Lajmet

​Hoti: Do të jetë e vështirë për buxhetin e qeverisë dhe komunave që të kompensohen të gjitha dëmet

Published

on

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë takimit me kryetarët e komunave pas vërshimeve të ditëve të fundit, tha se do të themelojnë një fond emergjent nga rezervat shtetërore për t’iu dalë në ndihmë familjeve të prekura nga vërshimet.

Hoti deklaroi se dëmet nga këto vërshime janë shumë të mëdha dhe se do të jetë vështirë për buxhetin e komunave dhe të qeverisë që të kompensohen të gjitha ato dëme.

Megjithatë, ai u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që sa më shpejt të dërgojnë vlerësimet rreth dëmeve dhe pastaj të bëhet shqyrtimi i tyre dhe qytetarët të marrin mjetet.

“Të dakordohemi për themelimin e komisioneve komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve, tash dëmet janë bukur të mëdha. Duhet të jemi real, do të jetë vështirë edhe për buxhetin e komunës, edhe për buxhetin qendror që të kompensohen të gjitha dëmet.Atë që duhet të bëjmë është që përmes komisioneve komunale tek vlerësimi i dëmeve të identifikoni familjet në gjendje të rëndë sociale, të cilat e kanë të pamundshme që të intervenojnë në sanimin e dëmeve që është bërë në shtëpitë e tyre dhe ne në qeveri, bashkë me ministren e financave, do të themelojmë një fond emergjent dhe mandej varësisht se si na vijnë kërkesat nga komunat, do t’i nxjerrim në mbledhje të qeverisë për të ndarë mjete me procedura të shpejta për familjet që ju i dërgoni në qeveri. Do të bëjmë mandej një komision edhe në nivel qendror në mënyrë që të shqyrtohen të gjitha kërkesat e komunave që proporcionalisht iu dalin në ndihmë familjeve…Një fond emergjent nga rezervat shtetërore dhe sa më parë që vijnë vlerësimet e juaja, ne i shqyrtojmë, e bëjmë një komision prej tre ministrave, sekretarëve dhe i shqyrtojmë dhe besoj gjatë javës së ardhshme mund të marrim edhe vendime për ndarje të mjeteve”, tha ai.

Hoti tha se është lajm i mirë që nuk ka pasur asnjë rast me fatalitet nga këto vërshime, por shtoi se është shqetësuese dëmet që janë bërë në shtëpitë e banimit dhe në toka bujqësore.

“Jemi me fat që nuk ka pasur asnjë rast me fatalitet nga këto vërshime, që unë besoj tregon që institucionet tona në nivel komunal dhe në nivel qendror janë të konsoliduara, të përgatitura që intervenojnë shpejtë në rast se ndodhin vërshime të tilla. Po pavarësisht kësaj dëmet po duket që janë të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore, ajo që më shqetëson më shumë është në shtëpi banimi në disa raste që unë i kam parë në disa komuna është e qartë që ato shtëpi banimi nuk bëhen të banueshme, ndoshta deri në verë edhe pasi të bie niveli i ujit. Ajo që kisha kërkuar nga ju është të evidentojmë në këtë takim ose në komunikime të drejtpërdrejta të juaja me ministrin e Mbrojtjes, rastet ku FSK mund të ndërhyjë drejtpërdrejt të zëmë për të vendosur ura montuese nëse ka lokalitete që janë të bllokuara edhe nëse duhet edhe intervenimi i KFOR-it në vendosjen e këtyre urave”, tha ai.

Në këtë takim me kryetarët e komunave, Hoti ka diskutuar edhe për buxhetin e vitit 2021 dhe për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike.

“Nesër kemi mbledhje të qeverisë, Ministria e Financave e ka përgatitur vendimin për masat për shpërndarjen e fondit për rimëkëmbje ekonomike që e kemi pjesë të buxhetit të vitit 2021. Pjesë e këtij vendimi do të jetë edhe fondi prej 7.5 apo 7.6 milionë euro t’iu shpërndahet komunave për të kompensuar grantin e përgjithshëm, nëse iu kujtohet kur kemi diskutuar vjet në fillim të shtatorit sepse i keni zvogëluar grantin e komunave, grantin e përgjithshëm për shkak që kanë ra të hyrat totale dhe tash e kompensojmë përmes fondit për rimëkëmbje ekonomike në bazë të formulës siç është formula për grantin e përgjithshëm që asnjë komunë nuk i bije me pas fondin e përgjithshëm më të vogël sesa që e ka pasur vitin e kaluar. Një pjesë e mjeteve do të ndahen për arsim edhe për Ministrinë e Arsimit dhe për komunat”, tha ai.

Ndërsa, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka treguar për punën e FSK-së gjatë këtyre ditëve kur vendi është përballur me vërshime. Ai tha se aktualisht vëmendje të veçantë janë duke iu kushtuar dëmtimeve të disa urave në fshatrat e Kosovës, ku përmendi urën në fshatin Dobroshec të komunës së Drenasit dhe atë të fshatit Hajnoc të komunës së Kamenicës.

“Me pompat e ujit kemi ndihmuar repartin e Pomologjisë në QKUK. Tani në vëmendjen të veçantë janë dëmtimet e urave në fshatin Dobroshec, komuna e Drenasit dhe ura në Hajnoc, komuna e Kamenicës. Këto dy ura lidhin disa fshatra që mbesin të izoluara dhe ne jemi në vlerësim të situatës për të gjitha ato specifika që vijnë nga fusha e xhenios, normal që na duhet edhe një bashkëpunim më i ngushtë me autoritetet komunale sepse flasim për ura të cilat ne i posedojmë në depot tona, varësisht nga specifikat, pengesat ujore, gjatësia e të tjera. Rastin e Kamenicës do të duhej së pari të ndërtohej edhe konstruksioni i cili e bartë urën, do të thotë është diçka që duhet me u menaxhuar nga autoritetet e komunës. Kurse, në rastin e Drenasit është rast më i lehtë, duke filluar edhe nga gjerësia e pengesës e të tjera. Për Dobroshec, llogarisim gjatësia e urës diku 15 metra, kurse në fshatin Hajnoc, gjatësia do të jetë diku 40, kurse ne për momentin posedojmë 43 metra urë të tipit që mund të montohet për një kohë të shkurtër në momentin që sigurohet konstruksioni”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, me kryetarët e komunave ka diskutuar edhe për investimet kapitale, ku iu ka bërë thirrje që për të gjitha ato projekte të bëhen përgatitje për zbatimin e tyre. Temë e diskutimit në këtë takim virtual ishin edhe pagesat e mbetura nga viti 2020.

Lajmet

Arrestohet në Prizren i dyshuari për keqpërdorim të të dhënave bankare të shtetasve amerikanë

Published

on

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.

Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tërmet 5.9 ballë godet Zelandën e Re

Published

on

Një tërmet me magnitudë 5.9 ka goditur qytetin Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke shkaktuar lëkundje të forta, por pa raportime të menjëhershme për të lënduar apo dëme materiale.

Epiqendra ishte rreth 40 kilometra në veri të Te Anaut, pranë rajonit turistik Fiordland.

Fillimisht autoritetet vlerësuan magnitudën në 6.3 dhe lëshuan paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve të zonave bregdetare të zhvendoseshin në vende më të sigurta.

Pas rishikimit të të dhënave, magnituda u ul në 5.9, paralajmërimi u zbut dhe më pas u anulua plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Supreme ndryshon dënimin për Edmond Lajqin: Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet burg

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Edmond Lajqi, duke ndryshuar vendimin për dënimin e tij të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit të ri të Supremes, Lajqit, i cili është shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve, i është zbutur dënimi nga burgimi i përjetshëm në 30 vjet burgim efektiv. Gjykata ka vendosur që në këtë dënim t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 16 prill 2024, ndërsa në pjesët e tjera, aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë kanë mbetur të pandryshuara.

Ndonëse Supremja konstatoi se gjykatat më të ulëta e kishin vërtetuar drejt fajësinë dhe cilësimin juridik të veprave, ajo gjeti se ato nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm. Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme sqaroi se një pjesë e rrethanave të cilësuara si veçanërisht rënduese nuk kishin mbështetje në prova, kurse disa të tjera përbënin elemente të vetë veprës penale dhe nuk mund të përdoreshin sërish për të justifikuar masën më të rëndë ndëshkimore.

“Burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Duke u bazuar në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme vlerësoi se ky standard ligjor nuk ishte plotësuar për dënimin maksimal, duke argumentuar se dënimi i ri i vendosur prej 30 vitesh përmbush plotësisht efektin e drejtësisë.

“Dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm” thuhet në vendim.

Continue Reading

Lajmet

Ish-drejtori i kompanisë së autostradave në Itali dënohet me 12 vjet burg për shembjen e urës Morandi

Published

on

Ish-drejtuesi i kompanisë Autostrade per l’Italia, Giovanni Castellucci, është dënuar me 12 vjet burgim për shembjen e urës Morandi në Xhenova, ku humbën jetën 43 persona në gusht të vitit 2018.

Vendimi u mor nga gjykata në Xhenova, ndërsa prokurorët kishin kërkuar një dënim më të ashpër për Castelluccin, i cili ishte në mesin e 57 të pandehurve në këtë proces gjyqësor.

Ura u shemb gjatë një stuhie shiu, duke bërë që automjete dhe kamionë të binin nga lartësia. Tragjedia ndodhi në kulmin e sezonit turistik dhe konsiderohet një nga fatkeqësitë më të rënda infrastrukturore në Itali.

Një tjetër ish-zyrtar i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burgim.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, tha se ishte “shumë i kënaqur” me vendimin e gjykatës, ndërsa Egle Possetti, që humbi motrën dhe familjen e saj, e cilësoi dënimin ndaj Castelluccit si “të pranueshëm”.

Castellucci aktualisht po vuan edhe një dënim tjetër prej gjashtë vitesh burgim për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në vitin 2013./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara