Lajmet

​Kryetari i Mitrovicës Veriore betohet të premten, ende nuk dihet për të tjerët

Ata kanë thënë se nuk e dinë datën e saktë kur do të betohen.

Published

on

Derisa është paralajmëruar për të premten se do të betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në objektin e Komunës në veri të Mitrovicës, kryetarët e tri komunave tjera veriore të vendit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ende nuk e dinë ku dhe kur do të organizohen seancat për betimin e tyre.

Të kontaktuar përmes telefonit, ata kanë thënë se nuk e dinë datën e saktë kur do të betohen.

Kryetarët e rinj kanë thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe se po presin një përgjigje nga kjo Ministri rreth kësaj çështjeje.

Lidhur me kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të vendit ka folur edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se do të organizohet ceremoni e betimit në secilën komunë, duke mos precizuar data.

Sipas tij, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në Ministri se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit.

“Kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL se të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit në mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”, ka thënë Krasniqi.

Duke folur për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj shqiptarë nuk duhet të jetë arsye për tensione në atë pjesë.

“Nuk ka asnjë arsye që të ketë tensione në veri. Unë ftoj të gjithë qytetrarët të cilët jetojnë në këto komuna që të mos bien pre e propagandës. Këta kryetarë do të jenë aty për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë së tyre dhe do të punojnë me institucionet qendrore. I ftoj që most ë zgjedhin dhunën dhe tensionet si mjet. Ne si institucione jemi këtu për të gjithë qytetarët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët dhe të gjitha komunitetet tjera jo shumicë. Duhet të punojmë së bashku që qytetarët të mbrohen nga strukturat ilegale të cilat po shkaktojnë dhunë dhe frikë. Institucionet e Kosovës janë aty për ti mbrojtur qytetarët dhe jo për ta bërë të kundërtën”, theksoi Osmani.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok, fitues dolën Erden Atiq (VV), Lulzim Hetemi (VV), Ilir Peci (PDK) dhe Izmir Zeqiri (PDK).

Ndryshe, për dallim nga herët e kaluara, e veçanta në këto zgjedhje ishte se ato u mbajtën për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive serbe, përveç një kandidateje të pavarur, si dhe përveçse në disa shkolla, ato u organizuan në kontejnerë.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet, ndërsa më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e komunave veriore nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e automjeteve të tyre të lëshuara nga Serbia, me ato të Republikës së Kosovës.

Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti.

Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Grupe të serbëve lokalë sulmuan më 6 dhjetor zyrtarët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët po përgatisnin mbajtjen e zgjedhjeve.

Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm kundër zyrtarëve zgjedhorë. Ato u hoqën pas disa javësh, përkatësisht pasi Pantiqit iu ndryshua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Kjo situatë e krijuar, bëri që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të caktojë 23 prillin datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat veriore të Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndërkohë arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë automjete me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PR, PZ dhe të ngjajshme. 

Botë

Sulm me armë në Seattle: Dy të vrarë dhe pesë të plagosur

Published

on

Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë zjarri në zonën e Seattle Center, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Seattle, dy viktimat u shpallën të vdekur në vendngjarje, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Mes të plagosurve është edhe një djalë 2-vjeçar, i cili u transportua në spital në gjendje të qëndrueshme. Një grua 56-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim mjekësor.

Autoritetet bënë të ditur se në vendngjarje u trajtuan edhe:

Një grua 39-vjeçare, në gjendje të qëndrueshme, e dërguar në spital.

Një burrë 23-vjeçar, në gjendje të qëndrueshme, i transportuar në spital.

Një grua 40-vjeçare me lëndime të lehta, e cila refuzoi të dërgohej në spital.

Policia e Seattle vazhdon hetimet dhe deri më tani nuk ka publikuar detaje mbi motivin e sulmit apo identitetin e personit të dyshuar.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Seattle, Katie Wilson, përditësoi deklaratën e saj fillestare, duke konfirmuar se një i dyshuar është arrestuar. Më herët ajo kishte deklaruar gabimisht se ishin ndaluar dy persona.

“Dua të falënderoj oficerët e Policisë së Seattle, të cilët reaguan menjëherë në vendngjarje dhe arrestuan një të dyshuar”, thuhet në deklaratën e saj të përditësuar.

Autoritetet pritet të japin më shumë informacione ndërsa hetimet mbi ngjarjen vijojnë/BBC/A.K/

Continue Reading

Vendi

Moti sot

Published

on

Moti sot në Kosovë parashihet të jetë me diell e vranësira të cilat gjatë ditës do të zhvillohen lokalisht duke sjellë mundësi për reshje shiu e shkarkime rrufesh.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në disa vende mund të ketë edhe breshër.
Temperaturat minimale do të sillen mes 13-15 gradë celsius, e maksimalet mes 26-30 gradë.

“Era do të fryjë nga drejtimet veriperëndimore dhe veriore, me shpejtësi mesatare 1–8 m/s, ndërsa gjatë zhvillimit të vranësirave konvektive mund të ketë fuqizime të përkohshme”, ka njoftuar IHMK.

Continue Reading

Lajmet

Ministri francez sot në Kosovë, takohet me Konjufcën

Published

on

Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Takimi mes dy ministrave është paraparë të mbahet në orën 09:00.

Pas takimit dypalësh, Konjufca dhe Haddad, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Në përfundim të aktiviteteve, ministrat Konjufca dhe Haddad do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për media.

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj i uroi mirëseardhje ministrit francez në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Zulfaj theksoi se Kosova shpreh solidaritet me Francën, e cila po përballet me zjarre të mëdha pranë Bordosë, duke nënvizuar se të dy vendet janë aleatë dhe duke i uruar Haddadit një vizitë të suksesshme dhe produktive.

“Mirë se vini në Republikën e Kosovës, ministër Benjamin Haddad! Është kënaqësi t’ju mirëpresim në vizitën tuaj të parë zyrtare. Kosova qëndron në solidaritet me Francën, teksa ajo po përballet me zjarret e tmerrshme pranë Bordosë”, ka shkruar Zulfaj në “X”. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Institutin Politeknik të Tomarit në kuadër të programit Erasmus+

Published

on

By

Në kuadër të strategjisë së UBT-së për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe zgjerimin e partneriteteve strategjike me institucionet prestigjioze evropiane, një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe i përbërë nga Prof. Dr. Artan Tahiri, Drejtoresha Fisnete Hajrizi, Zëvendësdrejtoresha e UBT International Smart Schools, Shqipe Agushi dhe Drejtor i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Institutin Politeknik të Tomarit (Instituto Politécnico de Tomar), në Portugali, në kuadër të programit Erasmus+.

Delegacioni u mirëprit nga Presidenti i Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, me të cilin zhvilloi një takim të nivelit të lartë, si dhe realizoi takime pune me nënpresidentët Prof. Natércia Santos dhe Prof. Célio Gonçalo Marques, prorektorët, dekanët, drejtuesen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar MSc. Maria Catroga dhe përfaqësuesit e qendrave të hulumtimit dhe inovacionit.

Gjatë takimeve, palët diskutuan mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe diplomave të dyfishta, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, pjesëmarrjen në projekte dhe iniciativa ndërkombëtare, si dhe angazhimin aktiv në kuadër të Aleancës Evropiane të Universiteteve KreativEU. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojave në zhvillimin e metodologjive inovative të mësimdhënies, transformimit digjital të arsimit, hulumtimit shkencor dhe inovacionit.

Gjatë vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi para drejtuesve të institucionit partner rrugëtimin 25-vjeçar të UBT-së, duke theksuar zhvillimin e tij si një nga institucionet lider të arsimit të lartë në rajon. Ai prezantoi modelin unik UBT Smart City, i cili integron arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen në një ekosistem modern universitar, si dhe Qendrën e Ekselencës për Edukim, e cila promovon praktika bashkëkohore të mësimdhënies, zhvillimit profesional dhe kërkimit shkencor.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Institutit Politeknik të Tomarit prezantuan organizimin akademik të institucionit, kapacitetet kërkimore, laboratorët modernë dhe projektet që zhvillohen në bashkëpunim me partnerë evropianë, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit me UBT-në në fusha me interes të përbashkët.

Delegacioni i UBT-së pati gjithashtu mundësinë të vizitojë infrastrukturën moderne të institucionit, laboratorët, qendrat e hulumtimit dhe inovacionit, si dhe të njihet nga afër me praktikat më të mira që aplikohen në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe transferimit të njohurive.

Në kuadër të programit të vizitës, delegacioni vizitoi edhe disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Portugalisë, përfshirë Convento de Cristo në Tomar, monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe qytetin historik universitar të Coimbra-s, i njohur për traditën e tij shekullore akademike dhe vlerat e jashtëzakonshme kulturore.

Në përfundim të vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i adresoi një ftesë zyrtare Presidentit të Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, dhe bashkëpunëtorëve të tij për të zhvilluar një vizitë kthyese në Kosovë, gjatë organizimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve ndërkombëtare akademike që UBT do të organizojë gjatë këtij viti. Vizita pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit të iniciativave të përbashkëta dhe zgjerimit të bashkëpunimit në arsim, hulumtim, inovacion dhe zhvillim ndërkombëtar.

Kjo vizitë konfirmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar dhe fuqizuar partneritete të qëndrueshme me institucione prestigjioze evropiane, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor, si dhe duke forcuar më tej pozicionin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Continue Reading

Të kërkuara