Lajmet

​Ipeshkvi Dodë Gjergji uron besimtarët për Pashkë

Dodë Gjergji tha se sot vazhdojmë ta shohim njerëzimin akoma të ngelur të “kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së tij.

Published

on

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve. Përpos rëndësisë në asketin fetar të kësaj feste, Dodë Gjergji tha se sot vazhdojmë ta shohim njerëzimin akoma të ngelur të “kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së tij.

Për shkak të kësaj, ai tha se edhe sot vëllezërit shamatohen me njëri-tjetrin, çiftet përlahen e shpeshherë ndahen, familjet bien në konflikt, e individët vrasin, vetveten apo njeri-tjetrin.

“Të fortit bëjnë ‘ligjin’ në lagje, të pushtetshmit mbështeten mbi fuqinë e armëve, popujt e mëdhenjtë shfrytëzojnë pasuritë e më të vegjëlve, shtetet e forta i shpallin luftë të panënshtruarave. Edhe pse bota e njerëzimi mburret me arritjet e shkencës, prosperitetit dhe liritë e fituara, megjithatë shumica më e madhe e njerëzve jetojnë akoma në varfëri, uri dhe përbuzje”, shkroi Ipeshkëv Gjergji.

Ai shtoi se të pastrehët nuk gjejnë kulm mbi kokë, njerëzit nuk gjejnë punë, e punëtori nuk paguhet sa duhet.

“Është për t’u habitur se me sa lehtësi legjitimohet varfërimi i njerëzve, në emër të mbrojtjes së interesave të të pasurve. Një gjë e tillë u konstatua në kohën tonë, duke mos e marr parasysh shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës, as gjatë pandemisë, as gjatë rritjes së çmimeve ose mungesës së të mirave të domosdoshme”, tha Gjergji.

Urimi i plotë i Ipeshkëv Dodë Gjergji:

Drejtuar priftërinjve,

motrave të nderit,

besimtarëve dhe

të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

Fort të dashur, në këto ditë të bukura kur e gjithë natyra po i rikthehet gjallërimit vet pranveror edhe ne që i besojmë Krishtit të ringjallur, po dalim nga përvoja kreshmore në përvojën e gëzimit pashkvor, sepse me Ringjalljen e Krishtit, jeta përfundimisht ka ngadhënjye mbi vdekjen. E nëpërmjet të Ringjallurit, kemi faljen e mëkateve, shpresën e lume dhe jetën e pasosur.

1. Kjo ngjarje e madhe pajtimi, pastrimi dhe shpresëplote, është fryt i sakrificës së Zotit në kryqin e Kalvarit. Kur Hyji, për dashurinë që pati ndaj nesh, lejoi që Jezusi, Biri i Tij, të pësonte mundimet, e lëshojë në duart tona, me qëllim që dhënësi i jetës, të bëhej edhe shpëtimtari i saj.

Dashuria e Hyjit është e përkryer, pasi Zoti lejoi të jetë i përbuzur nga ata që i ka krijuar, të gjykohej nga ata që po i shpëtonte dhe të vritej nga duart e atyre që do të besonin në Të. Ai, vërtetë vdiq në kryq. E, për t’u siguruar që kishte vdekur, me një heshtë ia shporuan zemrën. E varrosën dhe vunë roje, ashtu që të siguroheshin se nxënësit nuk do të guxonin ta nxirrnin nga aty. E, të tretën ditë, vërtet u Ringjall, vërtet i shpëtoi nga vdekja gjithë ata që do të besojnë në të. Siç dëshmon Shën Pali Apostull: Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re të hirit (Khs. Rom 6, 4), që është paqja e Zotit, pa frikë, pasi jeta ka ngadhënjye mbi vdekjen, dashuria mbi urrejtjen, mëshira mbi mëkatin dhe e përjetshmja mbi të përkohshmen

2. Besimi në të Ringjallurin, gëzimi i fesë, hareja e shpirtit dhe shpresa e lume, na mundësojnë ta duam dhe t’i gëzohemi jetës, duke e lartësuar atë në dimensionin hyjnor. Jemi të vetëdijshëm se, sikur thotë Shën Pali, duhet të gëzohemi edhe pse një kohë duhet të jemi të trishtuar. Pasi, mjerisht, bota akoma i nënshtrohet mëkatit adamik-lakmisë, logjikës kainike që e vret vëllain dhe psikologjisë së turmës që bërtet “hiqe, kryqëzoje”. Si rrjedhojë, në këtë të përkohshme jetojmë të trishtuar përballë të këqijave që na rrethojnë. Këtë e pamë në pafuqinë njerëzore, për t’u përballur me një krijesë krejt të padukshme (sikur ishte virusi). Sot vazhdojmë ta shohim njerëzimin akoma të ngelur të “kryqëzuar” në urrejtjen e zemrës së vetë, pasi edhe sot vëllezërit shamatohen me njëri-tjetrin, çiftet përlahen e shpeshherë ndahen, familjet bien në konflikt, e individët vrasin, vetveten apo njeri-tjetrin. Pastaj, të fortit bëjnë “ligjin” në lagje, të pushtetshmit mbështeten mbi fuqinë e armëve, popujt e mëdhenjtë shfrytëzojnë pasuritë e më të vegjëlve, shtetet e forta i shpallin luftë të panënshtruarave. Edhe pse bota e njerëzimi mburret me arritjet e shkencës, prosperitetit dhe liritë e fituara, megjithatë shumica më e madhe e njerëzve jetojnë akoma në varfëri, uri dhe përbuzje. Sot, të pastrehët nuk gjejnë kulm mbi kokë, njerëzit nuk gjejnë punë, e punëtori nuk paguhet sa duhet. Është për t’u habitur se me sa lehtësi legjitimohet varfërimi i njerëzve, në emër të mbrojtjes së interesave të të pasurve. Një gjë e tillë u konstatua në kohën tonë, duke mos e marr parasysh shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës, as gjatë pandemisë, as gjatë rritjes së çmimeve ose mungesës së të mirave të domosdoshme. Këndej, nuk mund të mos ndjejmë dhembje kur shohim se si pamëshirshëm bombardohen qytetet, se si njerëzit për një moment humbasin jetën ose shohin se si po zhduket para syve të tyre sakrifica e një jete.

3. Gjitha këto gjëra që i përmendëm janë të dhimbshme dhe na nxisin që angazhohemi për kthyer shpresën e të klithim edhe më fuqishëm Aleluja! Ai u ringjall! U ringjall për ta dhuruar fuqinë e kthimit dhe dashurinë ndërnjerëzore! Le të këndojmë e le të galdojmë të përvuajturit, të mjerët, të shtypurit, e të braktisurit e të dëbuarit, sepse Jezusi Zot, Jeta e të vdekshmëve është paqja jonë. Le të shpresojmë në Të, sepse vetëm nëpër Të e me Të do të kemi shitimin, shpërblimin dhe faljen e mëkateve.

Ngjallja e Krishtit nga të vdekurit nuk është vetëm një ndodhi historike, një dëshmi kishtare, e aq më pak një instrument fetar. Ajo është një shfaqje reale e dashurisë së Hyjit Atë dhe të Birit të Tij, ndaj nesh, të cilët për shkak të mëkatit, jemi të detyruar të përballemi me mjerimin njerëzor, të mund të kemi dashurinë, lumturinë dhe paqen e vërtetë, që na dhurohet nëpër Krishtin Shpëtimtar.

Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, mos të molisemi në të sotmen, por të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparojmë vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi jonë nuk do të mbetet i pafrytshëm në Zotin (Rom,15,58), sepse Ai është ringjallja jonë, pashkët tona!

Të gjithëve ju urojë Pashkë të bardha. Krishti u Ringjall. Aleluja!

+ Dodë Gjergji

Ipeshkëv

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara