Lajmet

​Krasniqi flet në Hagë për objektet dhe spitalin provizor në Zllash

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

Published

on

Selatin Krasniqi është dëshmitari i 12-të i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë dhe sot para trupit gjykues ka folur për objektet e familjes së tij në fshatin Zllash dhe një spital të improvizuar aty. Dëshmitari ka thënë se në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s ai ndodhej në shtëpinë e tij në fshat dhe se lajmin për sulme e kishte marrë nga Isa Kastrati. Ai ka folur për datën 20 prill të vitit 1999 ku sipas tij kishte shumë të plagosur, të cilëve bëhej përpjekje t’u ofrohej ndihmë në një spital provizor në Zllash.

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

“Atë natë isha në shtëpinë time në Zllash. Kam qenë unë, kanë qenë edhe disa të tjerë. Kisha dalë diku në nëntor të ’98-ës në Zllash. Në ’98-ën në korrik, mes korrikut dhe fillimit të shatorit UÇK kërkoi nga prindërit e mijë, xhaxhallarët të ua lirojmë shtëpinë, personi që u liruam shtëpinë ishte Rrahman Dini me pseudonimin Bali. Më pas unë si i ri kam bajt nga pak armatim, dhe policia serbe e mori vesh në nëntor 98-ës, më arrestoi por pas dy tre orë baba intervenoi dhe më liruan dhe dola ika në Zllash”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se më 26 ose 27 mars kishte shkuar në Prishtinë ku kishte qëndruar deri më datën 30 të muajit apo 1 prill 1999.

“Më 26 ose 27 mars kemi shkuar në Prishtinë, unë pasi kam qenë i asaj ane e kam ditë pak terenin, i kam dërguar disa grupe deri në fshatin Butovc, disa i kam lënë në Mramor, dhe kam hy vet në Prishtinë, me disa persona. Deri më 30 ose me të parin kemi qëndru, nuk jam i sakë me datë. Qëndruam në Prishtinë afër Medresesë, një mëngjes ka ardhur një shok i imi nga Kodra e Trimave më ka thirr më ka thënë ‘forcat serbe hynë në Kodër të Trimave hajde’, jemi dalë në Vranjec e kam takuar Shpendin dhe më ka sugjeruar që me urdhër të Rrahman Dinit, komandant Calit, Fatmir Humollit, është që ne mos me bë diçka, mos me gjuajt në serbë, me qetësu popullatën dhe me ju ndihmu”, ka thënë Krasniqi.

Nga Prishtina, Kraniqi ka thënë se kishte arritur në Zllash mëngjesin e 1 prillit. Atë ditë ai ka thënë se aty ka parë qindra persona, në mesin e tyre gra e fëmijë të dëbuar nga Prishtina.

Shtëpia në Zllash, Krasniqi ka thënë se ishte në pronësi të axhës së tij prej vitit 1920. Ai ka thënë se shtëpitë kanë qenë të Adem Krasniqit por me fletëposeduese në pronësi të Kadri Krasniqit, të cilët ishin vëllezër.

Në Zllash ai ka thënë se ishin rreth gjashtë dhoma të gatshme për fjetje. Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin strehuar në lagjen Cubaj deri më 17 prill kur sipas tij kishte filluar ofensiva.

“Pas tre katër ditë kam ardhur prapë në Prishtinë, pasi ka kaluar familja në atë shtëpinë ku e ceka më herët, kam ardhur në Prishtinë, kam marrë gjëra ushqimore për familjen dhe jam kthyer prapë në Zllash, më datën 3 ose 4 prill”, ka thënë ai.

Derisa është marrë në pyetje nga avokati i mbrojtjes, Julius Von Bone, dëshmitari është përgjigjur rreth shtëpive të familjes së tij në Zllash.

Ndërsa lidhur me dhomën që përdorej si ‘odë’, Krasniqi ka thënë se nga 20 prilli ishte shndërruar qendër spitali për të plagosurit nga Vitia e Marecit, Mramorit dhe Prapashticës.

“Kena fjetur aty, jo vetëm unë, Rrahman Dini ka qëndruar në odë aty, kanë qenë shtretërit, tani më 20 prill është bërë si qendër spitali mundem me thënë, kur i kemi sjell të plagosurit nga Vitia e Marecit, dy dhoma i ka pasur”, ka thënë ai.

Aty, ai ka thënë se ndihmonin infermierë, ndër të cilët ai përmendi Teutën dhe Ibadetin.

“Avnia ka qenë i plagosur, Avni Haziri dhe Avni Gashi, Sokol Sopi, Afrim Vitia. Më datë 20 prill 1999 gjatë granatimeve në Viti, disa ushtarë kanë vdekur e disa janë plagosur, por jo vetëm prej Vitisë së Marecit por kanë sjellë edhe prej Mramorit, prej Prapashticës, prej pjesëve të tjera. Kur kemi arrit në ora 12 të natës aty ka qenë tmerr, në këto dy dhomat, kërkonin ndihmë, nuk kishin mundësi mjekët dhe infermierët aty me iu dhënë sepse nuk kishte pajisje të mjaftueshme”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se nuk është në dijeni se kush e kishte marrë vendimin për të shfrytëzuar objektin si qendër spitali meqë nga data 17 deri më datën 20 prill ndodhej në viti të Marecit.

“Prej datës 17 nuk kam qenë aty, kam qenë në Viti të Marecit, dhe diku është dashur t’i lëmë ata të plagosur, nuk kemi mundur t’i lëmë jashtë. Ka pasur edhe në objektin tjetër qind për qind”, ka shtuar Krasniqi.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Sipas Dhomave të Specializuara, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci në paradën kroate për 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”: Kosova dhe Kroacia kontribojnë për paqe në rajon

Published

on

By

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në paradën e ushtrisë kroate, në rastin e shënimit 30 vjetorit të operacionit “Stuhia”.

Ky operacion i ushtrisë kroate ishe vendimtar në çlirimin e Kroacisë.

Maqedonci tha se në këtë operacion morën pjesë edhe shumë shqiptarë – duke kontribuar në çlirimin e Kroacisë.

Tutje, ka thënë se sot – dy shtetet, Kosova dhe Kroacia kontribojnë për paqe në rajon.

Në paradën e ushtrisë kroate, për të shënuar 30 vjetorin e Operacionit “Stuhia” (“Oluja”), vendimtar për çlirimin e Kroacisë. I ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, z. Ivan Anušić, me nderime e ndoqa këtë parakalim të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, më i madhi i tillë i ushtrisë kroate që nga pavarësimi i Kroacisë më 25 qershor 1991.   Operacioni “Stuhia” (Operacija Oluja), ishte një operacion i ushtrisë kroate (HV) i zhvilluar nga 4 deri më 7 gusht të vitit 1995, kundër trupave të kuazi-shtetit të vetëshpallur, Republikës Serbe të Krajinës. I pasuar me luftime deri më 14 gusht, Operacioni “Stuhia” ishte vendimtar në Luftën Kroate për Pavarësi (1991 – 1995)”, ka thënë ai.

Shumë shqiptarë ishin pjesë e këtij operacioni dhe luftuan krah për krah me ushtarët kroatë, duke i kontribuar çlirimit të popullit kroat dhe pavarësimit të Kroacisë nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia. Luftërat në Jugosllavi gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, e kanë përafruar popullin shqiptar me popullin kroat, përballë politikave hegjemoniste dhe kriminale të Serbisë. Kosova dhe Kroacia janë dy shtete aleate që angazhohen për paqe në rajon, sepse shqiptarët dhe kroatët janë dy popuj miq, që besojnë te demokracia dhe fqinjësia e mirë. Ne nuk e harrojmë të kaluarën, andaj do të angazhohemi së bashku që ajo të mos përsëritet”, ka thënë Maqedonci./D.B/EO

Continue Reading

Lajmet

Transportonte marihuanë drejt Kosovës, kërkohet paraburgim për shtetasin e Shqipërisë

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet G.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, nën dyshimin për veprën penale të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 08.09.2025, rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, gjatë një kontrolli rutinë të realizuar nga patrulla e policisë kufitare e SPMK–Ponoshec, është ndalur një veturë me targa të huaja, e cila drejtohej nga i dyshuari G.B., i cili kishte hyrë në Kosovë nga Shqipëria.

Gjatë komunikimit me të dyshuarin, policia ka ndier një aromë të dyshimtë për substanca narkotike.

Pas pyetjes nëse posedonte ndonjë send të jashtëligjshëm, i dyshuari kishte mohuar, por me asistimin e njësisë K9 dhe gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar dy qese me narkotik të dyshuar të llojit marihuanë, të fshehura në bagazh, me peshë prej 1 kg e 048 gram, një qese e vogël me peshë 1.77 gram, e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit, si dhe automjeti, 246 euro dhe 5,000 lekë shqiptare janë sekuestruar nga autoritetet policore si prova materiale.

Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe për këtë arsye ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit për shkak të rrezikut të ikjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.

I dyshuari ndodhet aktualisht në ndalim 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, dhe do të dalë para gjykatës për shqyrtimin e kërkesës për paraburgim./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person i dënuar për posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve

Published

on

By

Policia e Kosovës në Prishtinë ka arrestuar një person të dënuar me 1 vit burgim i cili ishte në kërkim. Bëhet fjalë për një 38 vjeçar – shtetas i Kosovës, me inicialet J.XH.

Personi i kërkuar ishte i dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve dhe mbajtje ose posedim i paautorizuar i armëve”.

I njëjti pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Njoftim për prindërit nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vendet tjera të banuara me shqiptarë

Published

on

By

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se prindërit nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, si dhe nga vendet tjera të banuara me shqiptarë, të cilët kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për tekste mësimore dhe materiale shkollore.

Për qytetarët rezidentë në Republikën e Kosovës nga këto rajone, të cilët për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk mund të kryejnë aplikimin përmes platformës e-Kosova, sqarojmë se, platforma e-Kosova është e ndërlidhur me Regjistrin e Personave me Lejeqëndrim.
Për të realizuar me sukses aplikimin, është e domosdoshme të plotësohen dy kushte:

  1. Numri i lejeqëndrimit të prindit aplikues duhet të jetë i ndërlidhur me numrin personal të fëmijës, të regjistruar në Regjistrin Civil. Në rast të mospërputhjes, prindi duhet të paraqitet në zyrën e gjendjes civile për të bërë ndërlidhjen e numrit personal të prindit me atë të fëmijës.
  2. Xhirollogaria bankare duhet të jetë në emër të prindit aplikues dhe e raportuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) me numrin personal të lejeqëndrimit.
    Pasi të jenë përmbushur këto dy kushte, aplikimi në platformën e-Kosova do të mund të realizohet me sukses.
    Për çdo paqartësi ose për ndihmë gjatë procesit të aplikimit, ju lutemi të kontaktoni institucionet përkatëse ose të vizitoni faqen zyrtare të MAShTI./D.B/EO

Continue Reading

Të kërkuara