Studimet sugjerojnë një korrelacion, por edhe kufizimet e këtyre hulumtimeve. Ngjarjet e rënda jetësore, aksidentet, ndarjet dhe traumat serioze, shpesh ndodhin në vitet menjëherë para fillimit të sëmurjes nga lloje të ndryshme të kancerit.
Duke pasur parasysh se niveli i stresit është në rritje dhe se pritet që më shumë njerëz të sëmuren, madje për një të tretën më shumë, deri në katër milionë deri më 2030, ekspertë thonë se dëshmitë e reja për ndikimin e stresit do të thotë se nuk do të ishte befasuese nëse ekziston një lidhje mes stresit e kancerit.
Ndikimi i hormoneve të stresit në kancer
Prof. Melanie Flint nga Universiteti i Brighton, e cila studion ndikimin e hormoneve të stresit në kancer, thotë: “Ka shumë përparim në këtë fushë dhe mendoj se nuk mund ta përjashtojmë kontributin e stresit në zhvillimin e kancerit. Mendimi im është se stresi me të vërtetë kontribuon, si në shfaqjen e kancerit, ashtu edhe në përhapjen e tij kur shfaqet, por është një faktor kontribues, dhe jo domosdoshmërisht shkaktar i drejtpërdrejtë.”
Duket se disa studime që kanë ndjekur popullata të mëdha me kalimin e kohës e mbështesin këtë ide, shkruan “Daily Mail”, përcjell Telegrafi.
Një hulumtim me 10.000 gra në Finlandë, që zgjati 15 vjet, zbuloi se ato që kishin përjetuar një trishtim të thellë kishin më shumë gjasa të zhvillonin kancer të gjirit brenda pesë viteve. Ekspozimi ndaj stresit në vendin e punës lidhet me një rrezik më të madh të kancerit të prostatës tek meshkujt nën 65 vjeç dhe, megjithëse në masë më të vogël, edhe me kancerin e gjirit tek gratë.
Mund ta shtypë sistemin imunitar
Megjithatë, studime të tjera të ngjashme, përfshirë analizat e provave të cilësisë më të lartë, nuk tregojnë asnjë lidhje. Pjesë e problemit, sipas profesorit Trevor Graham, drejtor i Qendrës për Evoluim dhe Kancer në Institutin për Kërkime të Kancerit, është fakti se stresi shpesh shoqërohet me sjellje të tjera që rrisin rrezikun për kancer.
“Jeta me stres shpesh lidhet me shumë faktorë të tjerë rreziku për kancer, siç janë pirja e duhanit, konsumimi i tepruar i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqimi jo i shëndetshëm, prandaj është e vështirë të ndahet se cili është shkaku i vërtetë”, shpjegon ai.
Dihet se stresi shkakton një sërë efektesh në trup, veçanërisht nëse është kronik.
“Stresi shkakton lirimin e hormonit të stresit, kortizolit. Stresi dhe kortizoli mund ta shtypin sistemin imunitar”, thekson profesoresha Flint.
Shkencëtarët kanë provuar të imitojnë në laborator efektin e stresit në qeliza, gjë që ka treguar se stresi dëmton ADN-në e shkakton ndryshime në qeliza të cilat, nëse riprodhohen, mund të zhvillohen në kancer.
Por, meqë stresi është i vështirë të përfaqësohet saktë në kushte laboratorike, kjo nuk është një tregues i besueshëm i asaj që ndodh realisht në trupin e njeriut, thekson profesori Graham.