Lajmet

​Kurti me qytetarët ukrainas shënojnë ditën e pavarësisë: Kosova është shtëpia juaj e dytë

Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosshmërinë por edhe unitetin e popullit ukrainas.

Published

on

Në ambientet e Ballkonit të Hapur të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë” (Journalists in Residence) të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, për të shënuar bashkarisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Sipas komunikatës për media, Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosshmërinë por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljes së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

Në adresimin e tij, Kurti tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajnë dhe interesave të përbashkëta.

Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, Kurti uroi gjithashtu që herën tjetër kur të mblidhen me qytetarët ukrainas të jetë festë për triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë që tha se “jemi krenarë që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë”.

Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësuesës së Qendrës Evropiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari.

Lajmet

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisin diskutimet për Qeverinë dhe Presidentin

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të respektohet nga të gjithë dhe vullneti i qytetarëve të përkthehet sa më shpejt në institucione funksionale e demokratike.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, Kurti theksoi se vota e qytetarëve ishte një mesazh i qartë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, duke shtuar se vetë rezultati i fundit e dëshmoi një gjë të tillë.

“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike për zhvillim e mirëqenie”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, hapat konkretë drejt formimit të strukturave të reja udhëheqëse do të nisin menjëherë pas përmbylljes së procesit zyrtar nga KQZ-ja.

“Porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve – konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit/es”, u shpreh ai.

Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me 7 deputetë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

U kap në Aeroportin e Prishtinës me pasaportë të falsifikuar, arrestohet shtetasi turk

Published

on

By

Një shtetas i Turqisë është arrestuar të martën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi ka tentuar të udhëtojë me dokumente të falsifikuara.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, kur i dyshuari ka prezantuar dokumentin e udhëtimit që dyshohet se ishte i falsifikuar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës dhe Pejës

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar katër raste të dhunës në familje, të cilat janë regjistruar në rajonin e Prishtinës dhe atë të Pejës.

Në njërin prej rasteve në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Edhe në rastin e dytë në kryeqytet, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka sulmuar një grua. Rasti është denoncuar nga vetë viktima, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Graçanicë është arrestuar një i dyshuar tjetër, i cili në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit është regjistruar në Pejë, ku i dyshuari, përveç se ka ushtruar dhunë në familje, ka kanosur viktimën (grua) si dhe ka dëmtuar një derë dhe një dritare të shtëpisë së saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Princi William bën thirrje për veprim më të madh kundër ndryshimeve klimatike

Published

on

Prince William ka marrë pjesë në një aktivitet në Londër kushtuar luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit, ku theksoi rëndësinë e veprimit për të “riparuar” planetin.

Ngjarja u mbajt në Guildhall të Londrës, ndërsa Princi William mbërriti me autobus elektrik, duke përcjellë një mesazh për transport më të qëndrueshëm dhe uljen e emetimeve.

Duke folur para të pranishmëve, përfshirë kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, ai vlerësoi ndikimin e iniciativës Earthshot Prize, duke thënë se zgjidhjet inovative për sfidat mjedisore e bëjnë më optimist se kurrë për të ardhmen.

Sipas tij, projektet e mbështetura nga Earthshot Prize kanë kontribuar në uljen e emetimeve me 18 milionë tonë, ekuivalente me largimin e rreth katër milionë veturave nga rrugët, si dhe në mbrojtjen dhe restaurimin e 85 milionë hektarëve tokë, pyje dhe lumenj.

Princi William tha se brezat e ardhshëm do të gjykojnë veprimet e sotme ndaj krizës klimatike, duke theksuar se sfida mbetet e madhe, por se ekzistojnë zgjidhje konkrete për ta përballuar atë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës së Veprimit për Klimën në Londër dhe mblodhi figura të njohura nga fusha e politikës, mjedisit dhe shoqërisë civile.

Burimi: BBC

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara