Sport

​Kosovë-Jordani, “Dardanët” bëjnë thirrje të mbështetet kombëtarja

Kosova zhvillon ndeshjen e fundit të vitit në stadiumin “Fadil Vokrri”, si nikoqire e Jordanisë.

Published

on

Të mërkurën, me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kosova do të ballafaqohet me Jordaninë në një ndeshje miqësore.

Në prag të kësaj sfide, grupi i tifozëve “Dardanët” kanë bërë thirrje që stadiumi të mbushet me tifozë për ta përkrahur ekipin, edhe pse sipas tyre rezultatet pozitive janë duke munguar.

“Kosova zhvillon ndeshjen e fundit të vitit në stadiumin “Fadil Vokrri”, si nikoqire e Jordanisë. Ndeshje e karakterit miqësor, por që nuk e zbeh rëndësinë për tifozët dhe vetë kombëtaren. Me shpresën që do të shohim shkëndijat e para të rikëndelljes, iu ftojmë që ta përkrahim ekipin tonë kombëtar sa më masivisht, përkundër rezultateve dhe frymës jo-optimale”, thuhet në thirrjen e “Dardanëve” të lëshuar në Facebook.

“Askund nuk është e shkruar që kombëtarja të mbështetet vetëm në faza ekzaltuese të fitoreve. Përkundrazi, tani më shumë se kurrë duhet t’u qëndrojmë pranë. Edhe në ndeshje miqësore, si kjo e ditës së mërkurë, në ora 18:00, ndaj Jordanisë. Besa, besë – Kosovë!”, thuhet në fund të thirrjes së “Dardanëve”.

Sport

Spanja kalon tutje, përballja e radhës me Portugalinë

Published

on

By

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar një fitore bindëse 3-0 ndaj Austrisë, duke siguruar me meritë kalimin për në 1/8 e finales të Kupës së Botës. Me këtë triumf, “La Roja” konfirmon formën e saj të lartë dhe përgatitet për një super-sfidë në fazën tjetër, ku do të përballet me Portugalinë, e cila më herët eliminoi Kroacinë.

Ndeshja nisi me dominimin e spanjollëve, të cilëve fillimisht iu anulua një gol spektakolar me volej nga Marc Cucurella për shkak të një faulli në sulm. Megjithatë, epërsia u zhbllokua në minutën e 36-të, kur Mikel Oyarzabal shënoi pas një asistimi të saktë nga po i njëjti Cucurella.

Në pjesën e dytë, Spanja e rriti presionin dhe në minutën e 66-të dyfishoi shifrat me anë të Pedro Porros, i shërbyer bukur nga Alex Baena. Austria u përpoq të reagonte, madje David Alaba shpëtoi një gol të sigurt mbi vijën e portës pas një goditjeje të Lamine Yamal. Krejt në fund të takimit, në minutën e 89-të, Oyarzabal shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Spanjën, pas një tjetër asistimi nga Cucurella, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.

Ky sukses e dërgon Spanjën drejt një prej dueleve më të pritura të turneut, ku në fazën e 1/8-ave do të masë forcat në një derbi iberik kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos. /E.A/

 

Continue Reading

Sport

Zvicra kalon në 1/8 e finales së Botërorit pas fitores ndaj Algjerisë

Published

on

By

Breel Embolo dhe Dan Ndoye shënuan nga një gol në fitoren 2:0 të Zvicrës ndaj Algjerisë, në ndeshjen e luajtur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, duke siguruar kualifikimin për në 1/8 e finales të Kupës së Botës.

Granit Xhaka udhëhoqi sërish Zvicrën si kapiten në fushë, duke e çuar përfaqësuesen drejt një tjetër suksesi në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Zviceranët e nisën ndeshjen me vrull dhe kaluan në avantazh që në minutën e 10-të falë golit të Embolo-s, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, Ndoye dyfishoi shifrat në 2:0, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit.

Me këtë kalim grupi, Zvicra përsërit suksesin e tre Botërorëve të kaluar ku arriti në 1/8 e finales, por këtë herë synon të thyejë tabunë dhe të avancojë edhe më tej në turne./E.A/

Continue Reading

Sport

Portugalia mposht Kroacinë mes dramës së VAR-it dhe kualifikohet në 1/8 e finales

Published

on

By

Portugalia ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales të Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Kroacisë, në një ndeshje plot emocione dhe episode VAR-i.

Kroacia kaloi e para në avantazh në minutën e 53-të me anë të Ivan Perisiç, pas një aksioni të nisur nga Luka Modriç.

Portugalia reagoi shpejt në një lojë që mori rrjedhë të çmendur.

Kroacisë iu anulua një gol i Igor Matanoviç, ndërsa pak më vonë edhe Cristiano Ronaldos iu anulua një realizim për pozicion jashtë loje.

Pasi Rafael Leao goditi traversën, Portugalia fitoi një penallti pas rishikimit të VAR-it për një faull ndaj Renato Veigës, të cilën Ronaldo e shndërroi në gol në minutën e 68-të për të barazuar në 1-1.

Përmbysja e madhe u vulos nga Gonçalo Ramos që shënoi golin e fitores. Në minutën e 90+13, Kroacia barazoi përkohësisht në 2-2, por goli u anulua sërish nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Me këtë triumf, Portugalia kalon tutje dhe përgatitet për një superpërballje të fortë në fazën tjetër kundër Spanjës. /E.A/

Continue Reading

Sport

Dy superndeshje të Botërorit luhen në orët e para të mëngjesit sipas kohës së Kosovës

Published

on

By

Faza e eliminimit direkt në Kupën e Botës 2026 vazhdon me dy përballje interesante, që zhvillohen në orët e para të mëngjesit të së enjtes sipas kohës së Kosovës.

Vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Portugalisë dhe Kroacisë, që nis në orën 01:00. Të dyja përfaqësueset synojnë një vend në fazën e ardhshme të garës, në një ndeshje që pritet të jetë ndër më të fortat e këtij raundi.

Më pas, nga ora 05:00, Zvicra përballet me Algjerinë në një tjetër sfidë me eliminim direkt, ku humbësi i jep fund rrugëtimit në Botërorin 2026.

Fituesit e këtyre dy përballjeve do të vazhdojnë garën drejt fazës së ardhshme të Kupës së Botës.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara