Lajmet

​Haradinaj: Shpërndarja e teksteve do t’i kushtojë shtetit 6 milionë euro më shumë se vitet e kaluara

Këto janë disa gjetjet në terren nga grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Published

on

Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 për libra dhe 30 për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematikë, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa gjetjet në terren nga grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, në tryezën e diskutimit bashkë disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, kanë mbajtur një tryezë diskutimi me temë për situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty u prezantuan disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky vendim nga MAShT-it, është shqetësues e i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milion, pra mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve te kaluara.

“Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimet nëse nuk e jep mbështetjen, trajtimin meritor financiar të mësimdhënësve… Na ka ardhë keq që në kohen e grevës trajtimi nuk ka qenë meritor dhe ai negocimi për 50 euro, lënia e shkollave mbyllur, ka qenë një situatë jo e mirë, poashtu më ka ardhë keq për sindikatën që e kanë trajtuar në mënyrë poshtëruese… Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet, nuk kemi dashtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë. Na shqetëson mënyra si është shpjeguar kjo çështje, të paktën nuk kishte një sinqeritet të dalin e të shpjegojnë, sikur të kishte ndodh një ofertë e drejtë e me kohë, tekstet Kosova i kish siguruar me kosto më të arsyeshme. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit do të kalojë 12 milionëshin, pra në 4 e 6 që ka qenë kostoja, po e kap 12 milion, që i bie gjashtë deri në tetë milion është kostoja më e shtrenjtë, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës më së paku 6 milion më shtrenjtë, dhe nuk kemi marr shpjegim. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garanton qe të gjithë fëmijët i kanë tekstet”, tha Haradinaj.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë mjaftë problematik.

“MAShT-i ka zgjedh mënyrën më të mbrapshtë, më të keqe rreth teksteve shkollore. Nëse Qeveria Kurti nuk paska mjete për lloptop e projektor për shkolla që kanë nevojë sot qe duhet t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e ministres Nagavci ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte qe librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Dhe e lus Haradinaj që ta ngritni zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet…Ka shtatë muaj qe Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe ju kisha lut që të kenë kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor”, tha Jasharaj.

Jasharaj po ashtu tha se shqetësim tjetër është se arsimi po përballet me punëtorë me sëmundje të rënda, të cilët detyrohen të dalin në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, për çfarë kërkoi të ndahet buxhet për këta mësimdhënës, dhe në vend të këtyre të aktivizohen kuadro të reja.

Ndërkaq kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka renditur disa nga gjetjet që kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

“Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që ju garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50 për tekste dhe 30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë vetëm tekstet shkollore, gjetjet qe ne kemi është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, pak a shumë është i pa mundshëm dhe nuk ka mundësitë të ndodhë pa një asistim të dytë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshëm. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kane kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, ndërsa një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton, e penalizon një prind që ato para për arsyeje të ndryshme që nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

Edhe drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi konsideron se vendimi i MAShT-it, është tejet i gabuar.

Baçi derisa tha se rreth 45 për qind e nxënësve janë pa libra, shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të papërgjegjshëm nga diaspora qe po aplikojnë t’i marrin paratë që janë të dedikuara për fëmijët e Kosovës.

“Komuna e Gjakovës ka 45 shkolla, dhe ka mbi 15 mijë nxënës, dhe për momentin gjenda aktuale është se në nivelin e parë deri në pestë i kemi mbi 5 mijë nxënës dhe nga ata mbi dy mijë janë pa libra ose 45 për qind, pa tekste shkollore, me arsyeje të shumta, prindërit pa xhirollogari bankare që janë raste sociale, prindër me xhirollogari bankare të bllokuara, fëmijët me nevoja të veçanta që nuk i pranohet aplikimi, pra nuk ka qasje në platformë. Fenomeni tjetër është aplikimi nga diaspora që po bëhet nga prindër të papërgjegjshëm dhe po marrin mjetet që janë të dedikuara për fëmijët tanë… Librarit poashtu po keqpërdorin kohë pas kohë dhe po shesin tekste tjera kur prindërit nuk janë në dijeni dhe nuk kanë listë të teksteve”, tha Baçi.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9.

Lajmet

IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar sërish te qytetarët për vaksinimin e fëmijëve, duke e vlerësuar këtë proces si masën më të sigurt, më efikase dhe më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe gjithë komunitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave tetë raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e personave të prekur i përkasin kategorisë së të pavaksinuarve me vaksinën MMR, çka dëshmon rolin kyç të kësaj mbrojtjeje në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up) për fëmijët që e kanë shtyrë procesin. Si rezultat i këtij angazhimi, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke dëshmuar ndërgjegjësimin e lartë të prindërve.

Instituti ka shprehur falënderime për prindërit, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet për bashkëpunimin në rritjen e shkallës së imunizimit, duke nëvizuar se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap më afër ndërprerjes definitive të transmetimit të fruthit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës me 95 vota

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për zgjedhjen e Vlora Çitakut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në postin e nënkryetares së Kuvendit.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës plenare, kandidatura e Çitakut mori mbështetjen e 95 deputetëve.

Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që kishte mbetur pa u zgjedhur në seancën e mëparshme konstituuese, kur u votuan anëtarët e tjerë të kryesisë. Kjo vonesë erdhi pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit pas kalimit të afateve kushtetuese.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin duke vlerësuar se Kuvendi është i konstituar konform rregullave dhe se Qeveria nuk është antikushtetuese, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të Kryesisë së Kuvendit.

Continue Reading

Lajmet

PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen, ndërsa ka kërkuar që hapi i radhës të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti javën e kaluar.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, deklarata e miratuar nga Kuvendi përfaqëson qëndrimin e institucionit, ndërsa miratimi i projektligjit do të përbënte hapin e radhës institucional.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet më tej në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj.

“PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, përfundon deklarata.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Published

on

By

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28 shtator 2026,

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u zhvillua në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe, në një kohë kur popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe në procesin e çlirimit të vendit;

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë apo zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë dhe duke rikujtuar krimet e rënda të kryera ndaj popullsisë civile, përfshirë vrasjet, dëbimet, dhunën seksuale, shkatërrimin e pronës dhe zhvendosjen me forcë të mijëra qytetarëve;

Duke qenë të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, përmes mjeteve ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Duke rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura me sakrificën e brezave, rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n,

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton këtë deklaratë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  2. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ashtu siç është përcaktuar në aktgjykim.

  3. Kuvendi kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, brenda kompetencave të tyre, për mbrojtjen e së vërtetës historike lidhur me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën për liri dhe çlirimin e Kosovës.

  4. Kuvendi rikujton se lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është trajtuar edhe përmes aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë rastet ndaj zyrtarëve politikë, ushtarakë dhe policorë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Në këto procese gjyqësore janë trajtuar krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe strukturat shtetërore përmes të cilave ato janë kryer.

  5. Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të respektojnë mandatin e tyre, në përputhje me bazën ligjore mbi të cilën janë themeluar dhe me parimet e shtetit të së drejtës.

  6. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare të popullit të Kosovës apo për të krijuar barazime mes popullit që luftoi për liri dhe forcave që ushtruan represion dhe dhunë ndaj tij.

  7. E vërteta historike, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e çdo të akuzuari për një proces të drejtë gjyqësor, janë parime që duhet të respektohen njëkohësisht. Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin e tij për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale në dispozicion.

 

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte caktuar të niste sot në orën 11:00, ka pësuar vonesë të dukshme dhe nuk ka filluar punimet as pas më shumë se një ore e gjysmë nga orari i paraparë.

Sipas rendit të ditës, deputetët pritej të mblidheshin për të shqyrtuar disa pika me rëndësi, përfshirë miratimin e Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimin e komisioneve parlamentare.

Megjithatë, mbajtja e seancës është zvarritur për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospranisë së mjaftueshme të deputetëve në sallën e Kuvendit në orarin e caktuar, si dhe nga takimet e konsultimet e minutave të fundit ndërmjet grupeve parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara