Lajmet

​Kryesisë së Kuvendit i kërkohet që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë benefitet e deputetëve

Kompensimi i shpenzimeve të derivateve për të zgjedhurit e popullit po konsiderohet i paarsyeshëm.

Published

on

Pas raportimeve për shpenzimet e deputetëve për derivate, Kryesisë së Kuvendit po i kërkohet që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë vendimin për përfitimet e parlamentarëve. Kompensimi i shpenzimeve të derivateve për të zgjedhurit e popullit po konsiderohet i paarsyeshëm, madje në shpërputhje me punën joefikase të tyre në legjislativ.

Monitoruesi i Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga KDI thotë se deputetët kompensohen katër herë për punën që e kryejnë. Sipas tij, të njëjtit, krahas pagës bazë, marrin mëditje për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare, kompensohen për derivate, për shujta ushqimore si dhe mbushje telefonike. Këtë e konsideron jonormale, derisa Kuvendi nuk përmbush agjendën legjislative dhe çalon në mbikëqyrje parlamentare.

“Qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kurdo që e njëjta do të mbahet gjatë javës së ardhshme, të merret vendimi për të shfuqizuar vendimin e vitit 2011 që përcakton këto beneficione. Nëse veçse ka interes që të vazhdohet me subvencionim të tyre të paktën të ketë mekanizma më të rreptë të kontrollit. Ajo çka kemi parë, deputetët edhe mund të vijnë në seancë dhe të nënshkruhen, por pastaj dalin. Ata në këtë formë përveçse marrin mëditje për pjesëmarrje, ata kompensohen edhe për transportin dhe shpenzime të tjera që mund të kenë gjatë ditës”, thotë ai.

Ai e sheh joserioz edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizës Vetëvendosje se tani e tutje do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.

Cakolli thotë se po të kishte pasur interes që këto mjete financiare të kthehen, nuk do të ishin marrë fare.

“Po të kishte pasur interes që të kthehen këto mjete që janë marrë nga ana e deputetëve, nuk ishin marrë në radhë të parë fare. Duke marrë parasysh performancën e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij dhe duke përfshirë një pjesë të madhe të deputetëve që ishin pjesë e këtyre listave të pagesave, ato janë krejtësisht të paarsyeshme. Pasi nga qindra, mijëra euro që kanë marrë deputetët për të kompensuar derivatet e tyre, nuk është përkthyer në punë në Kuvend. Shumica e pikave të rendit të ditës, qofshin më mbledhje të Kuvendit apo komisione parlamentare kanë dështuar pikërisht në mungesë të kuorumit. Zakonisht ka pasur një numër të madh të deputetëve, duke përfshirë edhe ata që ishin pjesë e këtyre listave që nuk kanë marrë fare pjesë në seanca. Kjo përbënë përveç papërgjegjësisë edhe keqpërdorim të parasë publike. Nuk është normale që dikush të paguhet aq shumë dhe mjete t’i dedikohen për të kryer një punë që është i obliguar edhe në bazë të Kushtetutës. Po të kishim mbase një performancë më të mirë të deputetëve nuk do të ishte aq problematike kjo çështje. Por kur shihet se Kuvendi çalon si në përmbushje të agjendës legjislative, nuk ka mbikëqyrje efektive parlamentare dhe gjitha të tjerat dhe krahasohen me shpenzimet që deputetët i kushtojnë buxhetit të vetit, atëherë kjo e bënë situatën të papranueshme”, deklaron ai.

Cakolli thotë se duhet adresuar masa disiplinore për të gjithë deputetët që kanë inskenuar vendbanime për të shfrytëzuar të drejtën për kompensimin e derivateve.

“Përtej përgjegjësisë së tyre morale do të duhej të kishte edhe masa disiplinore. Është e papranueshme që dikush që mëton të përfaqësojë interesin qytetar në Kuvend të bëjë apo inskenojë vendbanime. Kjo e cenon drejtpërdrejt edhe rolin e tij si përfaqësues por edhe e minon besimin e publikut në vet institucionin e Kuvendit… Subvencionimi në masë të tillë qoftë i pagës bazë, kompensimi për pjesëmarrje në seanca, kompensimi për derivate, kompensimi për shujta ditore dhe shumë të tjera e bëjnë deputetin të marrë mjaft shumë të holla që janë në shpërputhje të plotë me punën që e kryejnë në funksion të Kuvendit, si në miratim të ligjeve ashtu edhe mbikëqyrje parlamentare”, shton ai.

Sipas tij, zgjidhja ideale për çështjen e benefiteve të deputetëve është përmes ndryshimit të rregullores.

“Po të shkohej me ndryshim të rregullores dhe futje së dispozitave do të ishte ideale. Por rregullorja e Kuvendit tash e sa vite është në procedura të shqyrtimit dhe ende nuk dihet nëse është arritur dakordim i plotë për të kaluar atë. Pasi nevojiten dy të tretat”, përfundon ai për KosovaPress.

Krahas këtyre, Cakolli thotë se paga bazë e deputetit, por edhe beneficionet e tjera arrijnë dhjetëfishin e pagës mesatare në Kosovë.

Vendi

Funksionalizohet Gjykata Administrative

Published

on

By

Sot është bërë funksionalizimi i Gjykatës Administrative, institucioni i parë i specializuar në Kosovë për trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës në sektorin publik.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, u shpreh se kjo gjykatë është një mekanizëm i ri i shtetit ligjor që do të rrisë profesionalizmin dhe llogaridhënien në administratën publike. Edhe pse fillon punën me një barrë prej mbi 10 mijë lëndësh të bartura, Gërvalla theksoi se specializimi i kësaj gjykate do të sjellë efikasitet dhe vendime më të shpejta për qytetarët.

“Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në vendin tonë, e cila do ta trajtojë konfliktin administrativ dhe kontestet e punës në sektorin publik. Kjo do të thotë se qytetari, zyrtari publik dhe institucioni do të kenë një adresë të qartë, më profesionale dhe më të specializuar për çështjet që lidhen me administratën publike”, është shprehur ministrja Gervalla

Nga sot, qytetarët dhe zyrtarët publikë do të kenë një adresë të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në raport me vendimet e institucioneve shtetërore.

 

Continue Reading

Lajmet

Shmanget shtrenjtimi i energjisë, ZRRE shpërndan kostot në dy vite

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar të hyrat maksimale për operatorët e sistemit energjetik (KOSTT, KEDS dhe KESCO), duke shmangur kështu rritjen e tarifave të rrymës për qytetarët.

Në mbledhjen e fundit, ZRRE-ja caktoi të hyrat për KEDS-in në vlerë prej rreth 186 milionë eurosh, shifër kjo 21 për qind më e ulët se ajo që kishte kërkuar vetë kompania. Ndërkaq, për furnizuesin KESCO janë aprovuar mbi 442 milionë euro.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, sqaroi se kostot nuk janë reduktuar, por janë shpërndarë në një periudhë dyvjeçare.

Ky veprim strategjik është bërë me qëllim që të ruhet siguria e furnizimit dhe të evitohet barra financiare për konsumatorët gjatë këtij viti.

 

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e UBT-së, Jeta Kiseri-Kubati bashkëautore në publikim shkencor në Dentistry Journal Q1 me Impact Factor 3.3

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë pozicionin e tij si institucion lider në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor ndërkombëtar, përmes një tjetër suksesi të jashtëzakonshëm akademik. Profesoresha Jeta Kiseri-Kubati ka shënuar një arritje të rëndësishme profesionale dhe shkencore, duke qenë bashkëautore në një hulumtim ndërkombëtar të publikuar në Dentistry Journal, një nga revistat prestigjioze shkencore të kategorisë Q1 (Quartile 1), me Impact Factor 3.3.

Punimi shkencor me titull “LOESS-Based Cephalometric Growth Curves for Clinical Assessment of Craniofacial Development: A Cross-Sectional Study” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e stomatologjisë, ortodoncisë dhe zhvillimit kraniofacial, duke sjellë një qasje inovative për vlerësimin klinik të rritjes dhe zhvillimit të strukturave kraniofaciale.

Ky studim ndërkombëtar përfshiu një mostër të gjerë prej 1,147 pacientësh të moshës 5 deri në 20 vjeç, duke përdorur metodologjinë e avancuar statistikore LOESS (Locally Estimated Scatterplot Smoothing) për të krijuar kurba të detajuara të rritjes cefalometrike, të cilat mund të përdoren si një mjet intuitiv dhe praktik për identifikimin e devijimeve në zhvillimin kraniofacial.

Hulumtimi ka rëndësi të veçantë për praktikën klinike, pasi ofron:

  • vlerësim më të saktë të modeleve të rritjes kraniofaciale,
  • identifikim më të hershëm të anomalive zhvillimore,
  • përmirësim të planifikimit ortodontik dhe trajtimeve klinike,
  • mbështetje për vendimmarrje më të avancuar në trajtimin e pacientëve.

Publikimi në një revistë të rangut Q1 është një dëshmi e cilësisë së lartë shkencore, relevancës ndërkombëtare dhe standardeve akademike që UBT promovon vazhdimisht përmes stafit të tij.

Continue Reading

Lajmet

Kaq kushton nafta sot në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka caktuar çmimet tavan për shitjen e derivateve për 24 orët e ardhshme.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i lejuar për naftë është 1.68 euro për litër, për benzinë 1.49 euro, ndërsa për gaz 0.82 cent.

Kjo rritje e çmimeve vjen si pasojë e tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme dhe pasigurisë në tregjet globale.

Edhe pse javë më parë u shënua një rënie e lehtë, situata gjeopolitike mes SHBA-së dhe Iranit ka bërë që çmimet e naftës të shënojnë përsëri trend rritës.

 

Continue Reading

Të kërkuara