Lajmet

​Kryeministri Kurti takohet me deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar

Kurti ka theksuar se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers nga radhët e Partisë Konservatore dhe Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard nga radhët e partisë Laburiste. Ata janë pjesë e delegacionit nga Unioni Ndërparlamentar Britanik të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare Doughty, Sobel dhe Pollar njëherit janë edhe anëtarë të kabinetit nën hije të Partisë Laburiste.

Në komunikatën e zyrës së kryeministrit thuhet se Kurti ka theksuar se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Nyje e fortë e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe është intervenimi i NATO-s, në vitin 1999. 23 vjet më pas, Kosova është tregim i dyfishtë i suksesit. Së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Dhe së dyti, është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore funksionojnë krah për krah. Ai tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohet rrëfimi i ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s në Kosovë, sepse kështu mbrohet edhe historia e NATO-s.

Deputetët u shprehën se Kosova ka mbështetjen e plotë ndërpartiake në Britani të Madhe, ndërkaq shprehën interesimin për mundësitë dhe format e shtimit të bashkëpunimit në fusha si ajo e infrastrukturës, energjisë së ripërtëritshme, shkëmbimit tregtar dhe sigurisë. Kryeministri Kurti tha se Kosova e vlerëson lart mbështetjen ndërpartiake që gëzon në Britani të Madhe dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka interesimin, vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar më shumë dhe më mirë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ai po ashtu tha se ndihma dhe mbështetja e Britanisë së Madhe është shumë e rëndësishme në synimet e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Programit të NATO-s për Partneritet dhe Paqe dhe anëtare e Këshillit të Evropës, në të cilën organizatë tashmë edhe ka aplikuar, theksohet në komunikatë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për pasojat dhe rreziqet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që javën tjetër shënon muajin e pestë, si dhe veprimet e menjëhershme që Republika e Kosovës ka ndërmarrë në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe solidarizimin me Ukrainën.

Lajmet

Hapet Festivali i 14-të Kombëtar i Filmit Shqiptar

Published

on

Pas 14 vitesh mungesë, në Tiranë është rikthyer Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, në edicionin e tij të 14-të.

Festivali u hap me një mbrëmje gala në Akademinë e Arteve të Bukura, ku u mblodhën artistë, aktorë dhe kineastë shqiptarë.

Përgjatë 10 ditëve, publiku do të ketë mundësi të shohë mbi 100 filma të realizuar nga viti 2013 deri më sot, duke sjellë një pasqyrë të zhvillimit të kinemasë shqiptare ndër vite.

Festivali synon gjithashtu të krijojë hapësirë për bashkëpunim mes kineastëve të brezave të ndryshëm dhe të promovojë prodhimet e reja shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovicë: Arrestohet i dyshuari për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë, i dyshuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, pas një pune intensive hetimore lidhur me rastin.

Gjatë operacionit, hetuesit policorë kanë kontrolluar dy lokacione në pronësi të të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar prova të shumta materiale. Mes sendeve të sekuestruara janë mbi 41 mijë euro, 20 franga zvicerane, një veturë, një laptop, dy telefona, USB, 10 vula të ndryshme, si dhe 49 kartela gërvishtëse e dëshmi të tjera relevante.

Pas intervistimit nga organet e rendit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

George Clooney nderohet me “Luanin e Artë” në Venecia

Published

on

Aktori dhe regjisori amerikan George Clooney është nderuar me çmimin prestigjioz “Luani i Artë për Arritje Gjatë Jetës” në Festivalin e Filmit në Venecia, për kontributin e tij shumëvjeçar në kinematografinë botërore.

Gjatë ceremonisë, Clooney e priti çmimin me modesti, duke theksuar se suksesi i tij është rezultat i shumë rrethanave të favorshme dhe bashkëpunimit me njerëz të tjerë.

Në fjalën e tij, ai përcolli edhe një mesazh për fuqinë e artit dhe ngjashmëritë mes njerëzve, pavarësisht gjuhës apo kulturës.

“Askush nuk qesh, askush nuk qan në gjuhë të ndryshme. Ne ëndërrojmë në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Clooney para publikut të festivalit.

Me këtë vlerësim, aktori i bashkohet listës së emrave të mëdhenj të kinemasë që janë nderuar me “Luanin e Artë”, duke kurorëzuar një karrierë të gjatë si aktor, regjisor dhe producent./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet i mituri që goditi dy këmbësorë dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Lipjan

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një të mitur i cili dyshohet se ka shkaktuar një aksident të rëndë trafiku në fshatin Banullë të Lipjanit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur më 1 shtator, rreth orës 21:51, kur vetura e drejtuar nga i dyshuari ka goditur dy këmbësorë, duke u shkaktuar atyre lëndime të rënda trupore.

Pas punës hetimore, njësia e hetimeve ka arritur që më 3 shtator të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarin. Me vendim të prokurorit të shtetit, i mituri është dërguar në mbajtje për 24 orë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara