Lajmet

​Kurti i përgjigjet negativisht Vuçiqit për këmbimin e linjitit me energji elektrike

Kurti tha se kjo është një përpjekje e tij që nga projekti i shkëmbimit të territorit të kalojë në shkëmbimin e qymyrit.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”. Ai ka thënë se s’ka “Ballkan të Hapur”, pa trajtim të barabartë dhe pa qenë gjashtë vendet e rajonit. Madje, sipas tij, ky ka qenë edhe mesazhi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë iu përgjigj negativisht presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për këmbim të energjisë elektrike me linjit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë shumë qartë se pa qenë gjashtë shtetet aty, nuk ka themelim të ashtuquajturit “Ballkan të Hapur”. Ballkani është i hapur ndaj Bashkimit Evropian, duhet të jetë plotësisht i hapur edhe ndaj NATO-s, pasi nuk është i hapur ndaj NATO-s për shkak të qëndrimit të fqinjit tonë verior dhe Republikës serbe në Bosnje, të cilët po e mbështesin Kremlinin në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës”, tha ai.

Duke komentuar vizitën e nesërme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë, kreu qeveritar tha se pret një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën, meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar”, shtoi Kurti.

I pyetur për ofertën e Vuçiqit për këmbimin e linjitit me energji elektrike serbe, Kurti tha se kjo është një përpjekje e tij që nga projekti i shkëmbimit të territorit të kalojë në shkëmbimin e qymyrit.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve, në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës, po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që të njoh pavarësinë e Kosovës, t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet nga presidenti despotik, Putin, përveçse nga Millosheviqi, ministër i të cilit ka qenë atëherë”, theksoi Kurti.

Pas dorëzimit të disa medaljeve të njësive speciale të EULEX-it, kryeministri Kurti foli edhe për protestën e veteranëve dhe rritjen e pagës minimale. Ai tha se fillimisht duhet pastrim i listave të veteranëve dhe pastaj rritje të pensioneve të tyre.

“Dëshiroj të ketë vlerësim më meritor dhe dinjitetshëm për të gjithë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata meritojnë edhe më shumë se paga minimale, por ajo nuk mund të jetë pagë, pasi e njëjta jepet për punë. Ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune, por për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material, veçse nuk duhet të mashtrojmë as vetën dhe gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë, gati në trefishim. Prandaj është e domosdoshme që të kemi pikënisje të vërtetën, pastaj të kemi vlerësimin e duhur. Ne kemi trashëguar një gjendje ku janë fryrë padrejtësisht, gabimisht dhe dëmshëm listat me veteranë të luftës çlirimtare. Unë kam respekt të pafund për gjithë veteranët e UÇK-së dhe e kuptoj se edhe ata që janë regjistruar si veteranë, kur iu është ofruar pa qenë të tillë e kanë bërë këtë, ndoshta edhe nga halli, por rrëfimi për luftën çlirimtare nuk guxon të dëmtohet përmes listave të fryra”, tha ai.

Derisa edhe sqaroi se a është veteran i vërtet i UÇK-së, pas akuzave të opozitës se ai është veteran i rrejshëm.

“Unë kam punuar në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së, zotëri Adem Demaçit. Të gjithëve neve që kemi punuar aty, kolektivisht u patëm regjistruar dhe me këtë rast, dua të theksoj se as kompensimin si ish i burgosur politik dhe as këtë për kontributin në luftën çlirimtar nuk e kam pasur dhe nuk e kam ndërmend t’i marrë”, theksoi Kurti. 

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash./REL/

D.L

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara