Lajmet
Haxhiu paralajmëron vizitë në Hagë tek ish-krerët e UÇK-së
Vizita do të realizohet gjatë këtij muaji.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiMinistria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka prezantuar punën njëvjeçare të ministrisë që ajo drejton. Ajo në një konferencë për media tha se kanë arritur të realizojnë reforma në drejtësi dhe të përmirësojnë kornizën ligjore, teksa fokusi kryesor vazhdon të mbetet vettingu në drejtësi.
E para e drejtësisë kosovare tregoi se në fund të këtij muaji do të realizojë një vizitë në Hagë, derisa ka shtuar se gjatë një viti të qeverisjes së saj kanë dëshmuar se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe të punojë në përmbushjen e qëllimeve, dhe pa e keqpërdorur buxhetin e shtetit.
“Sot bëhen një vit kur kam pranuar detyrën si ministre e Drejtësisë. Gjatë këtij viti kemi dëshmuar se në Kosovë mund të ketë qeveri të pa korruptuar, pa skandale, e cila është e përkushtuar në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe krijimit të shtetit të së drejtës. Gjatë këtij viti kemi dëshmuar se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe mund të punojë në përmbushjen e qëllimeve për të mirën e përgjithshme, pa keqpërdorur buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve duke u minimizuar shpenzimet. Në këtë vit qeverisje Ministria e Drejtësisë ka punuar vazhdimisht për reformën në drejtësi duke hartuar politika dhe kemi përmirësuar kornizën ligjore në vend me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë pakon ligjore të korrupsionit dhe që lidhen me ligjin për deklarimin e pasurisë dhe ligji për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikuar”, tha ajo.
Haxhiu foli edhe për reformat në sistemin prokurorial ku tha se do të trajtohet me prioritet, derisa në Kuvend është proceduar projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim të zhdukjes së parregullsive. Ajo ka folur edhe mbi procesin e vettingut për të cilin tha se mbetet prioritet kryesor i ministrisë që ajo drejton dhe se për këtë çështje ka kërkuar takim edhe me partitë opozitare, por që këta të fundit nuk i janë përgjigjur
“Vettingu është kërkesë shoqërore, është i vetmi çelës që ne e kemi në duar për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës. Por gjatë kësaj kohe ka pasur sfida sidomos në drejtim të konsensusit politik për këtë çështje, pra edhe përkundër faktit që ne kemi thirrur në disa takime subjektet opozitare me qëllim të njoftimit të tyre për procesin e vettingut, qoftë me koncept-dokumentin, qoftë me amendamentin kushtetuese deri tani këto takime nuk kanë ndodhur, për faktin se është e rëndësishme se për reformën në drejtësi pavarësisht dallimeve që mund të kemi me subjektet e tjera politike për çështje të ndryshme besoj që reforma në drejtësi do të duhej të kishte konsensus politik edhe brenda Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Ndërsa mosvotimin e projekt-kodit civil në Kuvend, ministrja Haxhiu e ka parë si një gjë jo të mirë, por për të cilin dokument tha se do të procedohet sërish në Kuvend.
“Mosvotimi i kodit civil në Kuvend nuk ka qenë lajm i mirë, sepse sipas Kushtetutës konsiderohet një dokument shumë i rëndësishëm, andaj edhe do ta riprocedojmë në Kuvend për faktin se rregullorja nuk parasheh ndonjë afat në rastet kur Kuvendi nuk voton një dokument, andaj duke pasur parasysh që nuk ka afat ne do ta riprocedojmë kodin civil”, tha Haxhiu.
Derisa ka folur për punët e përfunduara gjatë këtij njëvjeçari, ministrja e Drejtësisë ka bërë të ditur se do të zhvillojë një vizitë në Hagë së bashku me Komisionin e Legjislacionit, një anëtar të saj dhe nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci.
“Unë bashkë me komisionin për legjislacion, kryetarin e komisionit për legjislacion dhe një anëtarë të komisionit për legjislacion, kryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë dhe është e vërtetë që disa prej tyre nuk kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë vitin e kaluar, mirëpo si Ministri e Drejtësisë kemi për obligim të bëjmë kërkesa për të gjithë, pavarësisht dallimeve politike për çështje që i kemi e që kanë ndodhur pas luftës, sepse sa i përket luftës së UÇK-së ne kemi unifikim. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim andaj problemet e pasluftës pulitke me ta nuk më bëjnë mua të mos i vizitoj, por mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta presin apo jo Ministrinë e Drejtësisë”, tha Haxhiu.
Lajmet
Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit
Published
2 minutes agoon
November 25, 2025By
UBTnews
Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.
Po ashtu, Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.
Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.
Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.
Në padi thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.
Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.
Ndërsa, sot në një konferencë për media, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë shkak i qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e KPK-së dhe prononcimet që kishte bërë në media pas vendimit për ta larguar nga pozita e ud Kryeprokurorit të Shtetit./KP
Lajmet
Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë
Published
4 minutes agoon
November 25, 2025By
UBTnews
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më datë 17.10.2025, rreth orës 00:10min, në banesën familjare në Prizren, pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G., e sulmon me thikë me gjatësi tehu prej 13 cm, bashkëshorten M.A., duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme. Gjithashtu, i pandehuri e godet me thikë edhe vajzën e mitur të viktimës, e cila kishte tentuar të ndërhynte, duke i shkaktuar lëndime të rënda në zonën e krahërorit dhe barkut. Lëndimet e shkaktuara ndaj të dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24.11.2025.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim./KP
Lajmet
Gati 300 ushtarë të KFOR-it marshojnë 30 kilometra në Bondsteel në nderim të të rënëve
Published
2 hours agoon
November 25, 2025By
UBTnews
KFOR ka njoftuar se gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, kanë marrë pjesë në Marshimin Norvegjez në Kampin Bondsteel.
Ky marshim që ka përfshirë 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.
Gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, që shërbejnë nën Komandën Rajonale – Lindje brenda misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, morën pjesë në Marshimin Norvegjez me Pajisje në Kampin Bondsteel, Kosovë.
Marshimi përfshiu 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe paanshmërisht. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si përgjegjës për sigurinë./EO
Lajmet
Bislimi në Berlin, pritet nga Ministri gjerman për Evropë, Gunther Krichbaum
Published
2 hours agoon
November 25, 2025By
UBTnews
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u prit nga Ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit, Bislimi e informoi ministrin Krichbaum mbi ecurinë ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës, duke përmendur rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, rritjen e prodhimtarisë, si dhe përpjekjet për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
Në bisedat rreth integrimit evropian, Bislimi theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, i cili do të hapë rrugë për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe avancimin e perspektivës evropiane.
Ai nënvizoi se integrimi në BE mbetet orientim strategjik dhe aspiratë kryesore për Kosovën, duke shtuar se mbështetja qytetare për anëtarësimin në BE është më e larta në rajon.
Po ashtu, Bislimi diskutoi mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, aktualitetin në vend, situatën në rajon dhe zhvillimet në dialogun me Serbinë.
Në përfundim, Bislimi falënderoi ministrin Krichbaum për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës. Takimit iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti./EO
Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit
Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë
Hapat drejt profesionit, eksperienca e studentëve të Media dhe Komunikim në Radio Kosovë
Pse dhimbja e shpinës po bëhet sëmundja moderne e epokës së telefonit?
Jennifer Lopez këndoi në dasmën e një miliarderi indian, pagesa që mori është “e çmendur”
Kallas: Rusia “definitivisht” nuk do të kthehet në G8
Gati 300 ushtarë të KFOR-it marshojnë 30 kilometra në Bondsteel në nderim të të rënëve
Bislimi në Berlin, pritet nga Ministri gjerman për Evropë, Gunther Krichbaum
Rama i gatshëm për takim me Kurtin e Muratin – Komuna nesër mban seancë të jashtëzakonshme
Të kërkuara
-
Aktualitet1 month agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Vendi3 months agoVotoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së fiton grant prestigjioz kërkimor në Universitetin Çarls të Pragës
