Lajmet

​Hoti në Gjilan: Në këtë fushatë përballë kam ata që duan të ndërtojnë njeriun e ri

Published

on

Edhe në Gjilan, kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se kjo garë zgjedhore është për fitoren e demokracisë apo të autokratëve me shamia të kuqe. Bartësi i listës, Avdullah Hoti ka deklaruar se në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka përballë ata të cilët janë duke tentuar regjimin totalitor, i cili ka për qëllim ndërtimin e njeriut të ri.

Edhe në ditën e tetë të fushatës zgjedhore, ai u shpreh i bindur se do të fitojnë në këtë garë zgjedhore.

“Në këtë fushatë po duhet të kthehemi në bazament, në fundament të ndërtimit të shoqërisë demokratike, sepse përballë i kemi këta që Luta i përshkroi me shamia të kuqe, të cilat përpara i kanë lidhur në qafë dhe janë regjim totalitar, që duan të ndërtojnë njeriun e ri. Për të ndërtuar njeriun e ri duhet me zhbërë shpirtin e tij, me ia humb besimin që ka. E mandej me tentua me ndërtua njeriun e ri. Po krejt këto eksperimente shoqërore kudo nëpër botë kanë dështuar dhe do të dështojnë edhe në Kosovë këtë të diele”, ka deklaruar ai.

Tutje, derisa ka bërë thirrje për mbështetje masive, ai tha se të dielën është garë se a do të fitojë demokracia apo autokratët me shamia të kuqe.

“Gjithmonë i kemi pasur në rrugë, në çdo gurë themel të shtetit të Kosovës, Lidhja Demokratike bashkë me aleatët e saj, që mendojnë si LDK, siç është AKR dhe plot partnerë të tjerë. Gjithmonë i kemi pasur në rrugë, por gjithmonë kemi ditur me evitu, me ndërru rrugën, me i lënë anash. Njësoj kemi bërë në gjashtë muajt e fundit, nuk kemi pasur asnjë dyshim që marrëveshja e Uashingtonit duhet të nënshkruhet. Edhe pse partneri jonë i koalicionit ka dalë nga qeveria 1 orë para se të nënshkruhet marrëveshja në Uashington. Këto janë të vërtetat edhe nuk kam pasur asnjë dyshim që të shkoj të nënshkruaj këtë marrëveshje. Nuk kemi pasur dyshime, se në Shtëpinë e Bardhë nënshkruhen vetëm marrëveshje të mira”, ka shtuar Hoti.

Ai tha se kundërshtarët e tij politikë nuk kanë guxim të debatojnë me të, sepse po synojnë të fitojnë me shamia të kuqe. Për këto të fundit ka folur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili tha se nuk mund të lejojnë që e diela e 14 shkurtit të bëhet e errët, duke u lejuar të tjerëve ri-themelim të Republikës së Kosovës duke rrënuar gjithçka.

“Mos të lejojmë që ata që po marshojnë rrugëve dhe marshi i kuq i tyre po ju mungon kënga e Partizanit. Nuk kanë nevojë me fsheh, nuk kanë nevojë me këndua nën hundë, kanë nevojë me tregu sikur edhe për punë tjera, që ajo ideologji dhe ajo kastë politike në Kosovë, kundërshtuese e gjitha proceseve politike, kundërshtuese edhe kësaj Republike dhe kësaj qeverie edhe të kaluar, po donë në emër të popullit me ri-themelua Republikën tonë. Por, nuk mund të ri-themelohet diçka pa u rrënu. Nuk mund të ndërtohet diçka që është e ndërtuar, nuk mund të funksionalizohet diçka që është një jetë”, ka deklaruar Haziri.

Ai tha se nuk mund të lejojnë që Republika e Kosovës t’i nënshtrohet “Zanës së Maleve”, e as thirrjeve për rithemelim. Haziri tha se ky popull shpresat i ka në zhvillim, e jo në rrënim.

“I ka në betim, e në flamur, e në komb e jo në ideologji e në shamia të kuqe. Që po i lidhin për drunjë dhe për trupa të pemëve. Le të harrojnë që mund t’i lidhin në qafa të njerëzve, sepse janë të papranueshme”, ka theksuar ai.

Tutje, sipas tij, themelet e Republikës së Kosovës janë larë me gjak, e jo me shamia të kuqe.

Për më tepër, partneri i koalicionit, Behgjet Pacolli theksoi se nga e hëna qyteti ka nevojë për pastrim nga këto shamia të cilat janë lidhur në pemë dhe rrugëve të qytetit.

Vendi

Argjentina përmbys Anglinë me magjinë e Messit dhe arrin në finalen e madhe

Published

on

By

Argjentina ka siguruar një kualifikim dramatik për në finalen e madhe pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2:1 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta. Edhe pse anglezët kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, argjentinasit nuk u dorëzuan dhe treguan një karakter të jashtëzakonshëm në minutat e fundit të lojës.

Lionel Messi ishte sërish vendimtar duke dhuruar dy asistime kyçe: fillimisht për supergolin e Enzo Fernandezit që barazoi shifrat në minutën e 85-të, dhe më pas për Lautaro Martinezin, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 92-të.

Me këtë përmbysje të madhe, Argjentina shkon në finalen e dytë radhazi dhe ka shansin e artë të mbrojë trofeun e Kupës së Botës të fituar në Katar në vitin 2022, një sukses që historikisht e kanë arritur vetëm Brazili dhe Italia shumë kohë më parë.

Ndeshja finale do të luhet këtë të dielë në New Jersey në orën 21:00, ku Argjentina do të përballet me Spanjën, e cila eliminoi Francën. Ndërkohë, Anglia dhe Franca do të diskutojnë vendin e tretë të shtunën në orën 23:00. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Gazin amerikan synojmë ta marrim përmes portit e termocentralit të Vlorës

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri me dije se qeveria e ka në plan përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan.
Veçse tha se kjo synohet të bëhet përmes portit detar, e jo me gazsjellës.

“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha ai, gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, në Kramovik të Rahovecit.

Projekt ky I nisur në kuadër të ankandit të parë solar të mbështetur e dizajnuar nga SHBA.

”Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, tha Kurti.

Për këtë project, tha se synon të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të kontribuojë në forcimin e sektorit energjetik të Kosovës.

“Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë”, tha Kurti.

Ai e shfrytëzoi rastin për ta lavduar mërgatën për ndihmën e shumëanëshme dhënë Kosovës.

“Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj”./kosovapress/A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria mban mbledhjen e 28-të, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të në mënyrë elektronike, ku ka miratuar këto vendime:

  • Është emëruar Ragmi Dalipi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
  • Është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave ish-shoqërore të administruara nga AKP-ja për realizimin e dy projekteve në Komunën e Gjakovës:
    • administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale;
    • ndërtimi i një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.
  • Është miratuar ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 11/08, me të cilin Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit emërohet zëvendësuese e anëtarit të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, në vend të Ervina Gashit./A.K/

Continue Reading

Vendi

Helmim nga ushqimi: 31 të hospitalizuar në QKUK

Published

on

By

Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës ka njoftuar se po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë.

Fluksi i rasteve ka nisur gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, periudhë gjatë së cilës ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona, prej të cilëve 11 raste kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis pas analizave të hollësishme laboratorike.

Në kuadër të këtyre rasteve, janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme, të cilët kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion, gjë që ngre dyshime se numri i personave të helmuar mund të jetë edhe më i madh.

Ekipi shëndetësor po punon intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit dhe konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit.

Për shkak të temperaturave të larta që favorizojnë shumimin e shpejtë të baktereve, stafi mjekësor u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumimin e ushqimeve të shpejta të tipit “fast food” dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën më të afërt nëse shfaqin simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, ndërsa Klinika Infektive ka premtuar se do të mbajë të informuar opinionin publik në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri epidemiologjik. /E.A/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara