Lajmet

​Kurti: Jemi në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet

Shefi i ekzekutivit ngushëlloi familjen Ademaj për vdekjen tragjike të nënës dhe djalit pesëvjeçar nga Peja si shkak i përmbytjeve.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë në fazën e hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe u shpreh se do të pasohet edhe me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Në përballje me forcën e natyrës, shefi i ekzekutivit theksoi se infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Në adresimin e tij para fillimit të mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se po lobojnë për të siguruar që Kosova të ketë qasje në fonde, meqë vlerësohet se i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliardë euro në infrastrukturë.

Shefi i ekzekutivit ngushëlloi familjen Ademaj për vdekjen tragjike të nënës dhe djalit pesëvjeçar nga Peja si shkak i përmbytjeve.

“Lajmi i kobshëm jehon edhe sot, dhimbja për ta është po aq e madhe sa edhe para pesë ditëve. Andaj, edhe një herë nga kjo sallë dhe në emër të të gjithë kabinetit qeveritar, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Mirsada Hoxhiq Ademaj dhe djalit të saj pesëvjeçar, Dionit”, u shpreh Kurti.

Para kabinetit qeveritar, Kurti shtoi se vërshimet të shtunën në Pejë erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Atë ditë brenda vetëm diç më shumë se një ore, ranë gati 55 milimetra shi. Sasi kjo krejt e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të pa precedentë dhe drejtpërdrejt për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave me zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të bio-diversitetit. Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Në krahasim me nivelet e zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1,2 gradë celsius”, tha Kurti.

Sipas tij, përmbytjet e tipit 100-vjeçar që mund të përsëriten çdo 100 vjet, mund të shkaktojnë dëme me 3 për qind të bruto produktit vendor.

“Në rast të rritjes së frekuencës dhe intensitetit të përmbytjes, si rezultat i ndryshimeve klimatike një këso përmbytje e tipit 100 vjeçar, në të ardhmen mund të shkaktojë dëme nga 300 deri në 700 milionë euro. Në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta. Rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre. Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet e që do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cili vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke e marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve, gjatë projektimit të infrastrukturës”, shtoi Kurti.

Po ashtu, kryeministri Kurti deklaroi se po lobojnë për të siguruar qasje të drejtpërdrejt në fonde.

“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejt në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliard euro në infrastrukturë, për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, vijoi shefi i ekzekutivit.

Një grua 26-vjeçare dhe djali saj 5-vjeçar kanë vdekur të shtunën (24 qershor) në Pejë si pasojë e vërshimeve.

Lajmet

Oda Ekonomike Amerikane: Gazi amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Published

on

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Odës, një orientim i tillë do të kontribuonte në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, por edhe në thellimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në.

Në reagim theksohet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet me linjit dhe në importin e energjisë elektrike, çka sipas tyre paraqet barrë për ekonominë dhe rrit ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të tregut.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe integrimi në rrjetet rajonale të LNG-së do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e kostove të importit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.

Po ashtu, theksohet se vendet e rajonit tashmë po pozicionohen në korridoret e reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve nëse nuk vepron me kohë.

Në fund, Oda Amerikane i bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit në infrastrukturën rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të rrisë cenueshmërinë energjetike të vendit.

Continue Reading

Lajmet

“Dardanet” luajnë sot ndaj Kroacisë në “Fadil Vokrri”

Published

on

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të femrave, “Dardanet”, do të zhvillojnë sot ndeshje miqësore ndaj Kroacisë.

Takimi nis nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë atmosferë sportive në kryeqytet.

Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport, ndërsa hyrja në stadium është falas.

Organizatorët kanë bërë thirrje për mbështetje nga tifozët, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së përfaqësueses së Kosovës në futboll të femrave.

Continue Reading

Lajmet

GAP: Rritje 19% e të hyrave të komunave nga tatimi në pronë në vitin 2025

Published

on

Instituti GAP ka publikuar të dhëna lidhur me të hyrat e komunave nga tatimi në pronë, duke bërë të ditur se ato kanë shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë.

Sipas GAP-it, të hyrat totale të komunave nga tatimi në pronë janë rritur për 19 për qind në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 39.1 milionë euro.

“Të hyrat totale të komunave nga tatimi në pronë janë rritur për 19% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 39.1 milionë €”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të publikuara, komunat me rritjen më të madhe përqindore gjatë vitit 2025 janë Podujeva, Suhareka, Viti, Istogu dhe Gjilani.

Ndërkohë, rëniet më të theksuara janë shënuar në komunat Deçan, Kaçanik, Mamusha dhe Partesh.

GAP po ashtu thekson se në periudhën 2022–2025, disa komuna kanë shënuar luhatje në inkasimin e tatimit në pronë, ndërsa të tjera kanë arritur ta dyfishojnë këtë kategori të të hyrave brenda kësaj periudhe.

Continue Reading

Lajmet

Rama në CNN: Nuk ka projekt për Zvërnecin, debat i ashpër me gazetaren gjatë intervistës

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për CNN International është pyetur për çështjen e investimit të planifikuar në Zvërnec.

Gjatë bisedës, Rama përsëriti se për momentin nuk ekziston asnjë projekt konkret për zonën e Zvërnecit, duke theksuar se çështja është sqaruar edhe më herët. Intervista u shoqërua me replika mes tij dhe gazetares, ku në një moment diskutimi u tensionua.

Gazetarja i tha Ramës se “nuk është nevoja të jesh i parespektueshëm”, pasi ai reagoi me tone më të ashpra gjatë debatit.

Kryeministri insistoi se hetimet e përmendura nuk lidhen me korrupsion, por kanë të bëjnë me verifikimin e pronësisë së tokave në atë zonë.

Në një moment të debatit u zhvillua edhe ky shkëmbim:

Rama: Doni të më dëgjoni apo doni vetëm të flisni?
Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, por po përpiqem të sqaroj për shikuesit tanë. Ju po na akuzoni për lajme të rreme dhe po përpiqem të kuptoj nëse projekti vazhdon apo është ndalur…
Rama: Përsëri, ju nuk doni të dëgjoni. Është shumë e qartë për mua. Nuk po ju sulmoj. Po ju them të vërtetën. Dhe derisa të më tregoni projektin, duhet të më dëgjoni, sepse nuk ka projekt.

Continue Reading

Të kërkuara