Lajmet

​Kodi i ri i Procedurës Penale përcakton suspendimin e zyrtarëve me aktakuza

Published

on

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka prezantuar sot finalizimin dhe ndryshimet e draft-kodit të ri të procedurës penale, e të cilat pritet ta forcojë luftimin e korrupsionit dhe të lehtësojnë gjykimin në mungesë.

Selimi tha se sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, çdo zyrtar i cili keqpërdorë detyrën zyrtare dhe ndaj të cilit ngritet aktakuzë, ai do të suspendohet menjëherë. Ai gjithashtu tha se harmonizimi i disa dispozitave ligjore do të krijojnë lehtësi në intervenimin e institucioneve për konfiskimin e pasurive të fituara me vepra penale.

“Çështja e parë ka të bëjë me luftën e korrupsionit, i kemi bërë dy intervenime shumë të rëndësishme. Për herë të parë kanë hyrë nenet që kanë të bëjnë me suspendimet e zyrtarëve të lartë që ndiqen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Me Kodin e Ri të Procedurës Penale, zyrtarët në kohën kur t’i ngritet aktakuza do të suspendohen menjëherë. Ky intervenim është i rëndësishëm pasi çdo herë kur dyshojmë se dikush është duke e vjedhur shtetin dhe po e keqpërdorë detyrën zyrtare për përfitime dhe favore. Një intervenim tjetër që ka të bëjë me këtë fushë është edhe çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale. Pra, ne e kemi harmonizuar dispozitat e procedurës penale me ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurës dhe tash e kemi më të fortë pjesën e intervenimit të institucioneve në konfiskimin e çdo pasurie që është marr me hajni, me korrupsion dhe vepër penale”, tha ai.

Sa i përket hetimeve dhe gjykimit në mungesë, Selimi tha se tashmë janë eliminuar pengesat për t’u gjykuar edhe në mungesa kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

“Kemi bërë edhe zhvillimin e këtyre dispozitave të cilat kanë të bëjnë me të gjithë ata kriminelë, të cilët ecin të lirë në Serbi dhe të cilët i dimë ne që kanë kryer krime të luftës, se tash do të ndiqen dhe do të gjykohen në mungesë. Këto dispozita kanë të bëjnë edhe me vepra tjera penale për persona që kanë kryer vepra penale. Por nga aspekti politik ka qenë e rëndësishme që të rregullohet dhe të forcohen përpjekjet tona për të gjykuar krimet e luftës. Ne kemi ende të bëjmë punë me shtim të kapaciteteve të Prokurorisë që merret me krimet e luftës dhe departamenti special, por këto nene do t’i hapin rrugë dhe do t’i largojnë pengesat që ka pasur deri më tash”, theksoi Selimi.

Selimi beson që përmes vettingut të kombinuar sistemi do të ishte më i qëndrueshëm dhe nuk do të mund të përdorej politikisht.

“Qëndrimi im është që të zgjidhet ajo e kombinuara, sepse mendoj që e kombinuara mund të na mundësojë që të kemi një sistem të qëndrueshëm të vettingut, të përhershëm dhe të qëndrueshëm. Ky është pozicioni im, vendimi merret pas konsultimeve, sepse nëse nuk konsultohemi, as nuk mund ta implementojmë”, tha ai.

E për kërkesat e të akuzuarve nga Specialja për ndihmë financiare ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se këto kërkesa janë të përfundim e sipër të shqyrtimit dhe aprovimit, dhe gjatë kësaj jave pritet të dalin informacione. Ai tha se nuk sheh ndonjë pengesë për aprovimin e këtyre kërkesave, pasi që ato janë bërë sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

“Jemi në përfundim të kërkesave të shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave. Mendoj që gjatë kësaj jave do të keni një informatë, por nuk e kemi hasur ndonjë pengesë në këtë aprovim. Pra, mendojmë që kërkesat kanë qenë të dorëzuara në bazë të ligjit dhe rregulloreve i plotësojnë kushtet e parapara me ligj dhe rregullore. Komisioni është mbledhur dhe i ka shqyrtuar, tash pres rekomandimin e komisionit dhe nuk shoh pengesa për aprovimin e tyre”, tha ai.

Në Kodin e ri të Procedurës Penale është punuar nga muaji korrik i vitit të kaluar. 

Lajmet

25 vjet nga 11 Shtatori, Haxhiu dhe Kurti: Kosova gjithmonë qëndron përkrah Amerikës

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 25-vjetorin e sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, Haxhiu dhe Kurti kanë vënë në pah solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin amerikan, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej ‘Amerikë jemi me ty’. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se shteti i Kosovës gjithmonë do qëndrojë krah Amerikës.

“Mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite. Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2 mijë e 977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja. Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-ve, jo vetëm se SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë janë për ti mbrojtur këto vlera”, tha ai. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nuk tregon nëse do të marrë pjesë në marshin për ish-krerët

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka treguar se a do të merr pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së, e cila do mbahet të shtunën.

Ai tha se më vonë do ketë përgjigje për çështje, që nuk kanë të bëjnë me 25-vjetorin e 11 shtatorit, raporton KosovaPress.

“Më vonë përgjigjemi për çështje të tjera, këtu jemi për 25-vjetorin e 11 Shtatorit”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë.

Sipas raportit policor, më 10 shtator janë kontrolluar pesë shtëpi të personave të dyshuar në rrugën “Shala e Bajgorës”, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi që ndërlidhen me rastin.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste me narkotikë në Prishtinë, konfiskohen mbi 300 gramë marihuanë dhe kokainë

Published

on

Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara