Lajmet

​Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot takohen në Bruksel

Ky takim është konsideruar urgjent.

Published

on

Sot (e mërkurë) në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Burime të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent. Takimi do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

“Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë ‘le ta kemi një darkordim për targat’. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, “korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”.

“Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë, dhe unë si kryeministër i Kosovës, të flasim e të dakordohemi veçse për targat, për të cilat, dorën në zemër, as ai në Serbi, as unë në Kosovë, nuk jemi personat në kompetentë”.

Më 21 nëntor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet. Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi.”

Lajmet

Tre persona arrestohen në Prishtinë për fajde dhe kanosje

Published

on

Tre persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Kanosje”.

Sipas Policisë së Kosovës, hetimet lidhen me periudhën 2021–2026, ndërsa arrestimi i të dyshuarve është bërë më 23 shtator 2026.

Gjatë kontrolleve në dy lokacione, policia ka sekuestruar tre telefona celularë dhe prova të tjera materiale që do të përdoren në procedurën penale.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

26 vjet nga vdekja e Adem Kastratit, piktorit që e ktheu jetën shqiptare në art

Published

on

Piktori shqiptar Adem Kastrati u lind më 15 janar 1933 në Karaçevë të Dardanës, në një familje të njohur për veprimtarinë patriotike dhe arsimdashëse. Ai ishte piktor, pedagog i artit figurativ, krijues letrar, mbledhës dhe studiues i folklorit, ndërsa veprimtaria e tij përfshiu edhe analizën e marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe zhvillimeve shoqërore e historike.

Kastrati i përket gjeneratës së parë të piktorëve shqiptarë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Përvojat e kohës në të cilën u rrit dhe u formua si artist lanë gjurmë të dukshme në krijimtarinë e tij.

Ai jetoi në periudha të ndryshme historike dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Katër herë ndryshoi shtetësinë, duke jetuar në Mbretërinë e Jugosllavisë, Mbretërinë Shqiptare, Jugosllavinë socialiste dhe më pas në Republikën e Maqedonisë.

Në qendër të veprave të tij ishte njeriu i zakonshëm dhe jeta e përditshme shqiptare. Familja, nëna, gruaja, fshati, puna, toka, dasmat, traditat dhe folklori u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij.

Një vend të veçantë në pikturat e Kastratit zë figura e nënës. Ai e paraqiste atë si shtyllë të familjes dhe si figurë që përcillte dashurinë, kujdesin dhe vazhdimësinë e jetës. Edhe burrat dhe gratë në veprat e tij paraqiten përmes roleve të tyre në familje, punë, valle dhe jetën e komunitetit.

Kastrati u dallua edhe për teknikën e veçantë të përdorimit të dheut shumëngjyrësh, përmes së cilës krijoi një stil karakteristik. Në veprat e tij ndërthuren ngjyrat, teksturat dhe motivet tradicionale, duke krijuar një gjuhë të veçantë artistike.

Krijimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në paraqitjen e jetës së përditshme. Pikturat e Kastratit shpesh shërbyen edhe si dëshmi të ngjarjeve shoqërore dhe historike. Ai trajtoi shpërnguljet e shqiptarëve, varfërinë, ndarjet familjare dhe ngjarjet që prekën shqiptarët gjatë shekullit XX.

Në veprat e tij të mëvonshme trajtohen edhe temat që lidhen me tragjedinë e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998–1999.

Ndër veprat e njohura të tij janë “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Mikpritja”, “Darka” dhe “Dasmorët”. Ai trajtoi gjithashtu motive nga legjendat popullore, si “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër” dhe “Krushqit e ngurosur”.

Përveç pikturës, Kastrati kishte një veprimtari të gjerë në mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit dhe etnografisë shqiptare. Ai bashkëpunoi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe dokumentoi këngë, valle, veshje, zakone dhe tradita të ndryshme shqiptare.

Ai ishte gjithashtu autor i dramave, tregimeve dhe shkrimeve publicistike, disa prej të cilave i botoi me pseudonimin R. Kosova.

Interesi për artin te Kastrati ishte shfaqur që në fëmijëri. Ai kujtonte se si përdorte baltën shumëngjyrëshe të vendlindjes për të krijuar figura njerëzish dhe kafshësh dhe për të vizatuar mbi pllaka balte. Talenti i tij u vu re edhe gjatë shkollimit, ku mësuesit e vlerësuan për aftësitë në vizatim.

Gjatë karrierës së tij, Kastrati ekspozoi në galeri të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kritika artistike vlerësoi origjinalitetin e stilit të tij, përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën se si ai e ndërthurte artin me jetën dhe traditën shqiptare.

Numri i saktë i veprave të tij nuk dihet. Sipas evidencave të lëna nga vetë piktori, fondi i tij mund të ketë pasur rreth 830 vepra, ndërsa qindra të tjera janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës, përmes shitjes apo dhurimit.

Adem Kastrati vdiq në Shkup më 24 shtator 2000, në moshën 67-vjeçare. Sot, më 24 shtator 2026, shënohen 26 vjet nga vdekja e tij.

Me veprën e tij, Kastrati la pas një dëshmi të veçantë artistike për jetën, traditat dhe historinë shqiptare, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar të shekullit XX./A.K.

Continue Reading

Lajmet

Lufta në Gaza përplas Ed Sheeran dhe Macklemore, Sheeran humb 500 mijë ndjekës

Published

on

Ed Sheeran po përballet me reagime të shumta pasi reperi Macklemore u largua nga turneu i tij, pas deklaratave publike për luftën në Gaza.

Macklemore njoftoi më 14 shtator se ishte larguar nga turneu pas një jave bisedimesh me Sheeran. Vendimi erdhi pas performancës së tij me këngën protestuese “Hind’s Hall”, përmes së cilës ai kritikoi veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza.

Pas largimit të tij, edhe artistët Finneas, Lukas Graham dhe Aaron Rowe, si dhe grupi Beoga, njoftuan se nuk do të vazhdonin pjesëmarrjen në turne, duke shprehur mbështetje për Macklemore dhe palestinezët.

Ndërkohë, Sheeran humbi rreth 500 mijë ndjekës në Instagram brenda një jave, sipas të dhënave të raportuara nga Social Blade. Në të njëjtën periudhë, muzikantët që u larguan nga turneu patën një rritje të kombinuar prej rreth 1.6 milionë ndjekësish.

Në një koncert në Filadelfia, Sheeran performoi pa artistë mbështetës dhe iu drejtua publikut, duke e përshkruar javën si një nga periudhat më të vështira të jetës së tij dhe duke thënë se nuk ishte i sigurt nëse turneu do të vazhdonte.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndara, me disa përdorues që e kanë kritikuar Sheeran dhe të tjerë që e kanë mbrojtur atë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Holanda rikthehet në Eurovision 2027 pas bojkotit për Izraelin

Published

on

Holanda do të rikthehet në Eurovision 2027, një vit pasi u tërhoq nga gara për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Transmetuesi publik holandez NPO ka konfirmuar se vendi do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm, ndërsa përzgjedhja e artistit dhe këngës do t’i besohet një ekipi të pavarur ekspertësh.

Holanda u tërhoq nga Eurovision 2026 pasi transmetuesi AVROTROS kundërshtoi vendimin e EBU-së për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit, duke përmendur situatën humanitare në Gaza, lirinë e medias dhe presionin politik.

Pas bisedimeve me EBU-në, NPO tha se janë ndërmarrë hapa për forcimin e rregullave të konkursit dhe rikthimin e fokusit te muzika dhe bashkimi mes vendeve.

Eurovisioni 2027 do të mbahet në Burgas të Bullgarisë, ndërsa përfaqësuesi i Holandës pritet të bëhet i ditur më vonë.

Holanda është një nga vendet me historinë më të gjatë në Eurovision, me pesë fitore, të fundit në vitin 2019 me Duncan Laurence./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara