Lajmet

​Hetuesja e ZPS-së thotë se nuk është përfshirë në veprimin e arrestimit të ish-krerëve të OVL-UÇK

Pumper ka thënë se përfshirja e saj në kontrollin e çështjes OVL-UÇK ka filluar më 25 shtator.

Published

on

Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zdenka Pumper e cila po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thënë se ka kryesuar operacionin e kontrollit më 25 shtator 2020, por nuk është përfshirë në veprimet e arrestimit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Në ditën e gjashtë të dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara në Hagë, hetuesja e ZPS-së ka thënë se ajo personalisht nuk ka intervistuar asnjërin nga të akuzuarit dhe as ndonjë person tjetër në ndërtesën e organizatës.

Pumper ka thënë se përfshirja e saj në kontrollin e çështjes OVL-UÇK ka filluar më 25 shtator.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Haradinajt, Toby Cadman, hetuesja e ZPS-së ka thënë se hamendëson që ishte në Kosovë në kohën kur kishte marrë udhëzimet për këtë çështje.

Avokati Cadman: Pra, keni qenë në Kosovë në 22 shtator, apo jo?

Pumper: Parapëlqej të hamendësoj, nuk jam e sigurt ku isha atë ditë.

Cadman: Keni qenë në Kosovë më datë 22, sepse zoti Haradinaj në shoqërinë e tre oficerëve të KFOR-it, ju ka parë në Prishtinë atë ditë, e saktë?

Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja Valeria Bolici, meqë sipas saj, nuk ekzistojnë prova që Haradinaj e ka parë hetuesen Pumper në Kosovë.

Ndërsa në pyetjet se kush kishte përgjegjësi të përgjithshme lidhur me hetimet në teren, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, duke shtuar këtu edhe pyetjet për një person me të cilin Pumper thotë të ketë ndarë një zyrë pune e të cilit në këtë seancë ju referuan ‘personi X’.

Lidhur me këtë person, Pumper ka thënë se në atë periudhë kohore kanë ndarë të njëjtën zyrë por që kanë pasur tavolina të ndara pune duke shtuar se nuk është në dijeni nëse i njëjti ka udhëtuar ndonjëherë në Kosovë.

Avokati Cadman: A keni ndonjë sistem me anë të së cilit bëhet informimi ose shkëmbimi i informacionit në mënyrë të rregullt lidhur me gjërat që janë të rëndësishme për momentin për zyrën?

Dëshmitarja Pumper: Ne kemi takime të përjavshme çdo të premte, dhe kemi takime, kemi ekipe të cilave u janë caktuar projekte, ata takohen në mënyrë të rregullt, në përgjithësi më duhet të them që kemi një linjë komunikimi të rregulluar brenda përbrenda zyrës.

Avokati Cadman: Pra, nëse ndodh diçka e rëndësishme, ngrihet një çështje e rëndësishme, do të kishte një forum përmes së cilit i komunikohej kjo çështje e gjithë stafit të ZPS-së?

Ne e dimë që ngjarjet që kanë rrethuar këtë çështje, në qoftë se ne do ta pranojmë çështjen e prokurorisë, paraqisnin një çështje të rëndësishme, shqetësuese për ZPS-në nga data 7 shtator, a nuk është kështu?

Dëshmitarja Pumper: Po, ishte një çështje shqetësuese.

Avokati Cadman: Kur jeni informuar për këtë?

Dëshmitarja Pumper: Besoj që e kam thënë edhe më parë, nuk e mbaj mend se kur jam vënë në dijeni të kësaj çështje por u informova për të dhe ishte çështje shqetësuese dhe kemi folur rreth kësaj.

Avokati Cadman: Sigurisht si nëpunëse e lartë e zyrës, rreth datës 7 apo 8 shtator do të duhej të jeni informuar rreth saj apo jo?

Dëshmitarja Pumper: Nuk dua të spekuloj, e di që jam informuar por nuk e di se kur jam informuar.

Në ditët pasuese gjatë dëshmisë së saj në Hagë, Pumper kishte thënë se udhëzimet lidhur me këtë çështje i kishte marrë gojarisht nga prokurorja Valeria Bolici, ndërsa sot ka shtuar se ndër të tjera ka pranuar edhe e-mail nga Bolici si dhe një e-mail tjetër me informacione rreth dosjeve.

“Kam marrë një e-mail ku më thuheshin dosjet ku gjendeshin komunikime të tilla dhe mbi bazën e të cilave më duhej të shkruaja paragrafët besoj 32 deri 34 të deklaratës sime. Kjo dosje ishte konsoliduar dhe ishte më e thjeshtë për mua për ta shqyrtuar atë, nuk kishte udhëzim lidhur me të”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Ndërsa avokati Cadman ka lexuar transkriptin e dëshmisë së saj dhënë ditë më parë para trupit gjykues.

“Ju aty thoni të kundërtën, thoni nuk ka pasur udhëzime me shkrim, se udhëzimet që i keni marrë nga zonja Bolici janë dhënë gojarisht”, ka thënë avokati i Haradinajt.

E me një gjë të tillë nuk është pajtuar dëshmitarja.

“Nuk më kujtohet të kem thënë se nuk ka pasur fare udhëzime me shkrim, besoj se kam thënë se ka pasur udhëzime gojore, dua të konfirmoj se më kujtohet të kem marrë edhe udhëzime me shkrim disa e-mail, dhe kjo është në proces verbal të dëshmisë sime”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, avokati ka pyetur hetuesen e ZPS-së për mënyrën se si u është komunikuar rasti i rrjedhjes së dokumenteve të cilat u dërguan në OVL-UÇK.

Dëshmitarja Pumper: Në një pikë është bërë një takim nga kryeprokurori, por prokuroi i specializuar ka bërë një njoftim për këtë. Nuk e mbaj mend.

Avokati Cadman: Pra u bë një takim në nivel zyre kur ju u informuat për ketë rrjedhje të të dhënave?

Dëshmitarja Pumper: Atë nuk e mbaj mend, nuk e mbaj mend nëse ka pasur një njoftim në zyrë, por e mbaj mend që kapa sur një njoftim pas ca kohe sa i takon rrjedhjes së të dhënave.

Avokati Cadman: A bëhej fjalë për të gjithë zyrën që u informuat për këtë, apo bëhej fjalë për një skuadër të vogël?

Dëshmitarja Pumper: Për të gjithë zyrën.

Avoakti Cadman: Çfarë hapash të tjerë pasues janë marrë pas këtij njoftimi. A janë marrë masa të tjera pasuese brenda përbrenda institucionit si rezultat i rrjedhjes së këtyre të dhënave?

Dëshmitarja Pumper: Siç e thash nuk e mbaj mend që prokurori i specializuar të ketë njoftuar rrjedhjen e të dhënave. Por çfarë mbaj mend unë është që u bë një ndryshim një hamendeshim i procedurës së protokollit të sigurisë menjëherë pas ndodhjes së këtij incidenti.

Hetuesja e ZPS-së që është dëshmitarja e parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UCK, ka thënë se ka qenë e përfshirë në intervistimin e tre gazetarëve ndërkohë ka theksuar se nuk ka biseduar me ndonjë pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Ajo ka përsëritur se përgjegjësia e përgjithshme e dhënies së informacionit ishte e prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij ku sipas saj ata u jepnin detyra punonjësve të tjerë për kryerjen e hapave hetimor.

Pumper ka thënë se nuk është përfshirë në hetimin se si ka rrjedhur informacioni.

Në këtë seancë, Pumper ka konfirmuar se ka punuar hetuese për disa vjet në policinë austriake dhe gjithashtu ka shërbyer në misione të ndryshme të Kombeve të Bashkuara dhe në një mision të Bashkimit Evropian.

Ajo ka mohuar se punon konsulentë e pavarur hetimore duke theksuar se në Task Forcën Hetimore Speciale ka punuar për 5 muaj ndërsa nga viti 2016 ka filluar punën në Zyrën e Prokuronit të Specializuar.

Hetuesja Zdenka Pumper është dëshmitarja e parë e ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajnt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Vendi

Gjykata Supreme e hedh ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të KPK-së për shkarkim

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 2 tetor 2026, me të cilin ai u largua nga pozita e tij udhëheqëse.

Në aktvendimin e marrë më 27 tetor 2026, kolegji i Supremes vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës në kuadër të kompetencës së veçantë të kësaj gjykate sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas Gjykatës Supreme, faktori që sjell ndërprerjen e funksionit udhëheqës nuk e përcakton automatikisht natyrën disiplinore të vendimit. Vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt është nxjerrë bazuar në nenin 22 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, pa u konstatuar përgjegjësia e tij disiplinore, gjë që e bën atë një akt individual me karakter administrativ.

Gjykata Supreme sqaroi se ligjshmëria e këtij vendimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ në gjykatën kompetente lëndore, duke udhëzuar kështu ndjekjen e rrugës administrative dhe jo atë të ankesës direkte në Supreme. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, fëmija i saj 12-vjeçar dërgohet në strehimore

Published

on

By

Fëmija 12-vjeçar i të ndjerës Arlinda Zekaj është strehuar në njërën nga strehimoret e Kosovës, pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës ku nëna e tij u vra nga goditjet me mjet të fortë.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndërsa nga ky institucion kanë bërë të ditur se për procedurat dhe hapat e mëtejmë lidhur me kujdestarinë e të minorit duhet të kërkohen informacione pranë Qendrës për Punë Sociale.

Nga ana tjetër, Qendra për Punë Sociale nuk ka dhënë deklarata shtesë për mediat, me arsyetimin se zyrtarët e saj janë të angazhuar në terren duke u marrë me trajtimin e menjëhershëm të këtij rasti.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe reagimin efektiv të institucioneve përgjegjëse. /E.A/

Continue Reading

lajme

Tetë gra të vrara këtë vit: Pse po dështon shteti në parandalim?

Published

on

By

Tetë gra janë vrarë në Kosovë, kryesisht nga partnerë e ish-partnerë, deri më tani gjatë vitit 2026. Kjo i bie mesatarisht një grua çdo pesë javë.

Vrasja e fundit, ajo e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, ka rikthyer në diskutim publik pyetjet për reagimin e institucioneve ndaj dhunës në familje dhe për efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes.

Tri ditë para vrasjes, Zekaj ishte ankuar te kryeprokurorja e Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj dhe kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se, kur një grua kërkon ndihmë dhe paralajmëron se është e rrezikuar, institucionet duhet të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete.

“Pranimi i deklaratës, regjistrimi i rastit apo përcjellja e shkresave nuk mjaftojnë për ta konsideruar të përmbushur këtë detyrim”, thotë Rezniqi.

Vlerësimi i rrezikut, thekson ajo, duhet të përsëritet gjatë gjithë procedurës, veçanërisht kur ka kërcënime të reja ose ndryshojnë rrethanat.

Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e saj, sipas një vendimi gjyqësor që ia njihte të drejtën për shfrytëzimin e përbashkët të asaj shtëpie me ish-bashkëshortin.

Prokuroria Themelore në Pejë, një ditë pas vrasjes, shpjegoi se ish-bashkëshorti e kishe kanosur dhe, pas intervistimit të të dy palëve, ai u ndalua dhe Zekaj u kthye në shtëpi, ku jetonte edhe djali i saj.

Megjithatë, disa minuta pas kthimit të Zekajt, ajo dyshohet se u godit për vdekje nga kunati i saj. Kronologjia e publikuar nga Prokuroria nuk sqaron nëse rreziku nga anëtarët e tjerë të familjes ishte vlerësuar dhe çfarë masah ishin marrë për sigurinë e saj pas kthimit.

I dyshari për vrasjen është ende në arrati, ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar paraburgim për ish-bashkëshortin për “mospërfillje të gjykatës” për urdhrin për të mos ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj Zekajt

Rezniqi thotë se kur rreziku është i identifikueshëm, por masat mbrojtëse nuk ndërmerren, pasojat mund të jenë serioze.

“Nënvlerësimi i kërcënimeve, trajtimi i dhunës si mosmarrëveshje private, hetimet e paplota dhe mosreagimi ndaj shkeljeve të masave mund ta lënë viktimën të ekspozuar ndaj përshkallëzimit të dhunës”, thotë ajo.

Pas vrasjes së Zekajt, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi një raport të detajuar për të sqaruar nëse kishte pasur lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale.

Por, Rezniqi thekson se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te deklaratat publike, por duhet të shqyrtohet veprimi i secilit zyrtar të përfshirë.

“Kultura e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve institucionalë duhet të marrë fund”, thotë Rezniqi.

 Dështimet e evidentuara edhe më herët

Pyetjet për reagimin e shtetit ndaj dhunës në familje nuk janë të reja. Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se shteti ia kishte shkelur të drejtën për jetë Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2021.

 

Çka dështoi në rastin e Sebahate Morinës?

Në gusht të po atij viti, Amnesty International raportoi se gratë që përpiqen të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme në Kosovë përballen me pasiguri dhe mungesë të mbështetjes shtetërore për të jetuar të pavarura. Kjo, sipas raportit, i detyron disa prej tyre të kthehen në situata të dhunshme.

Raporti ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës, përfshirë minimizimin e saj dhe zbatimin joefektiv të urdhrave mbrojtës.

Në vitin 2023, Kosova ndryshoi legjislacionin për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje.

Ndërsa, në dhjetor të vitit 2024, u vu në funksion edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike, për të monitoruar personat ndaj të cilëve gjykatat vendosin masa mbrojtëse. Megjithatë, përdorimi i këtij sistemi mbetet i kufizuar.

Për sociologen Dhurata Prokshi, problemi nuk qëndron vetëm te zbatimi i ligjeve, por edhe te mënyra se si dhuna ndaj grave kuptohet dhe trajtohet brenda shoqërisë dhe institucioneve.

“Numri i vrasjeve tregon që format e parandalimit të vrasjeve nga institucionet janë të padukshme. Institucionet, më mirë të themi, veprojnë pas aktit, pasi vrasjet të kenë ndodhur”, thotë Prokshi.

Sipas saj, dhuna psikologjike, kërcënimet dhe rastet me pasoja më të lehta fizike priren të minimizohen, ndërsa kërkesa për prova shtesë mund ta pengojë trajtimin serioz të rasteve.

Prokshi thekson se zyrtarët institucionalë janë pjesë e së njëjtës shoqëri dhe se normat patriarkale mund të ndikojnë në mënyrën se si ata e trajtojnë dhunën ndaj grave. Ajo kërkon kuadro të specializuara që nuk e trajtojnë dhunën si çështje private dhe që vazhdojnë t’i përcjellin rastet edhe kur viktima tërhiqet nga raportimi.

Rezniqi thotë se, ndonëse korniza ligjore është përmirësuar, sfidë mbetet zbatimi i saj. Ajo kërkon vlerësime të dokumentuara të rrezikut, koordinim urgjent në rastet me rrezik të lartë dhe përgjegjësi të qarta për zbatimin e masave mbrojtëse.

Sipas Rezniqit, kur konstatohet neglizhencë në përmbushjen e detyrave, duhet të shqyrtohet përgjegjësia disiplinore dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe ajo penale.

Në letrën e dërguar institucioneve tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave, si dhe zbatimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor për shtëpinë.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, kishte shkruar ajo.

Si mund të forcohet mbrojtja e grave?

Një ditë pas vrasjes së Zekajt, Kuvendi miratoi një rezolutë që kërkon hetim parlamentar për përgjegjësinë në rastin e Zekajt, si dhe rishikimin rugjent, brenda 72 orëve, të rasteve aktive me rrezik të lartë të dhunës në familje.

Çka përmban rezoluta?

Krahas masave të kërkuara me rezolutë, përvojat e vendeve të tjera tregojnë se si mund të forcohet mbrojtja e grave në praktikë.

Asnjë sistem në botë nuk e ka zhdukur plotësisht vrasjen e grave. Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë disa mënyra se si institucionet mund ta forcojnë reagimin ndaj dhunës ndaj grave: përmes vlerësimit të rrezikut, bashkërendimit të institucioneve dhe shqyrtimit të rasteve të vdekjeve të lidhura me dhunën në familje. Megjithatë, vrasjet e grave vazhdojnë të ndodhin në të dyja vendet.

Në Spanjë, numri i grave të vrara nga partnerët ose ish-partnerët ra nga 659 në periudhën 2003–2012, në 526 gjatë viteve 2013–2022, sipas Ministrisë së Brendshme.

Edhe pse nuk dihet se cila masë ndikoi specifikisht në këtë rënie, vendi miratoi në vitin 2004 një ligj gjithëpërfshirës kundër dhunës me bazë gjinore dhe themeloi edhe gjykata të specializuara për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke mundësuar një përgjigje më të koordinuar ndaj procedurave penale dhe çështjeve të lidhura familjare.

Ndërsa më vonë krijoi sistemin policor VioGén, i cili vlerëson rrezikun e dhunës së përsëritur dhe ndihmon në përcaktimin e masave mbrojtëse. Sistemi u mundëson edhe institucioneve të përfshira që të shkëmbejnë informacione. Spanja mbledh dhe analizon të dhëna edhe për vrasjet, për të identifikuar faktorët e përsëritur të rrezikut dhe për të përmirësuar reagimin institucional.

Në Australi, një mekanizëm tjetër synon të identifikojë mangësitë institucionale. Në disa shtete dhe territore funksionojnë ekipe që shqyrtojnë vdekjet e lidhura me dhunën në familje, analizojnë raportimet e mëparshme dhe reagimin e institucioneve, si dhe japin rekomandime për parandalimin e rasteve të tjera.

Për shembull, në shtetin New South Wales, një ekip i tillë u themelua në vitin 2010, ndërsa një vit më vonë u krijua një rrjet kombëtar që bashkon ekipet e specializuara për shqyrtimin e vdekjeve në kontekstin e dhunës në familje dhe mundëson shkëmbimin e të dhënave, gjetjeve dhe rekomandimeve mes tyre.

Ekipet shqyrtojnë rrethanat e vdekjeve dhe historinë e dhunës që u ka paraprirë atyre, për të identifikuar shenjat e rrezikut dhe mundësitë e ndërhyrjes. Ato analizojnë çfarë informacioni kishin institucionet, si kishin reaguar ndaj raportimeve të mëparshme dhe ku mund të ketë pasur mangësi në ofrimin e shërbimeve. Duke krahasuar edhe rastet mes tyre, ekipet identifikojnë modele të përsëritura dhe bëjnë rekomandime për përmirësimin e reagimit institucional.

Përvojat e Spanjës dhe Australisë tregojnë se mbrojtja nuk përfundon me raportimin e dhunës. Ajo kërkon që institucionet ta vlerësojnë rrezikun, të shkëmbejnë informacion dhe të mësojnë nga rastet e kaluara, duke shqyrtuar edhe çfarë nuk ka funksionuar kur një grua vritet. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti u jep ministrive edhe 54 orë për raportin për rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për të përfunduar raportin lidhur me trajtimin institucional të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kurti ka paralajmëruar se pas shqyrtimit të gjetjeve do të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve të mundshëm, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, dhe kjo është rezultat që në seancën e mbrëmshme, kur u votua me 67 vota rezoluta, unë thashë që ata i kanë 72 orë. Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se raporti duhet të ndriçojë plotësisht rastin, por edhe të shqyrtojë raste të ngjashme, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive në secilën hallkë të sistemit të drejtësisë.

“Arlinda Zekaj është dëshmore e betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës”, tha Kurti, duke kërkuar hetime ndaj hetuesve, ngritje aktakuzash kur ekziston bazë ligjore dhe gjykime nga gjykatat.

Kryeministri ka vlerësuar se reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të shtyhet më, duke përmendur kritikat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për mangësitë në këtë fushë.

“Reforma e sistemit të drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, po është urgjente”, theksoi ai.

Kurti u shpreh se institucionet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe të sigurojnë llogaridhënie për çdo dështim të mundshëm.

Në fillim të fjalës së tij, ai shprehu ngushëllime për familjen Zekaj, duke thënë se vrasja e Arlindës ka tronditur shoqërinë dhe ka shtuar kërkesat për drejtësi.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara