Lajmet

​Jasharaj: Nuk paska fund poshtërsia e të pafytyrëve

Kjo pasi atij i është hapur një llogari e rrejshme në Facebook.

Published

on

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, i është drejtuar mediave përmes një letre ku ka sqaruar se atij i është hapur një llogari e rrejshme në Facebook.

“Të pafytyrët nuk pushuan duke me sharë e fyer edhe për pamjen sepse kishin hulumtuar me UDB-në e tyre dhe nuk kishin gjetur as edhe një minus te unë. Më i poshtëri nga ta, që tani u shpërblye të jetë anëtarë kryesie i partisë në pushtet me kishte bërë sulmin më të rëndë e që më kushtoi me pasoja në shëndet dhe si i tillë e i poshtër që është e mbetet doli e kërkoi falje”, ka shkruar mes tjerash ai.

Jasharaj ka shtuar se, një individ, që fatkeqësisht ka humbur gjithë njerëzoren, paska hapur një profil në Facebook me foton time nga një emision shumë i shikuar televiziv dhe çdo gjë dukej sikur ai është Facebook-u im.

“I tmerruar nga ky realitet u ndala në Pejë sot dhe shkova në polici për ta lajmëruar këtë akt penal e të dënueshëm. Policia bëri gjithë të duhurat dhe u ndjeva edhe një herë krenar që Kosova ka djelmosha e vajza të tilla që kryejnë me përkushtim detyrën e tyre”, ka sqaruar Jasharaj.

Letra e plotë:

Gjatë gjithë kohës së Qeverisë Kurti më kanë fyer e më kanë linçuar përkrahës të tij për të vetmen arsye se u mundova ta prezantoj në mënyrë të denjë zërin e anëtarësisë dhe kërkesat e tyre legjitime. Të pafytyrët nuk pushuan duke me sharë e fyer edhe për pamjen sepse kishin hulumtuar me UDB-në e tyre dhe nuk kishin gjetur as edhe një minus te unë. Më i poshtëri nga ta, që tani u shpërblye të jetë anëtarë kryesie i partisë në pushtet me kishte bërë sulmin më të rëndë e që më kushtoi me pasoja në shëndet dhe si i tillë e i poshtër që është e mbetet doli e kërkoi falje.

Mendova se greva u pezullua dhe se “luftën “ me mua e përfunduan langoit e sahanlëpirësit e pushtetit, por doli se kjo nuk është ashtu. Vërejta se nuk paska fund poshtërsia të ca krijesa, që ngjasojnë, por nuk janë njerëz. Unë kisha mbyllur rrjetin social sepse më fyenin e më shanin pa as edhe një arsye, por vetëm sa për t’i hyrë në qejf të madhit. Por, një mik imi më thirri dje dhe më pyeti se pse kam ndërruar qëndrimin që kisha thënë se kurrë më nuk do të hap Facebook. Mbeta i habitur dhe e mora si humor telefonatën e mikut tim, por pas ca momentesh luta shokët që kisha afër të shikonin dhe u pa. Nuk paska fund poshtërsia e të pafytyrëve sepse një individ, që fatkeqësisht ka humbur gjithë njerëzoren, paska hapur një profil në Facebook me foton time nga një emision shumë i shikuar televiziv dhe çdo gjë dukej sikur ai është Facebook-u im. Kishte bërë edhe shkarravina ky farë i pafytyri dhe të gjitha sikur unë i kam postuar. I tmerruar nga ky realitet u ndala në Pejë sot dhe shkova në polici për ta lajmëruar këtë akt penal e të dënueshëm. Policia bëri gjithë të duhurat dhe u ndjeva edhe një herë krenar që Kosova ka djelmosha e vajza të tilla që kryejnë me përkushtim detyrën e tyre.

Unë u kërkoj falje gjithë atyre që mund t’u ketë shkuar ndonjë mesazh e fyerje nga ky profil, që nuk është imi, por është hapur nga një i pafytyrë e i pakarakter. Nuk po e publikoj pamjen e profilit të rrejshëm sepse mund t’i dëmtoj hetimet, por policia e ka.

Të nderuar punëtorë të arsimit, por edhe në sektorët tjerë kjo dhe të tjerat dëshmojnë se duan të na përçajnë dhe të shuajnë sindikatat. Ju lus me mirësi të qëndrojmë unik dhe të mos e lejojmë këtë gjë. Pa zërin sindikal do të jemi të nënçmuar, të ofenduar e të shkelur.

Rrahman Jasharaj,

Kryetar i SBASHK-ut

Aktualitet

​23 vjet nga hyrja e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë

Published

on

Më 8 shtator të vitit 2000, zyrtarisht Shqipëria i bashkohet Organizatës Botërore të Tregtisë (World Trade Organization) duke aplikuar një regjim liberal tregu. Kosova ende nuk është anëtarësuar në këtë organizatë.

Tregtia e jashtme është liberalizuar që në vitin 1990 dhe ndjek standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

Prej 23 vjetësh ajo është anëtare e OBT-së dhe aplikon regjimin e OBT-së mbi procedurën e licencimit të importit.

Si rezultat i liberalizimit të tregut dhe procesit të vazhdueshëm të përafrimit të kuadrit rregullator doganor me standardet e sistemit të BE-së, importi dhe eksporti i mallrave, si rregull i përgjithshëm, nuk varen nga ndonjë autorizim i veçantë.

Marrëveshjet bilaterale ose multiraterale në të cilat Shqipëria është palë, mund të vendosin kuota, ose kërkesa kontrollesh. Gjithashtu, nevoja për pajisje me licencë ekziston në rastin e disa mallrave specifikë me qarkullim të kufizuar brenda vendit siç janë mallrat ushtarake dhe strategjike, materialet radioaktive dhe substancat psikotrope, ilaçet etj.

Shqipëria është angazhuar të liberalizojë regjimin e saj tarifor duke zbatuar një proces të uljes së tarifave,- zbatojë të gjitha angazhimet që rrjedhin nga marrëveshjet mbi Barrierat Teknike në Tregti (TBT) dhe Standardet Sanitare dhe Fitosanitare (SPS);-Kodi Doganor Shqiptar thekson se vlerësimi doganor do të bëhet në përputhje me kërkesat e OBT-së;- Shqipëria është një anëtar i OBPI (Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale) që nga viti 1992 dhe ajo ka njohur disa marrëveshjeve ndërkombëtare në këtë fushë.

Shqipëria është angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes TRIPS dhe gjithë legjislacionin për të drejtat e autorit. Shqipëria ka nënshkruar edhe memorandumin përkatës në lidhje me Regjimin e Pronësisë Intelektuale.

Eksporti i mallrave nuk i nënshtrohet ndonjë takse të veçantë eksporti, tarife apo barriere tjetër. Gjithashtu, importi i mallrave nuk i nënshtrohet ndonjë detyrimi taksor importi përveç se detyrimit doganor.

Importi i mallrave është subjekt i TVSH dhe disa produkte si duhani, pijet alkoolike dhe lëndët djegëse janë subjekt akcize./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Maqedonia e Veriut kremton 34-vjetorin e pavarësisë

Published

on

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor.

Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.

Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë.

Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, prë shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohej si Maqedonia Veriore.

Maqedonia Veriore deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë: Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia Veriore kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa u bë anëtarja e tridhjetë e Aleancës Veri-Atlantike. /S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Trump përdor imazhin AI për të kërcënuar Çikagon me luftë

Published

on

Presidenti i SHBA-së Donald Trump përdori një imazh të inteligjencës artificiale për të kërcënuar me luftë qytetin e Çikagos.

Ai postoi një imazh të gjeneruar nga AI-ja të vetes në Truth Social, së bashku me një mesazh kërcënues drejtuar qytetit të Çikagos.

Imazhi e përshkruan atë si personazhin e Robert Duvall në Apocalypse Now, në filmin e drejtuar nga Francis Ford Coppola.

“Ne nuk do të shkojmë në luftë. Ne do t’i pastrojmë qytetet tona”, u tha Trump gazetarëve gjatë një postimi në Truth Social më 7 shtator.

Ndërsa filmi i Coppola i vitit 1979 zhvillohet në Vietnamin e Jugut dhe Kamboxhia në epokën e Luftës së Vietnamit, parodia e IA-së e Trump përshkruan Çikagon, me horizontin e qytetit të mbushur me helikopterë. Në imazh, presidenti është gjithashtu i shoqëruar nga një plazh qyteti i mbuluar me zjarr dhe tym, duke imituar me sa duket një zonë aktive lufte.

“Çikago është gati të zbulojë pse quhet Departamenti i luftës”, thuhet pjesërisht në mbishkrimin e imazhit, një referencë ndaj planit të Trump për të riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes.

Mbishkrimi gjithashtu i referohet fushatës agresive dhe të vazhdueshme të zbatimit të ligjit për imigracionin të Trump, duke përdorur një version të ndryshuar të citatit më të famshëm nga Apocalypse Now.

“Më pëlqen aroma e deportimeve në mëngjes…”, thuhej në postim. (Citimi origjinal është, “Më pëlqen aroma e napalmit në mëngjes”, i thënë nga Duvall.)

Kërcënimet e dukshme vijnë ndërsa guvernatori i Illinois, JB Pritzker, paralajmëron banorët e Çikagos për një rritje të agjentëve të ICE në qytet, sipas ABC 7 Chicago.

Guvernatori, një kundërshtar i zëshëm i Trump, tha se mund të ketë deri në 300 agjentë të ICE në Çikago këtë fundjavë, raportoi media, duke cituar zyrtarët lokalë.

Trump njoftoi për herë të parë marrjen e kontrollit të Departamentit të Policisë Metropolitane të Uashington më 11 gusht, duke u thënë gazetarëve se po merrte kontrollin e policisë dhe po vendoste Gardën Kombëtare për të luftuar krimin dhe për të synuar popullsinë e pastrehë të qytetit./S.K/KP/

 

Continue Reading

Aktualitet

​KFOR-i gjerman kryen stërvitje për zbulimin dhe shkatërrimin e dronëve

Published

on

Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale Lindje KFOR kanë kryer një trajnim të dedikuar që synonte përmirësimin e aftësisë së tyre për të zbuluar, ndjekur dhe neutralizuar dronët, një aftësi gjithnjë e më kritike në skenarin e sotëm të sigurisë.

Stërvitja u përqendrua në sistemin Wingman për të identifikuar dronët dhe për të gjurmuar operatorët e tyre, dhe në HP-47 për të kapur dhe çaktivizuar UAV-të.

Stërvitje të tilla rrisin aftësinë teknike individuale, duke theksuar rëndësinë e koordinimit, punës në grup dhe përshtatshmërisë në përballimin e kërcënimeve ajrore në zhvillim.

Kjo ekspertizë unike zgjeron fushëveprimin e misionit të KFOR-it, duke rritur aftësinë e tij për t’u përballur me sfidat në rritje të sigurisë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara