Lajmet

​Kurti me video-mesazh për mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut: Regjistrohuni!

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit edhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje mërgatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut që të regjistrohen meqë regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave.

Kurti nëpërmjet një video-mesazhi ka kërkuar që secili qytetarë të regjistrohet duke theksuar se për të parën herë mërgata ka mundësi që procesin e regjistrimit ta realizojë nga vendi ku jeton.

“Në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë amvisërive dhe banesave, ai ka filluar me 3 mars dhe përfundon me 21 prill. Regjistrimi regjistrohet 20 vjet pas atij të vitit 2002 sepse ai i vitit 2011 u anulua për arsye ende të panjohura nga regjimi i atëhershëm i Gruevskit. Për herë të parë mërgata jonë ka mundësi që procesin e regjistrimit ta realizojë nga vendi ku jeton pa qenë e detyruar si deri më tani që të marrë gjithë atë rrugë dhe të vijë në vendlindje për të regjistruar. Të drejtë për t’u regjistruar ka secili qytetarë me nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe që është i pajisur me numrin personal që përndryshe quhet numri amëz. Numrin amëz mund të gjeni në certifikatën e lindjes, certifikatën e të kurorëzuarve, në letërnjoftim dhe pasaportë. Meqë edhe me kushtetutën aktuale të drejtat politike të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut diktohen dhe burojnë nga numrat regjistrimi i çdo qytetari është tejet i rëndësishëm”, thotë Kurti në një video-mesazh.

Kurti tutje ka thënë se do të vendosin qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje të mërgatës në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për t’iu asistuar në procesin e regjistrimit në internet.

“Shqiptarët janë një popull i lidhur për vendin, për truallin, për shtëpinë e për pronën e vet. Nga të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut remitancat e mërgatës arrijnë deri në 2 miliardë euro në vit. Ne dimë se pjesa dërmuese e këtyre parave vijnë nga mërgata shqiptare, përshkak të diskriminimit institucional dhe ekonomik që është ushtruar ndaj shqiptarëve atje. Lëvizja jonë fitoi me një pjesëmarrje të fuqishme dhe të mrekullueshme të mërgatës duhet të krijojmë të njëjtin entuziazëm. Ne do të vendosim qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje të mërgatës në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për t’iu asistuar në procesin e regjistrimit në internet”, tha ndër tjera Kurti.

Regjistrim i diasporës përmes aplikacionit online mund të bëhet deri më 21 prill. Regjistrimi i popullsisë brenda vendit pritet të nisë më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 21 prill.

Lajmet

Hapen punimet e Akademisë Verore të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT

Published

on

By

Në kuadër të festivalit me të madh të dijes, “Global UBT Fest 2026”, Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT ka hapur zyrtarisht punimet e Akademisë Verore me temë qendrore “NEO HABITAT: Rethinking Urban Space, Architecture & Heritage”.

Ky program synon ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikat bashkëkohore të arkitekturës, duke krijuar mundësi për zhvillim profesional dhe fuqizim të kompetencave të studentëve.

Ceremonia e hapjes u udhëhoq nga udhëheqësi i kësaj akademie, Prof. Kujtim Elezi, ndërsa me fjalë rasti pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Dekani i Fakultetit, Prof. Binak Beqaj.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës së sotme, Prof. Besa Jagxhiu mbajti një ligjëratë mbi trashëgiminë urbane dhe arkitektonike, duke trajtuar transformimin e saj në qytetin bashkëkohor. Po ashtu, Dr.  Aurora Saidi ligjëroi mbi mekanizmat perceptualë që ndërmjetësojnë përvojat urbane gjatë ndërveprimit të banorëve me ambientin e ndërtuar. Një kontribut të veçantë në ditën e parë dha edhe Prof. Nuran Saliu me ligjëratën e tij mbi dizajnin parametrik dhe optimizimin në Grasshopper, duke sjellë trendet më të reja nga gjeometria tek inteligjenca arkitektonike.

Në ditët në vazhdim, Akademia Verore do të zhvendosë fokusin tek puna praktike. Nga data 7 deri më 10 korrik, studentët do të angazhohen në punëtori (workshops) intensive 5-ditore të ndara në tri module: Trashëgimi Arkitektonike dhe Restaurim, Planifikim dhe Dizajn Urban, si dhe Arkitekturë dhe Efiçiencë. Ky edicion do të përmbyllor më 13 korrik me prezantimin e projekteve finale të realizuara nga vetë studentët.

/E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Dizajnimi i produkteve, modelimi 3D dhe simulimet inxhinierike në fokus të Akademisë Verore për Inxhinierinë e Mekatronikës në UBT

Published

on

By

Në kuadër të festivalit më të madh, Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT hapi zyrtarisht punimet e Akademisë Verore për Inxhinierinë e Dizajnit të Produkteve, e cila po zhvillohet në Qendrën UBT – Dukagjin në Prishtinë.

Ceremonia e hapjes u udhëhoq nga koordinatorja e programit të Akademisë Verore në Fakultetin e Inxhinierisë së Mekatronikës, Prof. Saranda Demolli, i cili theksoi rëndësinë e kësaj akademie në zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale të studentëve në fushën e projektimit dhe dizajnimit të produkteve moderne. Ai vlerësoi se kombinimi i njohurive teorike me aplikimet praktike përbën një element kyç në përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve, të gatshëm për sfidat e industrisë bashkëkohore.

Programi i akademisë nisi me ligjëratat e udhëhequra nga Ideal Rafuna, i cili prezantoi konceptet bazë të modelimit 2D dhe 3D, duke u fokusuar në përdorimin e metodave dhe mjeteve moderne të projektimit kompjuterik. Pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë ushtrime praktike në dizajnimin e pjesëve mekanike, duke fituar njohuri të vlefshme mbi procesin e krijimit dhe optimizimit të komponentëve inxhinierikë.

Në ditët në vijim, akademia do të vazhdojë me tema të avancuara që përfshijnë projektimin e komponentëve të dronëve, krijimin e bashkësive (assemblies), simulimet strukturore dhe animacionin e modeleve të projektuara. Përmes këtyre sesioneve, pjesëmarrësit do të njihen me procesin e plotë të zhvillimit të një produkti – nga konceptimi dhe modelimi digjital deri te analiza funksionale dhe vizualizimi i tij.

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me 2 vjet e 3 muaj burgim infermierja për sulm ndaj të moshuarës në Pejë

Published

on

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtore Aurona Pelaj për veprën penale “sulm”, lidhur me rastin e vitit 2022 në shtëpinë e kujdesit në Pejë, ku ajo ishte e angazhuar si infermiere.

Gjykata e ka dënuar të pandehurën me 2 vjet e tre muaj burgim për sulmin ndaj një të moshuare të diagnostikuar me Alzheimer, e cila ishte e vendosur në atë institucion për përkujdesje.

Sipas aktgjykimit, e pandehura ka përdorur forcë ndaj viktimës derisa ishte në detyrë, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur. Ajo, sipas gjykatës, e ka kapur të moshuarën për duar, ia ka kufizuar lëvizjet, e ka mbështetur për muri dhe e ka goditur disa herë me shuplaka në fytyrë.

Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 2 nëntori deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa tjetër e dënimit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata ka shqiptuar gjithashtu masën e ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për një periudhë pesëvjeçare, duke filluar nga momenti kur vendimi merr formë të prerë.

Ndërkohë, dy të akuzuara të tjera në këtë rast janë liruar nga akuza për bashkëkryerje.

Në momentin e shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarat nuk ishin të pranishme në sallën e gjykatës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zjarri masiv në Francë detyron evakuimin e rreth 10 mijë banorëve pranë kufirit me Spanjën

Published

on

Një zjarr i madh pyjor që po përhapet me shpejtësi në jugperëndim të Francës ka detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 10 mijë banorë nga 24 qytete dhe fshatra pranë kufirit me Spanjën.

Sipas autoriteteve franceze, flakët kanë përfshirë rreth 4.600 hektarë tokë në zonën kodrinore pranë maleve Pirenej, ndërsa erërat e forta pritet ta vështirësojnë edhe më shumë përpjekjen për shuarjen e zjarrit.

Prefekti lokal, Pierre Regnault de la Mothe, tha se situata mbetet shqetësuese, ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se kushtet janë përkeqësuar.

“Kushtet janë bërë edhe më të vështira. Sot beteja kundër zjarrit vazhdon”, tha ai për televizionin francez TF1.

Autoritetet theksojnë se valët e të nxehtit që kanë goditur Francën dhe pjesë të tjera të Evropës Perëndimore gjatë muajve maj dhe qershor kanë tharë sipërfaqe të mëdha toke, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve pyjore.

Ndërkohë, në anën spanjolle të kufirit, zjarri ka djegur rreth 2.200 hektarë, ku 97 për qind e sipërfaqes së prekur ndodhet në zonën e mbrojtur natyrore Les Gavarres.

Autoritetet katalanase kanë bërë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll dhe pritet të shuhet plotësisht gjatë kësaj jave.

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar edhe në provincën Castellon, në lindje të Spanjës, ku rreth 500 persona janë evakuuar pasi flakët përfshinë Parkun Natyror Sierra de Espadan, një zonë e njohur për pyjet e saj me lisa të tapës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara