Lajmet

​Komisioni Evropian miraton 70 milionë euro për vaksinat në Ballkan

Published

on

Komisioni Evropian miratoi sot një paketë prej 70 milionë eurosh nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II), për të ndihmuar në financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër COVID-19 të prokuruara nga shtetet anëtare të BE-së.

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për ta mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të cenueshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në mbarimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme për vaksinim. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor që ta blejë një numër të vaksinave nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjes të BE me gjashtë prodhues, ashtu që shtetet anëtare të BE e ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.

Ndërsa BE vazhdon ta përkrahë iniciativën COVAX, që është instrumenti botëror për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave nën atë skemë pritet të fillojë më vonë sesa fushatat e vaksinimit në BE.

Qasja në një numër të dozave nga marrëveshjet e blerjes së BE-së, do të mundësojnë që rajoni të fillojë vaksinimin paralelisht me Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë rajonin edhe në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për ta siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE po financon edhe një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave. 

Vendi

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ndan certifikata për pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ka ndarë certifikatat për pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare të këtij programi, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tyre akademik e profesional.

Organizatorët e Konferencës, Dekani i Fakultetit, Visar Krelani, profesorët: Hazir Çadraku dhe Bekim Selimi, theksuan se organizimi i aktiviteteve të tilla shkencore kontribuon në avancimin e dijes, shkëmbimin e përvojave ndërmjet studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional.

Po ashtu, u bë e ditur se pjesëmarrësit të cilët dëshirojnë njohjen e pikëve nga Oda e Inxhinierëve të Kosovës duhet të aplikojnë pranë Odës duke bashkëngjitur certifikatën e pjesëmarrjes, agjendën e konferencës si dhe licencën e tyre profesionale. Përmes këtij procesi, atyre u mundësohet që angazhimi i tyre shkencor të njihet zyrtarisht dhe të kontribuojë në zhvillimin dhe avancimin e tyre profesional.

Organizatorët nënvizuan rëndësinë e përfshirjes së studentëve dhe hulumtuesve të rinj në konferenca ndërkombëtare, duke theksuar se këto platforma shërbejnë si mundësi për prezantimin e punimeve shkencore, zhvillimin e rrjeteve profesionale dhe rritjen e cilësisë në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe infrastrukturës.

Continue Reading

Aktualitet

Kurti pret ne takim kryetarin e Ulqinit

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot ne takim Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, së bashku me delegacionin e tij.

Në këtë takim u diskutua për tema me interes të përbashkëta për dy vendet, përfshirë zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në dobi të qytetarëve.

Pasi vizita u zhvillua një ditë pas shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryetari Nimanbegu e uroi Kryeministrin Kurti për festën.

“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti theksoi se festa e Ditës së Pavarësisë së Kosovës është festë e të gjithë shqiptarëve, pasi në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë kanë kontribuar shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe mërgata”, thuhet ne komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, Kurti e falënderoi kryetarin Nimanbegu për vizitën dhe urimet dhe shprehu gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve në Malin e Zi.

Continue Reading

Vendi

Ambasadori australian Richard Mason Rodgers viziton UBT-në dhe vlerëson zhvillimin teknologjik dhe akademik

Published

on

By

Ambasadori i Australisë në Kroaci dhe ambasador jo-rezident në Kosovë, Richard Mason Rodgers, realizoi një vizitë të veçantë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, ku u prit nga Rektori, Edmond Hajrizi, si dhe nga stafi akademik e profesional i institucionit.

Rektori Hajrizi e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke e cilësuar këtë takim si një hap konkret drejt bashkëpunimeve të reja strategjike.

Gjatë vizitës, Ambasadori Rodgers u njoh nga afër me kapacitetet teknologjike, laboratorët e avancuar dhe projektet inovative që zhvillohen në këtë qendër unike në rajon.

Me këtë rast, u diskutua për mundësitë e konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive australiane me UBT-në dhe Kosovën, me fokus të veçantë në inovacion, kërkim shkencor dhe iniciativa të përbashkëta në fushën e teknologjisë dhe qëndrueshmërisë.

Continue Reading

Lajmet

Kryeministri Rama niset drejt Washingtonit për themelimin e Bordit të Paqes

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washington, D.C., në përgjigje të ftesës së Presidentit Donald Trump për të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, raporton A2CNN.

Ceremonia do të zhvillohet më 19 shkurt në Institutin për Paqe të Presidentit Trump, një moment ky që shënon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në këtë nismë, pas mungesës në takimin e parë ku rajoni u përfaqësua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministria bëri me dije se, pak ditë më parë, Rama deklaroi prerë se Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por do të kontribuojë me dinjitetin dhe respektin ndërkombëtar që ka fituar deri në këtë nivel të lartë diskutimi mbi të ardhmen e paqes.

Ky bord, i cili përbëhet nga 27 anëtarë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, synon forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe promovimin e një qasjeje të re për zgjidhjen e konfliktit global.

Trupi në fjalë është i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit në Gazë, si dhe për të kontribuar në qeverisjen dhe rindërtimin e zonës. Megjithatë, kjo nismë vjen në një klimë diplomatike komplekse, pasi pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian ende nuk i janë bashkuar këtij bordi. /A2CNN/

Continue Reading

Të kërkuara