Lajmet

​Haradinaj në Hagë: Prokuroria të mos vazhdojë rehabilitimin e kriminelëve serbë

Haradinaj ka thënë se forcat e EULEX-it e kishin përcjellë deri pranë ndërtesës së një televizioni në Prishtinë.

Published

on

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka rrëfyer kohën e arrestimit e cila kishte ndodhur në shtator të vitit 2020. Edhe njëherë ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër punës së Zyrës së prokurorit të Specializuar për të cilën ka thënë që po merr për dëshmitarë kriminelët serb.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se forcat e EULEX-it e kishin përcjellë deri pranë ndërtesës së një televizioni në Prishtinë në të cilin ai po shkonte për të dhënë intervistë, ku edhe u arrestua.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se derisa policia e EULEX-it, ka tentuar ta arrestojë atë, ai ka këmbëngulur që kjo duhet të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.

“Kanë dalë ata dhe i kam pa përpara më kanë thënë ndalu policia, jam ndalë dhe njëri më ka dalë para më kanë thënë je i arrestuar, anglisht, i kam thënë pse, tjetri prapa më ka bërtit në gjuhën suedeze më ka thënë mos luaj, e kam parë atë përpara që është Muberg dhe aty pastaj kam filluar me pyet për çka, ai është munduar me nxjerr një letër me lexu, i thash unë dua me qenë Policia e Kosovës nëse jam i arrestuar”, ka thënë ai.

Nga vendi i arrestimi që kishte ndodhur në lagjen “Pejton”, në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se është dërguar në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku i është thënë se menjëherë do të transferohet për në Hagë.

Megjithatë, më pas Haradinaj ka treguar se e kanë lajmëruar udhëtimi nuk mund të bëhet deri ditën e nesërme.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se fletë arrestin ndaj tij nuk e ka parë as në momentin e arrestimit e as gjatë qëndrimit në qendrën e EULEX-it.

“Kur kam dalë aty prej kerrit më ka thënë tash je këtu të ne, i kam thënë në rregull, këtu tha tani duhet me t’i vendosë prangat, unë nuk kam pas pranga, në oborr nja 20 metra deri kam hy mi kanë vendosur prangat deri kam hy brenda në objekt, por i kam thënë nuk ka problem. Policia jonë janë përshëndet, krejt në rregull, sjelljet kanë qenë të mira, fletë arresti në fakt atë që ka dashur me lexu nuk ma ka lexu dhe unë kurrë nuk e kam parë deri më ka ardhur si dokument këtu në burg kur kam ardh, më vonë pasi kam dalë në gjyq, për herë të parë”, ka thënë ai.

Pas një natë qëndrimi në qeli, Haradinaj ishte nisur për në qendrën e paraburgimit në Hagë, nën përcjelljen tani vetëm të hetuesve të Speciales, derisa Policia e Kosovës kishte qenë pjesë e operacionit vetëm gjatë arrestimit të tij në Prishtinë.

“Në ora 11 deri në 12 e di që më kanë dërguar të një pjesë tjetër të Aeroportit të Prishtinës, më kanë dërguar të një si kontejner, aty ma kanë bë një kontroll mjekësore dhe aty më kanë thënë se tash je në duart e punëtorëve të kësaj gjykate dhe përdorin të tjera pranga, ndërsa aty mi kanë heq ato pranga dhe ma kanë vendosur rripin me gjithë pranga tjetër lloj, ma ka bërë kontrollin mjeku dhe jemi nisë, më kanë thënë që nuk kemi përkthyes, për çdo gjë do të shoqërojë njëri prej këtyre oficerëve që e di suedishten dhe më ka shoqëruar oficeri që e di suedishten, ky tjetri dhe jo Moberg, ky i dyti që më tha atje suedisht mos lëvizë”, ka thënë Haradinaj.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se nuk e ka kërcënuar asnjë dëshmitarë apo dikë tjetër gjatë jetës së tij.

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet me panu që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ai.

Edhe njëherë, ai e ka kundërshtuar qasjen dhe punën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, duke thënë se e njëjta po rehabiliton kriminelë.

“Prap kërkoj nga kjo prokurori të mos vazhdojë me këtë rrugë, të mos vazhdojë me rehabilitu kriminelë, sepse të marrësh një dëshmi nga kriminelët, sidomos serb, nuk po quaj kriminelë pse janë serb por sepse janë të dëshmuar, kanë kry vet ekzekutime dhe kanë dhënë urdhër për ekzekutime, këta normal që për ta janë të edukuar që shqiptarët janë fajtor. Nuk dua ta përjetoj në shtetin tim të pavarur prapë një sistem, ose një gjykatë të Kosovës që është edhe më e rreptë se gjykatat serbë në ’81 në raport, më fal e thash gjykatë e kam fjalën të prokuroria, në raport me kohën që jetojmë sot, 40 vite më vonë. Nëse është e tillë, prap po them, jam kundër dhe në këtë formë që po shkon kjo prokurori vetëm me rastin tim që po e shoh, unë jam kundër, e kundërshtoj qind për qind”, ka thënë Haradinaj.

Me përfundimin e pyetjeve të avokatit mbrojtës, Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të specializuar.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor i KEK-ut në Termocentralin “Kosova B”

Published

on

By

Vdes një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) sot, në një incident të rëndë në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq. Punëtori 55 vjeç, u përfshi nga një mjet transportues kamion dhe pësimi i lëndimeve të rënda rezultoi fatal.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e të ndjerit.

KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet po e trajtojnë rastin në përputhje me procedurat ligjore.

Ky informacion është bërë i ditur nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca bisedon me shefin e misionit të Luksemburgut për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi dje Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Në takim, Dietz e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Diskutimet u fokusuan tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale, koordinimi për procesin e integrimit evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Konjuca është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Luksemburgun.

Continue Reading

Të kërkuara