Lajmet

​Komisioni për Legjislacion voton Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës

Gjatë këtij muaji Qeveria e Kosovës e votoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Published

on

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka votuar pro Projektligjit për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është vendosur që një institucion i tillë të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për shkak të ndjeshmërisë, por edhe mirëfunksionimit. Mbështetje për këtë projektligj u ofrua edhe nga opozita.

Sipas saj, ky Institut krahas dokumentimit dhe hulumtimit të krimeve të kryera gjatë luftës kryesisht në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 2022.

Haxhiu tha se votimi i këtij projektligji paraqet përmbushjen e një prej objektivave më të rëndësishme të mandatit qeverisës, derisa ka ripërsëritur se për herë të parë një Institut i tillë po themelohet me ligj.

“Pas përmbylljes së dokumentimit të krimeve të luftës do të merret edhe me dokumentin e krimeve që ndërlidhet para dhe pas periudhës së luftës me qëllim të prezantimit sa më të qartë të pasojave dhe dëmeve të luftës… Ishte themeluar në atë kohë Instituti me një vendim dhe jo sikurse tani po adresohet tani me një projektligj dhe që nuk mundet se çfarëdo qeverie që vjen në të ardhmen ta ndryshojë sipas rrethanave dhe nevojave. Pra, hulumtimi dhe dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës do të bëhet nga aspekte të ndryshme përfshirë aspektin historik, ushtarak, ekologjik, ekonomik, kulturor dhe të tjera duke siguruar të dhëna dhe dëshmi për t’i bërë të qasshme ato për publikun. Për mua si ministre e Drejtësisë është shqetësuese se si kanë kaluar pothuajse dy dekada të pasluftës në Kosovës dhe ende nuk kemi të dhëna zyrtare për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se krijimi i Institutit ndihmon edhe Prokurorinë Speciale për adresimin e krimeve të luftës, por edhe përgatitjet për padi kundër Serbisë për gjenocid.

“Konsideroj se ky institucion është i rëndësishëm edhe për dy aspekte të tjera së pari edhe si ndihmë e institucioneve të vendit kryesisht Prokurorisë Speciale për adresimin e krimeve të luftës, por së dyti siç jeni në dijeni në programin tonë qeverisës është edhe padia për gjenocid, mirëpo kjo është duke u adresuar nga Zyra e Kryeministrit, andaj mendoj se edhe në këto dy aspekte do të ndikojë puna që do të bëhet në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës”, tha ajo.

Driton Selmanaj nga LDK-ja, ndonëse shprehu mbështetjen për këtë projektligj, ai adresoi edhe disa çështje për fushë-veprimtarinë e këtij Instituti, por edhe kompetencat e tij ekzekutive, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së drejtorit të kësaj agjencie.

“Pse po mendoni se si agjenci ekzekutive mund të jetë me efikase sesa një mekanizëm brenda MD-së a ka qenë problem statusi i këtij mekanizmi apo angazhimi konkret për t’i dhënë përgjigje dhe për të nxjerrë dokumente të caktuara të nevojshme për shtetin e Kosovës… A po i bie që po e rithemelojmë apo po e normojmë me ligj të veçantë diçka që ka qenë edhe në të kaluarën tash nëse e normojmë diçka që ekzistuar në të kaluarën nuk mund të themi se po e themelojmë… Sa i përket mënyrës së përzgjedhjes, drejtori emërohet nga Zyra e kryeministrit me mandat 5-vjeçar, por nuk janë përcaktuar procedurat e zgjedhjes dhe më pas i mbetet kryeministrit ta riemërojë nëse vlerëson se puna e tij është bërë mirë. Ne sikur përsëri po dalim kundër idesë që të mos ia lëmë secilës qeveri këtë çështje, prandaj e kemi rregulluar me ligj. Ky mandat nëse i lihet kryeministrit të emërojë njerëz të tillë në krye të kësaj agjencie, i bie sikur po i lihet një gjë e tillë secilës qeveri”, theksoi ai.

Për këto çështje të ngritura nga deputeti Selmanaj, e para e drejtësisë kosovare, Albulena Haxhiu tha se ideja e përzgjedhjes së drejtorit nga kryeministri ka synim që kryeministri ta merr përgjegjësinë edhe në rast të funksionimit apo jo të këtij Instituti.

“Ideja ka qenë te zgjedhja e drejtorit. Kryeministri e merr përgjegjësinë në rast të funksionimit të duhur të këtij Instituti dhe pasojat nëse Instituti nuk funksionin mirë. Duke qenë që është obligim i qeverisë, ne kemi dashur që personi përgjegjës do të jetë në krye të këtij institucioni të ndërlidhet me po ashtu me përgjegjësinë e qeverisë në kuptim të dështimit apo të suksesit në të ardhmen. Unë mendoj se është e rëndësishme që në këtë institucion të kenë vetëm persona të profilizuar… Arsyeja kryesore se pse ne kemi për mua do të ishte natyrisht shumë më mirë të jetë në MD, por ne duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe si e fuqizojmë Zyrën e kryeministrit… Ka peshë më të madhe kur një institucion i tillë i ndjeshëm do të jetë në kuadër të Zyrës së kryeministrit, shumë më lehtë do të ketë mbështetje buxhetore dhe kapacitet njerëzore”, theksoi ajo.

Sa i takon periudhës së funksionimit të këtij Instituti, Haxhiu konsideron se Kosova çdo herë duhet të ketë këtë Institut ku do të dokumentonte krimet e luftës.

“Për bindjen time Instituti duhet të veprojë në vazhdimësi për faktin se nëse shohim mandatin që ka jam shumë e bindur se na duhen edhe disa vite derisa t’i hulumtojmë dhe dokumentojmë të gjitha krimet e luftës dhe periudhat që i përmenda. Pra, unë mendoj që Kosova çdo herë duhet të ketë Institutin ku do të dokumentohen krimet e luftës”, u shpreh ajo.

Përkrahje për Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ofroi edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili tha krijimin e këtij Instituti e konsideron më shumë si rithemelim.

“Ideja ka qenë rritja e nivelit dhe të dërgohet te Zyra e kryeministrit. Në raport me Ministrinë e Drejtësisë dëshiroj të mos keni institut, pasi që nuk po e shpjegon mënyrën e zgjedhjes, por thotë emërohet, e tash nëse zgjedhim emërues politik , nuk e dimë sa kemi arritur qëllimin e ligjit hulumtues, sepse ky ligj ka karakter hulumtues si Institut dhe jo karakter politik”, theksoi Beqa.

Adnan Rrustemi, kryetari i këtij Komisioni, u shpreh se krijimi i mekanizmit për dokumenton krimet e luftës ndonëse i vonuar, por është i domosdoshëm të themelohet sa më shpejt.

“Ky mekanizëm shtetëror i ka munguar vendit tonë, ndonëse është i vonuar në kohë, është i domosdoshëm që të themelohet sa më parë”, u shpreh Rrustemi.

Gjatë këtij muaji Qeveria e Kosovës e votoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili parashihet të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit.

Kujtesë

Ditar: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 13 maj 1993-1998?

Published

on

By

Lajmet e datës 13 maj pasqyrojnë jetën reale në Kosovë, në këtë periudhë shumë të rëndë. Nga represioni  përditshëm në fillimvitet e nëntëdhjeta deri te lufta e vitit 1998.

 (Foto: Gjakova, një nga rajonet që e pësoi më së rëndi në luftë)

 13 maj 1993

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti Stiven Blejkun;

Intervistë e kryetarit Rugova dhënë “Zërit të Amerikës”;

Në Prishtinë përfundoi “Mitingu i Poezisë”;

“Uashington Post” mbi mundësinë e vendosjes së trupave amerikane në Kosovë;

Në konferencën e politikanëve të rinj në Londër morën pjesë edhe përfaqësuesit e Shqipërisë;

Qeveria serbe emëroi drejtorin e “Panoramës”;

Në Prishtinë u arrestua Sanije Osmani;

Vazhdojnë lëvizjet e ushtrisë serbe nëpër Kosovë;

Në Novosellë të Pejës policia serbe rrahu disa të rinj dhe rrethoi një lagje;

“Suddeutche Zeitung”: Evropa pret rezultatet e bllokadës së Beogradit kundër serbëve të Bosnjes.

 

 

13 maj 1994

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova;

Sali Berisha: Pa zgjidhjen e problemit të Kosovës nuk do të ketë zgjidhje të krizës në Ballkan;

Konferencë për gazetarë e presidentit Berisha në Vjenë;

Serreçi kërkon dërgimin e trupave të OKB-së në Kosovë;

Subjektet e arsimit në Kosovë denoncojnë dhunën serbe mbi shkollën shqipe;

Katër veprimtarëve nga Gjakova iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh;

Kumtesë e Kryesisë së LASH-it në Podujevë kundër rrahjes së veprimtarëve të arsimit;

Represioni në Kosovë;

Në Prizren u dënuan katër veta për armë;

Një vjet burg për tregti me deviza;

Raporti zyrtar për aksidentin ajror në Ohër pritet në fund të korrikut.

 

13 maj 1995

Lajmet kryesore:

Intervistë e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova në revistën “Zëri”;

Sali Berisha: Nëse ndodh ndonjë konflikt në Kosovë, do të reagojmë si komb;

Serreçi: Thyerja e embargos nuk lidhet me politikën zyrtare të Shqipërisë;

Hydajet Hyseni priti përfaqësuesen e “Helsinki Citizen Assembly”;

Një delegacion grek vizitoi KMDLNJ-në;

Kryepolici serb Sokoloviq për situatën në Kosovë;

Autoritetet maqedone mbyllën edhe “Radio-Albanën”.

 

13 maj 1997

Lajmet kryesore:

Medlin Olbrajt priti Bashkim Finon;

Riçard Majlls: “Situata momentale në Kosovë është e papranueshme”;

SP e minatorëve bën thirrje për rishqyrtimin e marrëveshjes me firmën “Mitilineos”;

Artur Outs ka kërkuar që Beogradi të heqë dorë nga kontinuiteti i ish-Jugosllavisë;

Një serb kërcënon dhe bën presion mbi një familje shqiptare;

Inkasantit 4 muaj burg.

 

Lajm i plotë:

Dhuna e përditshme në Kosovë

Istog: – Më 11 maj, sipas thirrjes, në stacionin e policisë serbe në Istog u paraqit Isa Bajraj, sekretar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe sekretar i Këshillit komunal për Financim në Istog.

  1. Bajraj nga inspektorët e sigurimit serb është pyetur për punën e KKF-së, si dhe për veprimtarinë e komisionit juridik të Degës së LDK-së në Istog.

Të njëjtën ditë, një patrullë e postkomandës së policisë serbe në Rakosh, ishin në shtëpinë e Hajriz Idrizajt në Zhakovë. Njoftohet se policia serbe mori me vete babë e bir, Hajriz e Hamdi Idrizajn, të cilët në postkomandën e policisë serbe në Rakosh u keqtrajtuan fizikisht me pretekst të kërkimit të armëve. Pas keqtrajtimit fizik, ata u urdhëruan që të paraqiten sërish në polici.

Kaçanik: – Më 10 maj, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve mori Kemajl Belën, kryetar i Aktivit të LDK-së në Kaçanik. Njoftohet se në stacionin e policisë serbe në Kaçanik, Kemajl Dela është keqtrajtuar fizikisht.

Po këtë ditë dhe me të njëjtin pretekst, policia serbe keqtrajtoi fizikisht edhe Tasim Belën. Njoftohet se Tasim Bela është marrë në pyetje tri ditë.

Vushtrri: – Më 9 maj, një patrullë e policisë serbe me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi në shtëpinë e tij Agim Selmanin në Vushtrri.

Njoftohet se Agim Selmani tash disa vjet punon përkohësisht në botën e jashtme.

 

13 maj 1998

Lajmet e orës 11:00:

Krismat në Klinë dëgjohen nga drejtimi i Volljakës e Kramovikut

Në mbrëmje pushoi sulmi në Ratkoc

 

Ora 13:30:

Gelbard: Do të njoftojmë OKB-në dhe OSBE-në lidhur me detajet e kësaj marrëveshjeje

Klinton e Kol do të bisedojnë edhe për Kosovën

NATO shqyrton mundësitë e intervenimit në Kosovë

Minatorët polakë ikën nga Trepça

Shtime: Policia ndoqi qytetarët me autoblindë dhe lëndoi disa prej tyre

Në Gllogoc e rrethinë gjendja vazhdon të jetë e rëndë

Forcat serbe granatuan sot në mëngjes fshatin Cerovik

Forcat serbe po shtijnë drejt fshatit Llaushë

Forcat serbe granatojnë fshatrat Kpuz, Rastokë e Dollovë të Rahovecit

Rahovec: Gjatë sulmit të djeshëm u vra edhe një shqiptar nga Ratkoci

Skënderaj ftonë qytetarët e Prishtinës që të ndihmojnë studentët e Drenicës

Policia liroi tetë të arrestuar

Mbi Dobërdol fluturuan aeroplanë ushtarakë

13 maj 1998 (Ora 16:00)

Klinton mirëprit njoftimin për zhvillimin e bisedimeve për zgjidhjen e krizës në Kosovë

“Zëri i Amerikës”: Nuk mund të flitet në Kosovë për mirëpritje të takimit Millosheviq – Rugova

Malishevë: Forcat serbe shtinë në drejtim të fshatit Bubavec

Forcat serbe sulmuan sërish Baballoqin

Rahovec: Bashkë me policinë u tërhoqën edhe serbët e Bratatinit

Një konvoj i policisë serbe provokoi qytetarët në Vragoli të Fushë-Kosovës

Hani i Elezit: Policia keqtrajtoi një e plaçkiti një qytetar

Suharekë: Në Shirokë policia serbe keqtrajtoi një shqiptar

Të shtëna me armë në dy fshatra të Podujevës

  1. Fleming: OSBE do të ushtrojë presion të shtuar ndaj Beogradit për pranimin e misionin të Gonzalesit për Kosovën

Në manifestimin protestues në Prishtinë morën pjesë disa mijëra qytetarë shqiptarë

Ngjarjet në Kosovë ishin edhe sot në qendër të vëmendjes të shtypit të Tiranës

  1. Dapçeviq: Kosova ka qenë dhe do të jetë e shqiptarëve
  2. Stoilkoviq: Vitin e kaluar në Kosovë janë vrarë 13 policë dhe 36 qytetarë
  3. T. njofton për një polic të vrarë dhe dy të plagosur në Ratkoc

 

Lajm i plotë:

Viktimë e sulmeve të policisë serbe në Prishtinë është edhe Agron Rrahmani

Dje u bë edhe identifikimi i viktimës së dytë të sulmeve të djeshme të forcave policore serbe në Lagjen e Muhagjerëve. I vrari nga policia serbe është studenti Agron Muharrem Rrahmani, i lindur më 1971 në fshatin Ballofc të komunës së Podujevës, i martuar.

Agron Rrahmani vdiq nga plagët e rënda. Ai ishte qëlluar në krahëror dhe në këmbë.

Varrimi i Agron Rrahmanit bëhet nesër në fshatin Ballofc në orën 14,00.

 

Lajm i plotë:

Gjakovë: Dhjetë të vrarë dhe të plagosur në fshatrat Ponoshec e Smolicë

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë bën të ditur se mbrëmë rreth orës 21:30, në fshatrat Ponoshec e Smolicë, forcat serbe kanë filluar me të shtëna armësh të ndryshme, ndërsa njoftohet për dhjetë shqiptarë të vrarë e të plagosur, njoftojnë Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë dhe Nënkëshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Gjakovë.

Në njoftim nuk janë dhënë hollësi të tjera pasi rrugët e këtyre fshatrave janë të bllokuara nga forcat serbe.

Njoftohet se edhe sot në drejtim të fshatrave të Rekës së Keqe, ka pasur lëvizje të shpeshtuara të ushtrisë e të policisë serbe.

 

 Ora 19:30:

Lajm i plotë: Së paku 18 shqiptarë të vrarë gjatë dy ditëve në Kosovë

Gjatë dy ditëve janë vrarë së paku 18 shqiptarë, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.

Më posht po e japim listën e të vrarëve dhe të plagosurve gjatë dy ditëve:

Në Smolicë të Gjakovës: Murat Isuf Dula (29 vjeç), Mehmet Dulë Dula (24), Gëzim Hajdin Duçi (21), Sadri Rrustem Neziri (48), Adem Sadik Bajrami (42), Shefqet Selim Rexha (32), Hajdar Idriz Ademi (22), Sinan Hazir Rexha (21) dhe Ramiz Avdyl Rexha (28) nga fshati Ponoshec dhe Avdullah Xhemajl Avdullahu (21) nga fshati Popoc;

Në Klinë: Çaush Haxhi Morina (45) nga Çeskova dhe Haki Baca (35) nga Gremniku.

Rahovec: Elmi Binak Morina (50) nga Vranjaka, Melaim Isa Krasniqi (31) nga Postosella, Malush Morina (57) dhe Alush Morina nga Ratkoci.

Prishtinë: Isuf Hajdari(55) dhe Agron Rrahmani.

Të plagosur:

Smolicë (Gjakovë): Bajram Gjon Zymberi, Agron Avdyl Dula, Bahri Hysen Dula, Jahë Sahit Ahmeti, Jeton Muharrem Panxha dhe Artan Demë Rexha, të moshës 20 deri 30 vjeçare, të gjithë nga fshati Ponoshec.

Klinë: Din Xhemë Berisha, Emin Beqë Berisha dhe Zeqë Zymer Berisha

Pejë: Murat T. Berisha (70).

 

Lajme të tjera:

Dhjetë shqiptarë të vrarë dhe gjashtë të plagosur në fushën e minuar nga forcat serbe

Forcat serbe vranë Çaush Morinën dhe Haki Bacën në fshatrat e Klinës

Nga plagët e marra dje vdiq Hasan Morina

 

Continue Reading

Vendi

Kosova shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në FIFA

Published

on

By

Sot futbolli i Kosovës feston një moment historik, 10-vjetorin e pranimit në FIFA, ditën kur Federata e Futbollit e Kosovës u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.

Ky përvjetor jubilar shënon fundin e një rruge të gjatë plot sakrifca dhe fillimin e një epoke të re, duke kurorëzuar përpjekjet e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin tonë edhe në kohët më të vështira.

Në këtë ditë të veçantë, FFK ka kujtuar me mirënjohje të thellë kontributin e jashtëzakonshëm të legjendës Fadil Vokrri dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që bënë të mundur këtë triumf diplomatik e sportiv.

Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme që ka treguar ndaj Kosovës gjatë këtij rrugëtimi njëdekadash.

Sot, pas dhjetë vitesh, institucioni i futbollit është modernizuar, infrastruktura po zhvillohet vazhdimisht, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet tona po e përfaqësojnë me dinjitet shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar përpara me krenari dhe përgjegjësi për të ardhmen e sportit më të popullarizuar në vend.

Continue Reading

Vendi

Mrekullia pas 28 vitesh: 48-vjeçarja sjell në jetë binjakë pas një beteje të gjatë me infertilitetin

Published

on

By

Një nga rastet më emocionuese dhe sfiduese në karrierën e gjinekologut Sebajdin Gjini ka qenë ai i një gruaje 48-vjeçare, e cila arriti të bëhej nënë e binjakëve pas plot 28 vitesh përballje me infertilitetin.

Gjatë rrëfimit të tij në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, në Telegraf të mbështetur nga United Hospital, dr. Gjini tregoi se kjo shtatzëni ishte e një rreziku të lartë dhe kërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm mjekësor.

Ai shpjegoi se gruaja kishte kaluar pothuajse tri dekada në pritje të këtij momenti, derisa më në fund suksesi u arrit para dy vitesh, duke përfunduar me lindjen e foshnjave në terminin e paraparë.

Mjeku pranoi se procesi ishte i shoqëruar me ndjenjë frike dhe ankthi si nga ana e pacientes, ashtu edhe nga ana e tij si profesionist, pasi shtatzënitë në moshë të shtyrë klasifikohen automatikisht si raste me rrezik të shtuar.

Për të garantuar shëndetin e nënës dhe binjakëve, rasti u përcoll me monitorim të rreptë, vizita shumë të shpeshta dhe analiza të vazhdueshme të parametrave vitalë, duke bërë që kjo histori e gjatë vuajtjeje të mbyllej me fundin më të bukur të mundshëm./Telegrafi/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet për dhunim

Published

on

By

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se është arrestuar një person në Podujevë nën dyshimin për veprën penale të dhunimit.

Sipas policisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur muaj më parë, ndërsa i dyshuari tashmë është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se muaj më parë ka kryer veprën e cekur ndaj viktimës femër kosovare. Viktima është dërguar në IML për ekzaminime mjekësore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Continue Reading

Të kërkuara