Lajmet

​Krasniqi: Mungesa e një vlerësimi pozitiv për vizat i pakuptimtë

Krasniqi shpreson që deri në fund të vitit të ndryshojë qasja dhe të ketë vendimmarrje.

Published

on

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur të pakuptimtë dhe të paarsyeshëm mungesën e një vlerësimi pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se kanë parë një deklaratë në gjuhë diplomatike dhe të paqartë, por shpreson që deri në fund të vitit të ndryshojë qasja dhe të ketë vendimmarrje.

“Kriteret për liberalizim të vizave janë plotësuar zyrtarisht që nga viti 2018, është konfirmuar në vitin 2019 është konfirmuar edhe dje, pse nuk ka një vlerësim dhe një rekomandim pozitiv që të mos humbet kohë kjo jo vetëm që është frustruese, por kjo është komplet e pakuptimtë dhe e paarsyeshme në ende nuk i kemi marr detajet konkrete se çka janë këto hezitime, kemi parë një deklaratë që është krejtësisht në gjuhë diplomatike dhe të paqartë, por shpresoj shumë që do të ndryshoj shumë si qasje dhe do të ketë një vendimmarrje para fundit të vitit”, tha ai.

Kreu i PDK-së po ashtu ka ftuar Qeverinë e Kosovës të shfrytëzojë momentumin aktual dhe të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE. Sipas tij, në këtë aspekt kontribuon edhe miratimi i deklaratës për mbështetjen e liberalizimit të vizave dhe statusit kandidat për anëtarësim në BE për Kosovën.

“Si PDK ne e ftojmë Qeverinë dhe e inkurajojmë atë që sa më parë të bëjë aplikimin për status të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian meqenëse tash pas rekomandimit pozitiv për Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosova po mbetet vendi i fundit në rajon jo vetëm pa liberalizim të vizave ende por edhe pa avancim në procesin integrues”, u shpreh Krasniqi.

Këto komente kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i bëri pas takimit me Rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Svenja Hahn, nga radhët e Partisë Liberale Gjermane, tha se është tejet e nevojshme që të rritet bashkëpunimi me Kosovën.

Duke u shprehur e zhgënjyer se nuk ka një vendimmarrje pozitive për Kosovës sa i takon liberalizmit të vizave, deputetja gjermane shpreson që së shpejti do të ketë rezultate në këtë drejtim.

“Mendoj se ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjatë dhe më të ngushtë me këtë rajon. Është çështje gjeopolitike, është çështje e identitetit evropian për të punuar së bashku dhe kjo është arsyeja pse jam shumë e zhgënjyer kur mësova se ne nuk kemi ende një arritje në çështjen e liberalizimit të vizave. Edhe unë vetë vij nga politika rinore dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që t’u japim perspektivë sidomos të rinjve të Kosovës. Mendoj se liberalizimi i vizave për Kosovën është një arritje e rëndësishme dhe me të vërtetë shpresoj se do ta kemi këtë së shpejti. Është diçka për të cilën veçanërisht Parlamenti Evropian po punon intensivisht, është një hap shumë i rëndësishëm për t’u afruar më shumë si evropianë, por edhe për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian. E shohim tani që ka shumë lajme pozitive në rajon për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe shpresoj vërtet që të vazhdojmë të punojmë në këtë për liberalizimin e vizave dhe ta kemi këtë së shpejti si arritje”, theksoi ajo.

Deputeti i parë shqiptar i Landit të Hamburgut, Sami Musa u shpreh se diaspora duhet ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën. Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, ai tha se ende nuk e ka të qartë se pse po ka vonesa për këtë çështje.

“Jam i bindur se për të ardhmen kemi me ec në një rrugë të mirë….Ne e kemi një problem me na pyet neve në Kosovë pranojmë direkt por ne nuk vendosin për vete vendosin të tjerët për neve. Unë ende nuk e kam kuptua çka shtyhet kaq gjatë dhe për çka një frikë mund të jetë sepse ne nuk jemi popull me miliardë dhe miliona në krejt qytetet jemi 1.8 milionë …Çka duhet me kuptua edhe Bashkimi Evropian është se edhe ne jemi pjesë e hartës e Evropës jemi brenda, dhe duhet me kuptua atë se pa punuar bashkë edhe Evropa nuk e kemi gjasa të mbajmë këtë forcën që e kemi edhe ekonomikisht edhe njerëzisht”, tha ai.

E gjatë kësaj jave në Kosovë po qëndron Rrjeti i Partive Liberale të Evropës Juglindore, nikoqire e të cilëve ishte Partia Demokratike e Kosovës e cila me propozim të saj miratoi edhe Deklaratën për Mbështetjen e Liberalizimit të Vizave dhe Statusit Kandidat për anëtarësim në BE për Kosovën.

Në këtë rrjet po marrin pjesë përfaqësues kryesor liberal nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi Maqedonia e Veriut.

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama e quan “show politik” dërgimin në Prokurori të kontratës për ndriçimin publik nga LVV

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar si “show politik” veprimin e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik në kryeqytet.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e LVV-së, duke pretenduar se ata nuk kanë paraqitur propozime konkrete në Kuvendin e Kryeqytetit për përmirësimin e çështjes së ndriçimit publik.

“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paskan shku edhe sot me bo një SHOW POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni pru najherë në Asamblenë e Kryeqytetit ndonjë propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës? Apo keni hi n’asamble me e luajt hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin? Punoni, more, najsen”, ka shkruar Rama.

Reagimi i tij vjen pasi shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, dhe deputeti Ilir Kërçeli njoftuan se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin për kontratën e ndriçimit “Smart”, duke pretenduar se ka pasur dallime të mëdha në çmime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan edhe 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Published

on

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e 1 milion eurove në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave në fushën e efiçiencës së energjisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, përmes kësaj marrëveshjeje Qeveria synon të mbështesë uljen e konsumit të energjisë, përdorimin më efikas të saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve përmes investimeve afatgjata.

Në njoftim bëhet e ditur se që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e Fondit dhe zgjerimin e masave për efiçiencën e energjisë në vend.

Përkrahja është realizuar përmes ndarjeve buxhetore, por edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që përfshijnë familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.

Investimet e Fondit përfshijnë rinovimin e ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore, me qëllim të uljes së konsumit dhe shpenzimeve për energji, si dhe përmirësimit të kushteve të banimit.

Sipas Ministrisë, këto investime u mundësojnë familjeve të kenë banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, duke përfituar njëkohësisht nga kursimet në faturat e energjisë.

Përveç përfitimeve për ekonomitë familjare, efiçienca e energjisë ndihmon edhe në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, forcimin e sigurisë energjetike të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

LVV dorëzon në Prokurorinë Speciale kontratën për ndriçimin “Smart”, ngre dyshime për dëmtim të buxhetit të Prishtinës

Published

on

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se së bashku me deputetin Ilir Kërçeli kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur parregullsi dhe se është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.

Sveçla tha se bëhet fjalë për dy kontrata të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025, të cilat, sipas tij, kanë dallime të mëdha në çmime për pozicione dhe punë të njëjta.

Ai deklaroi se kanë dorëzuar në Prokurori të gjeturat e tyre, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe përgjegjësi për personat që mund të kenë kryer shkelje.

Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli tha se në kontratën e dytë disa pozicione janë paraparë me çmime dukshëm më të larta sesa në kontratën e parë.

Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në të dytën janë paraparë me çmim prej 300 eurosh, ndërsa të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.

Kërçeli kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto dallime, duke ngritur edhe dyshime nëse punimet e parapara në kontratën e parë janë realizuar nga kompania përfituese.

Ai pretendoi se disa nga punimet mund të jenë përfunduar nga kompania që fitoi kontratën e dytë, në vlerë prej 10 milionë eurosh.

Në fund, Kërçeli iu referua edhe deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se përgjegjësia ndaj kryeqytetit nënkupton edhe evidentimin e parregullsive dhe kërkimin e llogarisë nga personat përgjegjës.

Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për pretendime të paraqitura nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ndërsa hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje në lidhje me kontratat.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara