Lajmet
KDI: Ujdia për dokumentet nuk duhet të konsiderohet triumf, modeli i dialogut është i gabuar
Qeveria e Kosovës ende nuk e ka shfuqizuar vendimin për reciprocitet ndaj Serbisë për dokumentet e udhëtimit.
Published
3 years agoon
By
UBT.NewsPavarësisht marrëveshjes për dokumentet e udhëtimit mes Kosovës dhe Serbisë, Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se modeli i dialogut duke diskutuar për tema teknike është i gabuar.
Hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të anashkalojë bisedimet për çështje dytësore dhe të kalojë tek arritja e marrëveshjes finale.
“Kjo padyshim se paraqet një lloj arritje në kuptimin e frymës që është vendosur tani në marrëveshje, por duhet parë se çka përfiton regjioni si tërësi dhe ne si vend prej këtyre negociatave dhe prej këtij modeli të negociuarit. Prandaj ne si institut kemi gjetur se ky model është jo i duhur, pasi kemi të bëjmë me një prolongim për çështje dytësore ose për tema të cilat janë të parëndësishme. Rrjedhimisht ne rekomandojmë se dialogu ose logjika e të biseduarit deri më tani duhet të përmbyset dhe të kalojë te marrëveshja qendrore që i lenë në plan të dytë këto tema dytësore”, deklaron ai.
Sipas tij, dialogu i tanishëm është i ngadaltë dhe ujdia për dokumente nuk mund të paraqitet si triumf për Kosovën dhe as për Serbinë.
“Mendoj se duhet të vlerësohet në pikturën e përgjithshme se kemi të bëjmë me një dialog shumë të ngadaltë, përmes të cilit Kosova nuk mund të arrijnë te qëllimi ose suksesi që ia ka caktuar vetës. Një ujdi e tillë nuk paraqet triumf as për Kosovën dhe as për Serbinë, pasi formati i këtij dialogu është ai i cili e ngadalëson ecjen e përgjithshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe konsolidimin e shtetësisë”, shton ai.
Megjithatë, Thaçi e vlerëson qasjen insistuese të kryeministrit Kurti që marrëdhëniet Kosovë-Serbi të jetë të barabarta dhe të vendosen mbi parimin e reciprocitetit.
“Në këtë kuptim është për t’u vlerësuar qasja insistuese e ekzekutivit të tanishëm që marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të jetë të barabarta dhe të vendosen mbi bazën e parimit të reciprocitetit. Mirëpo duhet pasur parasysh se përafrimi në raport me këto negociata duhet të ndryshojë prej institucioneve të Kosovës. Prolongimi i tyre është synimi mbi të cilin është ndërtuar politika serbe në raport me Kosovën, pasi iu përshtatet më së shumti atyre”, thekson hulumtuesi i KDI-së.
Ndërkohë, shprehet kritik ndaj kryeministrit Kurti për dialog të personalizuar me Serbinë dhe mungesë transparence.
“Kemi përfunduar në një dialog tejet të personalizuar mes Kurtit dhe Vuçiq, ndonëse kreu i ekzekutivit kishte kritikuar ish udhëheqësit e kaluar të Kosovës për një dialog shumë të personalizuar dhe jo transparent. Modeli që ai po ndjek, fatkeqësisht është i modeleve të kaluara dhe nuk ka paraqitur ndonjë tejkalim të madh”, përfundon ai.
Qeveria e Kosovës ende nuk e ka shfuqizuar vendimin për reciprocitet ndaj Serbisë për dokumentet e udhëtimit, megjithëse javën e kaluar pas ndërmjetësimit euro-amerikan, Serbia u pajtua që t’i njeh dokumentet e Kosovës dhe t’i largojë të gjitha pengesat për lëvizje të lirë.
Lajmet
Albin Kurti takohet me Hans-Georg Engelke në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Published
8 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, Hans-Georg Engelke.
Me këtë rast, Sekretari i Shtetit Engelke e uroi kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re, duke i shprehur përgëzime për mandatin e ri qeverisës, thuhet në komunikatën e Zyrës se Kryeministrit.
Gjatë takimit u theksua zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe progresi demokratik i vendit, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Në fokus të bisedës ishin edhe çështjet e sigurisë, përfshirë bashkëpunimin në luftën kundër krimit.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe temat që ndërlidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës në diasporë, përfshirë trajtimin e statusit të tyre shtetëror. U theksua se kjo çështje tashmë është qartësuar dhe rregulluar, në mënyrë që ata të mos konsiderohen më si shtetas të Serbisë, ndonëse ende ekzistojnë raste me problematika të ngjashme.
Lajmet
Shtyhet seanca për miratimin e projektbuxhetit 2026
Published
13 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për shqyrtimin e buxhetit është shtyrë për ditën e hënë në orën 10:00.
Ky vendim erdhi pasi votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat kërkuan kohë shtesë për të analizuar dokumentin prej 700 faqesh.
Deputetët e opozitës u shprehën se analiza e detajuar e materialit është e nevojshme për të pasur hapësirë për propozime dhe amendamente.
Buxheti i paraparë kap vlerën e 4 miliardë eurove dhe përfshin, ndër të tjera, edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Sipas ministrit Murati, këtë pagë do ta përfitojnë ata që kanë mbi 12 muaj përvojë pune. Megjithatë, që ky projektbuxhet të hyjë në fuqi si ligj, ai duhet të miratohet domosdoshmërisht edhe në lexim të dytë.
Lajmet
Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore
Published
13 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për financim me Banka Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë euro.
Marrëveshja u miratua me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, të cilat erdhën nga deputetët e Lista Serbe.
Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.
Programi synon mbështetjen e reformave strukturore, forcimin e disiplinës fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se financimi është me normë interesi zero për qind dhe me periudhë grace prej gjashtë vjetësh para fillimit të kthimit. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat e dakorduara, duke bërë që mjetet të jenë tashmë në dispozicion pas ratifikimit.
Marrëveshja ishte nënshkruar më 19 prill 2024 dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të mbështetur stabilitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.
Lajmet
BE-ja rishikon fondet për Serbinë: Ligjet e reja për drejtësinë “zbehin besimin”
Published
14 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Bashkimi Evropian mund të bllokojë një pjesë të fondeve prej 1.6 miliardë eurosh (hua dhe grante) të dedikuara për Serbinë. Ky paralajmërim vjen pasi Beogradi miratoi disa ligje që, sipas Komisioneres për Zgjerim të BE-së, po “zbehin besimin” te përkushtimi i vendit ndaj shtetit të së drejtës.
Reformat për centralizimin e sistemit gjyqësor, të cilat hyrën në fuqi këtë javë, kanë nxitur kritika të ashpra nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ata i shohin këto ndryshime si një mjet për të forcuar pushtetin e Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke dobësuar luftën kundër krimit të organizuar dhe duke penguar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, raporton Reuters.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi për Reuters se këto amendamente po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën e atyre në Bruksel që duan të ecin përpara me integrimin e Serbisë. Ajo konfirmoi se Komisioni po rishikon financimet në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një program ky që lidhet drejtpërdrejt me kushtëzime për sundimin e ligjit.
Ndonëse Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim që në vitin 2014, korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë frenuar progresin. Ligjet e reja parashikojnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve dhe u japin më shumë pushtet kryetarëve të gjykatave mbi gjyqtarët e thjeshtë. Kritikët frikësohen se kjo do të asgjësojë pavarësinë e drejtësisë dhe do të rrezikojë hetimet e rëndësishme për korrupsionin e nivelit të lartë.
Ndërsa qeveria serbe ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka pretenduar se ligjet do ta bëjnë sistemin më efikas. Pas reagimeve negative, Serbia i është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion ekspertësh. Komisionerja Kos theksoi se BE-ja pret që, pas marrjes së këtij opinioni, ligjet të rishikohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. /Reuters/
Albin Kurti takohet me Hans-Georg Engelke në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Shtyhet seanca për miratimin e projektbuxhetit 2026
Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore
Iraku nis riatdhesimin e mijëra luftëtarëve të ISIS-it dhe kërkon mbështetje ndërkombëtare për sigurinë
REL:Konferenca e Munihut-Merz bën thirrje për “ringjalljen” e besimit transatlantik
Miratohet Plani i Rritjes: Kosova përfiton 882 milionë euro nga BE-ja
BE-ja rishikon fondet për Serbinë: Ligjet e reja për drejtësinë “zbehin besimin”
Self: Mbështetje e palëkundur e SHBA-së për Kosovën dhe lidershipin e Osmanit
LDK: Drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të vlejë për të gjithë
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet nga UBT2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT2 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
