Katz nuk tregoi se kur ishte dhënë ky urdhër.

Në Teheran, mijëra njerëz dolën në rrugë për funeralin e Larijanit dhe figurave të tjera të vrarë në sulmet amerikano-izraele. Turma valëviti flamuj iranianë dhe mbante portrete të zyrtarëve të vrarë, ndërsa këndoheshin vargje për dëshmorët.

Irani u hakmor për vrasjen e Larijanit duke lëshuar raketa me mbushje të shumëfishta drejt Izraelit, sulme këto që sipas autoriteteve izraelite vranë dy persona afër Tel Avivit. Teherani njoftoi se gjatë natës ka goditur Tel Avivin, Haifën dhe Beershebën në Izrael, si dhe bazat amerikane në Bahrein, Irak, Jordani, Kuvajt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se SHBA dhe Izraeli dështuan të kuptojnë se Republika Islamike është një sistem politik i fortë që nuk varet nga asnjë individ i vetëm. /Reuters/

Continue Reading

Vendi

Një muaj paraburgim për prindërit nga Lipjani që dyshohen për keqtrajtimin e fëmijës

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy prindërve me inicialet A.K. dhe V.P., të cilët dyshohen për keqtrajtimin e djalit të tyre pesëvjeçar.

Vendimi u mor nga Departamenti i Përgjithshëm pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, ku gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se caktimi i kësaj mase është i nevojshëm në këtë fazë të procesit.

Mbi të pandehurit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në publik për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën është gjetur i mituri.

Sipas raportimeve, fëmija është dërguar me urgjencë në Klinikën e Pediatrisë, ku aktualisht po trajtohet në repartin e Kujdesit Intensiv.

Mjekët kanë konstatuar se 5-vjeçari ka plagë të rënda në të dyja shputat e këmbëve, të cilat kanë pësuar ndryshime të theksuara gangrenoze, ndërsa dyshohet se i vogli ka vuajtur edhe nga kequshqyerja dhe ka vështirësi të theksuara në komunikim.

Pas arrestimit dhe ndalimit fillestar prej 48 orësh, dy prindërit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, periudhë gjatë së cilës do të vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme mbi rrethanat e këtij rasti të rëndë.

Sipas procedurave ligjore, palët e pakënaqura gëzojnë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të dorëzohet përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

 

Continue Reading

Lajmet

Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt mbi 5.7 milionë euro

Published

on

By

Nisja e punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë ka shënuar sot një hap të rëndësishëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.

Ky projekt modern, i cili kap vlerën e mbi 5.7 milionë eurove, parashikon ndërtimin e një palestre të re me standarde ndërkombëtare, si dhe një objekti multifunkional që do të ofrojë akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant për sportistët.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Sportit, Blerim Gashani dhe krerët e Federatës së Xhudos, e cilësoi këtë investim si një përgjigje ndaj rezultateve të jashtëzakonshme që ky sport i ka sjellë vendit ndër vite.

Hapësirat e reja pritet të shërbejnë edhe për garat e sporteve luftarake gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, duke e kthyer Pejën në një qendër rajonale të xhudos.

Përveç rëndësisë infrastrukturore, ky projekt u vlerësua lart edhe nga trajneri Driton Kuka, i cili u kërkoi xhudistëve që këtë mbështetje serioze të shtetit ta shpërblejnë me punë e rezultate të reja në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht, në këtë qendër po stërviten edhe sportistë nga Ukraina, gjë që dëshmon ndikimin e saj përtej kufijve të Kosovës.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës. Xhudoja është suksesi më i madh që kemi ndërtuar si shtet në sport,” deklaroi kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.

 

Continue Reading

Të kërkuara