Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha së fundmi se Shqipëria dhe Kosova komunikojnë në të gjitha fushat, duke përfshirë ato politike dhe ekonomike dhe kanë marrëveshjet, mirëpo po punohet intenzivisht edhe për funksionalizimin e Dhomës Ekonomike dypalëshe.
Malaj u shpreh se duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm që bizneset të zhvillohen edhe më shumë.
“Shqipëria dhe Kosova janë në një partneritet të vazhdueshëm. Shqipëria dhe Kosova komunikojnë në të gjitha fushat, politike, të biznesit, me marrëveshje të shumta të cilat shumica e tyre kanë gjetur zbatim dhe nga ana tjetër, ne si përfaqësues të shtetit shqiptar na ngelet që të kemi komunikime të vazhdueshme me të gjithë ata që operojnë në Kosovë. Sot ne kemi një takim të parë të kësaj natyre me bizneset nga Shqipëria që operojnë në Kosovë. Ju jam mirënjohës të gjithëve për gjithçka bëjnë në këtë pikëpamje të këtij bashkëpunimi ekonomik, tregtar dhe biznesor mes Shqipërisë dhe Kosovës.”, tha ai.
Ambasadori Malaj komentoi edhe emërimin e ish-ministrit të infrastrukturës së Kosovës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu në krye të portit të Durrësit, duke thënë se është i lumtur për një gjë të tillë, duke theksuar se ai port është jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë shqiptarëve.
“Po shkëlqyer, Liburni është miku im. Unë kam uruar Librunin, e kam marrë në telefon e kam uruar dhe jam shumë i kënaqur. Ai port siç u tha edhe sot në prezantimin e Liburnit nga zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, ai port nuk është vetëm i Shqipërisë, ai port është i shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, pra është i të gjithëve dhe aty lëviz gjithçka. Është motori i ekonomive të vendeve respektive”,tha Malaj.
Ndër të tjera, Malaj tha se ambasada po bën punë intensive për të funksionalizuar dhomën ekonomike dypalëshe, e cila sipas tij, do të thellojë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik të dy vendeve./S.K/KP/