Lajmet

​Kosova s’i shpëton dot Omicronit, Krasniqi: I rëndësishëm vaksinimi dhe respektimi i masave

Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.

Published

on

Kosova nuk pritet të shpëtojë nga varianti Omicron i COVID-19 që ka vënë në vështirësi shumë vende të botës. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se mundësia e paraqitjes është evidente pasi edhe rrugët e përhapjes së këtij varianti janë të njëjta sikurse variantet e tjera. Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi flet edhe për situatën pandemike, rëndësinë e vaksinimit dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësorë për Ligjin e pagave.

Mali i Zi është vendi i fundit në rajon që është prekur zyrtarisht nga varianti Omicron. Por, tashmë rrezikon edhe Kosova, sidomos kur në këtë periudhë shtohen lëvizjet e qytetarëve për festa por edhe grumbullimet në ambiente të mbyllura.

Pikërisht, për Krasniqin këto janë arsyeje se pse po vazhdohen që të mbahen në fuqi masat e njëjta anti-COVID.

“Është virusi i njëjtë dhe ato çka kemi parë është se çdo variant i paraqitur në shtetet e tjera është se herë ose vonë ka arritur në pothuajse të gjitha shtetet. Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se në Kosovë është një situatë e qetë pandemike, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i të hospitalizuarve nuk ka kaluar shifrën 50 pacientë.

“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Por sigurisht që kjo situatë është rezultat i masave të ndërmarra nga ana e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore dhe në veçanti dua të potencoj këtu respektimin dhe zbatimin e masave nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai.

Tashmë në vendin tonë jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e treta anti-COVID për personat mbi 18 vjeç, prandaj drejtori i SHSKUK-së e konsideron moment të duhur që qytetarët të imunizohen edhe me këto doza të vaksinave.

“Është koha më e mirë që ta shfrytëzojmë tashmë po futemi edhe në sezonin e dimrit edhe më shumë përforcohet nevoja për ta marrë dozën e tretë dhe dozën përforcuese, tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh prandaj, po them ta shfrytëzojmë këtë situatë të qetë në mënyrë të vazhdojmë të ruajmë këtë imunitet kolektiv që është formuar qoftë me kalimin e COVID, qoftë edhe me krijimin e imunitetit si rezultat i vaksinimit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi shpreson që sa më shpejt të miratohet edhe Ligji për paga, pasi siç u shpreh ai, ky ligj është shtylla kryesore për rregullimin e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe trajtimin e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Ai u shpreh se mjekët e infermierët nuk duhet të trajtohen si heronj vetëm nëpër situata pandemike, por kanë nevojë për trajtim e pagë të dinjitetshme në çdo kohë.

“Ligji i pagave është jetik nëse mund ta them për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, normalisht që nuk është i vetmi sepse ka edhe shumë punë të tjera për t’u bërë, por do të ishte një nga shtyllat kryesore ku do të rregullonte çështjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe me këtë ligj besoj se do gjendej edhe një qetësi shpirtërore e punëtorëve shëndetësorë sa i përket vlerësimit që iu bëhet. Ne nuk kemi nevojë që të vlerësohemi si heronj vetëm në situata të pandemisë ose në situata të caktuara, por kemi nevojë për pagë të dinjitetshme dhe unë po shpresoj shumë që Ligji i pagave do të ec me një ritëm më të shpejtë”, theksoi ai.

Ligji i Pagave ka qenë shkas edhe i dy grevave që profesionistët shëndetësorë kanë mbajtur në javët e kaluara. Ndonëse, edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) kishte paralajmëruar grevë edhe më 21 dhjetor, gjatë ditës së djeshme ata kanë njoftuar se kanë pezulluar përkohësisht grevat për nevojat që kanë pacientët në këtë kohë kur vendi po përballet me gripin sezonal.

Lajmet

​Kosova ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera me origjinë nga Gjermania, pas përhapjes së gripit të shpezëve të në këtë vend.

Ndalesa hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

Gjermania ka therur më shumë se 400 mijë shpezë ndërsa rastet e gripit të shpendëve vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin.

Instituti Friedrich Loeffler (FLI) tha se shpërthimet aktuale i ngjajnë valës së rëndë të regjistruar në vitin 2021, një nga vitet më të këqija për gripin e shpendëve në Gjermani.

Sipas institutit, gripi i shpezëve është zbuluar në 30 ferma deri më tani, duke çuar në therjen dhe shkatërrimin e pulave, rosave, patave dhe gjelave të detit për të përmbajtur përhapjen.

Është e pamundur të parashikohet se si do të zhvillohet situata,” paralajmëroi instituti.

Humbjet më të rënda janë raportuar në shtetet verilindore të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Brandenburg.

Autoritetet në distriktin Markisch-Oderland të Brandenburgut njoftuan plane për të therur 130 mijë shpezë të tjera, pasi kishin shkatërruar rreth 150 mijë shpezë në fillim të këtij viti.

Gjatë sezonit të dimrit 2020-2021, Gjermania u detyrua të therte më shumë se dy milionë shpezë për shkak të shpërthimeve të gripit të shpezëve./KP

Continue Reading

Lajmet

​Rikthehet në punë njësia B2

Published

on

By

Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”, e cila është ndalur më 26 tetor për shkak të rrjedhjeve në kaldajë, është rikthyer në operim më 29 tetor.

Në njoftim KEK-ut ka bërët të ditur se ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve të paraqitura, me qëllim të rikthimit sa më të shpejtë të njësisë në funksionim normal.

Njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00 dhe aktualisht njësia është duke operuar me një kapacitet prej rreth 290 MWh, thuhet në njoftim.

KEK sqaron se ndaljet e njësive gjeneruese në termocentrale të këtij tipi janë procese të zakonshme teknike që ndodhin si pasojë e rrjedhjeve të ujit në kaldaja.

“Dëshirojmë të theksojmë se ndaljet e zakonshme teknike nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B”, një projekt që përfaqëson një nga investimet më të mëdha dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në KEK.”/KP

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme refuzon ankesën e Arbër Eminit, kandidat i pavarur për kryetar të Kllokotit

Published

on

By

Gjykata Supreme e ka refuzuar si pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Pasi PZAP ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Arbër Eminit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Supreme, duke propozuar që “të urdhërohet rivotim për Kllokot, për shkak të shkeljeve të shumta ligjore dhe procedurale gjatë ditës së votimit, moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme Nr.A.A.nr.93/2025 dhe ndërhyrjes së strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kosovë”.

Gjykata Supreme vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe gjeti se konstatimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

Në anën tjetër, kolegji i Gjykatës Supreme, ka vlerësuar edhe pretendimet ankimore të ankuesit që kanë të bëjnë me elemente të kryerjes se veprave penale që janë kryer ditën e zgjedhjeve në Komunën e Kllokotit, të përshkruara në ankesën e ankuesit dhe që sipas tij cenojnë procesin zgjedhor në Kosovë.

Si rrjedhojë, sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore të ankuesit nuk kanë pasur bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat për të urdhëruar eventualisht përsëritjen e votimit në vendvotimin e pretenduar./KP

Continue Reading

Lajmet

​Murati pas takimit për pagën minimale: Rritja duhet të marrë parasysh kushtet e tregut

Published

on

By

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka zhvilluar sot një takim konsultues me dhomat ekonomike, me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të sektorit privat në kuadër të dialogut social për çështjen e rritjes së pagës minimale.

Murati ka shkruar në Facebook tha se nga ky takim ka dëgjuar propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e po ashtu edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar.

Paga minimale është instrument i rëndësishëm që synon të mbrojë punëtorët nga praktikat jo të mira, por njëkohësisht rritja e saj duhet të marrë parasysh kushtet e tregut dhe kapacitetin absorbues të ndërmarrjeve,” ka theksuar Murati.

Ai rikujtoi se Qeveria aktuale e ka rritur pagën minimale për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi dhe se rishikimi i saj do të bëhet çdo vit, sipas zotimeve të dhëna më herët.

Nga takimi dola më i informuar dhe do t’i kem parasysh të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri,” tha Murati, duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre në proces.

Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndërsa, më 26 tetor kryeministri në detyrë Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme ku dështoi formimi i qeverisë së re, përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro./KP

Continue Reading

Të kërkuara